I dënuari i shkruante Enver Hoxhës nga Qafë-Bari: Edmond Caja na rreh në mënyrë çnjerëzore

0
593
blank

Një dëshmi  e re për torturat që Edmond Caja dhe policët e drejtuar prej tij, ushtronin te të dënuarit e Qafë-Barit. Gazeta 55 publikon letrën që një i dënuar i dërgonte Enver Hoxhës, ku përshkruan torturat dhe rrahjet çnjerëzore në këtë burg.

Viti 1983. Sipas Kastriot Dervishit, që ka siguruar të dhënat, në këtë vit, nga burgu i Qafë-Barit është dërguar për te Enver Hoxha, një letër ku përshkruhen torturat dhe rrahjet çnjerëzore që pësonin të dënuarit. Është letra e Agron Çipllakut, të arrestuar në moshën 16-vjeçare dhe të dënuar me 11 vjet burg, në vitin 1980, së bashku me Durim Delibashin. Pas tre vitesh në Spaç, Agronin e dërgojnë në Qafë-Bar. Kishte vetëm pak muaj në atë burg kur i dërgon letrën Enver Hoxhës. Në atë kohë, komandant i policëve të Qafë Barit ishte Edmond Caja, i cili vetëm pak ditë më parë, hodhi poshtë akuzat për trajtime çnjerëzore që ish-të dënuarit kanë bërë ndaj tij, por në këtë letër thuhet e kundërta. Agroni tregon që të burgosurit liheshin pa bukë, laheshin me ujë të ftohtë, iu vihej detyrim një normë e lartë dhe rriheshin kur nuk e arrinin. Sipas Kastriotit, pas kësaj letre, Enver Hoxha lë shënim se duhej kontroll i rreptë në burgje e kampe dhe se duheshin marrë masa ndaj atyre policëve e drejtorëve, po të ishte kështu. Ramiz Alia thërret prokurorin e përgjithshëm, Rrapi Mino, i cili kryen një inspektim në Qafë-Bari dhe fjalët e letërshkruesit vërtetohen. Megjithatë, asnjë masë nuk u mor ndaj Edmond Cajës, komisarit të kampit, Novruz Naska dhe policëve që kishin rrahur të dënuarit.

Letra e siguruar nga Kastriot Dervishi, si më poshtë:

Zotit Enver Hoxha.

Jam i detyruar t’ju shqetësoj me anën e kësaj letre, thjesht për punë personale. Jam i dënuar për faje penale (me) 11 vjet heqje lirie në moshën 16 vjeç në vitin 1980. Tre vjet dënimi të vuajtjes i kam kryer në kampin e Spaçit. Megjithëse mosha ime është e vogël dhe gjendja shëndetësore jo e mirë, unë atje kam punuar dhe nuk jam bërë shembull i keq kurrë. Thëniet e mia vërtetohen se gjatë kohës së qëndrimit në Spaç nuk është marrë asnjë masë disiplinimi dhe e kam realizuar normën. Më datën 23 janar (1980) unë transferohem në kampin e Qafë Barit. I shtyrë nga rrethanat e këtij kampi po detyrohem t’ju vë në dijeni kushtet e punës që në përgjithësi janë të tmerrshme. Unë nuk jam i aftë t’ju shpjegoj në hollësi, por po prek ato më kryesoret. Frontet e punës në minierë ku punojmë janë të mbytura me ujë. Frontet e punës nuk janë në gjendjen pune. Nuk gjendet mineral për të realizuar normën e detyruar. Detyrohemi me forcë për të punuar në hapësirë në kundërshtim me rregulloren e sigurimit teknik, ku na rrezikohet jeta çdo sekondë. Prezenca e ujit në frontet e punës që e vështirëson realizimin e normës nuk merret parasysh. Edhe kur nuk ka mineral, policia thotë dua normën, gjeje ku të duash. Banjot për t’u larë kur mbarojmë punën funksionojnë me ujë të ftohtë për mungesë të lëndës djegëse. Kjo është minierë piriti që trupi futet e lahet vetë me ujë të ngrohtë, ndryshe nuk del pisllëku. Banjot janë jashtë dhe po të bësh dush me ujë të ftohtë merr plevitin. Ushqimi që na është garantuar nuk na jepet në rregull. Nga vidhet ose shpërndahet, unë nuk e di këtë. Si rrjedhim i të gjithë këtyre faktorëve, norma është e parealizueshme dhe ky është fakt se mbi 80% e të dënuarve nuk e realizojnë normën. Për mendimin tim, fajin e ka personeli inxhiniero-teknik që e kanë katandisur minierën në këtë gjendje dhe drejtoria e ndërmarrjes që janë dhe do të jenë përgjegjës për të gjitha pasojat që do të ndodhin. Në qoftë se do të vihet dorë, komanda e repartit duke u ndodhur përpara këtyre vështirësive dhe e paaftë për të zgjidhur gjërat me bindje dhe në rrugë partie, ka futur dhunën dhe terrorin në kamp, duke rrahur çdo ditë të dënuarit me kamxhik në mënyrë çnjerëzore. Shkel çdo ligj, çdo të drejtë njerëzore. Na lënë dy turne në galeri, na heqin zvarrë nëpër galeri dhe na rrahin pa mëshirë. Disa të dënuar kanë mbetur me të meta fizike nga kamxhiku-zorra e trashë- siç e quajnë policia. Unë vetë jam një nga ata të dënuar që jam rrahur në mënyrën më çnjerëzore nga policia me në krye shefin e policisë së repartit (Edmond Caja-shënim). Unë dhe shumë të dënuar, na mbajnë me dy turne në galeri pa bukë. Ne padyshim japim maksimumin, po nuk e arrijmë dot atë që kërkohet. Gjendja fizike dhe shëndetësore është shumë e keqe, por këtu nuk merret asgjë parasysh. Deri kur do të vazhdojë kjo gjë unë nuk e di, por dua të them se çdo gjë ka një kufi, dua të theksoj se kjo minierë në këto kushte nuk është kamp pune dhe riedukimi, por kamp shfarosjeje. Në qoftë se kjo gjendje do të vazhdojë kështu, të gjithë të dënuarit për një kohë të shkurtët dalin të pavlefshëm për veten e tyre, familjet e atdheun. Unë tash jam 19 vjeç, kam edhe 6 vjet burg për të bërë. Në kushte normale unë e ndiej veten të aftë të kryej këtë me punë dhe të kthehem pranë familjes t’i shërbej asaj, vetes dhe atdheut ku ka nevojë. Unë kam lexuar në literaturë se ne jemi një shtet human, me ligje njerëzore dhe të shenjta. Kush i shkel ato e pëson. Në këtë kamp ne nuk na mbron asnjë ligj. Kam besim se partia këto gjëra do t’i zgjidhë sa më shpejt. Këto që po ndodhin në Qafë Bari nuk i shërbejnë kurrkujt përveçse armiqve të Shqipërisë.

Me nderim, Agroni

Mbështetur në shkrimin e Kastriot Dervishit, botuar në gazetën 55.

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here