Të nxjerrësh 35 metër kub dhé në ditë, me një garuzhde supë...

0
511
blank

 

Kujtimet e ish-të burgosurit politik Mark Alija. Jeta e tmerrshme në kampin e të burgosurve Thumanë, 1958…

“Në vitin 1958, kampi i Tërbufit u shpërngul në Thumanë. Në kamp, ishin rreth 700 vetë të dënuar politik. U ndërtua kanali që nga derdhja e Ishmit e deri në Shullaz, komplet prej të burgosurve politik. Gjithçka vetëm me karroca dore, bela dhe lopata.

Shiu nuk na ndahej, saqë i thoshim njëri-tjetrit me shaka: “Edhe Zoti është bërë me ‘këta’!” E kemi marrë dheun me krahë prej një kodre, e kemi transportuar me karroca dore dhe nxjerrë në argjinaturë.

Një problem tjetër ishte edhe se toka ishte me humus. Kjo do të thotë se të nesërmen, ne e gjenim argjinaturën një metër më poshtë. Kanali që u hap, ishte kanal vaditës dhe kullues, pasi gjithë ujërat që zbrisnin nga mali, kalonin prej këtu, dhe derdheshin në Ishëm. Kurse gjatë verës, uji përdorej në vaditje. Kanali quhet kanali i Drojës. Një kodër me mijëra e mijëra metër kub dhé, duart e njerëzve e zhvendosën në argjinaturë. Prej këtyre punimeve, zonat u bënë të banueshme. Qindra hektarë u populluan dhe hynë në kulturat bujqësore, vetëm në sajë të punës së të burgosurve. Ne bënim rreth 35 metër kub dhé në ditë, vetëm me një garuzhdë supë. Nuk ka njeri ta imagjinojë gjithë atë punë, me hedhje dheu dhe transport... dhe të mbaje shpirtin gjallë, me një garuzhde supë. Gjithë kjo punë ishte djersa e të burgosurve e atje sot, nuk ka as edhe një pllakë përkujtimoreje…

Kapanonet ndodheshin në Thumanë. Nga kapanoni, deri në vendin e punës, duhej të bënim 5 kilometra vajtje dhe 5 kilometra të tjera kthim. Dilnim nga ora 6:00 nga kapanoni, bënim një orë e gjysmë rrugë dhe pastaj fillonim punën. Mbaronim në orën 3 pasdite dhe bënim një orë e gjysmë tjetër, për t'u kthyer në kamp. Zakonisht, në shi e llucë.

Sa ktheheshim, duhet të merrnim enët që hanim atë të shkretë supë. Ushqimi servirej në mes të kampit. Pastaj dikush lante ndonjë rrobë, dikush lexonte ndonjë libër e dikush qepte. Bëhej prapë apeli dhe në ora 8:00, s’kishte frymë të gjallë në kamp. Brenda një kapanoni, ishim të strehuar rreth 170-200 vetë. Shtretërit ishin me dy kate dhe të shtruar mbi dërrasa.

Kushtet e higjenës ishin të atilla, sa çudi si nuk ra kolera. Asnjë lloj kushti nuk kishte. Nuk kishte ujë për të larë rrobat. Edhe në kanal, kur kishte ujë, po të na zinin duke larë rroba, na fusnin në birucë për tri ditë, si thyerje e rregullit. Llogarit që as ujin e kanalit nuk mund ta përdornim. Banjo nuk kishim. Nuk mund të bënim as dush e asgjë. Për tualet (WC) përdorej terreni. Përfytyro 700 vetë pa banjo….

Dëshmitë janë përzgjedhur nga intervista e z.Mark Alija, botuar në vëllimin 1 “Zërat e kujtesës”, përgatitur nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here