Zoica Nini: Si ma vranë babanë dhe eshtrat ia hodhën në pusin para degës së brendshme
Nga Luljeta Progni
Është një vend në qendër të Sarandës, ku një grua e moshuar shkon çdo 6 maj e vendos një tufë me lule, qan e lutet. Për ata që nuk e njohin, duket sikur lulet, lotët e lutjet shkojnë drejt askujt e askundit.
Rreth 100 metra përtej godinës që dikur ishte dega e brendshme e Sarandës, ndodhet një bunker, i cili është kthyer në muze për krimet e komunizmit. Përballë tij gjendet një pus, që në Sarandë e quajnë pusi-varr. Nuk ka asnjë pllakatë apo shenjë që e dallon atë pus nga të tjera objekte që gjenden në atë territor.
Zoica Nini është 73 vjeçe, ajo shkon çdo vit atje sepse janë aty eshtrat e babait të saj. Zoica ishte vetëm dy-muajshe kur regjimi komunist vendosi ta vrasë e ta gjymtojë babain e saj, Foto Nini. Ai ishte vëllai i dy dëshmorë të LANÇ, Kiço dhe Pavllo Nini. Eshtrat e dy vëllezërve dëshmorë të LANÇ janë në varrezat e dëshmorëve dhe emrat e tyre janë në lapidarin e fshatit Nivicë-Bubar. Ndërsa eshtrat e vëllait të tyre Foto Nini, janë në atë pus ku për fat të keq, janë hedhur kufomat e dhjetra të pushkatuarve si kundërshtarë të regjimit.
Zoica nuk e ka parë kurrë babanë e saj dhe kurrë nuk e mësoi arsyen pse regjimi e vrau dhe e hodhi në atë pus varr. Zoica ka mësuar nga gjyshja e saj Marta Nini, se babai Foto Nini u vra mizorisht nga regjimi komunist, kur Zoica ishte vetëm dy muajshe.
Ma ka rrëfyer gjyshja Martë
“Foto erdhi i lodhur nga stani në mal ku qe çoban me pak dhi, që të mbanim frymën gjallë. Të puthi ty që ishe 2-muajshe dhe përkëdheli vëllain tënd që ishte gjithashtu dy muajsh, i cili nuk pati jetë të gjatë, se u sëmur dhe vdiq pa mbushur vitin”, nis kështu rrëfimi i gjyshes që mban mend Zoica. E ka dëgjuar me mijëra herë këtë rrëfim, sepse është rritur nga gjyshja Marta. Ajo ishte një plakë me brengë të madhe në zemër, sepse i kishin vrarë tre djemtë. Vazhdon rrëfimi i Zoicës...
Pasi na kishte puthur ne fëmijët, babai ishte shtrirë të çlodhej pak. Papritur, u dëgjuan zëra të fortë që thërrisnin:
-O Foto Nini, o Foto Nini… Gjyshja kishte dalë tek porta dhe ata e kishin pyetur për babain se a ndodhej në shtëpi. Gjyshja u tha se ndodhej brenda dhe qe shtrirë për t’u çlodhur. Ata i kërkuan t’i thoshte tim eti që të dilte pak tek porta. Babai doli dhe ata i thonë të shkonte pas tyre. Babai diçka nuhati dhe u kërkon që të vishet, por ata i thanë të shkonte ashtu siç qe, se do të kthehej shpejt. Zëri i tyre nuk i pëlqeu gjyshes. Kish hakërrim, mëri, tërbim, pabesi, dukeshin si hungërima hienash dhe vampirësh gjakpirës. Zemra e nënës që ndjen shumë, parandjeu se diçka e keqe po i kurdisej të birit dhe zemra e saj qe e helmuar se dy djem i kish lënë në lutën Na Çl si dëshmorë e plaga e shpirtit nuk i qe mbyllur, megjithëse për nënën nuk mbyllet kurrë. Kështu që vendosi t’u shkonte nga pas. Pa kaluar as dy-tre metra nga porta ata shpërthyen në ulërima, e kapën babain nga krahët duke e zvarritur dhe goditur me shkelma, madje kishin mbledhur edhe shumë nga komuniteti egjiptian, që janë të shumtë në Sarandë, dhe e godisnin babanë me gurë e sende të tjera, me ç’të mundnin e ç’të gjenin, pa le më sharjet e fyerjet. Trupi i babait u mbulua me gjak. Gjyshja bërtiste nga pas se çfarë u kish bërë djali e ç’kishin me të. Kështu vazhdoi gjatë gjithë rrugës, derisa e futën në Degën e Punëve të Brendshme. Aty gjyshja nuk e ndoqi dot më se nuk e lejonin brenda”, rrëfen Zoica.
Fundi fatal i birit të vetëm
Mëngjesin e ditës tjetër, Marta do të merrte lajmin e tmerrshëm për birin e saj. Foto Nini kishte ndërruar jetë në kushte mizore, i lidhur këmbë e duar dhe i kthyer me kokëposhtë i varur në një litar. Martës ia kishte rrëfyer një pasturuese e Degës së brendëshme kohë më vonë. Dudija ishte pastruesja, se ashtu i thërrisnin në Sarandë. Ajo i kishte kërkuar mijëra herë që mos të tregonte se kështu mund të përfundonte në burg. “Në mëngjes Dudia kish parë rrobat e tim eti në oborr të hedhura e të mbuluara nga gjaku. Gardiani K.V. i bërtiste me të madhe t’i merrte e t’i digjte diku në një cep rrobat e atij qeni. Po ç’kish ndodhur atë natë të zezë? Pasi i kishin torturuar çnjerëzisht babain dhe tre të arrestuar të tjerë, i varën kokëposhtë dhe roje i vunë gardianin K. V. Rojën e zuri gjumi dhe të katërt të arrestuarit e varur kokëposhtë, ca nga torturat e ca nga qarkullimi i gjakut që u ra në tru, vdiqën. Mëngjesi i një korrikut i gjeti të vdekur babain dhe tre të arrestuarit e tjerë Ilia Gogoni, Spiro Marangoi nga Delvina dhe Gaqe Muzina. Babait i masakruan kufomën duke i thyer këmbët dhe duart, lanë një kufomë pa gjymtyrë. Por histeria e gjakpirësve të pamëshirshëm që vërsuleshin si hienat e uritura mbi gjahun e pafajshëm , nuk kish mbaruar këtu. Të katër viktimat e masakruara i hodhën në pusin e degës së punëve të brendshme, pus që italianët e kishin bërë për të pasur ujë të pijshëm, por pushteti komunist e mbushi me gjak , eshtra dhe fate të njerëzve të pafajshëm”, i rrëfen kështu fjalët gjyshes, Zoica Nini.
Pusi i kuq
“Tek ai pus qenë hedhur dhe më para e më pas babait edhe të tjerë viktima dhe nuk dihet numri i tyre. Këto tregonte Duduja e mirë duke e porositur gjyshen dhe nënën të mos bënin zë. Por këto i tregon më pas në vitet e demokracisë nga interesimi i të afërmve edhe vet ish gardiani K.V. Ky ishte 24-orëshi i fundit i babait tim që iu pre jeta në mes në mënyrë kriminale dhe u zhduk në mënyrë misterioze trupi i tij i vdekur nga pushteti komunist i sapovendosur i Enver Hoxhës. Zoica thotë se jeta e tyre kaloi nën një kalvar të dhimbshëm e të mundimshëm mes një trajtimi të keq si reaksionar. Gjyshja deri sa vdiq e mbushte pjatën e gjellës me lot. Qante të tre djemtë e sajë, dy dëshmorët dhe armikun e pafaj e të pavarur. Por ama i trajtonin si reaksionar, por kurrë nuk u thanë një fjalë për babain.
Zoica dhe kushërira e saj Vasillo, thonë se nuk kanë reshtur së kërkuari; së pari, arsyen e arrestimit dhe pastaj vrasjen dhe zhdukjen misterioze të Foto Ninit. Por askush nuk u jep një përgjigje të saktë, përveçse: Nuk kemi dokumente, kjo edhe nga arkivi i Ministrisë së Brendëshme. Kjo odise kërkimi nis zyrtarisht që nga viti 1977 e deri sot, por ka vtëm heshtje”, .
Foto Nini u arrestua dhe u vra brenda natës, pa asnjë akuzë dhe pa poçes gjyqësor, në atë godinë të ndërtuar nga italianët dhe në vitet e para të çlirimit u kthye në degën e punëve të brendshme të Sarandës. U hodh në atë pus ku thotë se janë hedhur shtra e shumë të tjerëve. Dhë piëkrisht për këtë Zoica e ka një pytje që i drejtohet pushtetarëve e ish-pushtetarëve të dy kohëve: Pse heshtet për këtë pus-varr, cilat janë viktimat dhe pse u hidhen në atë pus kufomat e tyre?
Rrëfimi i Zoica Ninit bashkë me fotografitë, janë marrë në atikullin me titull: Pse heshtet për varrin masiv të viktimave të ish-degës së punëve të brendshme të Sarandës?!, botuar në gazeta Telegraf, me autor Agron Mema.
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.