"Pa fakte, pa baza jam dënuar 8 vjet burg. Më kanë marrë më kanë çuar në Qafë Bari, ishim 400 metra nën tokë temperatura 30 gradë".
Ali Sollaku rrëfen kalvarin e gjatë të dënimeve që i janë bërë atij dhe babait të tij gjatë gjithë diktaturës komuniste deri në rënien e saj.
Dëshmia e plotë
Pa fakte, pa baza jam dënuar 8 vjet burg. Më kanë marrë, më kanë çuar në Qafë Bari. Ishim 400 metra nën tokë, temperatura 30 gradë.
Unë kam lindur më 23 shtator 1959, fshati Petresh, komuna Bradashesh. Unë jam arrestuar më 4 maj të 1988, në një kohë që ishte dhe babi i arrestuar, po atë vit të 1988. Babi e vuante dënimin në burgun e Sarandës. U dënua për herë të katërt me dhjetë vjet burg. Në atë kohë, më dënuan dhe mua 8 vjet burg, me akuzën agjitacion e propagandë. Më 4 maj të 1988 më arrestojnë dhe bëj 6 muaj hetuesi. Pas 6 muajsh hetuesi, pa fakte, pa baza, jam dënuar 8 vjet burg.
Çfarë metodash kanë përdorur në hetuesi?
Kanë qenë metodat nga më çnjerëzoret, edhe gjatë hetuesisë që më thërrisnin, më kanë lidhur këmbë e duar dhe në fund më kanë thënë prano akt akuzën se do të kaloj jeta nëpër burgje, siç kaloi yt atë. Edhe i kam thënë, nuk kam folur fare me këta persona që keni marrë ju si dëshmitarë të rremë. Pasi mbaroj hetuesinë, më dënojnë 8 vjet burg. Si kam marrë dënim me 8 vjet burg nga Gjykata e Elbasanit, më kanë marrë më kanë çuar në Qafë Bari. Burgu më ç’njerëzor për të gjithë shqiptarët që rrinin në atë burg. Kushtet e burgut ishin shumë të këqija. Hynim 400 metra nën tokë, temperatura 30 gradë dhe bëje normën. Ishte norma 6 vagona. Po mos të bëje normën, të fusnin në biruc. Birucat ishin me ujë, kallkani akullit në dimër, sa dora që kam unë. Më kujtohet një rast, nuk e kisha bërë normën edhe më thonë: Ti do të futesh në birucë. Futem në birucë, rri 40 ditë pa bukë dhe pa ujë. Pas 40 ditësh, më nxjerrin. I rraskapitur, futem prapë në galeri. Kushtet e fjetjes ishin 40 centimetër dhomat që flinim, që nuk kishe ku të sorollateshim me njëri-tjetrin. Torturat nga më çnjerëzoret që mund t’i bësh njeriut, kampi i Qaf Barit i ka patur. Unë nuk pata fatin që të rri shumë në burg, por kampi ishte shumë i keq. Në vitin 1978, më duket atje i kanë tërhequr të burgosurit me kavo makine zvarrë, se nuk bënin normën, i nxirrnin nga kampi i burgut edhe i tërhqnin zvarrë. Kontrrollet ishin shumë të rrepta, hynim në galeri, bënim normën, kur dilnim na kontrollonin. Çizmet na i hiqnin, se kujtonin se mos kishim ndonjë gjë, ne do hynim në kamp se nuk kishim ku të shkonim. Ata pecat e lagura ai piriti, të lodhur të rraskapitur nuk kishe më mundësi që të flisje dhe me shokun që kishe afër, sepse ishte kampi më i keq besoj në të gjithë Shqipërinë. Pasi kam dalë nga burgu, pas 4 vjet e gjysmë, që kam bërë në Qaf Bari, më tregonte gruaja që kam ardhur një rast thoshte, tre ditë e tre netë rrugë, se nuk na merrnin shoferët sepse na thoshin jeni familje të persekutuarish, jeni armiqtë e popullit. Kishte ndenjur tre ditë e tre netë në kampin e Qafës Barit dhe kishte ndenjur gjithë natën tek stolat, aty ku kishin një dhomë që bënin takimin. Ushqimet ja kishin hedhur, i kishin thënë nuk të takon ty që të vish të takosh ti këtë burrë që është këtu, se është armik i popullit. Vjen dhe njëherë tjetër gruaja. I kishin thënë: Ik se ai është në punë. Po - i thotë gruaja, do vi që ta takoj. I thotë ai: Jo, se është në punë. Edhe nuk e lanë. Si duket, mos ka qenë ai rasti kur më kanë mbyllur në birucë, edhe gruaja ka ardhur në shtëpi pa më takuar. Gruaja ka qenë me tre fëmijët, fëmijët ishin të vegjël edhe janë kther pa më takuar mua. Si rashë në burg në vitin 1988, edhe babi im në burg, familjen time as s’e përkrahte njeri. Kisha një vëlla të vogël, gruaja me tre fëmijë edhe kemi jetuar si mos më keq. Ishte zoti i madh që na pa ne, që u prish sistemi edhe erdhëm që ndërtuam jetën. Unë jam liruar më 11 janar të 1991, jam liruar nga Gjirokastra. Jeta jonë rrodhi, babai u lirua në nëntor, se dhe babai ishte në burg. Në ‘90 u lirua babai sepse po prishej sistemi komunist. Babain e liruan nga mosha, se ishte 85 vjeç. Gjithsej bëri 30 vjet burg. Familja ime kishte një persekutim shumë të keq, sepse babai në burg, edhe i biri në burg. Persekutimi ishte sepse ishte vetëm për të jetuar për një copë bukë.
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.