Kur hetuesia bëhej te 15-katëshi: “Do të hedhim me kokë poshtë, se nuk ka kush na kërkon llogari”

0
683
blank

Në ndërtesën më të lartë të Tiranës së asaj kohe, 15-katëshin në qendër të qytetit, Sigurimi i Shtetit kishte disa dhoma, që shërbenin për hetuesinë e armiqve të popullit, siç ishte muzikanti Ali Hoxha. Bashkëvuajtësi i tij në kampin e Fushë-Krujës, Tanush Kaso, rrëfen për “Zërat e kujtesës V”, botim i ISKK, historinë e muzikantit që u arrestua, u torturua, u dënua dhe nuk pa një ditë të bardhë, vetëm sepse humbi trenin në Moskë

Ndoshta për asnjë nuk ka pasur aq pasoja sa për Ali Hoxhën, humbja e një treni. Ansambli i Ushtrisë, ku ai bënte pjesë, po kthehej nga një turne në Kinë. Rruga kalonte nga Moska, ku Aliu vendosi të shëtiste pak, por kur u kthye, nuk gjeti më as grupin, as trenin. Mbeti për dhjetë ditë në Moskë, të cilat në Shqipëri do të konvertoheshin në dhjetë vjet burg. Gjatë këtyre dhjetë viteve do të ndërronte disa kampe pune, në një prej të cilave takoi Tanush Kason, një tjetër i dënuar politik, që ka treguar historinë e mikut të tij të burgut për “Zërat e kujtesës V”.

“Në Fushë-Krujë na erdhi një shok burgu me emrin Ali Hoxha. Ai ishte muzikant. Rridhte nga një familje fshatare, nga Kamza. Talenti i tij për muzikë, ishte zbuluar nga mësuesi i shkollës shtatëvjeçare. Dhe si familje e varfër fshatare që ishte, i dhanë një bursë në Liceun Artistik. Prej aty, e dërguan me bursën e shtetit në Çeki, ku mbaroi studimet e larta për muzikë dhe u emërua në Ansamblin e Ushtrisë. Ishte koha kur qenë prishur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe ishim lidhur me Kinën, Korenë, Vietnamin, etj. Ansambli i Ushtrisë shkoi për turne në Kinë dhe në disa vende të tjera të atij kontinenti. Duke u kthyer, u ndalën në Moskë. U thanë që të mos largohen shumë po të qëndronin aty rrotull stacionit. Aliut iu mbush mendja dhe u largua më tej. Iku treni dhe ai mbeti në Moskë. U dorëzua tek autoritetet atje. Ata i bënë disa pyetje për Liri Belishovën e për Bedri Spahiun. Po ky nuk kishte të dhëna për ata, sepse merrej vetëm me muzikë e jo me politikë. Pastaj rusët i thanë se çfarë dëshironte të bënte: të qëndronte atje, apo të shkonte në vende të tjera perëndimore. Aliu u tha se do të mendohej. Ndërkohë i dhanë një sasi rublash si para xhepi për t’i prishur. Ushqimin e kishte të siguruar në një restorant, dhe fjetjen në hotelin sipër tij. Ndenji dhjetë ditë duke ardhur rrotull nëpër Moskë. Pastaj ndërroi mendje. Mendoi për familjarët e tij që kishte lënë në Shqipëri. Ata mund t’i internonin, mund t’i keqtrajtonin etj., etj. Dhe u thotë autoriteteve ruse se donte të kthehej në Shqipëri.

-“Si ka mundësi?- i thanë ata.-“Po vret veten me duart e tua. Ne i dimë ligjet atje; i kemi bërë vetë ligjet tuaja. Për dhjetë ditë që qëndrove këtu, të paktën dhjetë vjet do dënohesh, mbase edhe më shumë. Do të të akuzojnë për spiunazh, sikur punon për ne.” Dhe në të vërtetë ashtu u bë”, tregon Tanush Kaso.

Nëpërmjet Ambasadës kineze, Aliun e hipën në një avion kinez dhe e sjellin në Tiranë ku i vënë hekurat sapo shkel në Rinas. Hetuesia zgjati disa muaj, gjatë të cilave nuk rreshtën presionet ndaj muzikantit që i kërkonin atë që nuk kishte ndodhur. Dyshonin që ishte përfshirë me spiunazhin sovjetik.

blank
Tanush Kaso

“Unë kam pasur shoqëri të ngushtë me Aliun. Na lidhte muzika, por edhe se ishte njohës i dy-tri gjuhëve të huaja dhe lexonte shumë. Mua më ka treguar për ditët e tmerrit që kaloi tek një dhomë e “pesëmbëdhjetë katëshit”, hoteli më i lartë asokohe në Tiranë, ku e mbante të mbyllur Sigurimi i Shtetit, i cili kishte në dispozicion disa dhoma atje. I bënin presion të jashtëzakonshëm dhe pa ndërprerje, ditën e natën që të tregonte gjëra që ky as ndërmend nuk i kishte shkuar:

- “Me kë ke pasur lidhje në Moskë? Po në Çeki, me kë je takuar? Po kjo femër, po ajo femër?”

Ata i nxirrnin fotografi të vjetra, të jetës studentore. Midis tyre edhe ndonjë femër, e njohur ose e panjohur. E pyesnin me ngulm për çdo foto:

-“Kush është kjo? Kush është ajo?”

Dhe ai përgjigjej, si i trullosur:

-“Nuk di gjë”.

-“Do të marrim e do të hedhim me kokë poshtë, se nuk ka kush na kërkon llogari neve. Mendohu mirë!”- e kërcënonin ata.

Mezi iu mbush mendja atyre, që ky “i pandehur” nuk kishte kurrfarë lidhjeje  me spiunazhet e huaja. Ishte njeri i thjeshtë, i dhënë pas muzikës. E kishte kthyer këtu dashuria dhe keqardhja për prindërit e tij, asgjë tjetër. Mbas gjithë këtyre, i kërkuan që të bashkëpunonte me Sigurimin e Shtetit. Unë nuk e di nëse pranoi apo jo. Këtë vetëm ai dhe Perëndia e dinë. Por, edhe sikur të ketë pranuar në ato kushte, i falet; se nuk dimë që ky të ketë dëmtuar njeri gjatë bugut dhe më pas”, vazhdon Tanush Kaso.

Ata u takuan në kampin e Fushë-Krujës, ku të dënuarit ndërtonin fabrikën e çimentos. Ali Hoxha ishte dënuar me dhjetë vjet burg, sipas Nenit 64 “Tradhti ndaj atdheut”. I morën dhjetë vjet liri, por i lanë disa prej instrumenteve muzikore që i kishte sjellë me vete nga Kina, një trombë, një kitarë dhe një saksofon. Instrumentet, siç tregon Tanush Kaso, e shoqëruan nga një kamp pune në tjetrin, deri në Spaç, prej nga ku u lirua. Dhe në kamp, pas punës së rëndë, Aliu dhe dy-tre të tjerë që i binin kitarës, krijuan një si farë orkestre, që u krijonte për ca minuta iluzionin e lirisë të burgosurve të atij kampi, ku klima ishte disi më liberale se në të tjerët.

“Mbasi mbushi dënimin, Aliun nuk e lejuan të kthehej në profesionin e tij si muzikant. U detyrua të punonte si minator në minierat e qymyrgurit të rrethit të Tiranës, deri sa doli në pension. Muzikanti Ali Hoxha vuajti dhe u nda nga jeta, prej astmës bronkiale dhe sëmundjeve profesionale të shkaktuara nga puna e rëndë e minatorit, si i burgosur në Spaç dhe më pas “në jetën e lirë”, të cilën nuk e gëzoi”, mbyll rrëfimin e tij, Tanush Kaso.

Orkestrat e fundit ku muzikanti Ali Hoxha pati lirinë të merrte pjesë, ishin ato të krijuara në kampet e burgjeve.

A. Çano

Citimet janë marrë nga “Zërat e kujtesës V”, botim i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, ISKK, me autorë Agron Tufën dhe Luljeta Lleshanakun

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here