Propozimi nga Komiteti Ekzekutiv i Pukës: “Kemi nevojë pë fuqi punëtore në Miniera. Është hapur edhe miniera e re e Munellës. Kjo do të zgjidhej nëse ngrihet një repart në Qafë Bari ( Burgu i Qafë Barit ) dhe sillen 200-300 të dënuar nga Bulqiza..."
Më 27 mars 1982, drejtori i Ndërmarrjes së Minierave Fushë-Arrëz, Ndrec Simoni i drejtohej me një kërkesë zëvendësministrit të Punëve të Brendshme Agron Tafa, në të cilën kërkonte fuqi punëtore. Në të thuhej se gjatë 5-vjeçarit në vazhdim, prodhimi i bakrit do të rritej 2,2 herë, ndërsa punimet minerare 3,8 herë. Po përfundonte fabrika nr. 2 e pasurimit të bakrit, si dhe do të fillonte ndërtimi i fabrikës nr. 3. “Neve deri më sot pa filluar akoma hapjen e këtyre minierave, po vuajmë të zitë e ullirit për sigurimin e fuqisë punëtore”, - shkruante drejtori. Sipas tij, rrethi i Pukës në vitin 1984 dilte me 1.600 punëtorë të zbuluar. Në këto kushte dhe rrethana, ai kërkonte “në emër të gjithë komunistëve dhe punonjësve” zhvendosjen e të burgosurve të minierës së Bulqizës në atë të Qafë-Barit të rrethit të Pukës.
Më 13.4.1982, ministri i Industrisë e Minierave Llambi Gegprifti kërkonte nga MPB që fuqia e të burgosurve te reparti 301 të ndahej në dy pjesë: 250 për repartin e ri në Qafë-Bari dhe 200 për minierën e Batrës. Kërkohej të hapej Qafë-Bari pasi fuqia punëtore e rrethit Pukë ishte e pakët.
Me 22 prill 1982, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Pukë, Bogiç Mataj, i dërgonte Drejtorisë së Policisë një kërkesë- propozim duke kërkuar ngritjen e një burgu në Qafë-Bari me 200-300 të dënuar, gjë që do të “zgjidhte përfundimisht problemin e sigurimit të fuqisë punëtore për minierën”, sepse ky repart do t’i shërbente edhe minierës së re të Munellës që hapej së shpejti e që kishte kapacitet mjaft të madh. Kjo çështje ishte bërë objekt i mbledhjes së Këshillit të Ministrave të datës 4 qershor 1982, ku mes të tjerash, Adil Çarçani ksihte thënë:
Adil Çarçani: Gjatë periudhës së dy mbledhjeve, ka lindur nevoja për nxjerrjen e disa vendimeve, të cilat mendojmë t’ia parashtrojmë Qeverisë për miratim, jo për diskutim.
1- Për ngritjen e repartit të riedukimit në Minierën e Bakrit në Qafë-Bari të Rrethit të Pukës
Është menduar që nga miniera e kromit në Bulqizë të hiqet kampi i të detyruarve dhe të zëvendësohen me punëtorë të lirë, të cilët të sigurohen kryesisht nga rrethi i Dibrës. Forcat e detyruara që arrijnë në 250-300 veta, do të dërgohen për të punuar në minierën e bakrit në Qafë-Bari të rrethit të Pukës që është një minierë e madhe, e rëndësishme dhe me perspektivë, por që ka nevojë për fuqi punëtore, për arsye se në rrethin e Pukës po zgjerohen minierat, gjeologjia dhe industria e drurit, kështu që ka vështirësi për plotësimin e nevojave me fuqi punëtore. Për ndërtim-montimin e repartit në Qafë-Bari, nevojitet një fond prej 1,5 milion lekë, nga këto 1,2 milion do të kryhen këtë vit. Fondi prej 1,2 milion lekë do të përballohet nga Ministria e Industrisë dhe Minierave brenda veprave kufi të miratuara në planin e vitit 1982 dhe do të kryhen nga ndërmarrjet e Ministrisë së Ndërtimit, sipas pasqyrës që i bashkëngjitet vendimit. Për këtë në planin e vitit 1982, Ministrisë së Ndërtimit do t’i shtohen 200 mijë copë tulla, duke ulur gjendjen në fund te prodhuesi.
Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Rrethit të Dibrës, të marrë masa për të plotësuar fuqinë punëtore të lirë dhe për përgatitjen e punëtorëve. Ministrisë së Industrisë dhe të Minierave t’i shtohen në planin e përgatitjes me shkëputje nga puna 100 veta.
Ministrisë së Punëve të Brendshme për sigurimin e punëtorëve të detyruar në minierën e bakrit në Qafë-Bari, t’i shtohen në limitin e organikës 75 funksione, nga të cilët 36 ushtarë, me një fond shpenzimi 256 mijë lekë, të cilët të përballohen nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.
Ky është projektvendimi. Këtë, këto ditë ma sollën për ta nënshkruar, por meqenëse kishim mbledhjen e Qeverisë, mendova t’ia parashtroj për miratim. Për këtë të gjitha dikasteret janë shprehur dakord.
Këshilli i Ministrave mori vendimin nr. 139, datë 4.6.1982, për hapjen e repartit 311 Qafë-Bari.
Indikacionet e dokumentit të cituar:AQSH , Fondi i Këshillit të Ministrave, dosja 69. Referuar librit "Burgjet dhe kampet e Shqipërisë Komuniste", K.Dervishi
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.