At Giacomo Gardin, prifti italian qe u burgos për 10 vjet në Shqipërinë komuniste

0
118
blank
Rrëfim për vuajtjet e atyre që nuk dolën gjallë nga qelitë e torturave, për mitralozët në Rrmaj, për torturat çnjerëzore që u përdorën kundër njeriut e qytetarit e bashkëvëllait shqiptar.
Njëzet vjet në Shqipëri; dhjetë vjet ka punuar si misionar në kishat dhe shtëpitë e Shkodrës dhe Tiranës dhe dhjetë vjete të tjera nëpër burgjet dhe kampet e internimit komunist… “As prokurori dhe as dëshmitarët nuk mundën të zbulojnë një padi kundër meje. Por unë ishem prift e pra duhesh dhanë një dënim dhe kur padinat ishin të paqëndrushme, ato duhej patjetër të vesheshin me petkun e krimit” – do të thoshte At Giacomo Gardin (Jak Gardini) 35 vjete ma vonë në librin që u botua në Itali “Dhetë Vjet Burg në Shqipni (1945-1955)”.
Me një gjuhë të ëmbël gegnishte, autori tregon thjesht dhe me sinqeritet, me ton të butë e pa hidhërim ngjarjet e tmerrshme të burgjeve komuniste. Ai flet dhe tregon të gjithë atë mekanizëm e makinë shtypëse që organizoi shteti i ri komunist kundra popullit, intelektualëve, klerit në përgjithësi, familjeve reale shqiptare, tregtarëve e deri më vonë klasës vet politike. Ai flet për vuajtës që nuk dolën ma gjallë nga qelitë e torturave, për mitralozët në Rrmaj, për torturat çnjerëzore që u përdorën kundër njeriut e qytetarit e bashkëvëllait shqiptar.
.
Jak Gardini me mësuesin e tij dom Ndre Mjedën, Shkodër 1932

Jak Gardini me mësuesin e tij dom Ndre Mjedën, Shkodër 1932

Autori i këtij libri u lind në krahinën e Pordenones, Itali me 24 shtator 1905. Në moshën tetëmbëdhejtë vjeç hyn në shkollën Jezuite, pastaj në Goricë si vite të përgatitjes në filozofi dhe më vonë në Chieri – Torino për kurset trevjeçare të filozofisë sipas traditës Jezuite. Pas kësaj periudhe (1930) shkon në Shqipëri për të dhanë ndihmesën e vet në mësimdhënie si dhe mëson gjuhën shqipe. Kthehet në Chieri për studimet teologjike dhe me 15 korrik 1936, shugurohet meshtar, pastaj në Francë dhe përsëri për studimet e fundit njëvjeçar duke u përgatitur plotësisht për Shoqninë e Jezuitëve bashkë me vitin e tretë të Provës. Në Shqipëri jep mesim në Seminarin Papnor Shqiptar në Shkodër, ku punon me përkushtim me nxënësit dhe njerëzit deri në vitin 1945, kur edhe arrestohet. Kalon dhjetë vjet nën kalvarin komunist të burgjeve dhe me 1955 me ndërhyrjen e autoriteteve italiane lirohet dhe atdhesohet.
Me nota dhimbje përshkruhen vitet e burgut e më shumë për shokët se për vete. Aty janë korifejtë e kishës shqiptare, por jo vetëm këta, po edhe qindra të tjerë, ku faji i vetëm ishte se ishin kuadro dhe intelektualë të zot. (Pra fati i dijes ndëshkohej) Ai kujton shokët, kolegët dhe miqtë e shumtë që kishin pasë të njëjten vuajtje, por jo të njejtin fat, pasi shumica e tyre u pushkatuan si dhe vdiqën nëpër burgje, ndërsa ai mundi t’i shpetojë këtij ferri.
.
Papa Gjon Pali i II me kopjen e librit të Jak Gardinit dhe at Leo Gabriel Neal, Vatikan 1986

Papa Gjon Pali i II me kopjen e librit të Jak Gardinit dhe at Leo Gabriel Neal, Vatikan 1986

Ky libër asht model përsa i takon dëshmisë që sjell, stilit të shkruar dhe urtësisë që na paraqet. Në epilogun që na vë përpara thote se: “Kanë kalue 35 vjet që nga ai shtator i largët dhe meqënëse Zoti më ka ba dhuratën e një jete aq të gjatë sa me pa edhe vazhdimin e historisë, mendoj se duhet të baj një shënim për këtë. Unë pashë që Zoti triumfoi mbi marrinë njerëzore dhe “psetë” e mija mbi këtë periudhë marrin sot një përgjigje të saktë, për të cilën nuk mund të heshtet. Ndërsa unë kthehesha në jetë, atje përtej brigjeve të detit kishin mbetë sivllaznit e mij shqiptarë e në të njejtën kohë ishte shembë ngrehina fetare me themel, nuk kishte shtëpi rregulltarësh, as veprat e tyne, që ishin sekustrue e djegë, por kishte mbetë kujtimi i njerzeve, kujtim i gjallë dhe tepër ngacmues për ne që kishim punue e jetue pranë tyne” (G. Gardin, “Dhete vjetë burg në Shqipëri (1945-1955) fq. 105, Roma, 1992)
Epilogu mbyllet me fjalet e Manzonit: ” Zoti nuk e turbullon kurrë gëzimin e bijve të vet, pa pasë si qëllim me përgatitë një gëzim tjetër edhe ma të madh!”. Libri është përkthyer në shumë gjuhë të botës. Përgatiti N. Selimi, prill 2018
 
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here