Një banor merr përsipër t’i shkruajë Enver Hoxhës për trajtimin favorizues që u bënte kryetari i Komitetit kulakëve, duke lënë në harresë të varfërit. Kur të zgjedhurit e partisë nuk i ndiqnin si duhet udhëzimet e saj, ishin njerëz nga shtresat e popullit që e çonin në vend detyrën
Nxitja e luftës së klasave ishte një prej levave, me të cilat e mbante pushtetin regjimi komunist i Enver Hoxhës. Duke e propaganduar këtë mjet dhune, që në vitet e para pas marrjes së pushtetit, lufta e klasave për një pjesë të madhe të popullsisë, kuptohej si mjet drejtësie: “Të luftohen të pasurit e të përkrahen të varfërit!”
Me këtë koncept, u ndërmorën një varg fushatash, si ajo e shpalljes kulak, sekuestrimet e pasurive, spastrami i administratës prej tyre, etj.
Dokumenti i mëposhtëm është një prej shembujve të shumtë, se si frymëzohej masa e gjerë e popullsisë për të përqafuar këtë luftë të paprecedentë. Një banor nga Elbasani, në formë gjysmanonimati, ku tregon vetëm emrin e tij, Mahmut, i shkruan Enver Hoxhës për t’i “hapur sytë” se si “kulakët nuk po luftoheshin si duhet në Elbasan, përkundrazi po përkrahen, ndërsa të varfërve askush nuk ua hedh sytë…”. Ai denoncon rastin e kryetarit të komitetit, Sul Spahiu, madje i sugjeron diktatorit të vishet me lecka “e të vijë vetë ta shohë se si sillej ai me të varfërit”.
Letra anonime ka edhe dy shënime të tjera në fund, përmes të cilave, kuptohet se letra i ishte dërguar në dorë Enver Hoxhës dhe ai kishte urdhëruar “të shihej kjo çështje nga ana e Partisë”. Kujto.al e sjell të plotë dokumentin si më poshtë:
I dashtun shoku Enver Hoxha
Tiranë
O shoku Enver të lutem kontrolloni mirë kryetarin e Komitetit tonë, Sul Spahiun se ky nuk po hecën në rrugën e Partisë. Ky po ndihmon kulakët, po ha dreka e darka me ata kurse ne fukarenjtë as që na shikon me sy. Si kur të vije njëherë ti vetë me rroba copa copa e të shikojsh se si do të të presin, belqime dhe me shqelma do të të nxjerri përjashta. Ne fukarenjt kemi nevojë për njerëz të urtë që të hecim në rrugën e Partisë që t’na përkrahin ne punëtorët e jo kulakët.
Elbasan 10 -12 -1951
Të fala me shëndet
Mahmuti
Shënim:
Letër gati anonime. Kërkon të kontrollohet Sulë Spahiu se nuk pret popullin mirë. Sipas porosisë së shokut komandant të shihet çështja nga ana e Partisë.
Ju dërgua kopje shokut Spiro Pano
29. XII.951
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.