"Me ty, Patër Gjergj, kombi naltësohet dhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme”
Kur ndërroi jetë, Patër Gjergj Fishta, në varrimin e tij morën pjesë personalitete të Shkodrës e gjithë Shqipërisë. Patër Gjergj Fishta u varros me nderime të mëdha më 31 dhjetor të vitit 1940. Hafiz Ali Kraja ishte një ndër personalitet e larta që mori pjesë në atë ceremoni dhe aty mbajti një fjalim brilant për mikun e tij të çmuar, at Gjergj Fishtën. Hafiz Ali Kraja ishte një ndër intelektualët e famshëm mysliman nga qyteti i Shkodrës. Fjalimi i tij në ceremoninë e varrimit të klerikut të shquar, at Gjergj Fishta, është një ndër fjalimet më të bukura të mbajtura në raste të tilla. Ajo çfarë e bën më të veçantë, është fakti se si një hoxhë i thurr një tekst të tillë të lartë një prifti. Ata ishin intelektualë të shquar dhe ajo ishte me të vërtetë bashkëjetese fetare.
Fjalimi
“Poet kombëtar, Pater Gjergj!
Kur nji orator, tue dasht me folë mbi veprat tueja, rrin shtang, hutohet, pse janë shumë, janë të mëdhaja edhe të madhnueshme, aq sa asht e vështirë me caktue se për të cilën duhet të flitet…
Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën politike tanden do ta gjykojnë në bazë të “Lahutës së Malcisë”, kryevepra jote monumentale.
Të jesh i bindun, o Poet i Madh se shqyptari me “Lahutën e Malcisë” ka për të qenë gjithmonë kryenaltë siç janë helenët me Iliadën e persjanët me Shahnamen, mbasi Ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psihikën e karakteristikat ma të ndieshmet e popullit shqiptar…
Me ty, Patër Gjergj, kombi shqyptar mburret, naltësohet edhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme”, ka thënë ai. 27.al.
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.