Stanislav Zuber, dëshmia e Petro Markos: E pashë me sytë e mi si e vranë në qeli duke e torturuar

2
1348
blank

U hap dera. Hyri një polic trupmadh dhe i bërtiti Zuberit. – Ç`punë bën ti ? – Gjeolog që zbulon pasuritë e nëntokës, – iu përgjigj i frikësuar Zuberi. Roja i këputi një shkelm me sa fuqi pati, prapa veshit duke i thënë, – Tani shko e zbulo pasuritë e nëntokës . . .Pashë Zuberin të shtrirë, me duar e me këmbë të hapura dhe me një curril gjaku që i buronte nga goja. Bëra të lëvizja, ti vija në ndihmë, por isha i varur në dritare. M`u errën sytë...

Prof dr Stanislav Zuber, lindi në Poloni dhe ndërroi jetë në Shqipëri si pasoj e torturave komuniste ,Sipas të dhënave nxjerrë nga dokumenteve arkivore  të dosjes së tij ruajtur në Arkivin e Ministrisë së Brendshme siç e ka cituar edhe studiuesi Kastriot Dervishi: Stanislav Zuber ka vdekur i vrarë në burgun nr.5 të Tiranës (më vonë 313) në birucën e tretë.

Zuber ishte një nga shkencëtarët e famshëm të rangut europian në industrinë e gjeologjisë dhe naftës. U thirr në vitin 1927 nga një kompani italiane që kishte marrë me koncesion zonën naftëmbajtëse të Kuçovës. Zyber punoi për 20 vjet në këtë zonë duke hartuar hartën gjeologjike të zonës naftëmbajtëse

Deri në vitin 1991 askush nuk dinte diçka për fatin tragjik të vdekjes së tij nën tortura në qelitë e sigurimti të shtetit në shkodër. Atë vit në gazetën e atëhershme “Republika” me 4 prill 1991 botoi artikullin tronditës “Krim kundër kulturës universale” ku fliste për njohjen dhe fundin tragjik të professor Zuber. Më vonë edhe në librin  “Retë dhe gurët”, shkrimtari Petro Marko ka publikuar një dëshmi të fortë.

Petro Marko, i arrestuar, dhe i mbylluar në të njëjtën qeli me të,  e përshkruan kështu njohjen me Stanislav Zuber:

“Atëhere mu kujtua professor Zuberi, Andrea Xega, edhe ai gjeolog, dhe Nako Spiru, më treguan se cili ishte professor Zuberi: – Një nga gjeologët më të mëdhenj të botës. Më pare e mori Lenini për të zbuluar puset e naftës të Bakusë, – ku i kishin ngritur dhe një bust, – pastaj për aftësitë e jashtëzakonshme, e angazhoi Shoqëria Anglo-persiane për të studiuar pellgun e Lindjes së Mesme(Gjirin Persik, Arabinë Saudite, Irakun, Iranin). Ai punoi shumë vite dhe qe i pari që bëri hartën gjeologjike të asaj zone.

Sot, në gjithë botën gjeologët i kanë si udhërrëfyese zbulimet dhe traktatet e tij gjeologjike për atë zone, që doli më e pasura në botë për naftë. Punoi shumë vite dhe, pasi i kreu të gjitha punët, Shoqëria Anglo-persiane e dërgoi në Shqipëri. Ai erdhi këtu dhe punoi, bëri hartën e pare gjeologjike të Shqipërisë.

Shoqëria në fillim nisi punët në Kuçovë, ku doli nafta e pare, por, pasi ajo naftë përmbante shumë squfur, Shoqëria Anglo-persiane e la dhe ia shiti Italisë së Musolinit, që vuante për karburante. Filluan nga puna italianët: – Zuberi zbuloi dhe Patosin. Italianët kishin shtrirë një tubacion nga Kuçova e gjer në Ujë të Ftohtë të Vlorës, ku vinin çisternat e “Axhipit”, shoqëri italiane e naftës, dhe e shpinin për ta përpunuar në Itali. Zuberi krijoi dhe muzeun gjeologjik në Kuçovë.

Gjatë Luftës së dytë, nga bombardimet e aviacionit anglo-amerikan u godit dhe Kuçova dhe u vranë shumë njerëz, midis të cilëve dhe e shoqja e Zuberit.

Pas Çlirimit, Zuberi u thirr si këshilltar i gjeologjisë pranë Këshillit të Ministrave . . . Dhe më 1947 e njoha edhe unë. Ai më mbante mend, se e dinte që isha përgjegjës i gazetës “Bashkimi”, dhe kishte tentuar të më shkruante që ta shpëtoja e ta liroja, se e akuzonin për një sabotim në Kuçovë.

Dhe tani ja ku ishim të dy: – ai i katandisur një grusht njeri, unë një skelet i gjallë i ngarkuar me hekura. Me Zuberin shkëmbenim ndonjë fjalë: – ai, i shtrirë përdhe, – unë, i varur. Ai murmuriste gjithë ditën dhe, pasi e pyesja se ç`murmuriste, thoshte: – Tani jam duke bërë një leksion për shkaqet pse disa zona janë të pasura me naftë, si ato të Lindjes së Mesme . . . Tani jam duke u lutur, – ai ishte katolik dhe lutej.

E ngacmova dhe i thashë: – Si ka mundësi që një intelektual si ju të besojë ?

– Unë u besoj ideve që jetojnë dhe do të jetojnë për mijëra vite. Ti i beson marksizëm-leninizmit . . . por a do të jetojë qindra ose mijëra vite kjo ideologji ? Feja ka një funksion shumë human dhe universal, ajo ka shumë vlerë për njeriun, se e bën më njerëzor, e bën më guximtar ndaj së ligës dhe i zbut plagët e shpirtit. Ja tani, kur unë i falem Krishtit, i them: – edhe unë do të duroj dhe do të qendroj si ti. Se ti na dhe shembullin për të buzëqeshur edhe para vdekjes. Pse njerëzimi beson ? Se ka nevojë për burim shprese, për këtë burim humanizmi, për këtë ilaç qetësues, sidomos në rastet si ky yni, në të cilin ndodhemi tani.

Hynë në birucë dy hetues, – njeri e ngriti Zuberin dhe e nxorri jashtë birucës, tjetri ndenji me mua dhe më tha: – Pa pyete këtë armik a ka flori toka shqiptare. Ai ka bërë hartën gjeologjike, por nuk ka shënuar gjëkundi se ku ka flori . . .

Unë qesha me vete dhe i thashë hetuesit kallp: – Po të kishte flori, për kë e ka fshehur ? Po të ishte për italianët, do ta kishte shënuar. Për kë e ka fshehur ? – Këta agjentë . . . janë djallëzorë . . . Po ti pyete, po ta japim si “ detyrë patriotike” se nuk ka mundësi që të mos ketë flori gjithë kjo tokë.

Kur u kthye përsëri në birucë Zuberi, u shtri dhe qeshte. – Pse qesh, i thashë ? – Më shtrëngojnë të them pse nuk kam shënuar zonat ku ka flori toka shqiptare. Dhe unë u thashë se nuk ka. Ata më shkelmuan dhe më shanë “agjent i shitur”. – Me të vërtetë, a ka flori Shqipëria ? – Po të kishte, unë patjetër që do ta kisha shënuar, si të gjithë mineralet e rralla. Në të vërtetë, ka në disa zona, por duhet njëzet herë më shumë flori për ta nxjerrë atë sasi. Këta janë injorantë. Unë, kur kam bërë hartën gjeologjike, e kam bërë si gjeolog dhe jo si agjent ose spiun. Ç`janë këto që po dëgjojmë ?!

. . . Përnatë merreshin e pushkatoheshin intelektualë të shquar, specialistë. – “ A e di ? – më tha një ditë Zuberi. – Këtu, ja Enveri, ja Koçi janë agjentë të huaj, besoj të Jugosllavisë. Se nuk lanë intelektual të gjallë, me qëllim që ata të sjellin të tyret “.

U hap dera. Hyri një polic trupmadh dhe i bërtiti Zuberit. – Ç`punë bën ti ? – Gjeolog që zbulon pasuritë e nëntokës, – iu përgjigj i frikësuar Zuberi. Roja i këputi një shkelm me sa fuqi pati, prapa veshit duke i thënë, – Tani shko e zbulo pasuritë e nëntokës . . . – Kisha mbyllur sytë dhe çudi se si nuk më pushoi zemra. Me frikë, hapa sytë dhe pashë Zuberin të shtrirë, me duar e me këmbë të hapura dhe me një curril gjaku që i buronte nga goja. Bëra të lëvizja, ti vija në ndihmë, por isha i varur në dritare. M`u errën sytë. M`u err mendja. Desha të bërtisja, që të më dëgjonte gjithë bota: – Krim ! Krim universal ! Stanisllav Zuberin e vranë ! Vranë kulturën, vranë shkencën, vranë jetën.

U hap përsëri dera. Hyri ai polici që e goditi, bashkë me dy të tjerë. E panë. – Ngordhi qeni ! – tha ai që e goditi. E kapën nga këmbët, e hoqën zvarrë, e nxorrën jashtë dhe mbyllën derën, duke më lënë mua në birucë fantazmën gjakatare të kohës që vuloste turpin e këtij shekulli “. . . !

 

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

2 COMMENTS

  1. Cfare turpesh mban kjo toke!!! Mizori dhe perversitet kundrejt kultures dhe shkences si rralle ne histori. Nuk ka mallkim me te hidhur sesa lenia e vendit ne dore te injoranteve dhe te pashkolluarve si ndodhi ne 40 vjet tmerri per kete vendin tone, qe nuk njohin vec erresiren dhe ligjet e saj. Zoti i turperofte ata dhe pasuesit e tyre!!!
    Nderim pafund per keta trimfatore ndaj demoneve komuniste dhe fisnike si prof. Zuber

  2. kam pasur fatin te njhem me shkrimtarin Petro Marko. viti 1987-88 ,i shtruar ne dhomen nr2 reparti urologjise,ku sherbenin mjeket kryesore kriminele,simon cepeli,mustafa xhani,flamur tartari e kastriot dauti.perballe krevatit ku dergjesha une ,perlat spahiu ndodhesh shkrimtari Petro Marko,ne spital krijohet menjehere shoqeria ashtu sikurse edhe .isha ne moshe te re,reth te 27vjeteve,e shkrimtari , megjithese ne gjendje jo te mire shendetesore me pyeti,nga te kemi mor djale,me origjine nga gjirokastra ,por lere e rritur ne tirane,mbasi i them emer mbiemer,me pyet nese kisha te beja me gjeneralin e vertete e jo te rreme Hulusi Spahiu.po i thashe eshte xhaxhai im.pash qe u ngrit me gjithe forzat qe kishte, vuri kurrizin tek koka e krevatit e me tha po pse sme ke thene,u beme kaqe dite qe jemi te shtruar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here