Urdhri i Partisë: Hiqni nga puna gjithë armiqtë e regjimit, edhe ata në dyqane e kooperativa

0
427
blank

Dokument i 11 tetorit 1950 që zbulon fushatën e paprecedentë të spastrimit të të gjithë organikës shtetërore prej kundërshtarëve të regjimit, sipas dosjeve të tyre biografike

Një mbledhje e Pleniumit të Komitetit Qendror, më 11 tetor 1950 kishte dalë në konkluzionin se aparati shtetëror ishte mbushur me armiq të regjimit dhe se nevojitej një spastrim rrënjësor i tyre. Nuk bëhej fjalë për drejtues në sektorë të ndryshëm, por kryesisht për punonjës të thjeshtë.

Pas këtij Pleniumi ishte dhënë urdhri për spastrim. Ky dokument me siglën  tepër rezervat, i firmosur nga Tuk Jakova, shpjegon në detaje gjithë aksionin që do të ndërmerrej në tetor 1950 për spastrimin e gjithë pozicioneve të punës, deri në kooperativat bujqësore.

Ndër të tjera, dokumenti që Kujto.al e publikon sot ekskluzivisht, shënon se do të pushoheshin nga puna menjëherë “të gjithë ata elementë armiq, që bëjnë punë të thjeshta në dyqane shteti, kooperativa, zyra etj....elementët teknik armiq, puna e të cilëve mund të zëvendësohet nga njerzit tonë pa ulur kualitetin dhe sasinë e punës,” etj. Më tej në dokument theksohet se “ Elementët që do të pushohen nga puna si armiq, nuk duhet të pranohen më në punë në asnji sektor tjetër t’aparatit të Shtetit.”

Më poshtë e sjellim të plotë dokumentin e 11 tetorit 1950, marrë nga fondi 14, në AQSH, në një prej dosjeve të vitit 1950.

Dokumenti i plotë

PARTIJA E PUNËS E SHQIPËRISË

KOMITETI QËNDROR

Drejtorija e Kuadrit

Tiranë, me 11/X/1950

Nr. 423/104 F. 732

Tepër Rezervat

KOMITETIT PARTISË RRETHIT DHE MINISTRAVE (Personale)

Mbledhja e përbashkët e pleniumit VIII-të të K.Q. dhe e Qeverisë tregoi se në aparatin e shtetit kanë depërtuar elementë armiq, të cilët me punën e tyre armiqësore përpiqen të dëmtojnë dhe të sabotojnë punën. Nga kjo del se nuk është zbatuar drejtë direktiva e Partisë mbi ruajtjen e aparatit të shtetit nga elementët armiq dhe se ka munguar vigjilenca e antarëve e kandidatëve të Partisë për të mos lejuar hyrjen e elementave armiq n’aparatin e shtetit.

Mbledhja e përbashkët e pleniumit të VIII-të të K.Q. dhe Qeverisë vendosi që të bëhet spastrimi i këtyre elementave armiq dhe me qënë se në këtë drejtim munt tëketë keq kuptime dhe shtrëmbërime, për t’ju orientuar drejtë në këtë punë, apim këto udhëzime.

I.- Për spastrimin e aparatit të shtetit ngarkohen përgjegjësit kryesorë në pushtet, që me anë të organeve të kuadrit të marrin këto masa:

1) Të pushojnë nga puna me njëherë të gjithë ata elementë armiq, që bëjnë punë të thjeshta në dyqane shteti, kooperativa, zyra etj. dhe të zëvëndësohen me njerz të thjeshtë nga populli dhe në radhë të parë me gra kur punët janë të përshtatëshme për ato. Këta elementa të rinj të ndihmohen çdo ditë në punë nga drejtuesit e tyre që të fitojnë sa më parë eksperiencën e punës.

2) Të pushojnë nga puna menjëherë elementët teknik armiq, puna e të cilëve munt të zëvëndësohet nga njerzit t’onë pa ulur kualitetin dhe sasin e punës.

3) Për teknikët që mbajnë qëndrim armiqësor e që nuk kanë asnjë perspektivë përmirësimi, por që nuk mund të zëvëndësohen me një herë, të pregatitet një plan i studjuar mirë se deri në ç’afat do të zëvëndësohen. Caktimi i afatit do të mvaret nga përvehtësimi e zotërimi i profesionit nga ana e komunistave ose njerzve të ndershëm pa parti, që duhet të vihen pranë këtyre teknikëve për të përfituar nga teknika e tyre. Zëvëndësimi i këtyre teknikëve nuk duhet të bëhet menjëherë, por dora dorës në mënyrë që të mos dëmtohet puna.

4) Elementët që do të pushohen nga puna si armiq, nuk duhet të pranohen më në punë në asnji sektor tjetër t’aparatit të Shtetit. Për çdo njeri të ri që hyn në punë duhet të veprohet rigorozisht simbas instruksionit të K.Q. mbi mbajtjen e dosjeve të kuadrit datë Qershor 1950 (shif kapitullin VIII gërmat ë dhe f.) dhe kur shihet e nevojshme kur është pa parti, kërkohen të dhëna nga organet e sigurimit mbi të kaluarën e të tanishmen e tij dhe, kur është antar ose kandidat Partije, nga Komiteti i Partisë.

II.- Puna për spastrimin e aparatit të Shtetit të organizohet në këtë mënyrë:

1) Spastrimi i elementave armiq nga aparati i shtetit të kryhet me anë të organeve të luadrit në Dikastere, ndërmarrje e Komitete Ekzekutive, nën përgjegjësinë e titullarit të atij institucioni. Organet e kuadrit duhet të bëjnë gjithë punën pregatitore.

2) Organet e kuadrit duhet të marrin në shqyrtim dhe të mbledhin informata të sakta dhe të hollësishme vetëm për ata kuadro që paraqiten të dyshimtë për veprimtari armike ose për mungesë garancie, tue analizue mirë të kaluarën e të tashmen e tyre dhe natyrën e sektorit të punës ku punojnë. Gjith’ashtu të meren në shqyrtim elementët që munt të sugjerohen nga dega e mbrëndëshme e rrethit ose nga Komiteti i Partisë. Nuk ështëe nevojshme të merren në shqyrtim simvjet arsimtarët, përveç ndonji rasti flagrant, mbasi ndër ta u-bë njëspastrim aqë sa na lejonin mundësitë dhe nevojat.

3) Informatat organet e kuadrit duhet t’i marrin: a) nga studimi i dokumentave të nëpunësave d.m.th. i autobiografive, fletë-biografive, karakteristikave e shënimeve tjera me të cilat është pasuruar dosja e kuadrit, b) duke kërkuar informata nga Antar Partije që punojnë në sektor së bashku me këta elementë, c) duke pyetur Komitetet Ekzekutive të rretheve prej nga janë, kur këta nuk njifen nga ai rreth dhe d) duke kërkuar informata nga organet e sigurimit (këjo e fundit do të bëhet vetëm nga Komitetet e Partisë e jo nga Ndërmarjet).

4) Këto informata, që duhet të mblidhen me shumë kujdes dhe me konspiracionin më të math, organet e kuadrit duhet t’ia paraqesin në formë karakteristike përgjegjësave të tyre në pushtet (Drejtorit të Ndërmarjes për kuadrin e Ndërmarjeve dhe Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv për kuadrin e Komitetit Ekzekutiv e të Ndërmarjeve Lokale) dhe mbasi të shqyrtohen nga ata t’i paraqiten për aprovim Byros së Komitetit të Partisë të Rrethit përkatës ku merr pjesë edhe Drejtori i Ndërmarjes përkatëse. Të gjithë kuadrot e ndërmarjeve që aprovohen nga Komiteti i Partisë për t’u pushuar nga puna me njëherë ose për një periudhë të caktuar, i dërgohen dikastereve përkatëse me anë të Ndërmarjeve së bashku me karakteristikat përkatëse. Kurse K. Partis për kuadrot që aprovojnë për t’i spastruar si të Komiteteve Ekzekutive, të Ndërmarjeve Lokale ashtu dhe të Ndërmarjeve Nacionale që gjënden në rrethin e tyre, do t’i a dërgojnë direkt për aprovim Drejtorisë Kuadrit.

5) Dikasteret e Institutet Qëndrore marrin në shqyrtim kuadrot e aparatit të tyne për të cilët dyshojnë si dhe propozimet që u vijnë nga rrethet dhe, mbasi shqyrtohen nga Ministri, i paraqiten Drejtorisë së Kuadrit të K.Q. për aprovim.

6) Karakteristikat që përpilohen për këta elementë duhet të jenë të plota sikundër që bëhen karakteristikat për propozime kuadrosh dhe të përmbledhin të shkuarën e tij politike e shoqërore, origjinën dhe rrethin e tij familjar dhe qëndrimin e tanishëm në punë duke faktuar mirë e konkretisht punën e tij armiqësore për të cilën dyshohet. Të mos shkohet në bazë opinionesh e të dhënash por të gjykohen në bazë të fakteve. Në karakteristikë të shënohet vendimi i Komitetit të Partisë ose Dikasterit për t’u pushuar me një herë ose për të zëvëndësuar në një datë të caktuar, duke shënuar edhe si do të zëvëndësohet dhe me cilin.

7) K.Q. (Drejtorisë Kuadrit) propozimet nga Komitetet e Partisë e Dikasteret do t’i vijnë për të gjithë kuadrot e nomenklaturës pa përjashtim në bazë të formularëve Nr. 1 e Nr. 2 që ju bashkangjiten pa ju dërguar karakteristikat; prandaj në motivacion të shpjegohet qartë arësyeja e pushimit. Formularët të përcillen në një relacion të hollësishëm ku të shënohet numëri ui atyre që do të zëvëndësohen me afate të caktuara, duke kategorizuar sipas motivacionit të pushimit në ish tregtar të mëdhenj ose të tatuar, ish bashkëpuntor të okupatorit e tjerë.

Qëllimi i K.Q. është që të formojë një ide të përgjithëshme për të gjithë pushimet që do të nevoiten me u bë në të gjithë vendin dhe pastaj t’autorizojë pushimet në masën e mënyrën që do t’u njoftohet. Prandaj të përpilohet plani i punës në mënyrë që deri ë 30 Nëntor t’i kenë ardhur K.Q. (Drejtoris Kuadrit) të gjitha propozimet t’uaja. Këtu nuk përjashtohen raste speciale, flagrante dhe urgjente kur me aprovim të Komitetit Partis të pushohen me një herë nga puna pa pritur aprovimin e K.Q., por edhe për këto raste të njoftohet K.Q. duke shënuar në formular që është pushuar. Gjith’ashtu lehet në kompetencën e Komitetit Partisë t’aprovojë pushimin e menjë herëshme pa aprovimin nga K.C. për elementë armiq në punë të thjeshta që flet pika I/1 tue i dërgue një pasqyrë statistikore K.Q. sipas formularëve bashkangjitur. Këtu të kihet kujdes që për nëpunësira të thjeshta të kuptohen shitësa dyqani e tjera të kësaj kategorije dhe jo funksione me karakter përgjegjësije dhe teknie si llogaritar etj.

Porosisim edhe një herë që të kini parasysh të mos egzagjerohet në këtë drejtim duke marrë si armiq edhe elementin indiferent ose të lëkundur që me punën edukative të Partisë dhe organizatave të masave do të përmirësohen dhe do të punojnë ndershmërisht me pushtetin popullor. Prandaj Komitetet e Partisë dhe Dikasteret ngarkohen me përgjegjësi të madhe për të mos lejuar gabime në këtë drejtim që do na dëmtonin politikisht tue hedhë në pozita armike elementë që përkundrazi kanë mundësi të ndjekin udhën t’onë.

E gjithë puna për spastrimin, duhet të bëhet në mënyrën konspirative, mos shkaktojë alarm të plotë që sjell demobilizimin e njerzve në punë nga friga se mos i kap masa e pushimit. Kjo nmuk duhet kuptuar si një fushatë për të spastruar aparatin shtetnor, prandaj edhe K.Q. e përqëndron punën dhe ushtron njëkohësisht një kontroll më të afërtë për të mos ndodhë egzagjerime, por as edhe lëshime. Të punohet me takt për të mos u transformue ky veprim në një fushatë për revizjonimin e gjithë aparatit të shtetit.

Këjo letër të punohet në Byrot e Komiteteve të Partis ku të marrë pjesë edhe Shefi i Kuadrit të K.P. dhe ngarkohen Ministrat tua komunikojnë verbalisht Drejtorave të Ndërmarjeve, sa më parë, në mënyrë që më datën 30 Nëndor të k.v. të jetë mbaruar gjithë puna nga ana e juaj.

PËR KOMITETIN QËNDROR TË P.P.SH.

Sekretari për Kuadrot

(Tuk Jakova)

(vula, firma)

 

 

 

 

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here