9 janar 1945/ Kur Spiro Koleka vulosi të parin dënim me vdekje për arsye politike

0
882
blank

Si u ekzekutuan pranë bregut të lumit në kryeqytet, inxhinieri shqiptar Niazi Mehmet Pilku dhe italiani Leonardo TomassoVrasje për arsye politike, e pabazuar në asnjë ligj.

Ishte janari i vitit 1945, 74 vjet më parë, kur nisi historia e genocitit komunist ndaj shqiptarëve. Ishte data 9 janar, kur regjimi komunist, i sapoardhur në pushtet, vendosi ekzekutimin e dënimit me vdekje për inxhinierin shqiptar Niazi Mehmet Pilku dhe italianin Leonardo Tomasso, lindur më 1900 në Palermo, administrator i firmës “Italstrada”.

Një shkresë e datës 25.11.1944, e botuar nga studiuesi Kastriot Dervishi, na tregon se ing.Pilku ishte drejtor i punimeve rehabilituese në rrugët e Shqipërisë, të cilat kryheshin nga firmat italiane. Ai drejtonte punimet në rrugët Durrës-Kavajë-Rrogozhinë dhe Vorë-Milot, të cilat kryheshin nga shoqëria “Italstrada” dhe “Marinuçi”. Inxhinieri Pilku dhe Leonardo Tomasso, administrator i kompanisë italiane, u kallëzuan nga ministri i Punëve Botore, Spiro Koleka. Ministri Koleka pretendonte se kishte mungesë të raportimit mbi firmën italiane “Italstrada”. Mjaftoi kjo hamëndje dhe jo akuzë e bazuar në fakte ligjore, për ta konsideruar grup “sabotatorë dhe antipatriotë”. Dy të akuzuarit nuk e pranuan akuzën dhe kjo duket sipas dokumentit të publikuar nga Dervishi. Ata u morën në pyetje, përkatësisht Pilku më 31 dhjetor 1944 dhe italiani Leonardo Tomasso, më datë 1 janar 1945. Gjyqi i tyre u zhvillua më datë 8 janar 1945, nga Gjykata Ushtarake e Krahinës Ushtarake të Korpusit të Parë. Kjo gjykatë vendosi dënimin me vdekje, pa u mbështetur në asnjë bazë ligjore. Gjykata përbëhej nga: kolonel Hysni Kapo (kryetar), nënkolonel Beqir Balluku (nënkryetar), partizan Sotir Spiro (anëtar) dhe sekretari major Haki Toska. Prokuror ishte major Bako Dervishi, por emri i tij nuk shkruhej në procesverbalin kryesor.

Gjykata e lartë

Vendimi u la në fuqi nga Gjykata e Lartë Ushtarake pranë shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, që ishte në varësi të qeverisë me vendimin nr.1, datë 8.1.1945. Gjykata përbëhej prej Gaqo Floqit, Frederik Nosit dhe Veledin Zenelit. Prokuror ishte Myftar Tare. Në këtë vendim u shtua si bazë ligjore neni nr.29 i rregullores mbi funksionimin e gjykatave ushtarake e datës 20.12.1944. Ndërsa në komunikatën e prokurorit, citohet ligji nr.21, datë 14.12.1944 (që nuk ndodhet në asnjë dispozitiv vendimi). Enver Hoxha urdhëroi zbatimin e ekzekutimit.

Niazi Mehmet Pilku dhe italiani Leonardo Tomasso u pushkatuan në bregun e lumit të kryeqytetit, mëngjesin e datës 9 janar, duke hapur kështu historinë e përgjakshme të vrasjeve politike të diktaturës komuniste, për 45 vite me radhë.

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here