Foto që flet shumë. Dëshmia e rrallë që tregon se si u përmbysën klasat shoqërore në Shqipëri, menjëherë pas Luftës, kur pushtetin e morën komunistët dhe gjithë shtresa e intelektualëve, profesionistëve e të shkolluarve në perëndim, u përndoq e u shkatërrua gjer në qelizë me egërsinë më të madhe.
Kjo foto është shkrepur në Tiranë më 4 shtator 1947, gjatë procesit gjyqësor të një prej grupeve të deputetëve. Në foto, të ulur në dy grupe, janë deputetët e akuzuar për tradhëti nga regjimi i Hoxhës, ndërsa në këmbë, duken djem në moshë shumë të rinj, veshur me një uniformë, që asokohe mbahej përgjithësisht nga forcat e mbrojtjes së Popullit, paraardhësit e Sigurimit të Shtetit.
Ajo që vlen të veçohet është mënyra se si ata qëndrojnë në gadishmëri, a thua se të pandehurit do t’ia mbathin nga momenti në moment nga salla e gjyqit. Në portretet e tyre kokallë, me vështrimet e egërsuara, sundon kudo urrejtja. Duket sikur ata demonstrojnë triumfin e një arritjeje të mezipritur. Ata më në fund kanë pushtetin e dhunshëm në duar dhe zotërinjtë e dikurshëm janë krejtësisht nën mëshirën e tyre.
Paralelisht me gjuhën e urrejtjes që ata përçojnë, gati për t'i shoqëruar drejt ekzekutimit të pandehurit që po gjykohen, është atmosfera e paqes, e qetësisë dhe e mençurisë që përçojnë pothuajse të gjithë deputetët e pandehur, të ulur në bankën e të akuzuarve.
Ky moment i fokusuar në këtë fotografi, që ne e sjellim sot në fondin e arkivës tonë online “Kujto.al”, është dëshmi e rrallë që tregon se si u përmbysën prej regjimit të Enver Hoxhës, klasat shoqërore në Shqipëri, menjëherë pas Luftës kur pushtetin e morën komunistët dhe gjithë shtresa e intelektualëve, profesionistëve dhe e të shkolluarve në perëndim, u përndoq e u shkatërrua gjer në qelizë me egërsinë më të madhe.
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.