Simon Prifti/ Armik i popullit në moshën 3-vjeçare

0
216

“Ne mblidhnim fletët e panxharit të lopëve i zienim pa kripë e pa vaj dhe i hanim. Këto patën një veti që krijuan një sëmundje të veremit. Sëmundja e veremit ishte e barabartë me atë të kancerit. Për 28 ditë kanë vdekur 103 djem dhe vajza.”

Simon Prifti rrëfen për 73 vitet burg e internim të familjes së tij dhe mbushjen e dosjes si armik i popullit që në moshën 3 vjeçare.

Dëshmia e plotë

Dosja u hap në vitin 1945. Në moshën 3 vjeçare u bëra dhe unë armik i popullit, dashje pa dashje. Ishin të pa numërta kampet e internimit, që të japësh një intervistë duam një natë e një ditë. Ne mblidhnim fletët e panxharit të lopëve i zienim pa kripë e pa vaj dhe i hanim. Këto patën një veti që krijuan një sëmundje të veremit. Sëmundja e veremit ishte e barabartë me atë të kancerit. Për 28 ditë kanë vdekur 103 djem dhe vjaza.

Pas viteve ‘40 babai jonë u lidh me partinë, si të gjithë patriotët e tjerë dhe Italia e arrestoi dhe e dënoi me pushkatim si kundërshtar i Italisë. Në atë kohë pas shumë përpjekjeve babit iu fal dënimi me vdekje dhe dënohet me 12 vjet burg dhe vjen në burgun e Vlorës. Në burgun e Vlorës mori vesh Hysni Kapo ishin shokë të ngushtë që nga viti 1934. I thotë dua të hapësh burgun e Vlorës me çdo kusht me mënyrat e tua dhe të nxjerrësh nga burgu Nuri Arapin, Mustafa Kondin, Xhundi Shiraku, Veiz Pipën, Manush Myftiun dhe Llambi Çinin të dënuar me vdekje të gjithë këta nga Italia. Në një dhomë siç ishin këta 28 burra, babai im lëvizi një dërrasë të dyshemesë dhe shikon një hapsirë aty ka qenë një pus i thatë. Lindi ideja për të hapur një tynel poshtë dyshemesë dhe bazë kishin atë pusin. Para se të bënin këtë, bën një betim 28 burra që nuk do të dalë sekreti. I thanë Hysni Kapos do na dërgosh kaq litar, kaq thas, kaq sqeparë dhe kaq thika. Ia dërguan këto materjale dhe për 17 ditë e netë punë me tre turne dhe dolën të gjithë këta nga burgu. Ky ishte motivacioni që u prish biografia jonë. Na morën komplet si familje, nëna, motra edhe tre vëllezrit me burg e internim kemi 73 vjet.

Në cilat nga kampet e internimit keni jetuar?

Janë të pa numërta kampet e internimit. Tani që të japësh një intervistë duam një natë e një ditë. Fillimisht në ’45 na internuam në Krujë. Pas Krujës na dërguan në Valias të Tiranës. Nga Valiasi na dërguan në Cerrik të Elbasanit. Pastaj nga Cerriku na ndanë, në Himarë kishte burra të zgjuar në atë kohë edhe e dinin se çfarë mund të sillte regjimi i Enver Hoxhës dhe bllokuan kutitë e votimit. Regjimi i Enver Hoxhës i mori këta, një pjesë i pushkatoi një pjesë në burgun e Burrelit kurse ne që ishim më të vegjël na dërgoi në internim. Dosja u hap në ’45, 3 vjeç isha unë. U bëra dhe unë armik i popullit dashje pa dashje edhe na kaluan në Krujë. Në Krujë nuk mund të qahemi se popull ishte demokrat nga shpirti dhe u vinte keq kur mësuan se pse na kishin internuar. Krijuam dhe miqësi në Krujë. 3 vjet bëmë në Krujë. Me ndërhyrje të Hysni Kapos që ishte mik i babait gjatë lëvizjes Nacionale na liruan. Në vitin 1949 qëndruam një muaj e gjysëm në Pilur. Djali xhahait me një grup diversantësh nga Greqia e kapën dhe u ikën nga Llogaraja i lidhur. Përfundimisht na morën prap në internim. Na çuan në Valias. Kampi i Valiasit ishte shumë shumë i rëndë për ne që e provuam. Ushqimi shumë i keq, 400 gramë bukë për person, gjellë një lugë bollgur i shtypur, krimbin e kishte 5 cm, 6 cm të gjatë në bollgur brenda. 2-3 vitet e para nuk e hanim dot. Kur dilnim nga shkolla mblidhnim fletët e panxharit të lopëve i çonim në kamp. Në kamp lejonin që nënat tona të valonin rrobat, pasi morri dhe çimkat ishin me shumicë. Ne fituam imunitet dhe sna bënte përshtypje fare. Ne mblidhnim fletët e panxharit të lopëve i zienim pa kripë e pa vaj dhe i hanim. Këto patën një veti që krijuan një sëmundje të veremit. Sëmundja e veremit ishte e barabartë me atë të kancerit. Për 28 ditë, e kam të shkruar në ditarin tim kanë vdekur 103 djem e vajza. Midis këtyre viktimave pati ndonjëri të afërmin e vet dhe e bënë problem. Dërgojnë një zis të vjetër me një radioskopi dhe të gjithë ne të rinjtë na kalojnë në radioskopi, e keqja më e madhe ishte se tani ata që dilnin të prekur i nxirrnin jashtë kampit vajza dhe djem. Ku do shkonin? Se nuk e mbante vëllai fëmijën e vëllait nga frika. Plasi një ulërimë dhe gratë grisnin faqet, u dilte gjak nga faqet.  E kam si tani të fiksuar. 50-51 që andej pastaj na marin dhe na çojnë në Cerrik të Elbasanit.  Tek ura e Paprit në krahë të djathtë në një rrëzë kodre ka qenë burgu, hoqën burgun dhe na çuan ne të internuarit. Në atë kohë fëmija shkonte me polic në shkollë tre orë larg nga rrëza e kodrës deri  në Shtërrmen. Kur ktheheshim vidhnim ndonjë misër ndonjë kastravec që gjenim andej nëpër parcela për të plotësuar ato nevojat më të vogla që kishim për ushqimin. Çfarë i quanin fuqi punëtore i morën dhe i dërguan në fabrikën e tullave në Tiranë kurse ne ordinerët na kaluan në Tepelenë, në Kampin e Tepelenës. Këtu ishte një kujë e madhe se ndahej familja përsëri, na ndanë nga vëllai tjetër. Unë nëna dhe motra kaluam në Tepelenë. Kampi i Tepelenës ishte një kamp shfarrosje, nuk kam ndonjë numër të saktë por kanë vdekur shumë. Kanë vdekur mbi 300 veta. Një fëmijë korçar nja katër vjeç në orën dy të natës vë një britëm të madhe, ne u çuam të gjithë. Kazermat ishin të mëdha, 500-600 veta në një kazermë, krevat poshtë krevat lartë,  si në ushtri me dërrasa. U alarmuam të gjithë. Fëmijës i preu miu gjysmën e veshit. Çfarë quhej fuqi punëtore në Tepelenë, gratë dhe burrat i merrnin dhe iknin këtej nga gryka e Bënçës edhe i ngarkonin si  gomerët me dru. Ajo periudhë kaloi e rëndë shumë, gjithmonë kemi patur arrestime. Një rast timin që kisha dashuri me një vajzë se nuk kishim të drejtë as të dashuronim ne. Na arrestuan prapë gjoja shtrëngim martese, qëllimi ishte për agjitacion e propagandë. E kaluam me vështirësi Bulqizën sepse mund të thuash se atje një në ditë do vdiste ose do t’i binte një copë kromi në kokë siç i ra një djali nga Treblova dhe vdiq. I them komandantit, edhe mua ç’mu desh po...  Ka mundësi ta varrosim në një vend atje? Qen bir qeni -tha- pse s’të njoh unë kush je ti, nipi i Polo Priftit! Nuk thash ndonjë gjë të madhe i them unë. E keqa e madhe në Bulqizë ishte se qindra njerëz vdiqën dhe nuk u varrosën. I merrnin dhe i hidhnin në një greminë ku hidhnin gurin e keq të kromit edhe hidhnin gurin e kromit mbi vete, nuk gjeje dot asnjë varrezë për të burgosurit në Bulqizë. I mbulonin më mijëra m3 gurë. Një pjesë vriteshin brenda në galeri, ndonjë vdiste në pus. Ishte pusi brenda që binin direkt. Përfundimisht ikëm nga Bulqiza u liruam prej andej. Ne filluam zanatin në ndërtim,  këto periudha  pati shumë prapësira momente të vështira që i kujton njeriu, që nga ’45 deri në ’54 me po të njëjtat veshje, ato kemi grisur në gjithë ato vite. Apo ushqimi që hanim, janë  të gjitha momente të vështira. Këta mund t’i përmbledhësh vetëm në një fjalë sadista. Njerëz pa ndjenja në një kohë që merrnin gra dhe fëmijë të vegjël i torturonin nëpër kampe, si mund t’i thuash këtyre njerëz?

Si ndiheni kur takoni një ish-persekutor?

Përveç urrejtjes nuk mund të ndjesh asgjë për këta tipa. Shteti ku jetojmë ka shumë persona që kanë qenë jurist të asaj kohe që dënonin njerëz pa  të drejtë dhe akoma punojnë në shtet.

Quhem Simon Prifti, i mbjellur në tokë i korrur në det dhe i rritur mes telave me gjemba. Në moshën 3 vjeçare  mu mbush dosja si armik i popullit familjarisht. Si familje kam 73 vjet burg e internim.

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here