Dorëshkrimi që dëshmon për jetën e vështirë të poetit në ambjentin bolshevik të Tiranës së komunizmit ku ai detyrohej të jetonte si “i vdekur”…
Sot është ditëlindja e 118-të e poetit të madh Lasgush Poradeci. Ai mbetet magjistari i vargjeve, por njëkohësisht është poeti me fatin më të trishtë. Jetoi 42 vite nën regjimin komunist i dënuar “me vdekje” për së gjalli. Askush nuk e përmendte emrin e tij, të gjithë e dinin si një poet që jetoi në vitet ’30-të. Kaq…
Për vitet e tij të mundishme në diktaturë pak nga pak kemi mësuar tani vonë. Nga familja e tij shpesh publikohen dorëshkrime e dokumente që ruhen në arkivin e familjes. Edhe pse e trishtë sot në ditëlindjen e tij të 118-të do ta kujtojmë me dy dokumente që dëshmojnë vuajtjet e poetit në diktaturë: Një dorëshkrim i tij ku shpreh dhimbjen e përhershme për masakrimin e poezive të tij nga redaktorët e stilit të realizmit socialist dhe një fletërrufe që ia kishin venë në Bibliotekën Kombëtare pse ai kishte guxuar të vononte kthimin e një libri.
Lasgush Poradeci ndërroi jetë në vitin 1987 në moshën 88 vjeçare dhe për ironinë e fatit, ky gjeni jetoi si të ishtë nëj i vdekur për 42 vjet në regjimin e tmershëm komunist. Në shkolla emri i tij përmendej si një poet i viteve ’30-të. Pothuajse të gjithë e dinin të vdekur. Pakkush e dinte se ai Poeti që ecte rrugëve të Tiranës me bastun dhe konen e vogël me vete ishte magjistari i vargjeve Lasgushi. Në rrethet letrare përgjatë 42 viteve jetë nën diktature ai nuk gjeti kurrë vlerësim e mbështetje. I duhej të punonte me norma dërrmuese për të përkthyer çfarë donte partia, që të mund të merrte ca qindarka për të mbajtur familjen.
Publikimin e të dy dokumenteve e ka bërë vajza e Lasgushit Marie Poradeci, e cili fletërrufenë e shoqëronte me këtë koment:
Nuk kam njohur në jetën time njeri më korekt se im atë. kurrë, në asnjë rast, ai nuk do shkelte afatin e këthimit të librit në bibliotekë. Por, këto libra që i merrte atje dhe i vononte, ishin libra të cilat ai i përkthente dhe që i ngarkoheshin për t’i përkthyer nga Ndërmarrja e Botimeve Naim Frashëri, ku ai punonte dhe paguhej.
Shoqet, që punonin në bibliotekë, nuk e njihnin Llazar Gushon, nuk e shihnin në televizor, nuk e kishin parë në asnjë presidium, ne plenium, nuk kishin dëgjuar kurrë për të, ai nuk kishte detyra të rëndësishme partie. Megjithëse ishte nga të paktët shqiptarë, të këthyer në atdhe nga Austria me doktoraturë në filologji, pra Profesor me merita, ai nuk punonte si i tillë dhe ishte njeriu më i thjeshtë që ka ecur në rrugët e Tiranës.
Një ditë shoqja e bibliotekës i tha: – që PERSONI që nuk dorëzon librin në afat dënohet me ligj. Pse si thotë ligji? – pyeti Llazar Gusho -ja. – Po ja – i tha shoqja e bibliotekës duke e përsërituer edhe një herë. – PERSONI që nuk dorëzon librin në afat dënohet me ligj. – E po mirë tha Lazari – këtu nuk thotë ligji asgjë për mua, sepse unë nuk jam PERSON jam PERSONALITET.
Por shoqja e bibliotekës nuk e kuptoi gjuhën e Ezopit dhe me postë i solli këtë Fletë Rrufe në shtëpi , për këtë “qëndrim të pahijshëm dhe shkelje të disiplinës proletare”.
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.