Ndahet nga jeta piktori dhe poeti Lirim Biçaku, i rritur e i moshuar në internim për 47 vjet

0
140
blank

Është ndarë nga jeta,  në moshën 75 –vjeçare,  poeti dhe piktori Lirim Biçaku, i cili përjetoi afro 47 vjet persekutim nga regjimi komunist. Ishte 2 -3 vjeç kur nisi kalvarin e internimeve , një jetë tmerrësisht e veshtirë, ku nuk njohu për afro gjysëm shekulli se çfarë ishte liria. Lirim Biçaku lindi në Elbasan në vitin 1943. Si pasardhës i familjes së njohur patriotike të Biçakçinjve në Elbasan, do ta njohte goditjen e regjimti komunist që në moshë fare të njomë. Duke u endur nga një kamp internimi në një tjetër, ai përjetoi të gjithë format e terrorit komunist pothuajse në të gjithë fazat e jetës së tij, nga fëmijëria e hershme e deri në vitet  e moshës së vonë.  Pas viteve ’90 ai iu përkushtua artit dhe letërsisë, por kryesisht pikturës, ku në mënyrë autodidakte ai la shenja të dukshme me talentin e tij. Në ditën e ndarjes së tij nga jeta me 5 maj 2018, Reshat Kripa, një prej miqve të artistit të persekutuar, la këtë homazh për të.

Homazh për mikun tonë Lirim Biçaku

 

I nderuar miku ynë! Ju them mik se me të vërtetë i tillë ishe. Ti ishe këshilltari ynë i urtë, ishe burri me një karakter të fortë, i pathyeshëm para tiranisë së diktatorëve dhe i papajtueshëm me prapaskenat e intrigantëve të pamoralshëm. Nuk besoja kurrë se do të isha unë ai që do të thoja këto dy fjalë të përmortëshme në përcjelljen tënde për në banesën e përjetëshme. Nuk besoja, se deshëm të të kishim gjithmonë pranë, gjithmonë në krye të rrugës që kishim nisur së bashku, sepse kishim nevojë për prezencën tënde, për mendimin tënd, për fjalën tënde të urtë. Por ti ike. Zoti kishte vendosur të të merrte pranë vetes dhe Zoti gjithmonë zgjedh më të mirët dhe ti ishe më i miri.

Ishe i ri kur u detyrove të përballeshe me dallgët e tufanit të tmerrshëm që kishte mbuluar vendin. Megjithatë ti nuk u theve. Ato dallgë i përballove me krenari dhe dinjitet. Bijtë e një familje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira. Po, i dashur, ti i mbijetove asaj kohe barbare, i mbijetove sepse në venat e tua rridhte gjak fisniku. Ky gjak nuk të mungonte ty, i dashur vëlla! Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj. Por së fundi kohët ndryshuan dhe ti ishe gjithmonë në rradhën e parë të atyre që iu kushtuan demokratizimit të vendit dhe në mënyrë të veçantë të atyre që i kishin hequr mbi supet e tyre tmerret e sistemit gjakatar. Para syve më dalin ato ditë të zjarrta kur mblidheshim dhe diskutonim për të ardhmen e atdheut tonë të përvuajtur. Diskutonim për shoqatën tonë të nderuar që përfaqesonte frymën më demokratike të shoqërisë shqiptare, frymën e nacionalizmit shqiptar. Këtë nuk do ta harrojmë kurrë për tërë këta vite që na kanë mbetur për të jetuar. Ti i përkisje asaj plejade që kishin një pasion, një dëshirë të madhe për lirinë. Doje të jetoje i lirë, pa gjemba dhe ferra në rrugën tënde. Doje të jetoje në një botë të vërtetë. Por, për fatin e keq të atdheut, jetoje në një epokë të gabuar. Jetoje në atë epokë kur nuk mund të shprehje dot ato që ëndërroje, ato që të buronin nga zemra e madhe. Jetoje në atë epokë kur nuk mund të shprehje mendimet e lira, ndjenjat e shpirtit të pastër. Jetoje në atë epokë kur kishe dëshirë për të studiuar dhe nuk të linin të studioje, kishe dëshirë për të punuar dhe nuk të linin të punoje, kishe dëshirë për të jetuar dhe nuk të linin as të jetoje. Jetoje në atë kohë kur sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij.

Të nderuar familjarë. Më lejoni t’ju sjell ngushëllimet tona. Mos derdhni lot. Nuk është zakon të derdhen lot për burrat e shquar. Atyre u thurren vargje, u këndohen këngë .Ai ishte një nga këta burra. Ju humbët me të vërtetë njeriun më të dashur tuajin, por edhe ne nuk kemi humbur pak. Ne humbën mikun tonë më të mirë. Humbëm njeriun që e kishim në krahun tonë. Humbëm mikun tonë për fjalën dhe këshillat e të cilit kishim shumë nevojë. Ne sot i falim tokës mëmë vetëm trupin e tij të drobitur, ndërsa shpirtin e kanë marrë engjëjt dhe kanë fluturuar lart në qiell për ta shpënë te Zoti i madh i madhërishëm, në parajsën e përjetëshme. Ndërsa deri dje kishim në mes mikun tonë të dashur, tani e tutje do të kemi kujtimin e tij të paharruar.

Reshat Kripa

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here