Bedri Çoku: Nëna ime me foshnja në internim, tri ditë e netë rrugë nëpër shi, do hidhej nga ura për tu mbytur!!!

0
300
blank

Unë kam qenë i vogël, kur u arrestua babai dhe na i morën të gjitha. Pra, bëhet fjalë për vitin 1950. Por, nga ç’më ka treguar vëllai i madh dhe nga gjyqi që kemi bërë vonë për arsye pronësie, del që kemi pasur rreth 100 hektarë e ca tokë, prej të cilave arritëm të rimerrnim vetëm 55 hektarë. Dhe nuk kemi se si i marrim për arsye se edhe sot e kësaj dite, mbasi kanë kaluar 25 vjet prej ndryshimit të regjimit, mbetet akoma në fuqi ligji 7 501, që ia rivodhi pasurinë pronarëve të ligjshëm. Pra, le të themi, kishim një pasuri të konsiderueshme. Dhe më gjithë atë pasuri, na nxorën në mes të rrugës. Një fakt i rëndësishëm që unë duhet ta theksoj është që babai im kishte dy gra njëkohësisht, se ashtu ishte koha, dhe kështuqë ishim një familje e madhe: ishim katër vëllezër me nënën tonë e tre motra dhe një vëlla, ai më i madhi, me gruan tjetër.

Jetonit bashkë?

Po, jetonim bashkë dhe në harmoni. Kështuqë, kur na nxorën nga shtëpia, vëllai i madh nga babai ishte ushtar. Gjyshja bashkë me këtë gruan e babait, nuk lëvizën nga fshati, sepse ajo ishte e sëmurë dhe ndoshta nga dëshpërimi e nga gjithë ai hall i madh që na ra, vdiq mbas ca ditësh. Kur ajo vdiq, atëherë edhe gjyshja e la fshatin. Kurse nëna jonë na mblodhi të gjithë ne fëmijët, vajza e djem, ku më i madhi vëlla ishte nëntë vjeç dhe motra më e madhe rreth 14-15 vjeç, dhe morëm rrugën për në qytetin e Fierit, ku nëna kishte të motrën.

Ka qenë një udhëtim i tmerrshëm. Bëhet fjalë për vitin ’51. Unë kam qenë rreth 3-4 vjeç, dhe nuk kam si e mbaj mend mirë, por disa gjëra më kujtohen. Ishte baltë e madhe. Dilnim nëpër Myzeqe, nëpër fshatra, dhe kërkonim bukë derë më derë, por s’na jepte njeri; s’na afronte njeri. Në fshatin tonë jo e jo, por edhe kur dolëm nga fshati, njerëzit kishin frikë të na ndihmonin për shkak të terrorit psikologjik që kishte krijuar sistemi në popull, sepse në atë periudhë, nuk u arrestuan vetëm nga fshati ynë, por edhe nga fshatrat e tjerë. Domethënë qe fushatë arrestimesh, dhe për shkak të propagandës komuniste, cilësimi “kulak” ishte një etiketim i tmerrshëm, që të bënte që në sy të njerëzve të dukeshe si përbindësh. Njerëzit e pushtetit bënin mbledhje natë e ditë, për të demaskuar ata që gjoja kishin grabitur popullin, varfëruar popullin, dhe shfrytëzuar mundin e tyre. Saqë arritën pastaj dhe nxorën edhe barcaleta të tipit që “kur shkonte për gjueti Azem Çoku në kënetën e Karavastasë, merrte fshatarët, u hipte mbi shpinë edhe gjuante për rosa në shpinën e tyre”.

Duke shkuar për në Fier, mbaj mend kur po ngjisnim atë kodrën ku ndodhet Manastiri në Ardenicë. Ishim tetë fëmijë veç me nënën. Ajo e gjora, merrte një pjesë dhe i ngjiste, dhe kthehej e merrte pjesën tjetër, që pastaj dilnim në xhaden kryesore se as rrugën nuk e dinim mirë dhe veç po shkonim me hamendje. Në Manastir ndodheshin disa murgj, të cilët kur na panë ne duke u tërhequr ashtu zvarrë, e të rraskapitur, u turrën dhe na ndihmuan. Na morën në krahë, na zbritën poshtë, por fillimisht na dhanë për të ngrënë aty në Manastir.

Ju u nisët në këmbë për në Fier?

Po në këmbë, se ku t’i gjenim paratë? Na nxorën vetëm me rrobat e trupit dhe ca enë kuzhine, ca lugë e ca pjata...

As dyshek, as ndonjë mbulesë...?

Pa dyshek, pa asgjë. I morën të gjitha. Komunistët zbritën të uritur nga mali, dhe zhvatën gjithçka. Pa pikë mëshire. Nuk e di si nuk iu dhimbseshin fëmijët e vegjël, ashtu të zbathur e në mes të rrugës. Ishte shi, dimër, saqë se si kemi arritur në Fier, nuk e di. Pastaj kur dolëm në xhade, tmerroheshim dhe mblidheshim pas nënës, ngaqë lëviznin makina dhe ne s’kishim parë kurrë më parë makina. Ajo e gjora ngrinte dorën për të ndaluar ndonjë makinë, por asnjë nuk ndaloi. Edhe kur arritëm në Fier mbas tri ditësh, u strehuam në ndonjë ndonjë zgavër a ndonjë shtëpi të vjetër e të braktisur dhe aty flinim. Si nuk na ofroi njeri strehë!? Diku afër në fshatin Mbrostar, kishim disa të njohur, domethënë të tezes së babait që na njohën, u afruan dhe na mbajtën aty një natë. Madje na sollën edhe një kalë, në të cilin ngarkuam ato tesha që kishim, dhe të nesërmen shkuam në Fier. Por para se të na merrnin këta, mbaj mend, dhe këtë fakt e kujtonte edhe nëna herë pas here, që aty afër në fshatin Mbrostar ishte një urë, Ura e Mbrostarit, dhe nëna jonë u bë gati që të na merrte të gjithëve, e të hidhej me të gjithë ne në lumë. Poshtë rridhte Semani. Donte të mbyteshim të gjithë, se çfarë të bënte tjetër? Ishte e tmerruar: tri ditë e tri netë gjithë ai ferr! Çfarë të bënte, ku të mbështetej? Ne të gjithë ishim të vegjël. Po mbaj mend që atë moment e kapën prej fustani vëllezërit më të mëdhenj Esati dhe Nexhipi, dhe bërtisnin: “Mos! Mos! Mos! Mos!” E ajo qante. Bile nëna ishte shtatzanë atë kohë. Domethënë, kur e kujtoj këtë skenë, nuk marr guximin të ulem e ta shkruaj nga frika se nuk do të arrij ta jap ashtu siç duhet. Megjithëse shkuam në Fier, nëna nuk donte që të shkonim direkt e te tezja.

Druhej se mund t’i prishte punë?

Po. Edhe çfarë bëmë? Gjetëm një shtëpi të vjetër në Fier, pa dritare e pa tavan, që kishte mbetur ashtu e prishur nga lufta me sa dukej. Atje u futëm. Ne fëmijët, dilnim dhe lypnim në rrugë. Lypnim se ishim të gjithë të vegjël, të paaftë për të sajuar ndonjë punë. E me ato pak të holla që arrinim të siguronim, nëna me vrap shkonte në furrë e blinte bukë. Merre me mend: neve që kishim pasur gjithë atë pasuri, na katandisën që të merrnim rrugët e të lypnim. Kjo gjendje e tmerrshme zgjati nja një javë. Një ditë, erdhi tezja që nuk e di nga e kishte marrë vesh, bashkë me burrin e saj Ali Boriçin, dhe na morën në shtëpinë e tyre, gjë që ne nuk ia harrojmë gjithë jetën. Aliu, ishte me origjinë nga Dibra dhe burrë shumë i mirë. Tezja ime, pra njerëzit e nënës, ishin nga Elbasani, por edhe këta ishin zhvendosur në Vilisht të Roskovecit. Disa njerëz të fisit të nënës, unë i kam takuar dhe në burg.

Pra, tezja dhe i shoqi na strehuan në shtëpinë e tyre, ku kemi ndenjur një vit. Ndërkohë nëna, që siç ju thashë ishte shtatzanë, lindi. Lindi vajzë. Ia vumë emrin Vathe, me qëllim që të rronte gjatë. Mbaj mend që isha unë që i sillesha rrotull, se dy vëllezërit e mëdhenj ruanin delet e fqinjve bashkë me motrat, në mënyrë që të mund të siguronin ndonjë lek. Më i madhi ishte 10 vjeç dhe i vogli, mund të ishte nja 5 a 6 vjeç. Ndërsa nëna, filloi punë në fabrikën e tullave; i gjeti punë burri i tezes, të cilin ne e thërrisnim “dajë Aliu”. Vajza e vogël rrojti 6 muaj dhe vdiq. Bile më kujtohet që vëllai i madh Çaushi, i cili është poet shumë i mirë, ka shkruar një poezi shumë të bukur për Vathen.

Po si kemi kaluar ne gjatë asaj periudhe? Babai ishte në burg. Nëna punonte, bile preu dhe tre gishtat duke nxjerrë tulla, se s’dinte të punonte e gjora, se nuk ishte mësuar. Ndejti disa kohë në spital, dhe pastaj ka punuar gjithë kohën te drutë, te stiva e druve në Fier.

Me tre gishta të prerë?

Po me ato duar ka punuar deri në vitin 1966. Pastaj filloi punë edhe vëllai i madh.

Sa vjeç ishte vëllai i madh?

Vëllai madh, kur ka filluar punë, ka qenë nja 14 vjeç. Në fillim e mori dikush që i jepte një rrogë fare minimale që të punonte në lulishten e qytetit, megjithëse për ne ishte goxha ndihmë. Por për një vit që ne ndejtëm te tezja, vetëm nëna punonte, ndërsa vëllezërit dhe motrat merreshin me delet e shkonin pastronin shtëpitë apo ç’të gjenin për të mbijetuar. Se çfarë mund të bënte tezja e shkretë? Ajo vetë nuk punonte, ndërsa i shoqi shofer ishte. Në atë kohë tezja vetë kishte 6 fëmijë.

Domethënë, ishit shumë ngushtë...

Ata kishin një shtëpi me dy kate por prapë ishim shumë ngushtë: tetë vetë ishim ne, dhe gjashtë fëmijë ata, kështuqë llogarit se me çfarë sakrifice na kanë mbajtur. Pastaj Këshilli i Lagjes, na dha një shtëpi te Llambi Caco, a se si e kishte emrin... Shtëpia ishte beton, vetëm me një dhomë, por të paktën kishte banjë. Aty kemi ndenjur nja një vit e gjysmë. Pastaj të zotët e shtëpisë u ankuan se “nuk mund t’i mbajmë se janë shumë”, dhe i vunë kusht atyre të Lagjes, që të na hiqnin prej andej. Pastaj na çuan në një haur kuajsh, në haurin e Taq Bozos po në lagjen “Liria”, që ishte afër xhades, pranë shkollës numër dy. Kjo ishte pa çati, pa dritare dhe pa banjë. Kishte vetëm një dollap të madh. Aty kemi qendruar nëntë vjet. Djemtë e tij ishin lidhur me komunizmin, kishin poste dhe jetonin në Tiranë. Edhe vinte Taq Bozo-ja çdo muaj, dhe i kërkonte qiranë nënës. I binte derës, dhe me një zë të rëndë thoshte: “Zonjë, o zonjë: erdha për qiranë!” Qiraja ishte 121 lekë e gjysmë; edhe gjysmën e lekut e kërkonte. Nëna ia jepte; ishim të detyruar.

Qiranë e haurit?

Po qiranë e haurit pa dyer e pa dritare; vetëm derën kishte, dhe një dollap të madh. Me një varfëri të skajshme. E filloi Esati i pari shkollën, edhe e mbaj mend duke shkuar në shkollë me një palë shapka; ngaqë rruga ishte gjithë gurë të mëdhenj, ai kalonte gjithë kujdes gurë mbi gurë derisa arrinte. Jeta ishte e rëndë sidomos në dimër, sepse ishim zbathur, se ku t’i gjenim këpucët? Me një palë rroba jemi rritur: i linte i madhi, e i vishte ai pas tij në moshë, e kështu me radhë, se ishim katër djem. Nëna e shkretë, ditën punonte dhe natën lante rrobat. Dhe nuk kishim as drita. Por për fat, te rruga kryesore afër shtëpisë, ndodhej një shtyllë telefoni e cila kishte dritë. Dhe nëna, natën vinte govatën poshtë shtyllës dhe lante rrobat nën dritën e asaj llambe. Ka qenë një punëtore e jashtëzakonshme, dhe në lagje e respektonin të gjithë.

Nuk kishit as ndriçim në haur?

Jo nuk kishim asgjë. Vetëm një llambë kandili.

Po për banjo si ia bënit?

Kishim sajuar diçka për nënën aty brenda, ndërsa ne djemtë dilnim jashtë. Ku të mundnim.  Se motrat u larguan ndërkohë; i mori vëllai nga babai, Rrapi, i cili mbasi u lirua nga ushtria, nuk erdhi te ne në Fier, por ndenji ca kohë i fshehur në fshat. Pastaj u strehua te xhaxhai, të cilin këta nuk e trazuan.

Xhaxhai i babait?

Jo, vëllai i babait, por me nënë tjetër. Jetonte në të njejtin fshat. Pra, Rrapi, ndejti ca kohë fshehur dhe pastaj xhaxhai i dha një dhomë në shtëpinë e tij. Atëherë Rrapi tërhoqi motrat. Aty u ngul; bëri shtëpitë e veta, bile martoi dhe motrat. Ndërsa ne mbetëm në Fier: katër vëllezërit, dhe nëna. Aty qëndruam deri në vitin 1966, kur na dëbuan prapë dhe u kthyem në fshatin tonë.

Pjesë e një interviste të gjatë shkëputur nga "Zërat e kujtesës, vëllimi III"

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here