Raprezalja e arrestimeve dhe pushkatimeve pa gjyq pas hedhjes së bombës në Amabasadën Sovjetike në Tiranë nuk kursyen as Petro Konomin, intelektualin që njihte pesë gjuhë të huaja. Deri në ditën e arrestimit mbante detyrën e shefit të sektorit të jashtëm në ATSH.
Zotërues i pesë gjuhëve të huaja Petro Konomi, një patriot dhe intelektual i shquar kishte zënë vend në ATSH (Agjencinë Telegrafike Shqiptare), si shef i sektorit të lajmeve nga jashtë. Më shumë se njohës i gjuhëve të huaja ishte një dekriptues i mirë i politikës në vend, ndaj zgjodhi të mos përfshihej kundër sistemit, duke mbajtur qëndrim indiferent. Por kjo nuk e pengoi regjimin që më 20 shkurt 1951 të niste valën më të egër të njohur ndonjëherë, kur hetuesia dhe burgjet në kryeqytet u mbushëm me mbi 300 të ndaluar si të “dyshuar” si organizatorë apo pjesëmarrës në hedhjen e bombës në Amabasadën Sovjetike në Tiranë. Petro Konomi arrestohet dhunshëm në shtëpinë e xhaxhait të tij dhe të vetmet fjalë që nxori nga goja atë natë për të afërmit ishte: “Mos u mërzisni, do kthehem shpejt, duhet të jetë ndonjë ngatërresë e vogël”. Këtë frazë thanë thuajse të gjithë të arrestuarit… Petro nuk u kthye kurrë në shtëpi, pasi në mesnatën e 26 shkurtit 1951, ai dhe 21 persona të tjerë, të gjithë emra të njohur intelektualësh dhe pastdhës të familjeve të pasura, u pushkatuan pa gjyq. Nënës së tij që jetonte në Egjipt i shkruan një telegram ku e lajmëronin se Petro vdiq papritur nga një sëmundje. Terrori duhej mbuluar dhe për shumë vjet nëna, motra dhe të afërmit e tjerë që jetonin në Egjipt nuk e morën vesh të vërtetën e rëndë, ndonëse dyshonin se regjimi edhe mund ta kishte eleminuar. Motra e Petro Konomit në vitin 1993 u kthye nga Austria dhe mori pjesë në ceremoninë e rivarrimit të 22 të vrarëve nga regjimit komunist, ku mes tyre ishin edhe eshtrat e të vëllait Petro Konomi.
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.