Një rrëfim nga Kujtim Kaziu, për policët e kampit që torturuan mizorisht të burgosurit dhe i lanë të vdisnin nëpër galeritë e minierës
Ishte dimri i vitit 1979, kur Kujtim Kaziu kishte përfunduar në burgun Spaçit, si i burgosur politik. Përveç toruturave nga xhelatët, puna në minierë ishte shumë e rëndë për të burgosurit e pangrëne e të paveshur. Kujtim Kaziu i kujton me shumë dhimbje shokët e tij të torturave në atë burg, por më shumë në mendje i kanë mbetur dy të rinjtë, që vdiqën në zgafellet e asaj miniere, në burgun e Spaçit.
“Në galeri temperatura ishte 60 gradë dhe plasje vape, kurse jashtë temperatura ishte -17 gradë dhe sapo nxirrnim vagonin, mbuloheshim në avull bore nga kondensimi i temperaturës së trupit, me atë që ishte jashtë. Në këto fronte, kam punuar me Haxhi Hoxhën (kreu i organizatës antikomuniste në Shkozet, që ra në burg në moshën 18 vjeç), Sokrat Manen, Bujar Gjinin, Ali Gjuzin, etj. Dy vetë shtynim deri në 1 km, vagonin 2 tonësh të mbushur me pirit. Ishim të rinj dhe e përballonim mundin e madh. Në front kishte edhe djem të fuqishëm, që ndihmonin të tjerët, si Bedri Blloshmi, Zef Bushgjoka, Foto Stefani. Në galeri rrinim lakuriq dhe këmbët na qulleshin nga uji që depërtonte në çizme. Na trajtonin si skllevër. Ushqeheshim shumë keq, me 700 gr. - 800 gr. bukë në ditë dhe supë me spinaq, që kur fusnim lugën, mbushej me zhavorr, ngase spinaqi nuk lahej fare, futej në kazan me gjithë baltë” - rrëfen Kujtim Kaziu, në një intërvistë për Xhevahir Gradicën.
Për ish-të burgosurin Kujtim Kaziu, nuk mund të harrohen fytyrat e egra të xhelatëve policë të burgut të Spaçit, që kurrë nuk u ngopën me torturat, urinë dhe keqtrajtimin e atyre djemve dhe burrave, që padrejtësisht po vuanin dënimin në burgun famëkeq të Spaçit. Pjetër Koka është një prej tyre.
“Xhelati i Spaçit, Pjetër Koka edhe për të ngrënë bukën e mykur dhe supën me krimba, miza e gurë, na mbante dy orë në rresht, jashtë në të ftohtin e Spaçit, në temperaturë deri në –20 gradë. Kur ktheheshim në kamp, të rraskapitur e të torturuar, na zhvishnin lakuriq, për të parë nëse kishim me vete ndonjë mjet të fortë, levë, dërrasë a sende të tjera. Në vitin 1984, gjatë punës, theva këmbën. Ndenja dy javë në Rrëshen dhe më pas në spitalin e burgut në Tiranë. Më vunë në allçi dhe më transferuan në burgun e Shënkollit në Lezhë. Dy vite më pas, transferohem në kampin e ndërtimit të Bulqizës së Re. Më kishte marrë malli të shikoja një krutan. Me kamion vjen një shofer nga Fushë-Kruja, i cili sillte materiale ndërtimi. Ishte Sejfulla Halili dhe unë e njihja. Ishim rritur me të dhe më kishte marrë malli. Edhe ai dukej se donte të fliste me mua, pasi kishte të njëjtin mall. Mora guximin dhe fola me të. Sapo iku kamioni, më janë sulur oficeri i punës Kol Toska, polici Beqir Vreneci dhe polici tjetër, Ndue Jaku. Më futën në kapanon dhe më lidhën për krevati. Morën një ristelë dhe më nxinë trupin, duke më qëlluar sa njëri-tjetri, deri sa u lodhën. Nuk lëviza dot për më shumë se një javë, nga plagët. Në vitin 1988, një pjesë të të burgosurve na dërguan për të bërë kampin e Tërnovës, pastaj tek 325 në Tiranë, për ndërtime të reja, në kampin e Bardhorit në Kavajë dhe së fundi, për të bërë vilat tek blloku, në shtëpinë e pushimit në Durrës. Këtu edhe u lirova, në 31 mars 1990, duke dalë gjallë, pasi kishin nisur të ndiheshin proceset e përmbysjes së atij sistemi të ndyrë, vrasës e barbar” - rrëfen Kujtim Kaziu.
Torturat dhe synimi për eliminim
“Unë kam parë më sytë e mi se si kanë mbetur në galeri të burgosur, si kanë vdekur duke kërkuar ndihmë dhe si janë gjymtuar e masakruar. Në vitin 1983, isha në front, në galeri. Pranë frontit tim, punonte Luc Vukaj nga Vermoshi i Shkodrës dhe Manush Çuka nga Erseka. Fronti kishte vetëm 4 vagonë pirit. Polici i punës quhej Dod Ndreka, kurse brigadier i lirë, Preng Deda. Ata panë frontin dhe duhej të vendosnin për të lejuar punimet apo jo. Galeria kishte dhënë shenja shembje të dukshme dhe këtë, si Luci edhe Manushi, ia bënë të qartë. Të dy ishin djem të rinj, ishin dënuar për tentativë arratisje dhe agjitacion e propagandë. Polici dhe brigadieri u dha urdhër të futeshin në galeri. “O normën, o shpirtin”, - u thanë ata dy të rinjve. “Luc Vukaj dhe Manush Çuka u frikësuan pasi u kërcënuan se nuk dilnin gjallë nga galeria nëse nuk futeshin në front. Kishte kaluar mesi i natës. Ishim turni i tretë. Galeria dha shembjen tjetër dhe pas pak, një masiv i madh ra mbi të dy. Dëgjova britmat e Lucit, që erdhën e u shuan. Manushi kishte tub ajri në gojë dhe meqë tubi i mbeti jashtë masivit të shembur, ne mundëm ta çanim materialin e ta nxirrnim të gjallë. Luc Vukajn e nxorën pas tre ditësh që kishte mbetur në galeri. Mesa më kujtohet, asnjëri prej tyre nuk i kishte mbushur 20 vitet. Pas kësaj ngjarje, Manushi nuk u bë më njeri. Tmerri që pa dhe që përjetoi, i dha goditje mendore”.
Kujtimi tregon dhe se si protestonin pas aksidenteve të qëllimshme apo dhe vrasjeve në burg. “Sa herë që ndodhnin aksidente të rënda dhe vdekje, për shkak të mossigurimit të kushteve teknike, ne gjenim mënyra e protestonim. Nuk ishte i pari Luc Vukaj që mbeti në galeri. Meqë unë e pashë me sytë e mi të gjithë skenën e vdekjes së llahtarshme të Lucit, i shkrova një letër Hekuran Isait. Atëherë Hekurani ishte ministër i Brendshëm. I tregova me hollësi se si kishte ndodhur ngjarja. Unë shkrova në këtë letër, të cilën ia dërgova ministrit për ta postuar tek korrieri i burgut, se polici Dod Ndreka dhe brigadieri Preng Deda ishin shkaktarët e vdekjes së të burgosurit Luc Vukaj. Letra nuk kishte dalë nga burgu i Spaçit. Këtë e mësova jo shumë ditë më pas. Një i burgosur më tregoi se asnjë letër nuk shkonte as në shtëpitë tona, pa u lexuar nga komanda e burgut. Kështu, kishte ndodhur edhe në këtë rast, edhe pse unë i drejtohesha ministrit. Më thërritën në komandë, më bën presion, më këshilluan, se po të hapja gojë për atë që kisha parë, do të më vrisnin. Policia e burgut, ata që kishin miqësi me dy autorët e krimit, donin të më eliminonin. Kur e morën vesh të burgosur që më njihnin, nuk më linin vetëm asnjë çast dhe aksidenti që pësova në galeri një vit më pas, më shpëtoi nga vrasja. Unë nuk u futa në galeri për 2 javë. Nuk flija gjumë dhe u bëra me fiksime. Më dilnin para Luc Vukaj dhe Manush Çuka, britmat dhe lëngimet e fundit të Lucit, të burgosurit që gërmonin materialin, me lopata e thonj. Të burgosurit e ndërgjegjes janë ndeshur në këto kampe, me të tilla gjëra që nuk besohen. Shumë u ekzekutuan në një formë a në një tjetër, duke u deklaruar si vdekje aksidentale, të tjerë u gjymtuan apo humbën kujtesën. Shumë u ndanë nga gratë e fëmijët dhe pësuan depresion. Por, pati edhe nga ata që mbijetuan për të dëshmuar krimet dhe masakrat e atij regjimi”.
Rrëfimi është marrë nga zemrashqiptare.com, me autor Xhevahir Gradica.
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.
Ky Pjeter Koka ka vdekur apo e kane varur per gjuhe jam shum interesuar ta di