Gjon Kryeziu: Isha 6 vjeç kur e shvarrosëm gjyshin në Tepelenë

0
277

Gjon Kryeziu ishte ende një foshnje kur familja e tij u internua dhe shtëpia iu dogj nga komunistët. Ai e kaloi fëmijërinë në kampin famëkeq të Tepelenës, ku kanë vdekur rreth 300 fëmijë nga uria dhe sëmundjet. Si çdo fëmijë që lidhet shpirtërisht pas gjyshërve, në kujtimet e tij ka mbetur momenti i zhvarrosjes së gjyshit, vetëm 8 muaj pas vdekjes, sepse banorët e fshatit ngjitur me kampin, u ankuan për përdorimin e lëndinës si varresë nga të internuarit. Ai ka parë trupin e padekompozuar plotësisht të gjyshit të tij, kur bashkë me nënën e morën dhe e rivarrosën në oborrin e kampit.

Kujto.al boton dëshminë e plotë të tij nga arkiva e intervistave të familjes Doko:

Kur keni lindur dhe cila ishte familja juaj?

Në 29 nëntor 1948 në Mnel e Madhe, në Shkodër. Ne ishim katër fëmijë, nëna 5, gjyshi 6, e shoqja e axhës së babait. Na kanë internuar dhe na kanë dërguar në Tepelenë, brenda telave me gjemba.

Cili ishte motivi i internimit?

Plaku im, që në kohën e këtyre lëvizjeve, u bë antikomunist. Me shtëpinë e Markajan Bajraktarit, u bëmë edhe miq; me shtëpinë e Gjon Doanit, u bëmë edhe me ta miq, dhamë dhe morëm me ta. Na internuan herë pas here, para vitit ‘50 kjo. Që në vitin 1944, na internuan. Jetuam njëherë në Lezhë, pastaj në Berat, por pa lindur ne.

Ku ishte babai në këtë kohë?

Ishte në mal, njëherë dorëzohej e fusnin në burg, herë vinte në shtëpi. Herën e fundit jemi internuar në vitin '50, pra pas 3 rasteve internimesh. Por pa lindur ne, në këto 2 pjesë: Berat dhe Lezhë. Na dogjën shtëpinë edhe na e prishën. Nëna thotë që i ka thënë atij oficerit, që komandonte këto forcat: Burri im është malit dhe ju mund ta vrisni nesër, por ne këtu do të vijmë e të jetojmë me këto fëmijë. Menjëherë dha urdhër që mos të prishej shtëpia, edhe kemi shkuar në Tepelenë.

Pas një viti e gjysmë, gjyshi im ishte shume i vjetër edhe vdiq në Tepelenë. Falja më doli edhe mua, bashkë më vëllain, me motrat, me gjyshen, bashkë me të shoqen e axhës së babait. Nëna, për të mos ngelur vetëm, më mbajti mua. Ndenjëm një vit e gjysmë, edhe pastaj erdhëm në fshatin tonë, në ato shtëpitë e djegura. Unë ndenja me nënën deri në maj të 1954-ës. Unë isha 6 vjeç.

A të kujtohet ndonjë gjë nga Tepelena?

Më kujtohet se familja e Kapidan Gjonit flinte në baraka. Ato ishin të ndërtuara nga Italia, po ishin dopjo shtretërish. Më kujtohet Mrika e Kapidanit, më kujtohet Marta, më kujtohet Gjoni, ishte pak më i madh se ne, ka vdekur tani. Ata flinin sipër, ne poshtë. Dilnim në fushën e Tepelenës dhe mblidhnim lule kamomili. Duke u rritur, duke kuptuar... më keq, se ishte puna e 600 gram-shit, pa 600 s’na i njihte kush. Kush ishte i internuar aty, kishte për të marrë nga një tel, jo litar, për të dalë në mal atje, nga rruga e kalasë që vjen poshtë Tepelenës, edhe të dilnim në majë të malit, të ngarkonim dru, t'i ngarkonim ato dru me tel edhe të zbrisnim poshtë. Jo për t’u ngrohur, se ne nuk ndiznim zjarr, por për t’u ngrohur komanda. Ne nuk ndiznim zjarr. Ishte një barakë e djegur atje... vetëm kur mblidhnim ndonjë letër, ndonjë gjë. Nuk vinte askush të na shikonte. Absolutisht...

Më kujtohet, më tregonte dhe nëna, familja e Bajraktarit, e Kapidanit, Lek Pervizit.  Lek Pervizi biles, bëri që matanë lumit të varrosnim njerëzit që vdisnin në kamp. Mirëpo, fshati ngriti një pretendim se atje ishte rrugë, por donin të digjnin edhe disa gëlqere, në një shkëmb që ishte sipër, edhe poshtë lëndinë. Pas 8 muajsh e kemi nxjerrë gjyshin, e kemi sjellë në fushën e Tepelenës, para kampit.

Lek Pervizi, ishte më i madh se unë, por kur e pashë para 5-6 vitesh Lekën, m’u kujtua edhe ndenjëm dhe biseduam, madje më dha dhe një skicë.

E varrosëm për herë të dytë gjyshin, e kemi nxjerrë trupin e gjyshit pas 8 muajsh. Merre me mend sa i dekompozuar ishte trupi. Kam shkuar tre herë dhe eshtrat e këtij gjyshi nuk munda t'i gjej. Aty nuk është vetëm gjyshi im, aty kanë vdekur pleq, plaka, fëmijë janë varrosur aty në Tepelenë, edhe ne nuk mund t'i gjejmë. Nga ky institut që është ngritur, kërkoj me këmbëngulje të bëjmë një varr të parbashkët diku, sepse si të thuash aty s’mund t'i ndajmë. Nuk mund t'i ndash ato eshtra. Unë nuk kam qenë kohët e fundit, por më kanë thënë është bërë një pallat sipër varrezave të të parëve tanë. Mirë nuk kanë bërë. T'i grumbullojmë këto eshtra, edhe t'i vendosim në një vend sipas emrave. Të shkoj të marr një grusht dhé ose të marr eshtrat e dikujt tjetri, unë nuk e shoh të arsyeshme.

Si ishin kushtet e kampit?

Nuk kishte baraka. Ne rrinim në kapanonet e bëra në kohën e Italisë, në shtretërit dy-katësh, lartë e poshtë si marinarët.

Ku shkuat kur mbaruat internimin?

Erdhëm në fshat, në Mnel. Kishin ardh gjyshja, vëllai, motrat edhe filluam ndërtuam jetën në atë shtëpi.

Me çfarë pune u more Gjon?

Me punën time, deri në krijimin e kooperativës, ishim mirë, deri këtu ishim mirë. Kooperativa, tek ne si zonë malore, u krijua në 1967 edhe punuam pak. Pastaj shkova ushtar. Për fat të mirë, pati dalë një farë vendimi si minator, si murator, si elektriçist, që në ushtri të merrnim profesione. Kur kam shkuar në ushtri, unë i kam përvetësuar këto tre zanate. Erdha, fillova si elektriçist, gjeta fshatin që të bëja instalimet. Mua më eci, se një vërtetim ishte ajo, që më sollën nga ushtria. Të tjerët morën shkollë. Ka patur raste që unë kam ikur nga puna, për biografi jo të mirë.

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here