Ali Kurti, xhelati i burgut të Burrelit me sy të hirrtë si të shqarthit

0
1798
blank

Si u bë personazh në një film perëndimor, pasi e përshkroi Arshi Pipa në një tregim të tij...

"Ali  Kurti", në film, ia kishte kaluar në tortura edhe vetë xhelatëve nazistë, aq sa një oficer gjerman kishte zbrazur koburen në drejtim të ekranit...

Nga Bedri Çoku

Ali  Kurti ishte polici më famëzi i burgut të Burrelit. Nuk dihet sa mund të jetë numri i të burgosurve politikë, vdekur dhe torturuar nga duart dhe shpirti i tij i pamëshirshëm. Madje, thonë se ishte aq i besuar e i mbështetur nga Ministri i Brendshëm i diktaturës, saqë, për çfarëdo që kërkonte e thoshte Aliu në atë burg, komandantët ishin të detyruar t’i bindeshin. Madje, cilido që vinte dhe ikte si drejtues i burgut gjëmëmadh, rrinte gatitu përpara Aliut, që shërbente aty qysh nga dita e popullimit për herë të parë me kundërshtarët e komunizmit, nacionalistët, klerikët dhe ajkën e inteligjencës shqiptare.

Kisha dëgjuar për këtë përbindësh nga të burgosurit e hershëm, kur u gjenda midis maleve të shkretuar të burgut të Spaçit, por vetëm aq. Asnjë detaj, asnjë karakteristikë tjetër për të. Vetëm si njeri me një shpirt katran, të zi në fytyrë, siç është zakonisht përfytyrimi për një katil që vret dhe torturon njerëz të pafajshëm. Pata dëgjuar, mandej, se ai ishte edhe një nga personazhet kryesorë në LIBRIN e Arshi Pipës, botuar në Perëndim, sapo ky qe arratisur nga Shqipëria. Rrëfenjat e të cilit kishin tërhequr regjisorët më të mirë perëndimorë dhe libri ishte xhiruar film, brenda një kohe rekord. Thoshin se ai, filmi, kishte lënë nam, duke revoltuar shumë qytetarë të botës së lirë, për masakrat e komunistëve shqiptarë në burgun e Burrelit. "Ali   Kurti", në film, ia kishte kaluar në tortura edhe vetë xhelatëve nazistë, aq sa një oficer gjerman kishte zbrazur koburen në drejtim të ekranit...

Ndërsa kur u gjenda vetë në Burgun e Burrelit, menjëherë, sapo mora dënimin e dytë e të rëndë për shkak të kryengritjes që bëmë ne, të burgosurit politikë në burgun e Spaçit, e pashë dhe e njoha nga afër Aliun e tmerrshëm. Krejt ndryshe nga ç’e përfytyroja unë dhe shumë të tjerë si unë, vetëm nga të dëgjuarat. I thatë, biond, me sytë të zbardhur si hirra që sapo del nga napa e djathit, ai të kujtonte shqarthin që kacavirret pas pemës për të kapur gjahun e vet, ose dhelprën e cila, në pamundësi për ta rrëmbyer pulën e ngjitur në pemë, e vështron atë gjatë me sytë e hirrët, deri sa ajo rrëzohet në tokë, në mënyrë tepër të çuditshme. Këtë çudinë e dytë e pashë me sytë e mi, në një nga rastet kur i burgosuri, trim i çartur, siç ishte Adem   Allçi, gjithmonë i uritur, sa herë zemërohej dhe revoltohej me njerëzit e komandës, hipte në tarracën e banjave në mes të oborrit rrethuar nga muri i lartë 12 m., mbi të cilin rrinin si kurorë gjembaçët e fabrikës së Kavajës, nuk zbriste prej andej pa iu realizuar kërkesat që paraqiste. Përleshej me policët, gjakosej me ta, por tarracën nuk e lëshonte. Ndërsa kur i afrohej Ali          Kurti, pasi kishte urdhëruar policët e tjerë të largoheshin nga rrethimi i tarracës çuditërisht, habiteshin të gjithë se si Ademi i llahtarshëm zbriste qetë-qetë shkallët që ia mbarte vetë kapter Aliu deri aty, ecte para këtij që çoç i thoshte me zë të ulët dhe pa kërcënime, deri sa kyçej në dhomën e vet, ndërsa famëziu vazhdonte shërbimin, sikur të mos kishte ndodhur asgjë...

Kisha dëgjuar që sa herë Adem Allçi i çartur, ngjitej mbi tarracë, po të mos ndodhej Ali  Kurti në shërbim, dërgonin njerëz për ta marrë atë në shtëpi...

Një rast ndodhesha në birucë... Kisha pesëmbëdhjetë ditë që vuaja nga uria dhe të ftohtit, në dimrin e paharruar të vitit 1975. Në birucën përbri meje, nga e djathta, ndodhej Koço Tashkoja, vëllai i Tefta Tashkos, këngëtares së famshme, njeriu më i rëndësishëm i themelimit të Partisë Komuniste në Shqipëri, më 1941, i pleqëruar, i cili rënkonte nga dhimbjet dhe të ftohtit, ndërsa në krahun tjetër kisha Gjin Markun, një nga gjeneralët kryesorë të luftës nacional-çlirimtare, siç e quanin komunistët, i cili nuk pushonte së bëri talim, duke kënduar pa u lodhur internacionalen e tyre... Për shkakun e këtyre të dyve, Aliu më kishte lidhur dy herë në hallkat e hekurave të ngulur në mur, pse bërtisja për Koçon që e linin të vuante në birucë nga të ftohtit dhe uria, ndërsa qortoja gjeneralin e famshëm me zë të lartë për të mos e kënduar më atë dreq kënge, që i frymëzonte torturuesit për të na shtuar vuajtjet më tepër...

Ndonëse nuk isha rraskapitur ende deri në fazën që të flisja me vete, apo të shikoja nëpër muret e birucës figura njerëzish të vdekur e fantazma... siç ndodhte zakonisht me të gjithë të burgosurit politikë që vuanin dënimet ekstra në birucat e akullta të Burrelit, si në rastin tim, Koço Tashkos e Gjin Markut, ngaqë rregullorja për dënime të tilla ishte e pamëshirshme; që jepeshin kastile në palcën e dimrit për t’i torturuar armiqtë sa më shumë në birucat që kishin formën e gjashtëkëndëshit, me beton e mur të akullt... me një dritare të ngushtë mbi kokë, ku natën vegullonte e varur një llambë e nxirë nga tymrat e cigareve dhe pezhishkat e merimangave, ishin gjithçka që mund posedonte një njeri në "Siberinë" e krijuar nga sivëllai për të torturuar vëllanë e racës së vetë...

Çdo vakt në biruca pritej me padurim për të kollofitur letyrën që sillte komanda dhe një copë bukë të përtharë ose të mykur. Pas kësaj përpirje, që s’të ngopte kurrë, sa hap e mbyll sytë, merrje edhe një cigare nga të tuat të cilat i ruante polici para derës së birucës. (Nga përjashta, kuptohet ).

Një ditë që Ali  Kurti ishte në shërbim, për vaktin e mëngjesit, më kishte dhënë një letër cigareje dhe duhan, aq sa mendonte ai se ishte mjaftueshëm për kapacitetin e letrës që unë do të dridhja. Më kishte dhënë edhe dy fije shkrepëse, me qëllim që, nëse nuk do të ndizte njëra, të më shërbente tjetra. Për fat, e ndeza duhanin me shkrepësen e parë. Edhe në drekë, sipas rregullit, Aliu më dha prapë një letër cigareje dhe një puqër duhan sa ç’e mendonte ai se duhej. Më dha edhe dy fije shkrepëse, sepse kapakun me zhivë e mbanim brenda në birucë. I thashë sinqerisht, pa prapamendim se nuk më duheshin dy fije shkrepëse, ngaqë më kishte mbetur njëra, e mëngjesit. Ai më vështroi me vëmendje e, kur pa fijen e shkrepëses që e mbaja në dorë, u ul poshtë, mori tufën e letrave që kishin mbetur dhe një grusht duhan dhe m’i dha të gjitha, së bashku me fijet e shkrepëses së zbrazur...

Dhe iku.

Mbeta i çuditur nga veprimi i tij, të them të drejtën më futi në mendime, por nuk e vrava shumë mendjen, sepse, në çast m’u kujtua rasti i tij edhe me Adem Allçin...

Thashë me vete:

"Sado kriminel qenka njeriu, gjithsesi, ardhka një çast dhe u bëka... i besueshëm. E mposhtka, siç duket, edhe atë e vërteta dhe e ndershmja..."

Kjo që tregova më lartë s’ ka nevojë, mendoj unë, për t’u betuar nëse është e vërtetë apo jo. Ka plotë të jetuar nga ajo kohë dhe ai vend, madje edhe vetë Adem Allçi, që është i gjallë, i tregon këto gjëra po njëlloj siç i tregoj unë...

Nuk është qëllim im, për të çuditur lexuesin pikërisht me historitë e patreguara. As për të mallëngjyer nostalgjikët e "trimave" të luftës për fitoren e komunizmit në Shqipëri, siç i ka treguar dhe i tregon sot e kësaj dite rrëfimtari i "Heronjve të Heshtur", Mark  Dodani... Mua më ngjall krup sjellja dhe mënyra se si sillen dhe flasin sot, në demokraci, bijtë e nipërit e "Heronjve të Heshtur..." ndaj viktimave të komunizmit, duke e krahasuar sjelljen e tyre, qoftë edhe me një polic të rëndomtë, kriminel, siç ishte në diktaturë, Ali   Kurti ...

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here