Bilanci tragjik i familjes: Si u sakrifikuan 11 burra, një grua dhe një vajzë 11 vjeçe
Në kryengritjen antikomuniste, në verë-vjeshtën e 1946-ës, në disa zona të Veriut, që kulmoi me kryengritjen e Postribës, si pikënisje spikatin ngjarjet e bujshme në Shosh të Dukagjinit, ku luftëtarët e Shoshit udhëhequr nga familja e Bajraktarit, Lulash Gjeloshi bënë dhjetëra beteja nga qershori deri në nëntor të 1946-ës me partizanët e brigadave të ndjekjes.
Përplasjet me komunistët kishin nisur që në fillim të vitit 1945, kur brigadat partizane ia kishin behur në Dukagjin nga Tropoja. Por në Dukagjin, ndryshe nga shumë vende të tjera, popullsia ishte sqaruar mbi komunizmin dhe pasojat e këtij regjimi dhe pjesa dërrmuese e familjeve dukagjinase ishin betuar se nuk do ta përqafonin kurrë këtë ideologji.
Kur Enver Hoxha e nuhati këtë situatë, vuri në lëvizje gjithë mjetet për t'i nënshtruar. Fillimisht, nisi fushatën për të bindur popullin që i kishte falur kundërshtarët e kumunizmit nëse ata dorëzoheshin. Një pjesë e madhe e luftëtarëve që kishin luftuar kundër brigadave që depërtuan nga Tropoja në Dukagjin, pas fushatës së faljeve dhe thirrjeve për dorëzim, ishin dorëzuar. Të njëjtën gjë kishin bërë edhe burrat e familjes së Bajraktarit të Shoshit.
Në këtë periudhë, djali i Bajraktarit, 20-vjeçari i shkolluar në Itali, Gjelosh Lulashi ishte emëruar sekretar në spitalin civil, në Shkodër. Por ai do të ishte gjithnjë nën vëmendjen e komunistëve. Befas një ditë, e arrestojnë me akuzën se kishte krijuar partinë Bashkimi Demokristian Shqiptar.
Në gjyq, prokurori Aranit Çela do të kërkonte dënimin me vdekje për Gjelosh Lulashin, Atë Danjel Dajanin, Atë Giovanni Fausti-n, Atë Gjon Shllakun, Mark Çunin e Qerim Sadikun. Pasi Gjykata e jep këtë vendim për t'i dënuar me vdekje, nga Tirana, me firmën e Enver Hoxhës, mbërrin miratimi për t'i pushkatuar.
Ky është dokumenti ku Enver Hoxha firmos miratimin e dënimit me vdekje të 6 të akuzuarve.
Në mëngjes herët, më 4 mars 1946, të gjashtë të dënuarit me vdekje, pushkatohen në zall të Kirit. Në familjen e Bajraktarit të Shoshit, lajmi i pushkatimit të djalit 20-vjeçar tronditi kullën.
Ky është Gjelosh Lulashi, djali i Bajraktarit të Shoshit, i pushkatuar nga komunistët në moshën 20 vjeçare, me akuzën se ishte pjesë e partisë Bashkimi Demokristian Shqiptar. Gjeloshi u vra edhe pse Enver Hoxha i kishte thënë Bajraktarit se i kishte falur pse ishin ngritur kundër komunizmit dhe se do të vijonin jetën të qetë.
Prej këtij çasti, në kullën e Bajraktarit ishte rindezur urrejtja ndaj komunizmit. Për muaj me radhë, ata do të qëndronin në zi. Vetë Bajraktari i tronditur prej humbjes, atë fillim vere të 1946-ës, kishte zënë shtratin i sëmurë.
22 qershor 1946, nis kryengritja antikomuniste
Fund qershori 1946. Në gjithë Dukagjinin, kishin nisur arrestimet në familjet me më shumë autoritet në popull. Brigadat komuniste të udhëhequra nga Xhemal Selimi, një prej komunistëve që Enver Hoxha i kishte lënë dorë të lirë të bënte ç’të shihte të arsyeshme për ta nënshtruar zonën e Dukagjinit. Ata kishin depërtuar në çdo fshat. Mesnatën e 22 qershorit, ata kishin rrethuar edhe kullën e Bajraktarit të Shoshit. N’agim, kur kishin hapur dyert, kishin parë kudo forcat partizane të armatosura. Ata ia kishin behur në derë e kishin kërkuar të merrnin Bajraktarin. Në oborr, për të folur me komunistët, kishte dalë Deli Marashi. Ai dhe Bajraktari, Lulash Gjeloshi, ishin dy të moshuarit e familjes. Ishin kushërinj të parë, baballarët vëllezër. Jetonin në një familje. Deli Marashi u kishte thënë komunistëve se Bajraktarin nuk mund ta merrnin, se ishte i sëmurë në shtrat. Por ata kishin këmbëngulur se do ta merrnin me çdo kusht, edhe sikur t'u duhej ta transportonin me vig. Pasi Deli Marashi kishte biseduar me kushëririn e tij, Bajraktarin, ky i fundit kishte thënë se do të shkonte me mushkën e tij. E gjithë familja e kishin kuptuar se ky udhëtim për Bajraktarin kishte veç një fund, derën e burgut. Për këtë arsye nipi i tij, Bekë Delia, djali i Deli Marashit, i kishte thënë të atit se do ta shoqëronte ai Bajraktarin e sëmurë në këtë udhëtim.
Po atë ditë, komunistët ia kishin behur edhe në familjen e Lekë Vojvodës. E kishin arreastuar edhe atë. Lekë Vojvodën e shoqëronte vetë Xhemal Selimi. Ndërsa Bajraktari i Shoshit, i hipur në mushkë, shoqërohej nga grupi i partizanëve të armatosur dhe nipi i tij, Bekë Delia. Gjatë rrugës kishte ndodhur një incident. Në pyll, ishte dëgjuar një e shtënë. Partizanët kishin kthyer menjëherë armët nga Bajraktari e në atë kohë, Bekë Delia, për të mbrojtur Bajraktarin, i kishte vrarë në vend, brenda pak sekondash, të tre komunistët.
Pikërisht atë ditë, në 22 qershor, për shkak të atij incidenti në pyll, do të zinte fill kryengritja e armatosur kundër komunizmit në Dukagjin.
Rrëfimin e mëposhtëm e kemi shkëputur nga dokumentari kushtuar familjes së Bajraktarit të Shoshit, në emisionin Dosja K, të gazetares Admirina Peçi. Historia është rrëfyer nga Gegë Zef Fusha, pasardhësi i bajraktarit të Shoshit, nipi i Deli Marashit. Gega e nis rrëfimin te momenti që marrin Bajraktarin në kullë.
Gega rrëfen: “Natën erdhën dhe rrethuan shtëpinë tonë, në datën 22. Xhemal Selimi shkoi të merrte Lekën (Vojvodën). I la të tjerët aty në rrethim. Kur agoi dita, herët në mëngjes, u hap dera e shtëpisë dhe gjetën policinë. Ishin ende shumë të mërzitur për djalin që u ishte pushkatuar. U tmerruan sepse prisnin gjithmonë të keqen e jo të mirën prej tyre. Thanë që kishin ardhur të merrnin Bajraktarin. Doli gjyshi im (Deli Marashi) dhe u thotë që Bajraktari është i sëmurë. Ata i thanë që duhej ta merrnin dhe ta çonin në seksion. Gjyshi hyri brenda dhe bisedoi me kushëririn (Bajraktarin). Tha se do bënte si të mundej, por në vig nuk do hipte. I vinte turp që të shkonte në burg hipur mbi vig. Do të shkonte me mushkën e tij. Se çfarë ndodhi me Xhemalin dhe me Lekë Vojvodën në pyll nuk dihet, vetëm u dëgjua krisma e pushkës. Partizanët qëlluan prej këtyre dhe xhaxhai im (Bekë Delia) i vrau aty të tre.
Lulashin e zbriti nga mushka dhe i tha që të merrte malin. Pastaj i ka thirrur babait tim e kishte dhënë lajmin. I kishte thënë se gjithçka kishte marrë fund e tashmë të ikte kush të mundte. Ishin gra dhe fëmijë. Ishte gjithë ajo pasuri. Ndërsa të tjerët kanë bërë të iknin, kushëriri im, Kokërr Kola, i ka thënë familjes se nuk do luante nga vendi. Nuk mund ta linte shtëpinë që t’ia digjnin. Ndenjën dy xhaxhallarët e mi dhe Nik Lushi me djemtë e tij, për të mbrojtur kullën. Por shpejt kanë mbërri aty brigada partizane për t'i vënë zjarrin kullës. Krisi pushka. Në përpjekje e sipër u vra Kokërr Kola. E mandej partizanët hynë dhe e bastisën shtëpinë e Bajraktarit. Morën gjithë pasurinë që gjetën, morën bagëtinë, ishin 300 kokë bagëti të imta. E gjithë pasuria ishte vënë me krahë. Kishin mbi 200 koshere bletësh, lopë, mëshqerra. Ata i vunë flakën shtëpisë. Brenda 3 orëve i dogjën të dyja kullat dhe çdo gjë tjetër që kishte familja. Qëllimi ishte të mos linin asnjë strehë që njerëzit e asaj shtëpie të mos ktheheshin më aty.
Gratë e fëmijët kaluan lumin dhe shkuan në Bjeshkë. Disa i mbanin fëmijët për dore e disa në krahë sepse nuk mundeshin të ecnin. Nëna ime kishte një fëmijë 5 vjeç e tjetrin 2 vjeç. E kanë kaluar natën jashtë dhe nëna më ka treguar se dy herë u kishin shkuar ujqërit afër. Atje kanë ndenjur 3-4 ditë dhe pastaj nuk mundeshin më që ta përballonin edhe prej fëmijëve të vegjël. Kështu që i dërguan fjalë kryeplakut se dëshironin të dorëzoheshin. I morën siç ishin gra e fëmijë dhe i çuan në Shkodër e pastaj në shtëpinë e Pashajve në Berat. Atje u bashkuan me të gjitha familjet e mëdha të Malësisë. Të gjithë ishin të internuar, me halle, pa bukë, sikur të ishin bagëti e jo njerëz.
Ndërkohë burrat në mal luftonin. Në atë kohë u krijua një çetë e madhe prej më shumë se 80 dukagjinasish. Ishin betuar ta luftonin komunizmin. Nuk kishte më kthim prapa. Menduan të lidheshin me Postribën, me Pukën dhe të sulmonin deri në Tiranë e të mos e pushonin luftën kundër komunizmit. Mirëpo u ngutën me Kryengritjen e Postribës. Ideja ishte që të lidheshin të gjitha grupet, të organizohej mirë e pastaj të shpërthente kryengritja sepse duhej të niste në mënyrë të organizuar, ndërsa Postriba e filloi para kohe. Shteti u egërsua dhe kryengritësit u përçanë sepse dështoi plani. Nuk mundeshin as të arratiseshin e të kalonin kufirin me Jugosllavinë sepse në atë kohë marrëdhëniet e Titos me Enver Hoxhën ishin të mira dhe ekzistonte rreziku që Titoja t’i kthente në Shqipëri të arratisurit. Edhe kufiri me Greqinë as që mendohej se mund të kalohej. Duke dëgjuar debatet e luftëtarëve, familja ime u tha që do të ndahej prej tyre që të mos i rrezikonte. Kishin vendosur që të mos largoheshin prej vendit dhe të vazhdonin luftën edhe nëse do të vriteshin të tërë. Dhe kështu u ndanë dhe dolën grup më vete. Ishin të vendosur që të mos dorëzoheshin”.
Ndërkohë Bajraktari, Lulash Gjeloshi, për ditë me radhë, i sëmurë rëndë dhe i pikëlluar për fatin e familjes së tij, endej në fshehtësi për t'iu shpëtuar brigadave të ndjekjes, sa në një fshat në një tjetër. Kërkonte strehë, por e dinte se nuk duhet të rëndonte askënd. Enver Hoxha kishte nxjerrë urdhër për t'i pushkatuar të gjithë ata që strehonin antikomunistët.
Sidoqoftë, e kishin ndihmuar të njohurit e tij derisa dy prej nipave kishin shkuar dhe e kishin marrë. Tashmë, të gjithë burrat e familjes ishin bashkë e më të vendosur se kurrë për ta luftuar komunizmin.
22 gusht ‘46, 7 orë luftime
Gega rrëfen: “Ndodheshin në Balzë. Vijonin jetën në arrati në mal. Një mëngjes, sapo kishte dalë dita, ata e panë veten të rrethuar nga brigada sulmuese. Ishte rastësi apo i kishin tradhtuar, këtë nuk e di. Djali i xhaxhait, Gjin Marku kishte ikur nga Kukësi ku ishte ushtar, dhe kishte bërë roje gjithë natën. Në mëngjes, kishte dëgjuar krisma dhe pastaj kishte parë ushtarët e brigadës duke lëvizur. Kishte shkuar me vrap për të lajmëruar të tjerët që ishin të rrethuar nga partizanët. Bekë Delia kishte lëvizur me shpejtësi dhe kishte arrit të dilte nga rrethimi. Një nga partizanët e kishte parë Gjinin kur kishte lëvizur për të lajmëruar dhe e kishte ndjekur. Kur Gjini ishte kthyer te vendi i tij i rojës, kanë qëlluar njëri-tjetrin. E kishte plagosur në krahë. Aty, në atë përpjekje të befasishme, mbetën të vrarë Mark Delija e Kol Marashi.
Luftimet kanë zgjatur 6-7 orë. Partizanët kishin krijuar tym që këta të dilnin e t’i kapnin të gjallë. Këtë Gjini e dinte nga ushtria. 3-4 veta ishin bërë bashkë dhe kishin dalë, ndërsa për të tjerët nuk dinin gjë nëse ishin vrarë apo ishin gjallë. Prej aty kanë shkuar në Kir. Kanë takuar xhaxhanë tim. Urdhri ishte dhënë që askush të mos veronte në Bjeshkë sepse kishte kaçakë në mal. Ishte dhënë urdhër gjithashtu që të rrethoheshin krojet e kushdo që të shkonte për të pirë ujë, të vritej. Pastaj kishin dëgjuar një zhurmë dhe papritur kishin parë 30 partizanë me automatikë nëpër duar që po vraponin drejt tyre. Përveç Ndue Delisë, të tjerët kishin ikur. Ai i ka shpëtuar edhe të tjerët. Ai ka vrapuar drejt përroit dhe partizanët e kishin ndjekur. Ai ka hyrë në një shpellë. Pas shkëmbimit të zjarrit u vra ai dhe një oficer. Ndërkohë, Bekë Delia kishte dashur të shkonte te komanda që të luftonte e të vritej edhe ai. Kur kishte çarë rrethimin e kishte parë se asnjë prej të afërmëve nuk po e ndiqte nga pas, kishte menduar se i ishin vrarë të afërmit. Gjatë rrugës kishte hasur edhe në një pritë tjetër. Kishte vrarë edhe dy të tjerë të Sigurimit. Brenda një dite, në datën 22 gusht, janë ndeshur katër herë.”
E gjithë vera e 1946-ës, për burrat e Shoshit ishte luftë kundër komunizmit. Brigadat e ndjekjes i kërkonin gjithkund, por luftëtarët antikomunistë ishin organizuar shumë mirë e po bënin qëndresë. Edhe vjeshta vijoi po njësoj për ta.
“Që prej 22 qershorit e deri më 20 nëntor, kanë qenë në mal duke luftuar. Sikur Shqipëria të ishte e gjitha si zona jonë, komunizmi nuk do të kishte qëndruar as edhe një ditë. Ne nuk i kemi thënë kurrë “mirë se vjen” komunizmit. Me bukë e pa bukë, me armë e pa armë, kemi qenë gjithmonë në luftë me të. Nuk jemi pajtuar kurrë me pushtuesin. Këta i thonë çlirim, por këtu nuk ka qenë kurrë çlirim. Këtu ka qenë pushtim, pushtim i ekonomisë e i gjithçkaje.
Kur doli falja, dy kushërinjtë Lulash Gjeloshi dhe Deli Marashi menduan të dorëzoheshin. Në qafën e Thermës, janë ndarë me të tjerët dhe këta të dy kanë shkuar që të dorëzoheshin. Xhemal Selimi kishte dhënë urdhër që të bëhej shtetrrethim përmbi Lotaj dhe të mos qëlloheshin ata që do të vinin poshtë për t’u dorëzuar. Ndërsa ndonjë tjetër që do të kalonte sipër, të ekzekutohej. Ai ishte një komunist nga Malësia e Madhe. Ishte diktator, xhelat, një njeri pa nder e pa karakter. Të pushkatonte pa gjyq. Këtë të drejtë ia kishte dhënë Enver Hoxha. Ky nuk kishte nevojë fare për gjyq.
Xhaxhai, Bekë Delia mendon të mos dorëzohet. Ai merr rrugën për lart. Kishte me vete çantën me rroba, dy pushkë e dy revole. Ishte shumë i mërzitur se i ishin vrarë njerëzit. Kur e kanë parë që po ngjitej lart, e kanë qëlluar me breshëri. E ka kapur plumbi në befasi dhe i ka thyer dorën e djathtë. Atë moment, ka nxjerrë alltinë prej xhepit të xhaketës dhe e ka qëlluar veten me pistoletë, që të mos dorëzohej i gjallë. Gjithmonë kishte thënë që do të vriste veten, për të mos rënë në dorën e komunistëve. Pastaj, nuk mund të rezistonte sepse dorën e kishte të thyer.
Kur e kanë marrë, e kanë larë kufomën e tij, kishin parë se kishte qenë me dy zemra, njeri i veçantë. Kishte shkuar Xhemal Selimi në familjen tonë për t’u dhënë lajmin. E kanë marrë dhe e kanë varrosur. Nuk kishin si të reagonin. Armët i kishin dorëzuar. Kishin vetëm 3 ditë besë. Pas 3 ditëve të mortit, 9 burrat e shpisë, i kanë marrë e i kanë çuar në burgun e Shkodrës.”
Deli Marashi, Lulash Gjeloshi, Zef Delija, Çun Delija, Marash Delija, Ded Lulashi, Gjin Marku, Gjon Marku, Pjetër Marku: I çuan të gjithë në burgun e Shkodrës.
Dy pleqtë Deli Marashi e Lulash Gjeloshi u dënuan me nga 101 vite burg, ndërsa të tjerët dikush me 10 vite, dikush me 5 vite etj., sipas terezisë së gjykatës. Deli Marashit i ishin vrarë të tre djemtë, vëllai, nipi, d.m.th. Ishte bërë masakër në familjen e tij.
Dy prijësat legjendar të Shoshit vdesin në burg
“Deli Marashi vdiq në burg, prej moshës dhe prej vuajtjeve, para Lulashit. Ai kishte luftuar që në kohën e Turqisë. Ishte 75 vjeç kur e dënuan dhe këta e dënuan 101 vite. Pasi vdiq e kishin varrosur diku në Shkodër.
Në foto: Deli Marashi
Një njeri i yni, Toma, ishte aspirant, i kishte dhanë fjalën gjyshes sime Sykes, (gruas së Deli Marashit) se do të kujdesej për burrat pleq e të sëmurë, nëse vdisnin në burg. I kishte thënë së në rast se ata vdisnin, t’ua sillte trupat për t’i varrosur aty në Dukagjin. Ai i dha fjalën se do të bënte ç’të mundej. Kur shkon dhe pyet në burg, ata i thanë që Deli Marashi kishte vdekur. Toma shkoi te kryetari i degës, i cili ishte një njeri shumë i mirë, megjithëse i shërbente regjimit komunist dhe më vonë e helmoi Enver Hoxha. Toma i kishte shpjeguar se i kishte dhënë fjalën familjes që nëse ata të dy vdisnin, ai do t’ua çonte trupat për t’i varrosur në Dukagjin. Ishte gati që t’i hiqte dhe gradat e veta, edhe ta zhvarroste vetë trupin e Deli Marashit, vetëm që të mbante premtimin e dhënë. Kryetari i degës i jep lejen dhe Toma shkon dhe e zhvarros trupin. Merr një karrocë dhe e vendos trupin aty dhe shkon në një vend ku ishte truma e ujit. Atje takon tre burra nga Dukagjini. Toma u tregon se çfarë kishte ndodhur dhe se kishte nevojë për ndihmë. U tregon gjithashtu që kishte marrë leje nga kryetari i degës për ta çuar trupin e Deli Marashit në Dukagjin. Ata të tre marrin disa binarë dhe ndërtojnë një vig, e vendosin trupin aty dhe u nisën për në Dukagjin. Ka qenë ditë e shtunë, ditë tregu. Këta ngjiteshin lart për në Dukagjin dhe banorët e Dukagjinit vinin poshtë për në treg. Burrat, kur merrnin vesh se kishte vdekur Deli Marashi, ktheheshin nga rruga e tyre. U bënë rreth 100 veta. Kanë njoftuar xhaxhanë me telefon dhe ai ishte nisur që t’u dilte para me bukë e me raki, sepse rruga ishte shumë e gjatë. Kishin therrur edhe një lopë, dhe për këtë, babanë tim e paditën dhe e futën në burg. Sepse ai duhej të merrte leje që të piqte mish për ceremoninë mortore (për të përcjellë kufomën), megjithëse babai e kishte blerë lopën me lekë”.
Pas vdekjes së Deli Marashit, Lulash Gjeloshi, i sëmurë e në moshë të thyer, vijonte i vetëm dënimin në burg. Por shpejt, që mbas ceremonisë mortore të Deli Marashit, Zef Marashi, djali i të ndjerit që kishte guxuar të therte një lopë për gjamën e të atit, do të përfundonte pas hekurave. Për Bajraktarin e sëmurë, kjo ishte një ndihmë. Gega thotë se i ati, Zefi i shërbeu deri në vdekje Bajraktarit të sëmurë në qeli.
Në foto: Lulash Gjeloshi
“Babai i bëri shërbim Lulashit deri ditën që vdiq. Kur ai vdiq, i çoi fjalën familjes që të shkonte e të merrte trupin. E lan e ban gati e ua nxjerr deri te porta”.
Me këto fjalë, Gega e mbyll rrëfimin për historinë e dy burrave të mëdhenj të shtëpisë së Bajraktarit të Shoshit, historinë e Deli Marashit dhe Lulash Gjeloshit, të cilët edhe pse të moshuar me gjithë djemtë e tyre, morën pushkët e dolën në mal për të luftuar komunizmin, sepse ai iu doli pikërisht ashtu siç ata e kishin menduar në fillim, menjëherë pas luftës, një ideologji e mbrapshtë, vrasëse, që binte ndesh me çdo normë e zakon të jetës së tyre.
Gega rrëfen se gjithë jeta e tyre në vijim u sundua nga persekutimi i egër. Në internim, në Berat, vdiq edhe një prej fëmijëve të Zefit, nipi i Deli Marashit. E bashkë me të, numri i viktimave në familjen e Bajraktarit shkoi dhjetë.
“Dhjetë burra u sakrifikuan në atë luftë e atyre iu shtuan edhe tre viktima të tjera në vitin 1990, Pal Kokrri me nënë e tij, Zaden dhe vajzën e vogël Liljanën 11 vjeç eshtrat e së cilës nuk u gjetën kurrë. Bashkë me ta bëhen 13 viktima. 13 jetë mori Partia e Punës nga familja jonë. Persekutim në 4 breza”.
Gega e mbyll rrëfimin e tij pikërisht me historinë tragjike, kur regjimi i mori familjes së Bajraktarit të Shoshit edhe këto tri jetë të tjera.
Ishte data 20 dhjetor 1990. Pal Kokrri, (djali i Kokërr Kolës që u vra në 1946, ndërsa mbronte kullën e Bajraktarit që të mos e digjnin komunistët) së bashku me nënën, gruan, dy djemtë dhe vajzën e vogël, Liljana, 11 vjeç, tentojnë të arratisen e të kalojnë në Ulqin, por forcat kufitare i pikasin dhe i vrasin me breshëri automatiku: Palin 36 vjeç, nënën e tij Zade, 60 vjeç dhe vajzën e vogël, Liljanën, 11 vjeç.
Gega e rrëfen me dhimbje të madhe këtë goditje të fundit fatale që regjimi i dha familjes së tij. “Kishin vendos me u arratis për nji jetë ma të mirë, me dy lundra, përmes lumit të Bunës. Kishin hipur në lundër. Ishin dy lundra, njëra me njerëzit e mikut të familjes sonë, ku ishin vellezërit e gruas së Palit me dy djemtë e Palit dhe lundra tjetër, ku ishte Pali me nënën e tij Zaden, gruan dhe vajzën e vogël, Liljanën.
Ushtarët i pikasin dhe i qëllojnë me breshëri automatiku. Vritet Pali dhe Zadja, bashkë me Liljanën e vogël, e cila bie nga lundra në lumin e Bunës. Prej asaj dite, trupi i saj nuk u gjend ma kurrë… Mbeti gjallë vetëm gruaja e Palit, e cila mundi të dilte në anën tjetër në Ulqin e atje i varrosi Palin dhe vjehrrën e saj, Zaden. Lundrën tjetër ushtarët e kapën dhe dy djemtë e Palit mbetur jetimë pa baba, pa motër e me nënën të arratisur në Jugosllavi, i kthyen në shtëpinë tonë. Jetuan me ne derisa ra regjimi. Shumë kohë më pas, mundëm me i tërheq eshtrat e Palit e të Zades dhe me i varros në fshatin tonë në Shosh, ndërsa djemtë jetimë të Palit u bashkuan me nënën e tyre pasi ra regjimi, e tashma, jetojnë në Amerikë. Kjo qe goditja e fundit që regjimi na dha… Bashkë me këta tre të vrarë të vitit 1990, bëhen 13 viktima. 13 jetë mori Partia e Punës nga familja jonë. Persekutim në 4 breza”.
Burimi:
Të dhënat e këtij shkrimi janë marrë nga dokumentari kushtuar familjes së Bajraktarit të Shoshit, në emisionin Dosja K, në Report TV, të gazetares Admirina Peçi
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.