Një burrë edhe tjetërsohet, por nëse tjetërsohet një nënë, atëherë e natyrshmja dhe e njerëzishmja është thyer dhe kthyer në argjilë në duart e së keqes, për t’u ngjitur në forma monstruoze që Shqipëria i pa gjatë 45 viteve të regjimit diktatorial.
Dhimbjet e goditjeve, edhe pse i kujtohen si rrëqethje kohë pas kohe, tani janë shuar. Shenjat e plagëve janë zhdukur. Sëmundja e përkeqësuar në qeli, që për pak i mori jetën, është shëruar, por Feridum Doko ka një plagë në zemër, që nuk mbyllet. Kanë kaluar mbi 65 vjet nga ajo kohë, por atij ende i dhemb që, në gjyq, pasi kishte duruar tortura të pafunda për të mos e pranuar akuzën e arratisjes, dëshmitare kundër i doli e ëma. Ndoshta, dënimi me 10 vjet burg, pas asaj dëshmie të pakundërshtueshme, ishte gjëja që i dhembi më pak djalit 19-vjeçar, që kishte vendosur të arratisej nga diktatura.
Teksa ka mbushur 85 vjeç, Feridum Doko, i lindur në Berat, ka treguar për evenwallshaveears.org, historinë e tij që ngjason me historinë e dhjetëra të rinjve që kanë jetuar në Shqipërinë komuniste, që nis me një plan për t’u arratisur, vazhdon me nuhatjen e një tradhtie e më pas me kapjen nga policët, tortura, presione, hetuesi dhe një gjyq ku shpallet vendimi që, brenda pak çasteve, u merr rininë djemve, për t’ua zëvendësuar me vite të kaluara në burgje dhe kampe pune, por diku, historia e tij ndryshon nga historia e të tjerëve dhe e bën atë më të dhimbshme seç do e bënte çdo torturë, sepse përmban zhgënjimin më të madh që dikush mund të pësojë, atë që nuk të shemb thjesht planet dhe një pjesë të së ardhmes, por vetë themelet e qenies.
“Insistimi për pafajshmërinë time rezultoi në 4 seanca gjyqësore; nuk bëhej fjalë që unë ta pranoja që kisha thyer ligjin. Gjyqtari (që në atë pikë ishte irrituar) ftoi si dëshmitare Myzafere Dokon, mamanë time. Ajo kishte qenë personi që më kishte kallëzuar te kryebashkiaku i Beratit; ajo ishte arsyeja se pse më kishin arrestuar dhe ajo ishte personi që dëshmoi kundër meje në gjyq. Ajo tha që: “Këto janë të njëjtat ide që kishte edhe gjatë luftes; ai nuk ka besuar kurrë te Partia Komunise; ka qenë gjithmonë shumë i vendosur për pakënaqësirat ndaj sistemit; donte të tradhtonte vendin duke u arratisur në Greqi. Përpara se të konfirmonte përsëri që ishte ajo e cila më kishte denoncuar”.
Feridumi kishte bërë plan me tre shokë të tij nga Vlora për t’u arratisur për në Greqi përmes Përmetit me ndihmën e një personi që ndihmonte për arratisje persona të rëndësishëm. I tha së ëmës që do të shkonte të vizitonte vëllanë e tij, që ishte mësues në Ujanik të Skraparit duke marrë me vete “një pistoletë të cilën nëna e tij e mbante të fshehur në shtëpi për vetëmbrojtje” dhe u nis drejt Skraparit ku kaloi një natë, por ndërkaq ishte tradhtuar. U kap, u fut në një qeli të shtruar me baltë dhe fekale. U tortura rregullisht për të treguar emrat e shokëve, por ai nuk pranoi, nuk pranoi asgjë. Mendonte që duke mos pranuar, mund të shpëtonte. Siç Feridumi tregon për evenwallshaveears.org, qelitë ishin shumë të ngushta dhe të zhveshura, ai duhet të hiqte këpucët për të mbrojtur gjoksin nga ftohtësia e çimentos kur shtrihej natën. Pas 15 ditësh, nisi hetuesia me pyetje dhe tortura. Ai kujton që ia mbajtën duart pas me pranga, për 15 ditë, duke e liruar vetëm kur duhet të hante apo të shkonte në tualet. Mjaftuan dy muaj me këtë regjim që të përfundonte kockë e lëkurë. Në këtë pikë, pas çdo goditjeje, i binte të fikët. Kërkesa për të treguar shokët ishte këmbëngulëse dhe ai vendosi të thoshte dy emra që e dinte që ishin pushkatuar në vitin 1946 në Berat, gjashtë vjet para kohës kur zhvilloheshin ngjarjet, sa për ta ndalur furinë e goditjeve dhe ato ndaluan me të vërtetë. Më pas u shfaq një hetues tjetër me maniera më të sofistikuara sesa i pari i cili i tha që ishte “një budalla kokëfortë që nuk i tregonte shokët e tij” dhe më pas i tregoi një dokument ku shkruhej që nuk kishte rëndësi çfarë thoshte i pandehuri, sepse prokuroria, kishte tashmë një dëshmi të firmosur që vërtetonte akuzën për të. Tashmë Feridumi vendosi të firmoste me idenë që do të mohonte sërish në gjyq, siç kishte bërë gjatë dy muajve torturash, por do të ishte e kotë. Në gjyq, ajo dëshmia e pakundërshtueshme dhe fundosëse do të vinte nga e ëma. Indoktrinimi kishte arritur në atë pikë sa të ndërhynte në marrëdhënien më të fortë, në marrëdhënien mes një nëne dhe një biri. Në shumicën e rasteve, propaganda komuniste dhe frika e mbjellë në shpirtra, nuk ia arriti këtij qëllimi duke shkaktuar shumë vuajtje te ata që rezistuan, por regjimi diktatorial këmbënguli gjithmonë në to, duke ia njohur vetes të drejtën për të qenë mbi gjithçka dhe, diku, ia doli të triumfonte.
“Më dënuan me 10 vite burg, meqënëse trupi im po luftonte me një temperaturë të lartë 39.5 gradë Celsius. Këshilli i mbrojtjes shpalli që çështja ishte e mbyllur për shkak të dëshmisë së nënës sime. Ajo ma mbylli gjithçka. Mamaja erdhi më vizitoi në burg. Siç duket, disa të afërmit e mi e kishin shtyrë që të më takonte pasi isha diagnostikuar me kancer në mushkëri.
Kur u takova me nënën time, ishim të dy mbas hekurave – me hapësirë në mes.
Erdhi dhe qau, ndoshta ishte penduar; nuk e përmendëm si çështje atë ditë. E pa se në çfarë gjendjeje të mjerueshme isha, ku më duhej të pushoja mbas çdo 4 hapash, sepse ndihesha i rraskapitur, megjithëse isha një djalë i ri. Sërish, për hir të Zotit mbijetova”, tregon Feridum Doko për evenwallshaveears.org.
Një vit më parë, kur është marrë kjo intervistë, Feridumi jetonte në Berat, ishte 85 vjeç dhe ishte bërë gjysh prej vitesh. Vuajtjet ishin larg në kohë, por dhimbja ishte ende brenda tij sepse diktatura kishte mundur të ndërhynte në një nga siguritë e fundit të njeriut mbi tokë, te siguria që nëna nuk mund të të tradhtojë kurrë. Çfarë ishte mbi tokë dhe njerëzore, nuk ishte e paprekshme për regjimin komunist. Vetëm hyjnoren nuk mund të preknin dhe me sa shihet, vetëm prej asaj, dashurisë së Zotit, disa ia dolën të mbijetonin.
Nga A.Çano
Citimet dhe fotot janë marrë nga platforma e dëshmive gojore Edhe Muret Kanë Veshë e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Intervistoi: Kristale Ivezaj Rama
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.