“Ishte muzg kur po linim kampin e Tepelenës e po drejtoheshim për në kampet e tjera të internimit në Myzeqe. Nana na mblodhi si klloçka zogjtë e saj. U kthye pak nga kampi që po largohej në errësirë. Bani kryqin e tha: O krisht të kjofsha falë që m'i rujte fëmijët e mi. Ne i mbijetuam Tepelenës dhe ky ishte gëzimi i madh i nënës tonë”
Nga Luljeta Progni
Ka shumë momente të rëndësishme në jetën e një njeriu prej ditës kur lind e deri në fund të jetës; përpjekje, mundime, hidhërime, vuajtje e gëzime janë bashkudhëtarë. Kur dikush përpiqet të përbetohet, zgjedh momentet më të rëndësishme, zakonisht gjërat më të shtrenjta në jetë. Por ndodh që zgjedh edhe ato më të vështirat. I tillë është betimi për gratë që kaluan një pjesë të jetës në kampin e Tepelenës. I tillë është betimi i nënës së Sokol e Simon Mirakës. “Pasha mundimet e Tepelenës” kështu betohej Kune Mirakaj, nëna e Simon e Sokol Mirakajt. E ka rrëfyer këtë nusja e Sokolit, e cila është rritur në kampet e internimit dhe ka jetuar jetën e saj me gëzime e mundime, me Sokol Mirakën, birin e Kune Mirakajt.
“Vjehrra ime e kaloi Tepelenën 4 vjet. Kur bënte bè thoshte: “Pasha mundimet e Tepelenës”, rrëfen Valbona Mirakaj. Ndërsa Sokoli, e kujton vazhdimisht atë natë kur u larguan nga Tepelena. Sokoli ishte 10 vjeç e i kujtohet krejt qartë ajo skenë, kur në ikje e sipër, e ëma kthehet, bën kryqin e falënderon Zotin që në atë tokë të përgjakur nuk la asnjë fëmijë. Ishte një fat i madh të largoheshe nga ai vend pa lënë ndonjë të afërm. Ky ishte fati i nënë Kunes, që i shpëtuan fëmijët nga tifo e dizanteria. Sepse shumë nëna lanë fëmijët e tyre në kampin e tmerrshëm të Tepelenës. Atje humbën jetën shumë fëmijë, gra e të moshuar.
“Ishte muzg kur po linim kampin e Tepelenës e po drejtoheshim për në kampet e tjera të internimit në Myzeqe. Nana na mblodhi si klloçka zogjtë e saj. U kthye pak nga kampi që po largohej në errësirë. Bani kryqin e tha: O krisht të kjofsha falë që m’i rujte fëmijët e mi”. Ne i mbijetuam Tepelenës dhe ky ishte gëzimi i madh i nënës sonë. Në çdo festë ajo lutej e falenderonte Zotin për atë mrekulli që na shpëtoi nga tifoja e dizanteria, që mori jetë fëmijësh në atë kamp famëkeq.” - thotë Sokol Miraka.
Një tjetër bisedë mjaft interesante e Sokolit me të ëmën është edhe vlerësimi për të atin. Gratë e internuara në Tepelenë vinin nga familje të mëdha, bashkëshortët e të cilave kishin qenë pjesa e rëndësishme e elitës politike të Shqipërisë. Shumë prej tyre u arratisën të kërcënuar me jetë nga regjimi komunist e shumë të tjerë u burgosën në burgjet e kampet e punës së detyruar. Gratë dhe fëmijët u internuan dhe një prej kampeve të tmerrshme, ishte edhe ai i Tepelenës. Ndërsa vuanin në kushte çnjerëzore, ato kurrë nuk e vunë në dyshim respektin për bashkëshortët e tyre. Madje, u kujdesën që në sytë e mendjet e fëmijëve të tyre, baballarët të mbeteshin njerëzit më të mrekullueshëm në botë, edhe pse ata quheshin nga regjimi “armiq të popullit”.
“Sa herë, thoja, s’ka mundësi, na i bënin baballarët më të mirë në botë! Si është e mundur, mor Zot, të na ketë ardhur një e keqe kaq e madhe? Ka një të keqe diku. -Nuk është e mundur të na ketë gjetë gjithë kjo e keqe e madhe pa e bërë diçka të keqe ata, baballarët tanë, -i thoja nënës. E kanë bërë diçka! Nuk ka mundësi! Nëna më thoshte: Po të them këtë, ndoshta nesër do dilni të lirë. Ju e dini si është në malësitë tona, kush ka gjak, do të lajë gjakun. Unë të them që baballarët tuaj kanë qenë burra të mirë. Ju mund të dilni të bridhni tërë Malësinë e Veriut, dhe kërkujt nuk i keni borxh dhe nuk ju ka borxh. Dhe kjo është një e mirë që tregon se kush kanë qenë baballarët tuaj. Se kanë qenë burra të mirë, të pjekur, të pashëm.
Nuk e pamë kurrë! I kam parë veç gurin e varrit. Në 1996, na ftoi një mik kanadez në Kanada për 2-3 javë. Kur merr vesh që unë në New York kam varrin e babës, më thotë: - Sokol, do shkojmë të shikojmë varrin e babës. Edhe vemi te një kushëri në New York. Na priti ai, të nesërmen shkuam te varrezat. Të them të drejtën, kur isha i ri, mendoja me vete, more, çfarë njeriu jam, s’më dalin lot as në raste vdekjesh. Kur kam shkuar atë ditë te varri i babait, kam rënë para atij guri, e s’kam ditur të çohem. Aty e kam parë për herë të parë dhe të fundit”, rrëfen Sokol Miraka.
Rrefimi i Sokol Mirakës është marrë Intervista e realizuar nga Kristale Ivezaj. Marrë nga "Kampi i Tepelenës" Dëshmitë e të mbijetuarve, Volumi 1, Botim i AIDSSH-së
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.