Kundërshtoi Hoxhën, tmerret që deputeti Dani kaloi në hetuesi

0
336
blank

Intelektuali i njohur Riza Dani u ekzekutua më 7 shkurt 1948, pas një viti turturash çnjerëzore në qeli. Arrestimi i tij erdhi me urdhër të Enver Hoxhës, Nako Spirut, Hysni Kapos dhe Shefqet Peçit. Dëshmitë rrënqethëse mbi turturat dhe letrat që ia dha mbesës para se ta ekzekutonin.

 

Është ndër emrat e njohur jo vetëm të qytetit të Shkodrës, por të mbarë Shqipërisë, pasi të gjithë veprimtarinë e tij Riza Dani e vuri në shërbim të vendit, deri në ditën kur në moshë të thyer, pas turturave çnjerëzore u ekzekutua, vetëm pse kundërshtoi Enver Hoxhënn dhe Koçi Xoxen. Më 2 dhjetorit 1945, u zgjodh deputet në Asamblenë Kushtetuese. Në parlamentin e ri ishte një nga drejtuesit e opozitës dhe një zë që kurrë nuk pranoi diktaturën komuniste, e cila menjëherë pas marrjes së pushtetit kishte nisur raprezaljen dhe dhunën masive. Më 12 janar 1946, kur po mbahej mbledhja e katërt e kësaj asambjeje, që kishte si rend dite zgjedhjen e Presidiumit të Asamblesë, Riza Dani kundërshtoi listën në emër të pesë deputetëve të Beratit nga Kahreman Ylli. Pas shumë debatesh, fitoi të drejtën për të paraqitur edhe ai një listë të re, ku përfshiu Ibrahim Karbunarën, Aleksandër Xhuvanin, Kulë Kuqalin etj, por jo Enver Hoxhën. Erdhi edhe ajo ditë që Riza Dani do “shkruante” fundin e tij, ndonëse ishte I ndërgjegjëshëm për atë që po bënte. Më 21 janar 1946, kur po diskutohej projekt-rregullorja e asamblesë, replikoi hapur me Enver Hoxhën dhe Koçi Xoxen. Më 23 dhjetor Riza Danit dhe disa deputetëve të tjerë iu hoq mandati, ndërsa më 14 maj 1947 mbërrin vendimi i Byrosë Politike të firmosur nga Enver Hoxhaa, Nako Spiru, Hysni Kapo dhe Shefqet Peçi, ku urdhërohej arrestimi i dhjetë deputetëve dhe dënimi i tyre me vdekje. Akuzave të tjera iu shtua edhe ajo e organizimit të “Lëvizjes së Postribës”. Në gjyq Riza Dani qëndroi me dinjitet, ndonëse këmbët nuk e mbanin, për shkak të torturave që kaloi në qelitë e hetuesisë.

Sipas kujtimeve të nipit të tij dhe dokumentave gjyqësore, deputeti Riza Dani arrestohet dhe nga 11 tetori i 1946-ës torturohet, pavarësisht se kishte imunitetin e deputetit dhe qëndron në hetuesi deri në 23 dhjetor 1946, dita kur vetëm formalisht i hiqet imuniteti. Më 11 tetor 1946 merret në pyetjeje Riza Dani nga hetuesi i sigurimit të ushtrisë, Stavri Xhara para majorëve Vaskë Koleci e Zoi Themeli. Hetuesia e përcjell me shënimin: “Qëndrimi i tij para hetuesisë ka qenë armiqësor, nuk ka pranuar të firmosë asgjë”. Me qëndrim krenar e stoik e me ndjenjë të lartë përgjegjësie, deputeti Riza Dani deklaron: “Jam i ndërgjegjshëm për çka kam thanë e çka kam ba e veprue. Paçi hijen tuaj”… Por disa dëshmi Riza Dani mundi t’i linte edhe ndërsa ndodhej në qelitë e tmerrshme të hetuesisë, ku gardianët dhe hetuesit kishin urdhrin e prerë që ky armik i popullit të torturohej rëndë, por mos i merrej jeta, pasi duhet të kryhej një gjyq formal. Ai arrin t’i japë një letër mbesës së tij ku tregon torturat dhe akuzat që i bëhen. Në të shkruan: “Çështja është tepër serioze, gjyqi me dyer të mbyllura, pa avokat e publik. Prokurori më akuzon si organizator i organizatës së deputetëve, kam marrë pjesë në mbledhjet e saj, kam ba mbledhje me të arratisur. Janë gënjeshtra të turpshme të formulueme me magji të një sistemi mesjetar torturash, sistem që asht aplikue edhe në mue. Sidoqoftë, moralisht jam i fortë e i kam mohuar të gjitha në gjyq. Ç’vendim jep ky, nuk e di. Rizai”.

Ndërsa në një tjetër letër, ka merakun edhe çfarë do thuhet kundër tij. “Tashti që po të shkruaj kam vuajtë shumë, 3 ditë pa bukë e ujë, 20 ditë çimento, shtrojë e mbulojë. Feti, thuaj doktor Omerit këto që po të shkruaj: Akuzat i kam refuzue të gjitha si shpifje të turpshme. Në rast hallallëku, dua të varrosem pranë Agimes (vajzës)”. Deputeti i Shkodrës, Riza Dani, ekzekutohet në 7 shkurt 1948 dhe hidhet në një varr të përbashkët. Familja Dani nuk i ka gjetur akoma eshtrat e këtij patrioti që guxoi të kundërshtonte diktatorin, në kulmin e fuqisë së tij.

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here