Kufijtë e Shqipërisë janë shënuar me gjakun e 995 shqiptarëve përgjatë gjysëm shekullit të errët të diktaturës. Ky është numri më i lartë i të vrarëve në ndonjë vend për kalim të kufirit, krahasuar me të gjitha vendet e Lindjes së bashku. Për çdo kilometër të kufirit shqiptar, prej rreth 1000 km, ka derdhur gjakun 1 shqiptar.

Vendet e kampit socialist që ishin në kufi me Perëndimin, edhe pse me popullsi shumë më të madhe se Shqipëria, numërojnë më pak të vrarë në vijat e tyre kufitare disa herë më të gjata se ajo e Shqipërisë. Gjermania Lindore kishte 327 të vrarë, Çekosllovakia 282, Bullgaria 108.

Shqipëria gjithashtu, kishte numrin më të vogël të arratisjeve krahasuar me bllokun e Lindjes. Vetëm 13.700 shqiptarë kishin mundur të largoheshin gjatë 46 viteve, ose më pak se 0.5% e popullsisë. Ndërsa deri në vitin 1982 ishin larguar 19.8% e popullsisë nga Gjermania Lindore, 14% nga Çekosllovakia, 6% nga Polonia dhe 5.3% nga Bullgaria.

Për çdo 1000 persona që tentonin të largoheshin përtej kufirit në Shqipëri vriteshin 77 prej tyre, ndërsa në  Gjermaninë Lindore raporti ishte për 10.000 persona vetëm 1.

Vendi ynë konsiderohej si vendi më i izoluar në Botë, jo vetëm për masat e ashpra që zbatoheshin për të qëlluar pa mëshirë ndaj atyre që tentonin t'i afroheshin kufirit, por edhe për brutalitetin që ushqehej vazhdimisht nga krerët e regjimit.

Trupat e të vrarëve në kufi përdhoseshin dhe shpesh sajoheshin inskenime propagandistike për të terrorizuar shqiptarët.

Në qershor 1985, në afërsi të Ksamilit, u gjetën kufomat e shtetasve Sotiraq Nasto e Jorgji Sholla nga Narta e Vlorës, të cilët kishin tentuar të kalonin me not drejt Korfuzit. Ekuipazhet e motoskafit të shërbimit të kufirit u urdhëruan t'i vendosin kufomat në bashet e motoskafit dhe t’i shëtisnin përgjatë bregdetit të qytetit të Sarandës me sinjale alarmi të ndezura.

Janë kryer imitime të të vrarëve në kufi, duke ekspozuar edhe para fëmijëve, trupa sikur ishin vrarë në kufi, mbështjellë me çarçafë të njollosur me bojë të kuqe. Një natë para se të ndohte kjo shfaqje e tmerrshme, qëllohej me armë dhe binin sirenat e policisë për të krijuar nëpër qytetet kufitare imazhin e alarmit dhe të gjendjes së gatishërisë.

Para se të arrinte në një zonë kufitare, çdo shtetas shqiptar duhet të kalonte postblloqe kontrolli dhe ta justifikonte udhëtimin me një arsye bindëse, edhe sikur të shkonte tek vëllai, nëna, apo motra.

Me të mbërritur duhet të pajisej me lejen e degës së brendshme për të shkuar në zonat kufitare, të cilat ishin nën raportimin e vazhdueshëm të Sigurimit të shtetit për çdo dyshim. Edhe një kthim koke drejt maleve që shënonin kufirin raportohej.

Sipas legjislacionit të kohës, tentativa e arratisjes konsiderohej tradhti ndaj atdheut dhe dënohej me 10 deri 25 vjet burg, madje në disa raste edhe me dënim me vdekje.

Praktikisht survejimi i kufirit fillonte që kur dikush priste një biletë udhëtimi për në një qytet kufitar. Stacionet e autobusave të këtyre rretheve ishin të survejuar nga agjentë të shumtë që përcillnin me kureshtje çdo të huaj deri në destinacion.

Në disa prej qyteteve ku kufiri dukej afër, shëtitoret ishin projektuar në anën tjetër të qytetit që askush të mos tentonte t'i hidhte sytë.

Po ashtu, ndryshe nga çdo repart tjetër i ushtrisë, kufiri kishte trajtimin më të mirë në ushqime e veshmbathje dhe ushtarakët më të devotshëm e më të bindur ndaj partisë.

Për çdo aksion që quhej i suksesshëm kur arrestonin apo vrisnin shqiptarë që merrnin guximin të largoheshin nëpërmjet kufirit, ushtarëve të patrullës dhe oficerëve iu jepeshin shpërblime dhe 14 ditë leje.

Nga ana tjetër, për të gjithë të afërmit e personave që kalonin kufirin ose vriteshin në kufi, zhvilloheshin procese të gjata hetimore shpesh me tortura, e më pas fillonte persekutimi me pushime nga puna, internime dhe burgime. Të afërmit hynin në listën e gjatë të "armiqve të popullit" dhe vuanin pasojat e diferencimit në arsimim dhe në punësim.

Kufiri shqiptar u bë pothuajse i pakalueshëm pas vitit 1967, kur filloi të ndërtohej Pengesa Elektro Sinjalizuese, ose siç njihej ndryshe kloni.

Kloni ishte një barierë vertikale me tela të fortë me gjemba, ku kalonte rryma elektrike, mbi dy metra e lartë, e po aq e thellë nën tokë, dhe ndodhej 100-200 metra brenda vijës së kufirit.

Në anën e jashtme të klonit ndodhej i ashtuquajturi brezi i butë, që ishte një rrip toke i punuar për të diktuar gjurmët, me gjërësi rreth 4 m.

Sipërfaqja e kësaj toke që punohej ishte në shumë vende më e madhe se sipërfaqja që punonin fshatarët për të mbjellë prodhime bujqësore. Shpenzimet për blerjen me klering të telave nga Gjermania Lindore dhe ndërtimin e klonit ishin të aq të larta sa e kalonin disa herë volumin tregtar të Shqipërisë për një 5 vjeçar.

Me rënien e Murit të Berlinit dhe hapjen e kufijve mes Lindjes dhe Perëndimit më 9 Nëntor 1989, krerët e diktaturës shqiptare e kuptuan se vazhdimi i izolimit të Shqipërisë do të ishte i pamundur pas pak kohësh, por jo pas pak ditësh. Në Evropë po ndodhnin ndryshime të rrufeshme, ndërsa Shqipëria kishte mbetur vendi i fundit nën diktaturë.

Shqiptarët edhe pse nën një izolim të rreptë, po ndiqnin zhvillimet rreth tyre nëpërmjet stacioneve të radiove e televizioneve të huaja dhe filluan të tregonin shenjat e para se ëndrra e vrarë për lirinë po rikthehej.

Në një situatë që po ndryshonte dita ditës, në qytetet kryesore të vendit dhe nën presionin në rritje të ndërkombëtarëve, regjimi u detyrua të bënte disa lëshime për liritë dhe të drjtat e shtetasve shqiptarë.

Më 8 Maj 1990, Kuvendi i Shqipërisë miratoi disa reforma për të drejtat e njeriut, mes të cilave edhe ndryshimin e ligjit për kalim të paligjshëm të kufirit, i cili pas kësaj date nuk konsiderohej më si tradhëti e lartë ndaj atdheut, çka dënohej me 10-25 vite burg, ose pushkatim, por vepër penale që mund të dënohej maksimumi me 5 vjet burg.

Tri ditë më vonë, Shqipërinë e vizitoi për herë të parë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Perez De Kuelar, i cili inkurajoi presidentin Ramiz Alia për ndryshimet ligjore dhe hapjen e rrugës drejt reformave demokratike. Dukej se diçka po ndryshonte edhe në Shqipëri më në fund.

Pas pak ditësh, më 2 korrik 1990 oborret e ambasadave në Tiranë u mbushën plot me qytetarë shqiptarë që nën mbrojtjen e OKB dhe personalisht të Perez de Kuelar arritën të largoheshin përtej kufijve të Shqipërisë.

Pas këtij lajmi shumë të rinj shqiptarë, besuan se rreziku për të kaluar kufirin ishte zvogëluar dhe mund të provonin të realizonin ëndrrën e tyre për të shijuar lirinë pas 46 vitesh. Por ndryshimi i ligjit në letër, nuk ishte ndryshimi i sjelljes gjakatare ndaj shtetasve të vet prej byroistëve.

Ndërsa shfaqeshin para ndërkombëtarëve si reformatorë dhe partnerë në zhvillimet demokratike, nga ana tjetër urdhëronin vartësit në drejtorinë e kufirit, oficerët dhe ushtarët e kufirit për të mos ndryshuar asgjë nga praktika 46 vjeçare, përkundrazi të ashpërsonin masat.

Mbrëmjen e 22 Gushtit 1990, Niko Joti, 24 vjeçari nga Rehova e Ersekës doli prej portës së drunjtë të shtëpisë së tij. Nikua ishte më i vogëli nga 4 djemtë e Stefanit. Të gjithë ata që e njihnin e vlerësonin për punëtor e të urtë.

 

Rehova ishte fshati më i afërt me kufirin dhe Niko Joti e njihte mirë të gjithë territorin e kufirit, dinte mirë edhe mënyrën se si patrullohej nga forcat e kufirit, që e kishin postën dimërore disa metra mbi fshat.

Ai u takua me 5 djem të tjerë nga Erseka dhe Korça dhe kur dielli po perëndonte, dolën nga fshati e u drejtuan në luginën poshtë postës kufitare për të vazhduar drejt kufirit. Nikua e dinte mirë se ku duhej të kalonin dhe i udhëhiqte, ndërsa të tjerët me kujdes e ndiqnin nëpër rrugicat e ngushta mes shkurreve e pemëve të kodrinave poshtë Gramozit.

Të rinjtë kishin vendosur të largoheshin atë natë drejt Greqisë. Kishin dëgjuar se disa grupe me të rinj kishin mundur të kalonin përtej, por gjithashtu kishin dëgjuar se shumë të tjerë ishin vrarë. Pikërisht pranë Rehovës, më 3 shkurt të po atij viti ishte vrarë një i ri nga Tirana, 27 vjeçari Ilirjan Zari, më 23 Maj 18 vjeçari Sokol Lika dhe më 24 Maj, 24 vjeçari Sami Daja.

Ndërsa në Shkodër ishte vrarë pak ditë mw heret,  17 vjeçari Pëllumb Pëllumbi. Shumë të rinj të tjerë ishin plagosur ose ishin arrestuar, ndërsa kishte dhe raste kur kishin mbetur në dëborën e Gramozit të ngrirë prej acarit e askush s'dinte gjë për ta.

Errësira kishte rënë dhe të rinjtë nxitonin hapat nëpër rrugicat e ngushta, duke u përpjekur të bënin sa më pak zhurmë. Shpresonin të mos i kishte parë askush, përndryshe rojet e kufirit do t'i kishin nga pas.

Pak para mesnatës, arritën të ngjiten në livadhet pranë kreshtës të Gramozit, të cilat ndodheshin më pak se 500 metra nga kufiri. Të lodhur nga ngjitja me shpejtësi e shpatit të pjerrët, vendosën të pushojnë pak aty dhe të merrnin veten për metrat e fundit.

Sapo u ngritën dhe filluan të vraponin, përballë u ndeshën me patrullën e kufirit...

Mbi të rinjtë u lëshuan breshëritë e plumbave. Mbetën të vdekur 3 prej tyre, Petrit Ajdini 26 vjeç, Artur Kërcelli 25 vjeç dhe Niko Joti 24 vjeç. I vëllai i Nikos, Leka, tregon se Nikua ishte plagosur dhe ishte gjallë deri në mëngjes, e më pas ishte qëlluar për vdekje nga oficerët në postën e kufirit.

U arrestua Avni Rumi 27 vjeç. Mundi të largohej drejt Greqisë vetëm Pandush Nica 29 vjeç, por nuk dihej fati i 31 vjeçarit Safet Rrapo nga Erseka. Pas disa ditësh një bari gjeti edhe trupin e pajetë të Safetit të rrëzuar në një humnerë. Forcat e kufirit morrën trupin e Safetit në postë dhe thirrën familjarët ta tërhiqnin.

Familjarët e thirrur për të marrë trupat shkuan me lot në sy, por u përballën me sharjet dhe fyerjet e oficerit dhe ushtarëve. Gjatë ceremonive mortore përveç anëtarëve të familjes, askush nuk u lejua nga miqtë apo bashkëqytetarët të kryente vizita në shtëpinë e të vrarëve, duke i mbajtur ata në një distancë të largët. Shtëpitë u rrethuan nga forcat e policisë dhe agjentët e sigurimit. Edhe itinerari drejt varrezave u zgjodh nga policia, sa më larg banorëve dhe rrugës kryesore.

Arkivolin me trupin e pajetë të Safet Rrapos, e mbajtën nga shtëpia deri tek varrezat e Ersekës: 2 vëllezërit, i ati dhe 3 motrat e tij. Në varreza nuk kishte asnjë njeri, përveçse një grope të hapur dhe një agjenti të sigurimit, fshehur pas një pllake varri, i cili përgjonte fjalët e lamtumirës që i jepnin motrat dhe vëllezërit Safetit, fjalë të cilat i ranë në vesh autoriteteve dhe i thirrën për t'i ndëshkuar me pushimin nga puna.

...dhe kjo nuk ishte masakra e fundit në kufi për atë vit. Katër të rinj të tjerë nga fshati Aliko i Sarandës, do të vriteshin në kufi me Greqinë më 12 dhjetor 1990: Thimjo Masho, Thanas Koçi, Ajdhon Rafti dhe Vangjel Mitro. Edhe pas shpalljes së pluralizmit politik, vrasjet vazhduan me të njëjtin intensitet deri në fillimin e vitit 1991.

Viti 1990 ishte viti më i trishtë për kufijtë e Shqipërisë. Pabesisht, me mënyra brutale, sistemi jo vetëm nuk zbatoi ligjin që miratoi në kuvend për të mos e konsideruar si krim kundër shtetit, por përkundrazi bashkë me të shkeli dhe çdo lloj morali.

Në shumë raportime prej kufijve thuhej se vrasjet ishin bërë në distancë të afërt, me qitje direkt në trup, pra vrasje me dashje pa paralajmërim dhe aspak në kushtet e vetëmbrojtjes. Kishte edhe raste kur ishin qëlluar pas shpine, apo ishin shqyer nga qentë e kufirit ndërsa ushtarët i vërsulnin drejt tyre dhe argëtoheshin duke i parë. Të gjitha këto episode kanë ndodhur ndaj të rinjve të moshës 17-31 vjeç.

Por akoma më e ulët ka qenë sjellja çnjerëzore me trupat e pajetë, që trajtoheshin pa asnjë respekt dhe përdhoseshin edhe në sytë e familjarëve. Pas vrasjeve të para të 1990, në disa raste familjarët dhe qytetarët e viktimave demonstruan hapur indinjatën për këto sjellje të turpshme, ndërkohë të frikësuar për përmasat e revoltave, në disa posta kufitare oficerët propozuan të mos ia u dorëzonin trupat familjarëve dhe kërkuan mbështetje ligjore për këto veprime.

Ndërkohë që krerët e regjimit zotoheshin para opinionit ndërkombëtar për reforma demokratike dhe miratimin e disa kërkesave për liritë e të drejtat e njeriut, në kufi ishin shtuar kontrollet dhe inkurajoheshin ushtarët që të ashpërsonin veprimet e të shtonin vigjilencën, me qëllim që askush të mos mbërrinte i gjallë në tokën e huaj!

Pavarësisht numrit të lartë të vrasjeve në kufi, që sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së brendshme për vitin 1990 arritën rreth 100, asnjë proces hetimor nuk filloi qoftë edhe për një rast të vetëm.

Shumë prej atyre që urdhëruan vrasjet në kundërshtim me ligjin, jo vetëm që nuk u dënuan asnjëherë, por përfituan pozita të larta në ushtri e polici edhe pas ndërrimit të sistemeve, madje edhe sot pas 29 vitesh.

Edhe pse në gjyqin ndaj byroistëve u formulua një akuzë për vrasjet në kufi vetëm ndaj ish Ministrit të brendshëm të asaj kohe, Simon Stefani, në përfundim të procesit gjyqësor, vendimi përmbante dënimet për veprën penale të shkeljes së barazisë së shtetasve nëpërmjet krijimit të privilegjeve të kryer në bashkëpunim dhe se këta të pandehur kishin gëzuar të drejtën të pushonin në vende të veçanta të administruara nga Drejtoria e Pritjes, e cila kishte në administrim dhjetra vila luksoze në vendet më piktoreske të Shqipërisë./en.kujto.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here