Angjelin Dabërdaku/ Burgu i Spaçit ishte shkatërrues

0
448

"Bërtiti njëri, Mark Grozhani, tha: Ta dinë, kallzojani, amanet ju të burgosurit, se po më pushkatojnë për 100 kilogramë domate, që janë kalbur në magazinë. Kush ka qenë komunist, komunist mbetet. Fjala komunizëm është një fole ujqrish, ka thënë Gjon Fosedallasi, që ushqehet me gjak dhe në fund, përfundon duke ngrënë këlyshët e vetë. Është e çuditshme si i hëngri Enver Hoxha të gjithë, por ama se do të hante dhe nënën e ulkonjave, Mehmet Shehun, këtë se kishim menduar."

Angjelin Dabërdaku rrëfen momentet e arrestimit si peng i bartjes së «mëkatit» të të atit, përfaqësues të tregtarëve më të suksesshëm të Shkodrës së viteve ’30-’40 të shekullit të shkuar.

Rrëfimi i plotë

Kam lindur në  Shkodër  në vitin 1947. Rrjedh nga një familje e vjetër shkodrane, marrë me tregëti edhe mbi bazën e kësaj kur lindi komunizmi, filloi persekutimi në të gjitha drejtimet. Në radhë të parë, më futën një xhaxha në burg. Xhaxhain e futën në burg për strehimin e arit të Gjon Marka Gjonit. Pas tre vitesh, shërbëtoren e tyre e fusin në burg, e torturuan dhe tregoi se e ka Sebastian Dabërdaku. Erdhën, e arrestojnë dhe njëkohësisht marrin dhe arin e Gjon Marka Gjonajve. Doli nga burgu xhaxhai, pas shumë vitesh, e fusin në burg për herë të dytë. Futet në burg për Alush Lashanakun sepse ky ishte atëhere mësues në Pukë edhe kishte strehuar. Kur Alush Lashanaku shkoi në Elbasan, njerëzit e vetë e ekzekutojnë, ky e priti në Pukë e strehoi dhe pas 3 vitesh, një person e dekonspiroi veprimin e xhaxhait tim dhe e arrestojnë. Këtu nis kalvari i të gjithë kushërinjve dhe vëllezërve të tij. Futën dhe Cinin, vëllain e tij në burg. Pastaj më erdhi radha edhe mua. Në vitin 1965, nuk shkonte njeri në bujqësi, as në shkollat bujqësore, vendi kishte mbetur bosh edhe na çonin ne. Sa të na çonin ushtar, na çonin atje. Më dërguan në Berish të Pukës veteriner.Aty pash tmerrin se si vuante malësori. Dita e punës në atë kohë, me paratë e atëhershme, 35 lekë.Mund të blije vetëm një paketë e gjysmë, paketë partizani me çmimin e atëhershëm. 18 lekë ka bërë ajo. Më lanë të jetoja në një dhomë ku kishte vetëm një gjedh dhe një copë druri në vend të jastëkut. Aty u shtriva, e pashë veten tepër përllosur. Shkova në Elbasan, të punoja në metalurgjik. Gjatë kohës që punoja në metalurgjiksi punëtor, mos të ushtroja profesionin, më erdhi operativi  në shtëpi në Shkodër edhe më tha:Në rast se nuk vjen të punosh si kuadër, ose do e bëjmë të paguajë paratë e 5 viteve, ose do e fusim në burg. U detyrova të lija punën në Elbasan, për të vajtur në Berish të Pukës.Aty u mësova me vuajtjet e mija dhe njëkohësisht edhe me vuajtjet e fshatarëve, se si u persekutonin, se si vuanin, se si jetonin, si punonin dhe se si u mashtronin.

A e kujton momentin e arrestimit?

Momentin e arrestimit e bën sikur po arrestonin Hamit Matjanin. E kombinuan që të shkoja 4 orë larg në një fshat, se gjoja është një lopë e sëmurë nëpër shpatet e maleve, i pa ngrënë dhe i paveshur dihet. Aty ma kombinuan, duke vënë hekurat në mënyrë që përgjatë vendit ku më arrestuan, të eci nëpër mal i lidhur dhe të më shihte fshati se çfarë po ndodh.

Në cilin fshat të arrestuan e të lidhën?

Mua më arrestuan në Brebo të Berish të Pukës. Tre orë kam ecur i lidhur nëpër mal dhe duke parë fshati. "Çfarë ka bërë?" – thoshin, "Ne e njohim për djalë të mirë, të urtë. Si shpjegohet?" - thoshin fshatarët. E di partia dhe pushteti, se keni patur një njeri të pabesueshëm ndaj partisë dhe pushtetit. Pastaj më dërguan në birucat e Pukës. Në birucat e Pukës aty e pashë, që në vendet e tjera nuk kanë mundur të bënin ato tortura. Aty ishte një vend i vogël, edhe luanin me ato fshatarët si të donin nëpër biruca. Aty kam parë një tmerr me sy. Më futën në një birucë ku ishte i dënuar një Mhill Mhilli. Ai kishte dy vjet që ishte i lidhur  këmbësh e duarsh në birucë, edhe ishte me morra. Unë e fërkoja se ai nuk mudeshe te kruheshe, por më e tmerrshmja për mua është kur e kujtoj, kur hidhte kulfat e gjakut kur kolliteshe në mur. Në atë papastërti me atë gjakë, që nxirrte nga goja, thashë mbaroi dhe jeta ime.

Si ishte hetuesia?

E gjitha një informalitet, por më e tmerrshmja ishte kur ky që ishte i dënuar me pushkatim, Mhill Mhilli, vinin dhe i thoshin: Po të falim jetën, po firmos për filanin, se ka thënë kështu e ka thënë ashtu. Ky të gjitha i firmoste, se thoshte: Unë me jetën nuk vë gjë. Megjithëse ishte në atë gjendje i sëmurë dhe mjekoheshe, donin ta mbanin gjallë deri në ditën kur ta pushkatonin, se ishte vendosur se do të ekzekutohej. Këtij nuk i jepnin ushqimin që duhej.I bërtisnin firmos për këtë, firmos për atë, dhe ja shtrëngonin duart në maksimum, aq sa nga majat e gishtave i shpërtheu gjaku. I rashë derës unë, edhe i thashë:Hajdeni se i ka rënë të fikët edhe po vdes.Erdhën ja liruan duart, edhe pastaj ja lidhën përsëri. Kurse tragjedia më e madhe që më ka mbetur,është dita kur do ta ekzekutonin. Ky më tha një parandjenjë të jashtëzakonshme, pas dy vitesh më thotë:Kam parë njëëndërr sot, të tmerrshme, sikur vodha një çadër dhe nga kjo rridhte pika gjaku dhe sonte mua më vijnë më marrin Angjelin. I thashë:Në asnjëmënyrë ty, do të transferojnë.Unë e kuptova se do e ekzekutojnë. Kur kërciti dera në 12 të natës, Timo Kuqi hetuesi i tij, një djalë i ri, një kriminel i lindur, i kërcen sipër duarve që kishte qenë i lidhur dhe duart ja shtrëngoi edhe më tepër. Vetëm bërtiti: Mos more burrë, se plumbi ka për të m’i këputur. Ai e kishte si me qef, edhe pastaj ja shtrënguan dhe hekurat e këmbëve, edhe filluan ta tërhiqnin zvarrë. Para se ta merrnin më tha:Ma bëj hallall Angjelin Dabërdaku. I them:Do të të transferojnë. Hallall të gjithëve. Jo tha, se të kam torturuar duke më kruar prej morrave edhe prej pleshtave. Shpesh herë, më ke lënë edhe pjesën e bukës tënde. Atëherë e morën. Këtij i ra të fikët gjatë rrugës për ta pushkatuar, duke e tërhequr zvarrë. Pas tij, bërtiti njëri, Mark Grozhani, tha: Ta dinë, kallzojani, amanet ju të burgosurit, se po më pushkatojnë për 100 kilogram domate, që janë kalbur në magazinë. Nuk u dëgjua. Ndenja atë natë në këmbë, për të dëgjuar krismën e pushkës të ekzekutimit. Në fakt, nuk e dëgjova se i kishin çarë aq larg, ndoshta sa mos të dëgjohej krisma e pushkës. Nisi pastaj hetuesia ime. Hetuesia ime ishte e përditshme, duke më thënë: Thuaj se ke thënë kështu, thuaj se ke thënë ashtu, jo nuk del buka, gjëra që ne sot qeshim. Ke veshur këpucë e jo opinga,është shfaqje e huaj, dikur ke vendosur syze dielli, është shfaqje e huaj, ke dëgjuar muzikë të huaj… ku ta dëgjoje muzikën e huaj, ne në atë kohë s’kishim as drita.

A kishte dëshmitarë që folën kundër teje?

Dëshmitarët m’i sajuan vetëm vendalinjë. Edhe një kënaqësi shpirtërore, që nuk më sollën ndonjë shok, sepse të vinin edhe në pozita, se ndoshta me detyrim mund të dilnin edhe dëshmitarë. Nuk më kanë sjellë dëshmitarë asnjë mësues, ku kam flejtur aty shumicën e kohës me mësuesa. Një Adem Mërkulaj, një djalë i ndershëm, me karakter, e vunë në pozita, i thanë:Thuaj një gjë.Ai tha:Në asnjë mënyrë, partia nuk më mëson që të shpif.Këtë e njoh për shok të mirë, për djalë të mirë. I thanë: Edhe ti je si ky. Unë nuk e di si ma vendos epitetin ti more hetues, por partia ne nuk na mëson që të shpikim. Këtë e njoh për djalë të mirë, nuk pranoj. Kurse fshatarëve nuk u vë faj, se aty ku është injoranca, është korrupsioni, është degjenerimi, poshtërsia, të tëra të zezat. Ata dilnin me pasion. E kanë me qef biles.

Ku ta bënë gjyqin?

Në gjyq më nxorrën në fshat. Rrezik dhe fat i keq për prindërit e mi, sepse ishte 8 orë për të shkuar, dhe babai i shkretë 75 vjeç dhe nëna nja 60 vjeç. Duheshe 6-7 orë në këmbë për të ardhur në Berish të Pukës, se do të bëhej gjyqi madhor. Deri në Pukë, vinin me makinë.Po këta gjyqin ma bën në Berishë të Pukës. Biles i thashë: Sikur zutë Hamit Matjanin. Erdhi nëna dhe babai, të vuajtur, të rraskapitur, se si ka mundur të eci babai, unë nuk e di. Në atë kohë, dihet se ca. Nuk mundën të më sillnin as ushqim. Edhe ato ushqime, m’i tjetërsuan.  Jo thoshin, ky ka kokëfortësi. Përfundimisht, nisi gjyqi. Filloi gjyqi, dolën ata fshatarët që i kishin caktuar. Përshtypje më bën dy persona, që ishin me kostum dhe që nuk i njihja. Midis tyre, i them: Si e kam emrin unë? Pa patur njohje shoqërore familjare, nuk bisedon njeriu të tilla muhabete. Ai çoi supet lartë, edhe për momentin tha: Gjovalin. I thashë: Unë e kam emrin Angjelin. Edhe aty fshatarët qeshën, e kuptuan qëështë një farsë. Ke thënë e ke bërë.Shko more legen, i thashë, nuk më vjen keq se po dënohem, po më vjen keq se po më bëjnë shok me ty që po shpif. I thashë: Gjëja më e keqe në botë është shpifja. Ti je duke shpifur. Në fund, më dolën edhe dy të tjerë edhe i thashë: Nuk është e vërtetë. Ti nuk po pranon, nuk po bën, po na kthen gjyqin. Kurse, një personi tjetër, i thash: Ti je hajdut, ti ke vjedhur, do të shpëtosh veten, biles ti je thirrur prej sigurimit. Tani ti do të shpifësh, që të mbulosh hajdutllëqet e tua. Unë jam i pastër, i ndershëm, me karakter, që e di i gjithë fshati, prandaj rri. Shumica me kokën ulur, sepse më njohin karakterin tim, dinjitetin tim, edhe më e keqja e madhe është kur kam qenë duke u transferuar prej Pukës në Shkodër. Urdhëroni mendimet e Buros, që ka qenë një djalë që ka punuar me dinjitet dhe personalitet, prandaj meriton që të transferohet. Këta i hodhën poshtë të gjitha, edhe u dënova prej Prokurorit 10 vjet. Prej aty, në birucat e Pukës. Pas një muaji, më dërguan në Kaush të Tiranës. Në Kaush të Tiranës, ndenja 15 ditë. Prej aty, në Spaç.

Në çfarë viti shkove në burgun e Spaçit?

Në vitin 1976. Burgu i Spaçit ishte shkatërrim fizik, kryesisht fizik dhe moral i njerëzve. Shkatërrimi fizik ishte se kishim 4 gramë sheqer, 5-6 gramë vaj, dieta e ditës dhe ujë e speca dhe një racion bukë, që dihet si ka qenë buka për qytetarët, jo më për të burgosurit. Gjithë gurë e gjithë patate buka e grurit, që t’u thyenin dhëmbët. Ujin e kishim ujë acid, edhe vazhdo në galeri dhe puno si qeni.

Sa kohë punove në galeri?

7 vjet kam punuar në galeri. Jam aksidentuar, më ka ndihmuar zoti duhet me thënë. Kur kam rënë, jam rrëzuar tek  rrjeti i telave prej 50 metra lartësi. Aty ushtari mund të më vriste, se rashë në tela, dhe për 15 ditë, të vriste ushtari, se e kishte lejen, se thoshin: Ke vrarë një armik. Fati konçidoi se ishte kapteri aty, edhe i ka thënë: Mos e qëllo, se është rrëzuar padashje. Më morën pastaj në Tiranë. Kisha thyer dy kockat në kokë, gjysmë i vdekur. Aty më bëri përshtypje, se edhe në spital, duhet të dilje për nevojat personale, atëherë kur të thotë kapteri jo kur doje vetë. Kjo ishte tmerri më i madh. Kisha shumë hemoragji nga hundët, se kisha kockën e hundës të thyer. Pak kohë ka qenë edhe Ramon Perllaku me mua, në spital, për t’u mjekuar. Kur e mora pak veten, aty e pyeta për herë të parë: Kush je? Jam Ramon Perllaku, tha. Aty pashë që ka një domethënie: Kush është komunist, komunist mbetet, shkurt muhabeti. Bëra një debat keq me të, dhe i thashë: Çunin tim unë e rraf, po prapë baba më thotë, edhe ty të rref Enver Hoxha, edhe ti baba i thua përsëri. E pranoi këtë. E kam ndjek edhe nëpër intervista, këtë edhe shumë të tjerë. Kush ka qenë komunist, komunist mbetet. Fjala komunizëm është një fole ujqrish, ka thënë Gjon Fosedallasi, që ushqehet me gjakdhe në fund, përfundon duke ngrënë këlyshët e vetë. Është e çuditshme si i hëngri Enver Hoxha të gjithë, por ama se do të hante dhe nënën e ulkonjave, Mehmet Shehun, këtë se kishim menduar.

Në ç'vit u lirove?

Unë u lirova me faljen e 1982. Para se të lirohesha, 5-6 ditë përpara se të lirohesha, na thirri operativi të gjithëve, një nga një. Kush nuk do ta tregojë, se tregon, se edhe kanë firmosur shumë. Partia ka menduar për ju, po ju lirojmë.Firmosni që jeni njerëzit tanë. Tekstualisht i kam thënë operativit:Hiqe atë qëështë e shkruar në rradhë të parë. Sotështë kollaj të flasësh, po si i kemi thënë në ato momente, kur po na i hiqnin hekurat nga kocka. Unë i thashë: Unë jam i juaji, realiteti, por çfarë të shoh e çfarë të bëj unë, do jua them, se e kemi për detyrë, çdo anëtar i partisë, i kësaj republike. Tha firmose, i thashë: S’kam si firmos, se e kam për detyrë. Nëse e firmos, domethënë të bëj atë që më kanë thënë të tjerët. Me shpif edhe me intrigu njëri-tjetrin, se unë prej shpifjeve kam rënë këtu. Jo fjala fjalës. Unë çfarëdo që të dëgjoj, e kam për detyrë, si çdo anëtar i Republikës së Shqipërisë, por të firmos, nuk firmos. Se e dija pastaj ku do më çonte firma. Mirë tha: Mirë, po ke për t’i parë pasojat. Çfarë do lësh se unë e shkruaj me dorën time që jam duke dalë, duke u liruar, por nuk dua që nesër të më vdesi babai, që e kam 80 e ca vjeç, në një kohë kur djali i tij bën poshtërsi. Unë tha, po e shkruaj kështu. I thashë: Shkruaje si të duash, se babain 80 e ca vjeç, nuk e mbuloj me dhé me duart e mija, në një kohë kur djali i tij po bën poshtërsi. Ata kanë vuajtur shumë, se kur i shihnin me ushqime, nuk i merrnin. Janë detyruar të ecin 3-4 orë, se nuk i merrnin makinat, se jeni për të parë të burgosurin. Ky ka qenë rreziku më i madh. Kur kujtoj nënën time, që më tha: Më është dashur 4 orë për të ardhur këtu, edhe tani më duhet edhe dy orë të pres këtu. Kishte hequr sandalet, edhe i kishte këmbët me gjak. Pse moj nënë, i them. Kam ardhur në këmbë, tha. Se harroj kurrë dhimbjen. Unë i them: Pse të vuani dhe ju, mos eja moj burrneshë.

A të kujtohet momenti i daljes nga burgu?

E kujtoj si tani, se nuk ndjeva fare gëzim, vetëm trishtim, se e dija që do kthehesha prapë në Berish të Pukës, se atje kisha dokumentat. Aty kisha të gjithë dëshmitarët, të cilët edhe i pata fyer. Puna nuk ecte fare, nuk realizohej asgjë. Ti e di qëpër katër dele, më patën pushkatuar një shok timin, kur për një qen stani, pushkatuan doktorin veterinar, sepse ke humbur vigjilencën. Thashë, aty të më bëjnë kurban, letrat i kisha aty. Por, i thonë një shprehjeje: Guximtarin e shpëton fati.

 

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here