Gjergj Hani: Isha 16 vjeç kur më dënoi gjyqtari Spartak Braho

0
800

Gjergj Hani ishte vetëm 16 vjeç kur vdiq diktatori Enver Hoxha dhe 1 muaj pas vdekjes së tij, mori guximin të kalonte kufirin vetëm, për t’i ikur komunizmit, jetës së ndrydhur ku jetonte familja e tij dhe një popull i tërë. Gjergji ishte me fat sepse plumbat që u derdhën natën e 27 Majit mbi të, në liqenin e Pogradecit, nuk e kapën, por pasi “fitoi” jetën, ai kishte përpara ferrin e burgut komunist. Ishte akoma fëmijë kur doli në bankën e të akuzuarve si “armik i popullit” dhe dënimin e tij e firmosi Spartak Braho, sot deputet i Partisë Socialiste. Hani e vuajti dënimin në burgun më të egër të asaj kohe, atë të Qafë Barit, ku terrori dhe dhuna e vendosur nga komandanti i kampit, Edmond Caja, ishin të paimagjinueshme. Në një intervistë dhënë për en.kujto.al, ai tregon ditën e arratisjes, dënimin dhe dhunën në kampin e Qafë-Barit.

Dëshmia e plotë, si më poshtë:

 Z.Hani cila është historia juaj dhe e familjes tuaj?

Jam dënuar për herë parë në 1985, për tradhëtinë ndaj atdheut, në formën e arratisjes jashtë shtetit, mbetur në fazën e tentativës. U kapa në flagrancë në tentativë për të kaluar kufirin. Në 11 prill, kishte vdekur Enver Hoxha, në 27 maj, tentova unë të arratisem. Në momentin e kapjes, dhuna ishte e papërmbajtshme, se ushtararët e kufirit dhe komandanti i postës më qëllonin duke thënë: Ku do shkoje, do bëje homazhe tek varri i Titos? Se ishte koha që shqipëtarët, kush me dëshirë e kush me pahir, çoheshin detyrimisht për të bërë homazhe në varrin e Enver Hoxhës, gjë të cilën unë nuk e bëra.

Po si organizua arratisja, kishit kohë që e mendonit?

Kisha një kohë relativisht të gjatë që e mendoja... megjithëse po të kemi parasysh moshën që isha vetëm 16 vjeç, dhe shumë e gjatë nuk ishte. Duke ardhur nga një familje thellësisht antikomuniste, urrejtja, urrejtja është fjalë e madhe, po pakënaqësia karshi sistemit, ishte e gjithëkohëshme tek unë. Të them të drejtën, në momentin e vdekjes së Enver Hoxhës, pata një shpresë të jashtëzakonshme se gjërat do të ndryshonin. Natyrisht që ishte një shpresë naive e një fëmije mund të themi, se asgjë nuk mund të ndryshonte, po pashë që menjëherë, qoftë edhe pak ditë pas vdekjes së Enver Hoxhës, masat represive të sistemit komunist u përkeqësuan, u përshkallëzuan më tepër. Ndoshta ishte edhe si të thuash, një e keqe e domosdoshme për vetë sistemin, pasi donin të thonin që të mos ushqeni iluzione se me vdekjen e Hoxhës do të ndryshojë diçka. Dhe aty, në një moment të caktuar, ndonëse kishin kaluar veçse pak ditë nga vdekja e Hoxhës, pata si të thuash një lloj ndriçimi. Arrita ta kuptoj që do të ishte shumë e vështirë që gjërat të ndryshonin, thjesht për faktin se vdiq Hoxha, dhe kjo tregonte se Hoxha nuk ishte i vetmi që e mbajti atë sistem, se sot shumëkush e me lehtësi thotë se ishte Enver Hoxha. Nuk ishte i vetëm Enver Hoxha, ishin të gjithë shërbëtorët e tij të zellshëm e të pazellshëm, po shumica ishin të zellshëm, që bënë të mundur atë lloj sistemi. Pra, e pashë që nuk kishte për të ndryshuar gjë, dhe për natyrën time, kam qenë disi natyrë rebele, jo shumë i afrueshëm edhe vetmitar si natyrë. Ndoshta se mendjemadhësi mënjanë, isha diçka më i zhvilluar se bashkëmoshatarët e mi, duke pasur parasysh edhe këndvështrimet e mia politike për sa i përket sistemit komunist dhe nuk shoqërohesha e nuk kisha shoqëri. Më lindi ideja që duhej të largohesha patjetër, isha në kohë që mund ta filloja diku tjetër jetën, natyrisht në perëndim... dhe të mund të arsimohesha tamam, që të mos kisha atë lloj lavazhi ideologjik. Megjithëse tek unë, nuk kishte asnjë lloj shanci.

Mund të na tregoni detaje, si ju lindi ideja?

Jo. Apsolutisht nuk e bisedova me asnjeri, se megjithëse e dija që familja ime ishte antikomuniste, përsëri nuk do të më lejonin absolutisht që të ndërmerrja një hap të tillë, se dihej konsekuenca, shkoje drejt vdekjes, domethënë ishte shanc nëse do të mund të shpëtoje e vdekjen e kishe pothuajse të sigurt. Ndaj nuk bisedova absolutisht me asnjeri dhe ideja për t’u arratisur, për të tentuar për të kaluar kufirin nga zona e Linit, liqenit të Pogradecit, më lindi në shkollë, sepse rastësisht nuk e di se si gjendej aty, ishte një hartë topografike e Shqipërisë, një hartë shumë e detajuar. Edhe duke e studiuar me kujdes, me imtësi, pashë që zona e kufirit së cilës mund t’i afrohesha më me pak probleme, ishte pikërisht ajo zonë, sepse treni në atë kohë shkonte deri në Gurë të Kuq të Pogradecit dhe nga aty, mund të tentoja t’i afrohesha fshatit Lin. Ishte pika më e afërt, se në pikat e tjera ishte e pamundur që në brezin e parë nuk afroheshe dot. Edhe këtë e dija, që duheshin leje të veçanta nga dega e Punëve të Brendshme për t’ju afruar atyre zonave. Edhe kështu, në fakt një ditë a dy ditë përpara se të nisesha, shkova në Fier e takoj një tezen e babait. Isha shumë i lidhur me atë teze dhe me djalin e saj. Në kohën që daja i babait, Fari Mullai, edhe ai po në burg për politikë, dhe vdiq në burg. Ishin njerëz, të cilët i kam dashur e i dua në mënyrë të veçantë, jashtëzakonisht shumë, dhe shkova t’i takoj. Desha të largohesha me kujtimin e tyre në mendje e në zemër. I takova, dhe atyre natyrisht që nuk u thashë asgjë. U nisa, i hipa trenit, zbrita në Rrogozhinë. Në Rrogozhinë, prita trenin që vinte nga Tirana për në Gurë të Kuq dhe u nisa, e mbërrita në Gurë të Kuq. Kur mbërrita në Gurë të Kuq, duke qenë 16 vjeçar dhe kështu fizikisht i imët, i dobët, me një farë zgjuarsie, mund të them që kisha qethur shumë shkurt flokët, nuk kisha absolutisht asgjë që mund të bënte të dyshonte dikë. Veshur shumë thjesht, me një palë pantallona teritali, një këmishë, si me thënë, tipiku i atij që në atë kohë quhej ‘djali i mamasë’. Ishte e vetëdijshme edhe ajo lloj strategjie. Zbrita në Gur të Kuq. I kam hipur autobuzit që shkonte nga Guri i Kuq për në Lin. Atë e bëra në mënyrë të pavetëdijshme, s’e kisha fare idenë që në Lin ishte zonë kufitare, fshati Lin edhe kontrollohej. Megjithatë, fati në këtë rast më deshi, se në autobus, si tani më kujtohet, ishin gjithsej 4 vetë. Ishte nga ata autobuzët e famshëm fizamornikë të gjatë. Unë u ula diku nga mesi... po kështu më panë si fëmijë të vogël e nuk i ra në sy dikujt dhe të gjithë mendonin se nuk ka mundësi, s’ka shanc që ky të jetë një armik ose të jetë nisur për t’u arratisur. Mbërritëm në fshat. Para se të hynte autobusi në fshat, aty ku merrte kthesën, ishin ushtarët e kufirit që po luanin futboll. Rreth orës dy, dy a tre, diçka e tillë, se në orën 2-30 mbërrinte treni në Gurë të Kuq, ishte rreth orës 15-30 të mbasdites. Një ushtar gjysmë lakuriq hipi lart, ai që duhej të bënte kontrollin e zakonshëm të dokumenteve, dhe pa brenda 4 fshatarë, që natyrisht ata ishin fytyra të njohura për të. Më pa mua, një fëmijë dhe ka menduar patjetër që do të jetë i shoqëruar nga këta, se në fakt nuk më pyeti. Zbrita nga autobuzi, hyra në fshatin Lin. U futa në një dyqan aty, ishin në atë kohë dyqanet e artikujve të përzier, ku kishte nga vaji i ullirit, tek llokumet, ose ndonjë copë ç’mund të kishte atje brenda. Pashë që kishte kapertona biçiklete dhe thashë, gjithsesi, edhe po më kapën, po më ndaluan tani, truri punonte me të qindat e sekondës në ato çaste tensioni, do t’u them që unë jam nisur për Korçë, tek të afërmit e mij, se kishim të afërt në Korçë. Kam ardhur këtu se im atë kishte një biçikletë në atë kohë. Bëhet fjalë për vitin 1985, ku ishte shumë e vështirë të gjeje kopertona biçikletash, nuk gjendeshin më në treg. Në atë kohë, im atë i kishte vënë edhe goma mishi biçikletës, se nuk gjente kopertona. Edhe thashë: Kam ardhur të marr dy kopertona dhe do iki për në Korçë. Megjithatë, askush nuk më pyeti tek kush kisha ardhur, as shitësja e dyqanit. Unë bleva një pako llokume se më hahej diçka e s’kishte asgjë tjetër. Dola e u ula aty diku. Ishin disa trarë përpara atij dyqanit. Prita sa ra muzgu, e mora përpjetë se thashë se tani duhet të largohem nga fshati dhe të gjej mënyrën se si të kapërcej kufirin. Dola mbi disa kodrina të vogla, si tip lartësish të vogla, përballë fshatit Lin, dhe u futa mes shkurreve. Po prisja që të binte darka e të futesha për të dalë në liqen. Kur sapo u ngrys, pashë trupat e patrullat speciale të forcave të kufirit që erdhën. Ishte një brez i vogël rrafsh, diku pranë liqenit, dhe ishte i mbjellur me grurë. Gruri ishte jeshil se ishte muaj Maj. U futën mes grurit ushtarët, të ndarë në toga, tre e tre, në grupe. I pashë, e thashë se nuk kam shanc të zbres për të hyrë në liqen. Thashë po vazhdoj kufirin me këmbë, në të majtën time. U nisa në orën 10 të darkës. Mbasi kam ecur, nuk e di se sa, po jo më shumë se një kilometër, gjeta brezin e butë, një brez toke i punuar imët, ku të ngeleshin detyrimisht gjurmët e këmbëve. Nuk e kisha problem, se diçka brenda meje më mbante të qetë e më thoshte se do ia dilja. E kalova brezin e butë dhe hasa klonin, klonin e famshëm. E pashë që kishte dhe kokat izolante lart, e mendova se kalonte një rrymë, një sinjal. U përpoqa një moment mos gërmoja tokën poshtë klonit, por aty ishte shumë e fortë e unë nuk kisha absolutisht asnjë lloj mjeti tjetër, përveç duarve. E pashë që do të më hante shumë kohë dhe nuk e di nëse do t’ja dilja. Kështu që mendova që të mos humbisja kohë, dhe zbrita përgjatë klonit e ndoqa klonin deri në fund. Kur arrita pranë portës së klonit, matanë portës së klonit, unë e pashë nga një distancë prej 7-8 metrash larg, edhe nga ai pozicion, ai nuk më shikonte dot se ishte mbështetur mbas një peme. Ishte një pemë, direkt pas portës së klonit. Ishte ushtari, i cili ishte ulur në bisht. Kishte mbështetur edhe kallashin para vetes edhe po flinte gjumë. Iu shmanga atij ushtarit. Ishte një tufë kallamishtesh aty, në breg të liqenit. U futa mes kallamishteve, hoqa rrobat dhe hyra që të vazhdoja me not. Në momentin që fillova të notoja, aty po të keni parasysh formën gjeografike të zonës, është një gadishull i vogël fare në zonën e Linit, dhe në cep të tij, ishte një prozhektor i madh lëvizës, që rrihte vetëm këtë gjirin e vogël. Aty pika e kufirit ishte shumë afër. Fillimisht, kur u futa, e kisha në krahun tim të djathtë prozhektorin dhe sa herë më afrohej, zhytesha ngadalë poshtë, që të mos krijoja shumë dallgë e të mos ngjallte dyshime. Edhe nja dy tri herë, iu shmanga prozhektorit në një moment të caktuar, se ishte shumë ftohtë. Ishte uji i ftohtë, se ishte fundi i muajt Maj, e ishin ujrat e ftohta të liqenit, që ftoheshin edhe më shumë nga bora e shkrirë. E humba... thashë kam notuar gjatë në këtë drejtim, e thashë po kthehem kështu, e po i bie për shkurt në krahun e majtë. Harrova që pas më vinte prozhektori, më kapi prozhektori në atë kohë, më pa edhe ushtari nga bregu. Në gjyq, ushtari tha që të thirra: ‘’Ndal’’, por nuk thirri absolutisht ‘’Ndal’’, por qëlloi për të më vrarë. Qëlloi direkt në lartësi njeriu, për të më vrarë. Çuditërisht, në momente të tilla, njeriu, jo vetëm që nuk e humbet toruan, po truri i punon me një shpejtësi të frikshme. Bëra dy llogari: Sidoqoftë klonin e kam kaluar, jam shumë afër zonës jugosllave. Ndërkohë, dëgjova zhurmën e motorbarkës së kufirit shqiptar që po afrohej. Nga ana jugosllave, sapo u dëgjuan krismat e para, lëshuan raketa ndriçuese, edhe e bënë vendin ditë. Ata donin të shikonin se mos unë e kisha kaluar kufirin e isha futur në kufirin e tyre dhe të mos futeshin këta të kufirit shqiptar për të më kapur. Thashë po kthehem në breg e po vazhdoj me këmbë, gjithsesi klonin e kam kaluar sido që të jetë. Këta do të përqëndrohen në ujë, e do të më kërkojnë aty, kështu që kam më shumë mundësi. Në favorin tim ishte dhe fakti se bregu i liqenit ishte i mbuluar me kallamishte, me kallama të mëdhenj, të gjatë. Ju afrova bregut të liqenit, ndërkohë ushtarët vazhdonin të qëllonin në ujë, por unë isha larguar goxha. Plumbat nuk... ishin fishekë gjurmëlënës, nga ata që dalloheshin. I dalloja breshëritë e automatikëve. U futa mes kallamishteve dhe ndalova një moment, se dëgjova këmbë ushtarësh që po vinin me vrap. Pastaj më mbrapa e mora vesh që ishte patrulla e gatshme që po shkonte nga posta, drejt portës së klonit. Prita 2-3 minuta sa u larguan ato këmbë, edhe tentova të dal. Në momentin që dilje, ishte një rrip toke, tokë e shkelur, as dy metra, e menjëherë fillonte pyll, shkurre e ferra. Po të kisha kaluar, unë kisha shpëtuar. Në momentin që dola, po vinte një ushtar tek pull i vetëm. Unë nuk e ndjeva, ngaqë ishte tokë e shkelur. Nuk ja dëgjoja hapat, se ata që kalonin me vrap më parë, i dëgjoja, po ky ishte me hap e nuk e dëgjova, e u përballa me të direkt. Më thirri: ‘’Ndal’’, me sa kishte në kokë dhe më qëlloi. Nuk e di, mund të më kenë kaluar plumbat dy-tre centimetra mbi kokë, jo më shumë. Natyrisht që edhe ai u tremb, se edhe ai ishte fëmijë për vete, 18 vjeç ishte dhe ushtari. Diçka e gjatë që doli nga uji, nga drita e hënës dhe më qëlloi. Aty ndalova e më kapën. Pjesa tjetër është histori. Më çuan në Degën e Punëve të Brendshme, në postën e kufirit erdhi kryetari i punëve të brendshme të Pogradecit. Edhe çuditërisht nuk i ndjeja më të rrahurat, isha mpirë. Si duket, truri adopton mënyra mbrojtëse për të të ruajtur. Nuk ndjeja absolutisht asgjë. Gjëra e parë që bënë, ishte që më lidhën duart mbrapa me tel, se ata nuk kishin pranga, po kishin një tel të veçantë që përdorej për lidhjen e shkelësave të mundshëm të kufirit që do të kapnin. Ishte një tel shumë i hollë dhe më kanë ngelur kyçet mavi, për pothuaj një muaj më pas. Pasi më lidhën duart mbrapa, një nga ushtarët m’i mbante të dy krahët e ngritur mbrapa, gati përkulur në tokë me një fjalë... dhe shqelma e grushta. Torturat, momentalisht, nuk është se kishin mjete përveç grushtave, por ishin në breshëri e vinin nga të gjitha anët. Dukej sikur i kishte kapur një histeri kolektive, diçka e pashpjegushme. Ndaluan vetëm kur erdhi kryetari i degës. Më lanë 4-5 minuta. Dërgoi një nga ushtarët, që të merrte rrobat, andej nga i kisha lënë unë. Më veshën edhe pastaj, ai filloi me ritualin e parë të pyetjeve. “Ku do shkoje, do t’i bëje homazhe te varri i Titos?”. Aq u desh, filluan sërisht ushtarët. I la dhe nja 10 minuta të tjera, pastaj më morën e më hipën në një makinë Aro ngjyrë gri, makina e kryetarit të degës besoj, edhe më çuan në degën e Pogradecit. Nga aty, më mbajtën rreth dy javë. Filluan aty praktikat hetimore e mbas dy javësh, një mbasdite, erdhën e më morën në qeli, në birucë dhe më nxorrën në oborrin e Degës së Brendshme të Pogradecit. Aty pashë një mjet Zuk me targa të Durrësit. Më hipën lart, ishin 2 policë, edhe gjatë gjithë rrugës, më kanë mbajtur të shtrirë, se Zuku ishte me xhama, nuk ishte me kasonetën të mbylluar, siç ishin shumë Zuqe të tjerë. Më shtrinë në tokë, në dyshemenë e Zukut e një polic më mbante këmbën në gjoks, që unë të mos kisha mundësi të lëvizja. Nga Pogradeci, deri në degën e Punëve të Brendshme, Durrës, kam ardhur ashtu, në atë gjendje, i shtrirë, i lidhur.

Nga gjyqi, çfarë mban mend, si u zhvillua gjyqi?

Gjyqi ishte tamam në shpirtin e asaj kohe. Ishte një farsë e vërtetë propagandistike. Megjithëse ma bënë në gjykatë, dhe u quajt gjyq me dyer të hapura, po i tillë nuk ishte, se faktikisht ishin të gjithë të ftuar e nuk lejohej çdokush. Ishin të ftuar të gjithë drejtorët e shkollave të mesme të Durrësit, komplet trupi pedagogjik i gjimnazit “Naim Frashëri”, nxënës i të cilit unë kisha qenë, edhe organizata e rinisë së shkollës. Të them edhe diçka tjetër... që është tamam qershia mbi tortë e hipokrizisë komuniste: Duke qenë se unë isha nën moshë, isha minoren, më kishin caktuar edhe një avokat mbrojtës. E kam harruar emrin e asaj gruaje, diku nga letrat që kam në shtëpi, është emri i saj. Kishte ardhur si avokate mbrojtëse, e cila nuk foli asnjë fjalë. Vetëm në fund, bëri një rezyme të asaj të cilës tha prokurori, asgjë më shumë e asgjë më pak. I kërkoi trupit gjykues që të më ulte disi dënimin, gjë që trupi gjykues nuk e bëri. Kryetar i trupit gjykues ishte Spartak Braho, ishte shoku Sparktak Braho, edhe pse në atë kohë unë nuk mund t’i thoja shok. Është një dualizëm i jashtëzakonshëm midis figurës së tij, të Spartak Brahos dhe së shoqes së tij. Ka qenë një histori e çuditshme e imja, për faktin e thjeshtë se kisha Spartak Brahon si gjyqtar, i cili më dënoi, por njëkohësisht kisha gruan e tij, Anita Yllin, si mësuese kujdestare në gjimnaz. Dy antipode të jashtëzakonshme. Pa diskutuar edhe prejardhjen, se edhe Anita Ylli, mbesë e Karaman Yllit, padyshim që vinte nga një familje ultra komuniste. Megjithatë, në raport me mua, ka shprehur një përkujdesje, një dashuri të veçantë, të jashtëzakonshme, edhe unë nuk mund ta fsheh. Për hir të së vërtetës, ishte një njeri që vërtet e kam dashur shumë. Mua më ishte gjendur gjithmonë dhe po ta vësh re nga kartat gjyqësore... ndërkohë që trupi gjykues e prokurori mundohej të më paraqiste si njeri problematik. Natyrisht, unë duhej të isha mishërimi i veseve për të qenë një “armik i denjë” në thonjëza, i partisë dhe i pushtetit. Karakteristikat që më kishte dhënë Anita Ylli ishin të shkëlqyera, fliste me superlativa. Unë kam edhe origjinalin e saj, ku thoshte se ‘’Gjergji ka qenë fëmijë i jashtëzakonshëm, ka ardhur nga shkolla 8-vjeçare me 9-ta e 10-ta. Ka qenë një fëmijë shumë i disponueshëm, disi i trishtë, disi i tërhequr si fëmijë, por një fëmijë jashtëzakonisht i mirë”. Unë, në atë kohë, nuk e dija karakteristikën që më kishte dhënë Anita Ylli, e shoqja e Spartak Brahos. Por më vonë, tani dmth, kur mora dosjen gjyqësore, e pashë dhe them të drejtën, u habita disi, por edhe për mirë. Duhen thënë gjërat ashtu siç janë.

Me sa vite u dënuat dhe ku e vuajtët dënimin?

U dënova me 10 vjet heqje lirie. Duke qenë nën moshë, dënimi u përgjysmua në 5 vjet, meqenëse isha minoren, dhe dënimin e kreva në Qafë Bari, në Tuç të Pukës. Kam mbërritur në Tuç të Pukës në 22 nëntor të vitit 1985, një vit mbas revoltës. Që në momentin që isha në kaush të Tiranës, atje ku bëhej dhe shpërndarja e të burgosurve nëpër kampe, të gjithë të burgosurit që takova, më thoshin: Ishalla të do Perëndia e të dërgojnë në Spaç, apo diku tjetër, e jo në Qafë Bari. Në këtë rast, Perëndia nuk më deshi dhe më çuan në Qafë Bari. Imagjinoni, që të udhëtosh rreth 8 orë me autoburgun... një kazan hekuri i mbyllur, nuk kisha as mundësi ajrosje, ku janë 8 a 10 vetë të lidhur dorë më dorë, me një zinxhir të gjatë. Natyrisht, ato rrugë të vështira, të paasfaltuara, 8 orë rrugë, njerëz që nuk e përballonin, i zinte makina... nuk di të them se ç’kishte aty brenda. Të mbërrish në ato kushte, të zbresësh, dhe gjëja e parë që shikon, janë 2 rreshta me polica që të presin, nga dera e rrethimit të parë, tek dera e rrethimit të dytë. Nuk e dija se çfarë ishte karantina. Në atë kohë, të gjithë të burgosurit që vinin nga burgu i Tiranës, i mbanin një javë në karantinë. Për të vajtur në karantinë, nuk na prekën këmbët në dhè, sa ishim aty, nuk e di se si mbërritëm aty, por është me të vërtetë e çuditshme që në ato momente, me të vërtetë nuk ndjen gjë.

Nga të rrahurat, shqelma, grushta që fluturonin nga të gjitha anët, nuk e dije nga të vinte. I çoroditur ishe, i lodhur, i rraskapitur ishe. Ajo ishte pritja, kartëvizita e Edmond Cajës, komandantit të Qafë Barit ose siç i thoshte një bashkëvuajtësi jonë, Osman Gazepi, në mënyrë jo shumë të përshtatshme, se mendoj se Osman Gazepi nuk ka qenë një personazh i tillë. Pastaj ndodhi që në '86, Ramiz Alia bëri një amnisti shumë të gjerë për të burgosurit ordinerë, dhe shumë të ngushtë, për të burgosurit politik. Megjithatë, mua më kapi se isha nën moshë dhe dënuar 5 vjet. U lirova në Janar të '86-ës. Sapo dola, më lanë sa mbusha 18 vjeç, dhe kësaj radhe, nuk mund të gabonin më. Jo ta arrestojmë minoren, ta lëmë të mbushi 18 vjeç, të ketë përgjegjësinë e plotë ligjore, dhe më arrestuan për herë të dytë për “përgatitje për arratisje” dhe për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. Më dënuan 11 vjet burg. Përsëri, më çuan në Qafë Bari.

Çfarë kujton nga Qafë Bari, nga njerëzit, nga të burgosurit e tjerë, nga sjellja e policëve të kampit?

Unë e kujtoj sikur të ishte sot. Klima që mbizotëronte në Qafë Bari, pas revoltës, si të thuash... Qafa e Barit pas revoltës, u kthye në kampin model, për sa i përket këndvështrimit komunist të një kampi model, ku duhej të mbizotëronte terrori, dhuna, frika. Ishte një kërcënim i jashtëzakonshëm për këdo të burgosur që t’i thoje shiko se do të të çoj në Qafë Bari. Ndoshta diçka më pak se Burreli. Edhe Burreli burg i frikshëm, por dhe Qafa e Barit po e të njëjtave përmasave, pas revoltës që u bë aty. Këto kohët e fundit, unë kam ndjekur edhe polemikat e ish komandantit të Qafë Barit, Edmond Caja, që kur e shikoj sot, çuditërisht, më vjen në mend romani i gazetares me origjinë hebreje, Hannah Arendt, “Banaliteti i së keqes”. Ajo që ndoqi procesin e Hajmanit. Kur e shikon sot Mond Cajën, të thuash ky... se unë e kam në mend me atë uniformën e zezë të policisë dhe kapelen e ulur, strehën e kapeles që i mbulonte gati sytë, që nuk shikonte kënd në sy, me ato çizmet e llustruara që hynte atje brenda dhe për një kapriço të tijën më të vogël, kalonin direkt në dhunë të gjithë rrodvailerat e tij. Ata nuk ishin policë, nuk kishin sembianca njerëzore, por ishin thjesht qen të trajnuar, për të shqyer e për të rrahur, ku shquhej sigurisht dhe shefi i tij i policisë, Ludovik Cali. Ishte një klimë territori, një klimë frike, 24 orë në 24. Për shembull, raste banale, e përmbante një rregullore e pashkruar e burgut dhe natyrisht që policët ta kërkonin: Kur kaloje përballë një polici të shërbimit, padyshim para një oficeri po e po, duhej të hiqje kapelen nga koka. Ne të burgosurit, ata që dinin të qepnin, të sajonin diçka, sajonin ca kapele nga kapotat e vjetra. Të prisje një copë nga kapota jote, se një kapotë të tërë nuk kishe ku ta gjeje. Sajonin një kapele, se dimri ishte shumë i ftohtë. Pra, ti duhej të hiqje kapelen sa herë kaloje përballë, ose polici kalonte përballë teje. Një nga policët e Mond Cajës, shumë të tjerë, po ai që më vjen ndërmend, vinte na provokonte pas kurrizit. Natyrisht që askush nuk ka sy mbas koke për ta parë... dhe të qëllonte, duke thënë pse nuk e hoqe kapelen ose të piketonin që ti duhej të shkoje në birucë e nuk lodheshin shumë. Vinin mëngjes për mëngjes, kur bënin inspektimin e kapanoneve të fjetjes. Edhe nëse ti e kishe rregulluar krevatin si kuti shkrepseje, ai e prishte dhe thoshte nuk e ke rregulluar mirë, e të çonte 30 ditë në birucë minimalisht. Në birucë, ekzitonte ai rregulli i pashkruar që tre herë në ditë qëdo të të sillnin ushqimin, tre herë në ditë, do të rriheshe. Dhe me një cinizëm të frikshëm, që nuk ka asgjë njerëzore, të pyeste: Kur e do drurin, para buke apo pas buke? Tortura më e madhe ishte, jo ti që rriheshe, po në qoftë se ishe biruca e 2 ose e 3, dhe të dëgjoje shokun tënd që po rrihej. Në momentin që vinin që të rrihnin ty, hynin në lojë shumë mekanizma mbrojtës, krijohet ajo mpirja e famshme, të cilën ju fola pak më parë. Tortura më e madhe ishte të dëgjoje shokun që rrihej, natyrisht që edhe ulërinte, se dhimbja është një fenomen njerëzor. Kjo ishte një praktikë që vazhdoi deri në fundin e vitit 1989 - fillimi '90. Pastaj dhuna disi u zbut, por deri në fillim të vitit '90, kjo ishte praktika e punës, pa llogaritur pastaj punën në minierë, apo ditët e diela, që duhet të dilje se ishte dita e Enverit dhe ti duhej të dilje e të bëje dyfishin e normës. Po të mos e bëje, vazhdonte po prapë druri. Do haje bukë e do ktheheshe prapë në minierë për ta bërë. Nuk e harroj historinë e një të burgosuri aty, që nuk pranoi që të dilte në punë. Atë pastaj, mbas 6 muaj biruce, e çuan në burgun e Burrelit. Tani nuk më vjen ndërmend emri. E rrahën në mënyrë të tillë që ai nuk urinonte më në këmbë, si çdo mashkull, e dëmtuan në mënyrë të përhershme nga organet gjenitale. Nuk pranoi absolutisht të dilte në punë dhe i thoshin në fund fare: Vetëm dil në punë, mos bëj asgjë, vetëm dil, që të mos shërbente si shembull që u thyen. Apo rastin tjetër, kur kthyen në kamp Beqir Caushaj, një bashkëvuajtës i joni që arriti të arratisej nga kampi i Qafë Barit. Kur e kanë sjellë... ato ulërima, ato të rrahura, ishin përtej çdo lloj kufiri. Nuk më pëlqen të ekzagjeroj, megjithatë jam i bindur se një njeri që nuk i ka përjetuar e nuk i ka parë, nuk mund t’i kuptojë. Jam liruar në Mars të vitit '91 nga burgu i Burrelit, se na transferuan nga Qafa e Barit, për në Burrel. Jam liruar nga burgu i Burrelit. Ka një problem thelbësor që shqiptarët nuk kanë pasur kurrë kurajon që ta shikojnë drejt e në sy e ta njohin. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, nuk ishte asnjë lloj shtrese tjetër e aftë që të merrte pushtetin në ato momente. Natyrisht që po komunistët do ta merrnin. Ndryshuan emër, parti. Paradokset janë shumë evidente ende. Skënder Gjinushi u bë kryetar i Partisë Social-Demokrate ose Sabri Godo kryetar i Partisë Republikane ose Sali Berisha kryetar i Partisë Demokratike. Megjithatë, e përsëris, nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Këta mbijetojnë akoma, sepse komunizmi është një lloj antimaterie sociale. Komunizmi shkatërron, përmbys, e anullon jo e shkatërron, se po ta shkatërrosh ngelet një gërmadhë, por ta anullosh, ta çbësh çdo lloj vlere njerëzore. Ka aftësi të antimateries, që kur bie në kontakt me materien, e anullon atë. Të njëjtat aftësi ka dhe komunizmi e komunistët.

Intervistoi: Blerina Gjoka/Kujto.al

 

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here