Kur Gramoz Ruçi e Fatos Nano vendosnin në qeveri për klonin e kufirit

0
305
blank

Një procesverbal i gjatë i mbledhjes së qeverisë me 20 prill 1991 zbulon se deri më atëherë nuk ishte bërë asgjë për hequr nga kufiri klonin famëkeq ku gjatë viteve të regjimit vdisnin qindra shqiptarë që tentonin të arratiseshin.

Jemi vetëm pak javë pas zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri. Qeveria e kryeministrit Nano kishte shtruar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave çështjen e largimit të pakontrolluar të shqiptarëve nga vendi, përmes rrugëve nga më ekstremet. Ministri i Brendshëm Gramoz Ruçi, i cili nuk kishte veçse 18 ditë që ishte ndarë nga ngjarja e rëndë e 2 prillit në Shkodër, e ndërkohë që disa muaj më parë ishin shënuar dhjetra raste vrasjesh në kufi, hedh idenë në këtë mbledhje të qeverisë se kloni duhej hequr, pasi ishte një mënyrë e prapambetur e ruajtjes së kufirit, mënyrë të cilën nuk e përdorte më asnjë prej vendeve të Lindjes.

Më poshtë nga procesverbali i plotë i mbledhjes kemi shkëputur diskutimet mes Fatos Nanos dhe Gramoz Ruçit për heqjen e klonit përgjatë kufirit:

Faksimile të procesverbalit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, 20 prill 1991

Fatos Nano: Kemi për të diskutuar për problemet e mprehta që kanë dalë nga destabilizimi i gjendjes në kufi. Do të sugjeroja që të na jepte, një informacion të shkurtër, në qoftëse e shikoni të nevojshme, shoku Gramoz dhe pastaj hyjmë në sqarime të tjera që i gjykoni të nevojshme. Përgjithësisht duket që materiali është punuar me përgjegjësi dhe të synojmë të arrijmë sa më shpejt në koordinimin e veprimeve.

Gramoz Ruçi:  Përveç problemeve që janë trajtuar në material, po të ketë ndonjë pyetje nga shokët  mund t’u përgjigjem. Lidhur me mendimin që kemi shtruar në këtë material për klonin, ai është edhe problemi më i rëndësishëm. Në dallim nga materiali, ku është hedhur ideja që të ngrihet dhe të vendoset gjendja e mëparshme, d.m.th. kloni praktikisht, ne kemi mendim të kundërt. Pra nuk qëndrojmë me mendimin  që të vendoset gjendje pune kloni, por përkundrazi, pjesë-pjesë duke marrë masa të tjera që janë mëse të domosdoshme, duke vendosur edhe mjete të tjera elektro-sinjalizuese, si dylbi të shikimit të natës, radar tokësor, aparatura sizmike etj. Kjo ka disa arsye, por arsyeja kryesore është se një pjesë e mirë e klonit mund të themi që ka dalë jashtë përdorimit ekonomikisht dhe praktikisht. Kështu që është e pamundur vendosja në nëj kohë të shpejtë.

Fatos Nano: Me një fjalë iku koha që kufiri ruhej me tela.

Gramoz Ruçi: E dyta, nga ana psikologjike, si te forcat tona të kufirit, ashtu edhe te banorët brenda vendit dhe nga vendet fqinje, ka një presion të jashtëzakonshëm psikologjik, edhe praktik që nuk mund të mbrohet kufiri me tela, atë ide që thatë edhe ju. Po në këtë kuptim ka edhe një praktikë botërore, klonet kanë qenë karakteristikë e vendeve të Lindjes. Aktualisht dhe praktikisht asnjë nga vendet e Lindjes nuk ka klon, kështu që kjo bën të domosdoshme që edhe ne të heqim dorë nga kjo praktikë e mbrojtjes së kufirit, pasi përveç dëmeve ekonomike, shpenzimeve ekonomike, është një dëm politik.

Siç thashë më parë, kjo nuk është psikologji vetëm e minoritarëve në jug, por shtrihet në të gjithë territorin e Shqipërisë si brenda dhe jashtë vendit, edhe në të gjithë repartet e kufirit dhe degët e Punëve të Brendshmë kufitare. Mjaft qytetarë në disa rrethe të vendit, por veçanërisht në Shkodër, kanë dhënë ultimatumin, kanë përcaktuar edhe datat, limitet për heqjen e klonit. Kuptohet që kjo nuk mund të bëhet me një vendim, as me këtë mbledhje të qeverisë. Kjo kërkon edhe ato që janë përcaktuar në materialin e paraqitur në mbledhjen e qeverisë që të shtohen pikat e hapjes në brezin kufitar për të gjithë territorin, por kjo nuk bëhet vetëm nga ne. Kuptohet që është fjala për Ministrinë e Jashtme. Varet edhe nga pala tjetër, se mund të jemi ne dakord, por nuk është Jugosllavia. Pra ky proces duhet shpejtuar në rrugë diplomatike. Mendojmë që kjo të bëhet gradualisht. Fillimisht do të bëhet në zonat dhe në pikat më të nxehta të vendit, që janë përcaktuar edhe në material, atje ku mund të themi që kloni ka dalë jashtë përdorimit.

Fatos Nano: Mbase dhe në pika që ka një farë tradite në shkëmbimeve të tilla.

Gramoz Ruçi: Tani, materialet nuk rreshtin, shoku Fatos, së propozuari. P.sh., Pogradeci propozonte në mbështetje të traditës së vjetër që të krijojë pika. Të njëjtën gjë kërkon Saranda, Gjirokastra, Tropoja etj., pa përjashtim të gjithë rrethet kufitare. Duhet parë edhe mbështetja e traditës. Në qoftë se ne do ta rrisim, është e detyrueshme që ne të hapim shumë pika të kësaj natyre. /tesheshi.com/

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here