Dokumentar kushtuar klerikut të shquar shkodran Hafiz Ali Kraja. Kalvari i gjatë i persekutimeve që nga internimi prej fashistëve italianë, përndjekja ndaj tij dhe familjes prej komunistëve dhe vuajtjet për 18 vjet në kampet e punës e burgun e Burrelit.
"Sot, Bota është duke u tundur dita më ditë nga ngjarjet e ndryshme, mu sikur një barkë që e zënë furtunat e detit. Po ta vërejmë botën me një shikim të asnjanshëm, do të shohim se sa fort janë larguar qetësia dhe fatbardhësia, që janë qëllim i qytetërimit dhe janë bërë ëndrra në këtë shekull." citat nga Hafiz Ali Kraja
Nga Luljeta Progni
Ishin kohë të vështira për Shqipërinë. Pas 27 viteve përpjekje për të konsoliduar shtetin, më 7 Prill 1939 Shqipëria mori një goditje tjetër, u pushtua nga Italia fashiste.
Por për shumë shqiptarë patriotë e mendjendritur, oshëtimat e kësaj lufte të re që po fillonte pikërisht nga Shqipëria, ishin thirrja për bashkim, thirrja për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, thirrja e atdheut për ta shpëtuar nga robëria.
Një prej tyre ishte Hafiz Ali Kraja. Një patriot, dijetar dhe personalitet me kulturë të gjerë, që gëzonte respekt jo vetëm në qytetin e Shkodrës, jo vetëm në rrethin e myslimanëve, por në të gjithë Shqipërinë e nga të gjithë besimet.
Hafiz Ali Kraja lindi në Shkodër në vitin 1900. Aty mori edhe mësimet e para dhe edukatën e një familje patriotike ulqinake, e nderuar në rrethin shoqëror të qytetit. Vazhdoi studimet në Kajro, në një nga qendrat universitare më të njohura të botës, Ez’heri, ku përfundoi me rezultate të shkëlqyera tre fakultete: teologji, filozofi dhe jurisprudencë, e mandej thelloi njohuritë edhe në shkencat ekzakte.
Pas kthimit në Shkodër, në vitin 1924, Myftinia e Shkodrës e caktoi teologun e ri të shërbejë si hoxhë në Xhaminë e Plumbit, Parrucës, Fushë-Çelës e xhami të tjera.
Martesa me Zenepen në vitin 1931, iu dhuroi dy djem dhe një vajzë: Asimin, Mehdiun dhe Felekun. E shoqja, Zenepja, jo vetëm nderonte figurën e një kleriku të lartë si Ali Kraja, por u bë mbështetja e tij kryesore në ditët e vështira dhe me shumë mund arriti t'i përballojë të këqijat që do të pasonin për familjen e tyre.
"Njeriu, që vërtet meriton të quhet kështu, është elter i asaj zemre dhe i atij shpirti që qëndrojnë si një burim i vetëm i disa ngjarjeve të bukura, i ndjenjave, i vetëdijes, i mendjes dhe i logjikës."
citat
Zotërues i gjashtë gjuhëve të huaja, Ali Kraja ishte hulumtues i palodhur i dijeve njerëzore akumuluar prej mijëra librave në raftet e bibliotekës së tij.
Me natyrën e tij gjithmonë paqësore, me dashuri e respekt për Zotin, njerëzit e natyrën dhe me zjarrin e atdhetarizmit në shpirt, ai kontriboi në zhvillimin e konsolidimin e shoqërisë shqiptare dhe pajtimin e mosmarrëveshjeve e konflikteve të ndryshme mes tyre.
***
Dy ditë pasi Shqipëria ishte pushtuar nga fashistët italianë, në portën e madhe të shtëpisë ku banonte Hafiz Ali Kraja me vëllezërit dhe familjet e tyre, u dëgjuan disa trokitje. Një letër kishte ardhur për të, ku i propozohej të ishte pjesë e dërgatës së Shkodrës në Asamblenë Kombëtare për t'i dorëzuar zyrtarisht kurorën e Mbretërisë Shqiptare, perandorit italian Viktor Emanuelit.
Por, Hafiz Ali Kraja nuk pranoi. Nuk pranoi, edhe pse e dinte se refuzimi i tij do të kishte pasoja për atë vetë dhe familjarët. Dhe pushtuesit italianë nuk harruan. Në vitin 1943 e internuan në Porto Palermo, bashkë me të atin dhe tre nga vëllezërit e tij.
"Nuk mjaftojnë vetëm hekurudhat, makinat elektrike ose teknike për themelimin e një qytetërimi të vërtetë, derisa këto të mos shkojnë krahas me parimet morale dhe me kuptimet dogmatike që kanë fjalët moral, drejtësi, njerëzi, mirëkuptim, ndihmë, burrëri, detyrë, etj. dhe nëse për çfarëdo shkaku, ngjallen dyshime në opinionin botëror mbi parimet e mësipërme, aq sa ta tronditin ndërtesën e civilizimit, mjetet teknike që përmenda, mund të bëhen shkaqe rrënimi të qytetërimit, të cilat shpesh janë shumë më të mëdha se sa rreziqet natyrore."
- citat nga H. A. Kraja
***
Pas kapitullimit italian, Hafiz Ali Kraja u kthye prej internimit përsëri në Shkodër. Por një kërcënim i ri po afrohej. Shëmbëlltyra e bolshevizmit po shfaqej në Shqipëri, me doktrinën e tyre të rrezikshme për lirinë e besimit dhe liritë e të drejtat themelore të njeriut.
Kombi ndodhej në një situatë të rrezikshme. Komunistët nën justifikimin e luftës çlirimtare ndaj pushtuesve, po drejtonin armët edhe ndaj shqiptarëve që kundërshtonin idetë e tyre.
Në këto rrethana, shumë prej klerikëve shqiptarë e konsideruan detyrë ndërgjegjësimin e besimtarëve ndaj pasojave që mund të sillte instalimi i një sistemi ku individi humbiste të drejtën për të shprehur mendimin e tij dhe lirinë për të besuar në Zot.
Ali Kraja dhe miqtë e tij klerikë të krishterë si: Atë Anton Arapi, Dom Mikel Koliqi, Padër Pjetër Mëshkalla e të tjerë, bashkuan idetë e tyre edhe njëherë për ta shpëtuar Shqipërinë nga fatkeqësia e rradhës.
Nё shtator tё vitit 1943, Hafiz Ali Kraja iu drejtua besimtarëve nё xhaminё e Fushё Çelёs me hytben “Ç’ёshtё komunizmi dhe pasojat e tij pёr popullin shqiptar”. Edhe pse e dinte, se po i dilte përballë një armiku të egër e hakmarrës si bolshevikët, shërbëtori i Zotit duhet t'u shërbente edhe shqiptarëve. Dhe kërcënimet iu hodhën poshtë portës së shtëpisë që të nesërmen...
Të gjendur para këtij armiku të përbashkët ndaj besimit fetar dhe lirisë e shprehjes së individit, klerikët katolikë e myslimanë të Shkodrës bashkëpunuan dhe e mbështesnin edhe më shumë njëri tjetrin.
"Fjala komb në shoqëri dëfton për ndihmën vëllazërore, guri i themelit të cilës është, pa dyshim, i mbështetur në të kryerit me drejtësi të detyrës së marrë mbi vete."
- citat nga H. A. Kraja
Shtëpia e madhe e Hafiz Ali Krajës u bë shtëpia e idealeve për të mbrojtur shqiptarët, para persekutimit që do të pasonte. Shpesh, mblidheshin bashkë me Padër Meshkallën, At Anton Harapin e Dom Mikel Koliqin dhe nuk ishte çudi që t'i shihje të diskutonin para oborrit të kishës, apo xhamisë.
Respekti reciprok për njëri-tjetrin, toleranca dhe atdhetarizmi mbi të gjitha, ishin një shembull i rrallë për të gjithë besimtarët.
Ky respekt e bashkëpunim mes klerikëve të dy anëve në Shkodër, i kishte rrënjët shumë më herët, qysh në kohën e miqësisë ndërmjet Hafiz Ali Krajës e Padër Gjergj Fishtës. Hafiz Ali Kraja mbajti një fjalim historik në ceremoninë e varrimit të Atë Gjergj Fishtës, duke u shprehur:
"T'jesh i bindun, o Poet i Madh se shqyptari me ‘Lahutën e Malcisë’ ka për të qenë gjithmonë kryenaltë siç janë helenët me Iliadën e persjanët me Shahnamen, mbasi Ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psikikën e karakteristikat ma të ndieshmet të popullit shqiptar. Me ty, Patër Gjergj, kombi shqyptar mburret, naltësohet edhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme "
***
Pasi erdhën në pushtet, komunistët filluan reprezaljen ndaj të gjithë kundërshtarëve të tyre politikë. Dhe sigurisht, qyteti i parë ku zbarkuan prokurorët ushtarakë, ishte Shkodra. Përveç burgut të Shkodrës, më shumë se 20 prej shtëpive të mëdha të qytetit u kthyen në burgje dhe u mbushën me mbi 2000 të arrestuar.
“Aty ku morali bie poshtë, edhe ideja e drejtësisë e mbështetur në të bashkë me ligjet shpartallohet dhe e humbin vlerën e tyre të shenjtë."
citat
Në listat e para të dënimeve me vdekje ishte edhe emri i Hafiz Ali Krajës. Në kushtet e përndjekjes, ai u strehua në shtëpinë e një besimtari në Shkodër, ndërsa tre vëllezërit e tij dhe i ati, iu nënshtruan torturave çnjerëzore, por nuk treguan asnjë informacion për të.
Pas shpalljes së amnistisë, në dhjetor të vitit 1946 Hafiz Ali Kraja u vetëdorëzua në Degën e Brendshme të Shkodrës, dhe u dërgua menjëherë në hetuesinë e Tiranës, ku u torturua dhe keqtrajtua për disa muaj, deri sa gjykata ushtarake mori vendimin. Prokurori kërkoi dënim me vdekje pushkatim, edhe pse amnistia e përjashtonte dënimin kapital. Për disa javë ushtruan presion, madje një mbrëmje e morën për ta pushkatuar dhe e rikthyen përsëri në birucë. Përfundimisht gjykata e dënoi Hafiz Ali Krajën me 25 vjet burg dhe punë të detyruar.
"Besimi, është gurra, e cila ia bën të këndshme jetën njeriut dhe i jep atij shpresa për lumturi."Hafiz Ali Kraja
Gjatë qëndrimit në burgun e Tiranës, herë pas here e shoqja, Zenepja, i çonte ushqime e veshmbathje dhe merrte me vete një prej fëmijëve. Vajza e vogël, Feleku e pa për herë të parë të atin me pranga në duar, ndërsa dy djemtë kishin tre vjet pa e parë, qëkurse përndiqej nga komunistët. Ja si e kujton takimin e parë me të atin pas hekurave të burgut, Mehdiu, atëherë 7 vjeç:
***
Në majin e 1948, Hafiz Ali Kraja, bashkë me qindra të burgosur politikë u dërguan në Maliq për tharjen e kënetës. Kamionët që po udhëtonin drejt një prej kampeve më famëkeqe të punës së detyruar, mbartnin intelektualët më të njohur të Shqipërisë: dijetarë, artistë dhe klerikë që në ato kohë të errëta, nuk mundën t'i jepnin asgjë më tepër atdheut të tyre, sesa hapja e kanaleve mes baltës së kënetës.
Në kushte të vështira mbijetese, me vetëm 600 gramë bukë në ditë, pa kushtet minimale të higjienës, larg familjarëve e të afërmve, zhytur çdo ditë në baltë nën kamxhikun e rojeve të pashpirt të kampit, dhjetëra të dënuar politikë u groposën aty.
"Njeriu duke u mësuar me të keqen, ka ardhur në atë gjendje sa të mos ndiejë në zemër ose në ndërgjegje të vet asnjë “pendesë” kur prej dorës së tij është kryer ndonjë gjë e keqe apo një krim." H. A. Kraja
Pas disa viteve punë të detyruar në frontet më të vështira, Hafiz Ali Kraja bashkë me të gjithë të burgosurit politikë u transferuan në burgun e Burrelit. Aty takoi edhe miqtë e tij, klerikët katolikë të Shkodrës, me të cilët bisedonte shpesh rreth fesë e filozofisë. Dhe pas një ndërprerje dhjetë vjeçare, biseda rifilloi, ndonëse nën survejimin e vazhdueshëm të gardianëve e spiunëve.
"Afetari po të jetë edhe i varfër, bëhet mjerim për shoqërinë njerëzore ku jeton dhe për vetveten. Për të nuk ka vlerë kuptimi i virtyteve, të cilat për shoqërinë janë të shenjta, si: dhembshuria, mëshira, njerëzia, bamirësia etj." H. A. Kraja
***
Për tre fëmijët e Hafizit dhe bashkëshorten e tij, jeta u bë gjithashtu e vështirë. Zenepja punonte gjithë ditën me një makinë të vogël qepëse për të siguruar ushqim për familjen dhe të shoqin, që e vizitonte shpesh nëpër kampe e burgje.
Zenepja me tre fëmijët e patën gjithmonë mbështetjen e tre vëllezërve të Aliut. Ata jetuan bashkë në një shtëpi duke kaluar bashkë hallet e varëfërisë dhe sulmet e herpashershme të Sigurimit të Shtetit. Fëmijët e Hafiz Ali Krajës i vizitonin shpesh edhe miqtë e Hafizit. Dom Mikel Koliqi nuk mungonte sa herë ishte festa e Barjamit. Iu sillte dhurata, i këshillonte ta dëgjonin nënën e iu jepte kurajo ta përballonin mungesën e babait, me shpresën se ai do të kthehej shpejt.
Bashkë me mungesën e të atit, fëmijët ndjenin edhe dhunën e atyre që i shërbenin me devotshmëri regjimit. Shpesh i fyenin dhe sulmonin me fjalë, madje edhe mësuesit.
Familja u dëbua në Tropojë. Aty u strehuan në një mulli të braktisur pa dritare e pa çati. Megjithatë Zenepja u kujdes që të dy djemtë e rinj të gjenin një punë dhe vajzëa të mbaronte shkollën e mesme, ndërsa vetë vazhdonte të qepte me makinë.
Prej Tropojës, Hafizi ishte edhe më larg. Duheshin 4-5 ditë për të takuar vetëm 5 minuta Hafizin, e shpesh këto 5 minuta ishin në dorën e rojeve.
***
Pas 18 vitesh burg dhe punë të detyruar, Hafiz Ali Kraja u kthye pranë familjes në shtëpinë e tyre në Shkodër.
Por asgjë nuk ishte si më parë. Hafiz Ali Kraja survejohej këmba këmbës dhe nuk fliste me asnjë njeri. Miqtë e tij besimtarë ishin bërë më të heshtur, ndërsa klerikët katolikë nuk dukeshin askund: shumë prej tyre ishin pushkatuar e të tjerët ishin nëpër burgje. Për fat të mirë i kishte mbetur vetëm biblioteka, e vetmja hapësirë ku ndjehej ende i lirë.
...deri në vitin e mbrapshtë 1967, kur mbi të gjithë klerikët dhe objektet e kultit në Shqipëri filloi një revansh tjetër hakmarrës. Kisha e xhami po shkatërroheshin çdo ditë dhe një valë e re persekutimi filloi ndaj klerikëve të mbetur jashtë burgjeve.
"Atë ditë që të fiket ideja e Besimit, po atë ditë njerëzimi është plandosur në humnerë të shkatërrimit."H.A.Kraja
Për Hafiz Ali Krajën kishte mbërritur sfida e rradhës. E urdhëruan që të paraqitej sërish në degën e brendshme. Aty i kërkuan të shndërrohej në njeriun e ri socialist, të hiqte dorë prej besimit, veshjes e paraqitjes prej kleriku dhe të dorëzonte bibliotekën e tij të çmuar.
Atë mbrëmje, Mehdiu mori një lopatë dhe hapi një gropë në oborr. Pastaj mori rreth 50 kopje të librit që kishte botuar i ati në vitin 1934 "A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar", i mbështolli me disa peca dhe i mbuloi. Aty mbolli një pemë. Ndërsa disa libra të tjerë të vyer i vendosi tek hatullat e çatisë.
Hafiz Ali Kraja u detyrua të ngujohej brenda shtëpisë dhe nuk doli më kurrë prej saj të përballej me njeriun e ri socialist. Librat ia morrën. Edhe lirinë ia morrën. Por nuk ia hoqën dot besimin në Zot. Nuk ia ndryshuan dot gjykimin për atë që është e drejtë dhe e moralshme në historinë e çdo kombi: dashurinë për atdheun, edhe kur ndodhet në ditët më të vështira.
Libri i tij "A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar", mundi të shpëtojë prej furisë së shkatërrimit.
"I lutem të Madhit Perëndi që ta ruajë popullin shqiptar prej afetarizmit, që është një humnerë e rrezikshme për komb e atdhe! Amin." H. A. Kraja
Disa vite më vonë Mehdiu hapi gropën ku kishte fshehur thesarin e babit të tij dhe mundi të nxjerrë të padëmtuara vetëm 17 nga kopjet e librit "A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar", të cilat përcollën deri në ditët e sotme, një studim filozofik me vlera për çdo kohë që kalon njerëzimi, një udhërrëfyes të çmuar të tolerancës njerëzore dhe bashkëjetesës fetare, i përkthyer sot, në disa gjuhë.
Hafiz Ali Kraja ishte i pafuqishëm për ta ndryshuar atë regjim, por as ai regjim nuk mundi ta ndryshonte atë. Ishte i dënuar për të qenë i ditur e i ndershëm, cilësi që diktatura nuk e pati kurrë fuqinë t’ia dobësonte. Nuk e pati fuqinë të zbehte dashurinë e tij për atdheun, Zotin e njeriun. Në një kohë kur njeriut nuk i kërkohej gjë tjetër veçse të ushqehej e të mos mendonte, Hafizi shqetësonte edhe me heshtjen e tij. I trembeshin urtësisë së tij. Ndoshta për të pafetë ishte si të shikonin fytyrën e Zotit, që menduan se e vranë.
Kohët e errëta nuk zgjasin përgjithmonë, njerëzit e ndriçuar jetojnë përgjithmonë me kryet nalt.
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.