Më 4 mars 1946 pas një gjyqi të shpejtë u ekzekutuan me pushkatim Pader Danjel Dojani, Pader Giovanni Fausti, Pader Gjon Shllaku, Gjelosh Lulashi, Mark Çuni dhe Qerim Sadiku. Fjalët e fundit që thanë para togës së pushkatimit. Nga amaneti për borxhet e lëna, deri në mëshirimin e ekzekutorëve dhe në frymën e fundit përmendën fjalët: Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Shqipëria.
Sapo ishte mbushur viti që vendi ishte çliruar nga pushtuesit e huaj, por lufta e vërtetë që zgjati për 45 vjet sapo kishte nisur. Të parët që u vunë nën survejim dhe njohën dënime të rënda ishin priftërinjtë katolik, të cilët fillimisht u dënuan dhe gjykuan si bashkëpunëtorë të fashizmit. Ndër personalitet e klerit që ikën nga jeta duke britur Rroftë Krishti Mbret dhe Rroftë Shqipëria, ishin edhe Pader Danjel Dojani, Pader Giovanni Fausti, Pader Gjon Shllaku, Gjelosh Lulashi, Mark Çuni dhe Qerim Sadiku. Që të gjithë të pushkatuar brenda një dite, pas vendimit të dhënë nga Gjykata Ushtarake e Shkodrës. Mjaft interesante është sesi dokumentat e kohës zbulojnë detaje të ekzekutimit dhe fjalën e fundit që thanë 6 të vrarët më 4 mars 1946. Që të gjithë i falin ekzekutorët dhe ata që i dënuan, ndërsa edhe para togës së pushkatimit kërkojnë falje për vuajtjet që u dhanë familjes, apo edhe amanetin për të larë borxhet. Më poshtë dokumenti zyrtar i mbajtur nga zv Prokurori i Gjykatës Ushtarake të Shkodrës Tonin Miloti.
“Sot më 4 mars 1946, ditën e hanë, ora 5 paradreke, unë aspirant Tonin Miloti, në cilësinë e Zëvendësprokurorit të Gjykatës Ushtarake të Shkodrës, shkova në vendin ku do të ekzekutoheshin të dënuemit me vdekje, për të marrë fjalët e fundit të tyre dhe për të qenë prezent në kohën e ekzekutimit. Të ekzekutuarit në fjalën e fundit thanë:
Gjelosh Lulashi: “Thoni babës të më falin, se e kam trazue. Të më falin ne shokët se ndonji shpifje ua kam ba prej zorit që kam pas. Nanës të fala dhe të mi puthi vllaznit. Borxhet që kam të mi paguejnë prindërit. I fali me zemën të gjithë ata që më kanë ba keq. Rroftë Shqipëria”.
Pader Danjel Dojani: “I fali ata që më kanë bërë keq. Jam koshient se po vdes i pafajshëm, po ma mirë sesa fajtor. Ti japin prindërit (farë e fisi), Dom Zef Shllakut pare për të mbajt dy meshë.
Pader Giovvani Fausti: “Jam koshient se vdekja po më vjen tue krye detyrën teme. Dërgoni shëndet Jezuitëve, Xhakojve, Apostolikëve dhe Arqipeshkvit. Rroftë Krishti Mbret.
Pader Gjon Shllaku: “Lamtumirë t’mi thoni shokëve Françeskanë dhe të gjithë të njohunve. Rroftë Kirishti Mbret, Rroftë Shqipnija”.
Mark Çuni: “I fali të gjithë ata që më kanë gjykue, dënua dhe ata që do të më ekzekutojnë. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Shqipnija”.
Qerim Sadiku: “I fal të gjithë ata që në çdo kohë mund të më kenë bërë keq. I fal edhe ata që më kanë dënue dhe ata që do të më ekzekutojnë. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Shqipnija”.
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.