E lindur me një talent të spikatur artistik në një familje të pasur, me traditë dhe kulturë, Safete Sokoli mund të kishte qenë një nga sopranot shqiptare të pasluftës që do kishte shëtitur Shqipërinë nga një cep në tjetrin, për të dhënë shfaqje e për të marrë duartrokitje. Por jeta e saj, atëherë kur duhet të niste ngjitjen, mori të tatëpjetën. Safete Sokoli shkeli me këmbë, cepa të Shqipërisë që ndoshta as ua kishte dëgjuar emrin, por për një arsye krejt tjetër: për të vizituar vëllezërit në burgjet ku u ndrynë me radhë. Fillimisht, në vitin 1945, i madhi, Ibrahimi, avokati i diplomuar në Beograd, më pas Ramadani, studenti për flaut dhe kompozicion në Firenze, që mbetet etnomuzikologu i parë shqiptar dhe më pas, edhe më i vogli, Hodoja, mësuesi i ri, që doli nga burgu pas 26 vitesh, në 1990...
Një jetë e tërë e kaluar nga një burg në tjetrin, për të parë prapa hekurave të vëllezërit dhe duke u munduar në punë të rënda për të siguruar ushqim për ta, që herës tjetër të mund t’i shihte prapë. Një jetë e tërë nga një burg në tjetrin, e paburgosur, por e dënuar.
Në vitin 1945, kur dënuan Ibrahimin, i cili pas kthimit nga Beogradi ishte bërë pjesë e elitës intelektuale të Shkodrës dhe anëtar i Lëvizjes së Legalitetit, Safetja ishte vetëm 19 vjeç. Ajo ishte fëmija i shtatë i Jusufit dhe Aishes, që patën 3 djem dhe 6 vajza. Ishte rritur mes bollëkut të një prej familjeve më në zë të Shkodrës, në një shtëpi dykatëshe të shekullit XVII, me shkallë mermeri e guri, me çardak dhe një dhomë të madhe me punime në dru, me oxhak madhështor me motive floreale, e pajisur me shandanë e armë argjendi, me orë muri të ardhura nga Azia. Kështu e përshkruan në librin e saj “Dhimbje”, Fatbardha Saraçi Mulleti, e cila e ka takuar nga afër Safete Sokolin në vitin 1996, në atë shtëpi, ku ajo jetonte me të vëllanë, Hodon dhe të vetmin gëzim kishin vizitat e studenteve të arkitekturës që vinin për të punuar në atë shtëpi me arkitekturë të veçantë që kish humbur shkëlqimin e dikurshëm, por i ruante gjurmët e madhështisë.
Kur ishte në shkollë të mesme, siç i ka treguar autores së librit, këngëtarja shkodrane, Antoneta Ndokfillija, Safetja kishte interpretuar bashkë me të, në operën “Drita”. Safete Sokoli, me zë sopranoje, luante rolin e vajzës, Dritës, ndërsa Antoneta, mezzosoprano ishte nëna. Opera me muzikë nga Prof. Antonio Muci dhe libret nga drejtoresha e shkollës “Donika Kastrioti”, ku studionin vajzat, Silvia Doria, u vë në skenën e shkollës në vitin 1941 dhe Safete Sokoli, 15 vjeç, mori vlerësime të shumta për interpretimin dhe zërin e saj të bukur. Subjekti ishte i thjeshtë. Vajza e vogël i humbet nga sytë nënës në pazarin e Shkodrës. Vite më vonë, po në pazar, buzë liqenit, ajo dëgjon një vajzë duke kënduar dhe e njeh nga zëri dhe nënë e bijë takohen të përmalluara. Jeta e Safetes, do të mbushej me ndarje e takime të përmalluara me njerëzit e saj të dashur, duke nisur nga 4 vite më vonë, kur i arrestuan vëllanë e madh. Pas Ibrahimit, në ‘46-ën, arrestojnë edhe të atin Jusufin, si pjesëmarrës në Lëvizjen e Postribës dhe e dënojnë me dy vjet, si dhe vëllanë, Ramadanin, që kishte lënë përgjysmë studimet për të qenë në Shqipëri gjatë luftës, të cilin e dënojnë me 5 vjet për agjitacion dhe propagandë dhe pjesëmarrje në Lëvizjen e Postribës. Për Safeten nuk kishte më asnjë mundësi për të bërë karrierë si artiste, madje as për të pasur një punë pa stërmundime që u përputhej dijeve të saj.
I vëllai, Ramadani pasi del nga burgu, megjithë persekutimin e vazhdueshëm, për shkak të përgatitjes së jashtëzakonshme dhe nevojave për muzikantë dhe mësues në institucionet e reja që po krijoheshin, arriti të punonte në sektorin e muzikës, edhe pse jo në nivelet akademike që meritonte, por për Safete Sokolin, ishte e pamundur një ritakim i gëzuar me ëndrrat e saj. Në vitin 1964, kur as prindërit nuk jetonin më, i arrestojnë vëllanë e vogël, Hodon dhe e dënojnë me 25 vjet burg. 25 vjet të tjera burg për Safeten, që do të vazhdonin edhe më gjatë, sepse Hodoja u ridënua si pjesëmarrës në revoltën e burgut të Spaçit, në vitin 1987.
“I ndoqa vëllezërit nëpër të gjitha kampet e punës, nga lindja në perëndim, në Burrel te kështjella famëkeqe e komunizmit, që kanë hyrë njerëzit e nuk kanë dalë gjallë, në Maliq ku thahej këneta, në Beden ku hapeshin kanale… Në shumë kampe pune, ku punonin të burgosurit politikë. E vetme përjetova vdekjen e prindërve, që më vdiqën brenda gjashtë muajve, ata i mbyllën sytë përjetë, pa i parë djemtë që i kishin të burgosur. Prindërit vdiqën, por nuk panë tmerrin tjetër, arrestimin e vëllaut të vogël. Përpos dhimbjes u shtua kalvari i vuajtjeve të mia. Që nga viti 1964 Hodon e dënuan 26 (njëzet e gjashtë) vjet burg, u ridënua në revoltën e Spaçit. E ndoqa vëllaun tem Hodo në kampet famëkeqe, pse jo shfarosës, si: Rrepsi, Burreli, Saranda, Spaçi (që ishte tmerri i tmerreve). Eca e eca tok me bashkëvuajtëset e tjera shkodrane, si me Luçien Koliqi, motër e Jul Koliqit, ajo shkonte të ndihmonte Dom Mikel Koliqin që i kaloi jeta në burg e në internim (në vitin 1995 u bë kardinali i parë i Shqipërisë i Klerit Katolik). Po kalvari im vazhdoi për shumë dekada. Përpos vuajtjeve shpirtërore ishte puna e lodhshme në bujqësi, punova në të gjitha fermat, si: Oblikë, Dobraç, Qafe – Hardhi, gjithmonë e kërrusur. Por edhe aty më ndihmuan moralisht shumë bashkëvuajtës, në veçanti një prift katolik shkodran, i ditur, i talentuar, me një shpirt madhështor, përherë me fjalë të ëmbla, me zërin e tij të qetë bëhej shëruesi i shpirtit tem të vuajtur, e ky prift i nderuar ishte Dom Lazër Jubani (i burgosur politk). Pas ca vitesh u helmua nga dora e sigurimit të shtetit. Ndihesha fare e vetmume. E kalova jetën tuj e pasun shok besnik qenin. Kuptohet njerëzit kishin frikë të na vizitonin, jo më të na flisnin. Por në të gjithë këtë vetmi, vetëm një shoqe e rinisë, e artit dhe e muzikës, nuk më braktisi dhe tasht që jemi të moshuara, ajo më ndjek, kjo është aktorja shkodrane Antoneta Ndokillija (Fishta)”, i ka treguar Safetja, Fatbardha Saraçi Mulletit, e cila e ka ndjekur historinë e jetës së kësaj artisteje të penguar, deri në fund dhe fundi nuk ishte siç duhet të kishte qenë për anëtarët e kësaj familjeje të persekutuar pa mëshirë nga diktatura komuniste.
“Në shkurt të vitit 2003, kulla bujare e veriut, ndërtesa treqind vjeçare u shkrumbua nga zjarri, tasht është gjysmë e djegur dhe me një oborr të shkretuar, një pamje e trishtë. Pleqëria e bëri të sajën, nën përkujdesjen e të afërmve mbylli sytë perjetë Safete Sokoli në shkurt 2004, në një ditë me shi shkodranët e përcollën bilbilin e qytetit, që s'u lejua të këndonte. Ajo iku, por mbet pas vepra e saj e madhe, dashuria e pakufi që u dhuroi vëllezërve të saj dhe zëri i saj i ëmbël ruhet në një inçizim nga profesor Ramadan Sokoli, dmth zëri i rinisë së saj jeton, ajo mbet në zemrat tona, një melodi e bukur e pafund… Dy javë pas vdekjes së Safetit, i shkoi pas edhe i vëllai Hodoja…”, shkruan Fatbardha në librin “Dhimbje”.
Safete Sokoli nuk jetoi si artiste, por u bë motra që çdo spektator do ngrihej në këmbë dhe do e duartrokiste gjatë.
A.Çano
en.kujto.al
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.