Analiza e Komitetit Qendor: Çfarë e nxiti revoltën e Spaçit dhe pse nuk u parandalua

0
105
blank

Pesë arsye që listohen në dokumentin e 8 qershorit 1973 për   shkaqet që çuan në rebelimin e të dënuarve politik në Spaç...

Cilat ishin shkaqet që çuan në revoltën e Spaçit, një nga ngjarjet e rralla të kundërshtimit hapur të regjimit komunist që nisi mëngjesin e 21 majit dhe u mbyll në mbrëmje vonë natën e 23 majit 1973?

Pas ngjarjes së bujshme që tronditi gjithë kupolën e udhëheqjes komuniste, ku mbetën të vrarë 4 të burgosur të përfshirë në revoltë dhe u ridënuan për këtë ngjarje 66 të burgosur të tjerë, regjimi kërkonte ta analizonte deri në qelizë.

Pse kishte ndodhur, kush e kishte nxitur, si ishin organizuar të dënuarit, a kishin ndihmë nga jashtë, si ndikonte kjo ngjarje në sistemin e burgjeve në Shqipëri, a kishte të ngjarë të kthehej në një virus e të përhapej si fenomen edhe në burgjet e tjera? Si ishte reagimi në popull, çfarë impakti kishte pasur? Si do të korrigjohej kjo situatë?

Një dokument i datës 8 qershor  1973, më shuam se dy javë pas revoltës, jep detaje të hollësishme mbi analizën që iu bë kësaj ngjarje. Dokumenti mban në krye shënimin “Dërgojmë konkluzionet e byrosë së Komitetit të Partisë të rrethit mbi ngjarjet në kampin e riedukimit të Spaçit” dhe i adresohet Komitetit Qendror. Nga shënimet shoqëruese të dokumenti dëshmohet se kjo analizë është diskutuar në detaje në Komitetin qendror të PPSH-së.

Më poshtë e sjellim të plotë  këtë dokument.

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

KOMITETI I PARTISË I RRETHIT

MIRDITË

Nr. 358 Prot.

Rrëshen, më 08.06.1973

Lënda: Dërgojmë konkluzionet e byrosë së Komitetit të Partisë të rrethit mbi ngjarjet në kampin e riedukimit të Spaçit

KOMITETIT QENDROR TË PPSH

(Sh. Qemal Murseli)

TIRANË

Bashkangjitur ju dërgojmë materialin me konkluzionet e byrosë së Komitetit të Partisë të rrethit lidhur me ngjarjen në kampin e Spaçit.

SEKRETARI I PARË I KOMITETIT TË PARTISË TË RRETHIT

(JOVAN BARDHI)

(firma, vula)

 

Sh. Qemal,

I bisedoni këto probleme që i takojnë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Të merren masa.

(firma)

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

KOMITETI I PARTISË I RRETHIT

MIRDITË

SEKRET

Nr. 358 Prot.

Rrëshen, më 08.06.1973

 

KONKLUZIONE

TË BYROSË SË KOMITETIT TË PARTISË TË RRETHIT MIRDITË

“MBI NGJARJET E DATËS 21-23 MAJ 1973 NË KAMPIN E

RIEDUKIMIT TË SPAÇIT”

 

Byroja e Komitetit të Partisë të rrethit në datën 04.06.1973 pas analizave që bënë organizatat e partisë të Repartit 303 dhe të anës së sigurimit thirri në raport byronë e partisë dhe kuadrot drejtuese të Degës së Punëve të Brendshme dhe të repartit.

Nga analizat në të dy organizatat e partisë dhe nga shqyrtimi që bëri byroja del se ndër shkaqet kryesore që çuan në atë gjendje të rëndë janë:

  1. Intensifikimi i veprimtarisë armiqësore në radhët e elementit të dënuar për veprimtari kundër pushtetit popullor.

Ky element e intensifikoi punën e tij armiqësore sidomos gjatë këtij viti duke ushqyer iluzione nga propaganda e shteteve imperialiste e revizioniste, e Vatikanit etj. Kështu kanë hedhur dhe shkruar parulla se “vendi ynë ka mbetur i izoluar”, “se këtyre u është ngushtuar rrethi”, “se populli gjoja është i pakënaqur etj.”.

Janë përpjekur të pengojnë pjesëmarrjen e të burgosurve në punë, të bëjnë organizime, të nxisin arratisjen etj. Me gjithë masat e marra për zbulimin e dokumentimin dhe goditjen e kësaj veprimtare, ajo ka vazhduar të intensifikohet derisa më 21 maj 1973 duke shfrytëzuar si shkak arrestimin e një të burgosuri shpërtheu në revoltë.

  1. Mos vlerësimi në shkallën që kërkohet i veprimtarisë së këtij elementi, në uljen e vigjilencës revolucionare, në mos thellimin sa duhet në masat operative, në manifestimin e konceptit se këta të dënuar janë, u la shteg lëshimeve deri në ngritjen e këtij elementi.

Kështu masat operative nuk kanë qenë kurdoherë të thella e të gjithanshme për zbulimin, dokumentimin dhe goditjen e veprimtarisë së mprehtë armiqësore të këtij elementi, nuk janë vlerësuar sa duhet të dhënat e si rrjedhim ka pasur zvarritje, nuk janë ndjekur me precedencë për të thelluar demaskimin e goditjen e kësaj veprimtarie në radhët e të dënuarve.

  1. Shfaqjet e liberalizmit, të indiferentizmit në punën për zbatimin e normave, urdhrave dhe udhëzimeve me të dënuarit.

Marrëdhëniet midis efektivave të të dënuarve nuk kanë qenë në shkallën që kërkohet, kërkesa e llogarisë nuk ka qenë nga të gjithë njëlloj, i është lënë shteg liberalizmit dhe ekstremizmit. Disa raste janë zgjidhur me vetëgjyqësi duke vepruar vetë personi. Janë bërë lëshime nga komanda e repartit, ka pasur raste të qëndrimit liberal ndaj të dënuarve kundrejt të cilëve nuk është mbajtur qëndrim i prerë dhe nuk janë marrë masa të rrepta ndëshkimi kur ata nuk janë bindur, kur kanë ofenduar ose edhe kur kanë goditur policët. Ka pasur dhe raste që si policët dhe oficerët kanë marrë masa ekstreme ndaj të burgosurve, kanë futur në biruca pa lajmëruar komandën, kanë goditur të burgosurit etj. Shkelje të rregullores së kampit ka pasur dhe për materiale që nuk duhen brenda. Kështu te të burgosurit janë gjetur sende të ndaluara si thika, hekura, vegla pune, kazma, lopata etj., që gjatë revoltës një pjesë e të burgosurve u përpoqën që t’i shfrytëzojnë kundër efektivit të policisë.

  1. Ka munguar informacioni sistematik, i shpejtë dhe në kohën e duhur.

Në metodën e punës së komandës së Repartit 303 ashtu edhe të organizatës bazë të partisë si brenda për brenda në marrëdhënie shërbimi në këtë repart ashtu edhe nga reparti i Degës nuk ka funksionuar si duhet informacioni. Kështu megjithëse çdo ditë nuk dilnin 7-8 të dënuar pa arsye në punë, ose në datën 20 maj nuk kishin punuar 30% të të dënuarve, ata nuk njoftojnë fare. Edhe në drejtim të Komitetit të Partisë informacioni ka qenë shumi dobët. Në rastin e ngjarjes kur në kamp kishin filluar çrregullime nga të burgosurit, jo vetëm që Komiteti i Partisë u informua me vonesë, por edhe me konkluzione se nuk ekziston rrezik. Këto kanë ardhur nga nënvlerësimi e mos thellimi mbi veprimtarinë armiqësore në kamp duke ushqyer konceptin se këta s’kanë ç’na bëjnë, të rrethuar i kemi.

  1. Mungesa në punën për edukimin, aftësimin e kuadrit dhe të efektivit të shërbimit që ka reparti i riedukimit.

Disa kuadrove u mungon përgatitja ushtarako-profesionale, kjo ka influencuar negativisht në kryerjen e detyrave, për rritjen e vigjilencës e për zbatimin e ligjshmërisë. Kështu shefi i stërvitjes, disa komandantë togash e sidomos policët nuk kanë përgatitjen e nevojshme, këta të fundit janë marrë në shërbime pa kaluar asnjë kurs.

Shumica e kuadrove, me përjashtim të komisarit të repartit kanë shfaqur mendime, kanë bërë kërkesa për t’u larguar nga ky repart si vend i keq e për t’u transferuar në vende të tjera.

Të gjitha këto e të tjera mendojmë se ishin shkaqe të forta që çuan në mos zbulimin e përgatitjes së revoltës së të burgosurve dhe në mos parandalimin e saj në kohë.

Revolta që u shfaq me të gjitha karakteristikat e egërsisë së elementit armik siç ju kemi njoftuar me informacionin tonë të datës 24.05.1973. Prandaj nuk po shënojmë veprimet e tyre, parullat e thirrjet që ata përdorën e të tjera.

Me masat që u morën nën drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme revolta u shtyp me sukses e për nxitësit e saj e të tjerë u morën masa e iu dhanë drejtësisë së popullit. Gjatë punës për shtypjen e saj të gjithë kuadrot, policët, ushtarët e repartit dhe të degës, si dhe reparteve që u erdhën në ndihmë, treguan vendosmëri, shpirt sakrifice, palodhshmëri e vigjilencë të lartë.

Byroja konkludoi se ka pasur plotësisht mundësi të evitohej ngjarja në qoftë se do të ishin zbatuar si duhet kërkesat e rregulloreve e normave që normojnë punën e punonjësve të sigurimit e të policisë në Degën e Punëve të Brendshme dhe të Komandës së Repartit 303 të riedukimit Spaç.

Për ngjarjen dhe dobësitë e vërtetuara byroja nxori përgjegjësinë e organizatave të partisë, të kuadrove drejtuese, të degës dhe të Repartit 303 si edhe përgjegjësinë e vet kolegjiale.

Ajo kritikoi rëndë organizatën e partisë të Repartit 303 që drejtohet nga Shahin  Skura i cili është edhe komisar i këtij reparti. Kjo organizatë nuk ka ushtruar kompetencat e saj për të udhëhequr punën në repart, ka lejuar që te kuadrot drejtuese të komandës të ulet vigjilenca revolucionare, të lejojnë shkelje të rregullores ushtarake dhe të ruajtjes së të dënuarve, të mbivlerësojnë masat e tyre e të nënvleftësojnë veprimtarinë e armiqve dhe për këto e të tjera nuk i ka vënë këto kuadro para përgjegjësisë së partisë. Ajo nuk është ndalur në konceptet e disa oficerëve që e shohin qëndrimin e tyre si të përkohshëm në këtë repart; pak është ndalur në punën për edukimin ideopolitik të oficerëve dhe të policëve e sidomos për të mos lejuar që të zinte vend koncepti se armiqtë në tela i kemi e s’kanë ç’na bëjnë.

Byroja e Komitetit të Partisë aprovoi vërejtjen me shënim në kartën e regjistrimit për komandantin e repartit Haxhi Gorën dhe komisarin Shahin  Skura.

Kritikoi rëndë punën e organizatës së partisë të anës së sigurimit në Degën e Punëve të Brendshme e cila nuk i ka kërkuar llogari kryetarit, zëvendësit të tij për anën e sigurimit për zbatimin e rregullores së firmosur nga ministri që organet e Punëve të Brendshme në rreth i bën përgjegjëse për sigurimin e të dënuarve, për punën operative e riedukimin. Kontrolli i komunistëve drejtues të Degës mbi komandën e repartit që siguron të burgosurit ka qenë i dobët dhe i ka lejuar ata të mos zbatojnë plotësisht rregulloren. Komunistët që drejtojnë punën operative me të dënuarit nuk i kanë vlerësuar në shkallën e duhur të dhënat mbi gjendjen e veprimtarisë armiqësore të të dënuarve dhe kjo solli që ndonëse revolta ishte e përgatitur, shkalla e njohjes nuk ishte e tillë që të evitonte gjendjen dhe të merreshin masat me kohë për ta parandaluar atë. Pra ka mjaft dobësi puna zbuluese. Kjo organizatë nuk është ndalur në konceptin që kishin drejtuesit e degës se “kampin e kemi që nga 1968 e nuk na ka ndodhur gjë”. Ata nuk i kanë parë dobësitë në radhë të parë në veten e tyre se sa te të tjerët. Byroja e Komitetit të Partisë aprovoi masën vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit për kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme shokun Pandi Kita si dhe për zëvendësin e tij shokun Mark  Deda.

Byroja kritikoi shokun Pandi Kita dhe porositi të vlerësojë dhe të ndalet fort në problemet kryesore të anës së sigurimit, pasi më pak merret vetë e më shumë ia lë zëvendësit të tij, se edhe të metat më të mëdha gjatë lëtyre ngjarjeve dolën për anën e zbulimit të veprimtarisë armiqësore në kamp.

Byroja kritikoi byronë e partisë në degë që nuk ka ushtruar kontroll të thellë dhe nuk ka ndihmuar organizatat e partisë të anës së sigurimit e të policisë.

Byroja e Komitetit të Partisë nxori dhe përgjegjësinë e vet dhe të sekretarëve që drejtojnë. Ajo gjatë vitit 1972-1973 ka analizuar tri herë probleme të punës së partisë në degë si dhe sekretarët e Komitetit të Partisë të gjithë kanë marrë pjesë në mbledhjet e organizatave të partisë dhe të anës shtetërore në degë e repart. Por Komiteti i Partisë nuk ka ushtruar kontroll të organizuar, të diferencuar dhe për probleme të veçanta në këto organizata. Kështu njohja e byrosë dhe e sekretariatit nuk ka qenë e thellë e për rrjedhim kërkesa e llogarisë dhe ndihma konkrete ka çaluar. Kjo ngarkon me përgjegjësi byronë dhe sekretarët e Komitetit të Partisë.

Byroja aprovoi një program të punës së saj për të ndihmuar organizatat e partisë në degë e repart, për të ndrequr të metat, sidomos për edukimin ideologjik, për forcimin e jetës së brendshme të partisë, për ushtrimin e kontrollit të partisë mbi komandën etj.

Në byro dhe në organizatat bazë të partisë u bënë disa kritika: u kritikua prokurori i rrethit se në disa raste goditja ndaj veprimeve të armiqve është e butë, p.sh. një i dënuar që kaloi rrethimin dhe u kap në rrethin e Pukës u dënua vetëm me një vit e gjysmë kur ligji e parashikon deri në tre vjet.

U kritikua Prokuroria e Përgjithshme e cila ka refuzuar tre propozime për goditje tash një vit, ndërsa tani që ndodhi kjo gjendje kërkonin ku i keni ato. Po kështu u tha se kur një i dënuar dërgon letër ankese merren shumë me hetimin e saj, ndërsa nuk i japin rëndësi anës tjetër, veprimtarisë së të dënuarve ndaj personelit të shërbimit.

U kritikua Drejtoria e Sigurimit të Shtetit se nuk është thelluar në problemet që i ka ngritur Dega e Brendshme në raportet e saj sidomos për masat që duheshin marrë për goditjen e elementit për veprimtari të mprehtë armiqësore.

U kritikua Dega e Kuadrit e Ministrisë se nuk ka treguar kujdesin e duhur për kompletimin e Repartit 303 me kuadro të afta. Dërgon atje kuadro që bëjnë gabime në reparte të tjera si edhe u bën premtime për kohën që do të qëndrojnë.

U kritikua Drejtoria e Policisë se janë vendosur të burgosurit në kamp pa u kryer punimet e nevojshme si edhe kontrolli e ndihma e saj për zbatimin e rregullores së burgjeve dhe kampeve ka qenë e dobët. Ajo përgjigjet drejtpërsëdrejti për këtë repart.

U bë një propozim që Ministria e Punëve të Brendshme të shohë mundësinë për shtimin e një kuadri për sektorin organizativ mbasi ka vështirësi kjo punë në kamp.

blank

SEKRETARI I PARË I KOMITETIT TË PARTISË TË RRETHIT

(JOVAN BARDHI)

(firma, vula)

 

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here