Dokumentari "Të Zhdukurit" | en.kujto.al

0
315

Mijëra shqiptarë u zhdukën në vitet e diktaturës komuniste në ekzekutimet me ose pa gjyq, në kampet e internimit dhe në burgjet-kampe ku shfrytëzoheshin si skllevër. Eshtrat e tyre u mbuluan nga balta e harresës të institucioneve shtetërore për dekada.

Juli, e bija e Mark Shllakut, pushkatuar në vitin 1949, ka 70 vjet që kërkon eshtrat e të atit, amaneti i të cilit peshon ende në duart e saj. Gramozi, vetëm 9 vjeç kur i vdiq i ati, Dajlan Zaimaj, kërkoi i dëshpëruar që pas vitit 1990 nëpër rrethinat e Burgut të Burrelit, por tashmë shpresat i kanë humbur...

Dokumentari "TË ZHDUKURIT", prodhuar nga Fondacioni Kujto.al, në bashkëpunim me Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷199, u shfaq për herë të parë në 30 Gusht 2019, Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

----------------------

Juli Dukagjini ishte vetëm 8 vjeç kur iu drejtua derës së kryetarit te degës së brendshme në Shkodër, tetorin e vitit 1948. Vajza e vogël i lutej kryetarit të hetuesisë komuniste, që ta lejonte për një takim të fundit me të atin, Mark Shllakun, para se ai të pushkatohej.

Marku e kishte kuptuar se shpejt do të pushkatohej dhe po përpiqej të parashikonte fatin e trupit të tij pas vdekjes. Kishte dëgjuar nëpër birucat e bugut tek flitej, se ku kishin përfunduar trupat e shokëve të tij të pushkatuar. Ishin varrusur gropave të humbura nëpër male, apo buzë lumenjve.

Zalli i Kirit ishte vendi që kishte dëgjuar më shpesh të pëshpëritej korridoreve të burgut, kur sapo binte nata, togat e pushkatimit merrnin me vete të dënuarit drejt vendeve të ekzekutimit.

Njeriu shpesh nuk e di as orën, e as vendin e vdekjes, por Marku e paracaktoi pikërisht aty fatin e trupit të tij pas vdekjes dhe po përpiqej ta informonte familjen, që nëse një ditë do kishin mundësi t'i kërkonin eshtrat e tij, ta kishin një informacion që do t'i ndihmonte.

Për Markun vdekja prej plumbave të togës së pushkatimit nuk ishte fundi. Ajo që e shqetësonte më shumë ishte vendndodhja e atyre 2 metrave katror ku do të prehej, që më shumë se sa një gropë varri, për të ishin një vend i shenjtë ku mund të derdheshin lotët e të shoqes e fëmijëve, lutjet e tyre mes pëshpërimave me zë të ulët.

Ishte më tepër një pikë referimi ku mund të takohej me ta, edhe pse do të ndodheshin në dy Botë të ndryshme.

Ishte veç një grumbull i vogël dheu e gurësh të rëndë, por që do t'ia lehtësonin sadopak mungesën e tij, do t'ju kujtonin çfarë ju kishte mësuar, do t'i inkurajonte të mbanin premtimet e të mos harronin nga vinin e kujt i përkisnin.

Dhe mes shumë peripecish Marku mundi të sigurojë letër e laps e nën dritën e zbehtë që hynte nga dritarja e qelisë nisi të shkruajë...

Në fillim të letrës ishte destinacioni i mundshëm e më pas të dhëna të tjera që do ta ndihmonin Angjen  për ta identifikuar trupin. Shënoi në letër një të dhënë shumë të rëndësishme. Një copë teneqe që e kishte ruajtur nga gaveta e tij, do ta kishte të lidhur në këmbën e djathtë. Mark Shllaku u pushkatua dy ditë pasi shkroi letrën.

Bashkëshortja e tij, Angjia mori sendet e tij të mbetura në burg. Aty gjeti copat e letrës që janë ende sot në duart e Julit.

Por adresa e Markut për në botën tjetër nuk kishte qenë e saktë. Angjia nuk mundi ta gjejë dot trupin e tij nën gurët e Zallit të Kirit.

Regjimi nuk jepte asnjë të dhënë për trupat e të ekzekutuarve dhe nuk i lejoi të afërmit t'i kërkonin, madje as të pyesnin. Në heshtje, me kokën ulur dhe brengën e rëndë mbi shpinë, mijëra familje si ajo e Mark Shllakut duruan këtë sjellje të ulët që nuk ishte parë e dëgjuar prej mijëra vitesh në histori, as në rastet e pushtuesve më famëkeqë të trojeve shqiptare.

Edhe pas rrëzimit të regjimit, askush nuk tregoi për të afërmit e viktimave të komunizmit ndonjë të dhënë për varret e tyre. Asnjë iniciativë ligjore nuk u ndërmor prej institucioneve, asnjë pendesë nuk u erdhi prej atyre që kishin kryer krimet.

Gjaku u bë ujë, e ujin e treti dheu kushedi se ku, që Juli me babain të mos takoheshin kurrë. Nënat, bijtë, bijat e bashkëshortet e tyre duhet të përballonin persekutimin e egër edhe për disa dekada të tjera.

Disa prej tyre u larguan nga kjo botë me peng në zemër duke mos i gjetur dot eshtrat e të afërmve. Ndërsa për shumë të tjerë si Juli, lotët vazhdojnë të derdhen që nga dita kur mori vesh lajmin për të atin, e deri sot, pas 70 vitesh, ku mollëzat e njoma në faqet e një 8 vjeçare, janë shndërruar në rrudhat e fisme të një bije që kërkon ende eshtrat e të atit.

Janë rreth 6 mijë persona të ekzekutuar në periudhën e komunizmit dhe më shumë se 4 mijë prej tyre nuk ju dihet varri.

Që pas vitit 1990, shumë prej familjarëve i vazhojnë përpjekjet në kërkim të eshtrave të tyre, duke gërmuar shpateve të maleve e buzë lumenjve, por vetëm pak prej tyre kanë mundur t'i gjejnë eshtrat e familjarëve të zhdukur. Ata që i vranë e ua humbën varret, fshehën çdo dokumentacion e dëshmi dhe nuk e treguan kurrë krimin e tyre. Shumë prej tyre qëndruan në krye të institucioneve shtetërore edhe pas rrëzimit të regjimit, duke mbajtur peng informacionet për të zhdukurit edhe për 3 dekada të tjera.

Në skajin tjetër të Shqipërisë, në një fshat të Skraparit, natën e 17  dhjetorit të vitit 1944, qetësia e familjes Zaimaj u prish përgjithmonë. I zoti i shtëpisë, Dajlan Zaimaj u arrestua. Gramozi, asokohe 9 vjeç, bashkë me tri motrat e tij do ta shihte për herë të fundit të atin.

Dajlan Zaimaj u akuzua si pjesëtar i forcave të Ballit Kombëtar dhe pas një viti hetuesi, u dënua me burgim të përjetshëm.  Për Gramozin,  nënën e tri motrat e tij, nisi kalvari i vuajtjeve. Regjimi sekusetroi çdo pasuri të tyre duke i lënë në varfëri të thellë.  Megjithëse xhaxhallarët e tyre u përpoqën vazhdimisht t'i ndihmonin, ishin aq të varfër, sa nuk mundën të shkojnë të shohin asnjëherë Dajlanin në burgun e Burrelit për 9 vite rresht.  Pas nëntë vitesh më 2 qershor të vitit 1954, Dajlan Zaimaj dha shpirt në birucat e bugut të Burrelit, prej torturave, sëmundjes e urisë.Trupi i tij nuk iu dorëzua familjes, një praktikë e zakonshme që zbatohej për të gjithë të burgosurit politikë, të cilët vdisnin gjatë kryerjes së dënimit. Gramozi dhe motrat e tij mbijetuan me mundime e vështirësi deri kur sistemi komunist u rrëzua, e më pas nuk rreshti së kërkuari eshtrat e të atit.

Fatin e Dajlan Zaimajt e patën shumë të burgosur të tjerë në burgjet komuniste. Përveç ekzekutimeve, rreth 1000 të tjerë kundërshtarë të regjimit, kanë vdekur gjatë kryerjes së dënimit në burg për shkak të kushteve çnjerëzore, torturave, sëmundeve dhe urisë.

Janë rreth 30 vende ku u kryen ekzekutimet për më tepër se 6000 kundërshtarë të regjimit të dënuar me, ose pa gjyq. Në këto vende ekzistojnë varre masive, ku mendohet se ndodhen eshtrat e 4000 t[ ekzekutuarve q[ figurojn[ ende t[ zhdukur:

Gjithashtu varre masive ekzistojnë edhe pranë kampeve të internimit, ku u internuar gjithsej 59.000 shqiptar[ dhe 7022 prej tyre vdiqën si pasojë e kushteve çnjerëzore, kryesisht gra, fëmijë e të moshuar, si kampi i:

Edhe pranë burgjeve - kamp, ku shumë të dënuar politikë kanë kryer dënimin dhe kanë punuar si skllevër nëpër miniera e vende pune të vështira, janë zbuluar varre masive me eshtrat e trupave ende të paidentifikuar, si burgu në:

Pas vitit 1990, në disa prej vendeve janë kryer gërmime dhe janë gjetur eshtrat e të ekzekutuarve, si në rrethinat e Tiranës, ndërmjet Urës së Beshirit dhe fshatit Mënik, atje ku Sabiha Kasimati, lëshoi piskamën e fundit para se të rrëzohej në tokë prej plumbave bashkë me 21 qytetarët e tjerë të akuzuar padrejtësisht për bombën në ambasadën sovjetike.

Hane Hysa banonte në një prej shtëpive që gjendeshin përballë vendit ku kryeheshin ekzekutimet.

Ajo i kishte parë të dënuarit që hapnin një kanal të thellë gjatë gjithë ditës, të lidhur me zinxhirë, nën survejimin e rojeve të armatosur.

Kur ora shënonte 12 pas mesnate, të dënuarit i vendosën në rresht anës kanalit të thellë dhe përballë tyre zinte vend zkuadra e pushkatimit.

Llozat e armëve filluan të kërcisnin, më pas disa sekonda pritje plot ankth e ulërima... deri sa dëgjohet urdhri për të qëlluar mbi ta.

Pas krismave, dëgjoheshin vargonjtë e zinxhirave që lëshohehin përtokë bashkë me trupat e pajetë.

Disa ditë më vonë një ekskavator rrafshoi gjithë vendin, duke hedhur trupat e tyre poshtë shpatit të përroit aty pranë.

Babai i Ajetit, Faslli Hysa, i zoti i shtëpisë që ndodhej përballë vendit të ekzekutimit, i kishte lënë amanet fëmijëve të tij që të mos ndërtonin mbi tokën ku u varrosën të pushkatuarit gjatë diktaturës komuniste. U kishte thënë bijve të tij që të mbillnin vetëm pemë.

Vite më vonë, njëri prej djemve të Faslliut, Haliti po gërmonte për të mbjellë një pemë dhe gjeti kafkën e një njeriu. E vendosi përsëri aty dhe pranë saj mbolli këtë kumbull.

Pranë institucioneve dhe organizatave që kanë marrë përsipër të kërkojnë e identifikojnë eshtrat e të zhdukurve në komunizëm, ka mbërritur një numër i kufizuar kërkesash nga pasardhësit, në raport me numrin e madh të të zhdukurve. Kjo, për shkak të mungesës të besimit tek institucionet shqiptare.

Dy vjet më parë, Këshilli i Ministrave dhe Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP)  nënshkroi një marrëveshje që mundëson nisjen e procedurave për kërkimin dhe identifikimin e eshtrave të të zhdukurve gjatë regjimit komunist. Por që prej nënshkrimit, ka një ecuri të ngadaltë të zbatimin e marrëveshjes, për shkak të pengesave që vijnë prej institucioneve shtetërore shqiptare. Deri tani është proceduar për vetëm dy vendvarrime ku mendohet se ka eshtra të personave të zhdukur. Edhe për këto dy raste institucioni i prokurorisë vazhdon ta pengojë nisjen e gërmimeve për kërkimin dhe identifikimin e eshtrave të të zhdukurve.

Ndërkohë ICMP në bashkëpunim me Autoritetin e Dosjeve dhe Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit kanë vazhduar bashkëpunimin për të identifikuar sa më shumë vende ku mendohet se mund të ketë eshtra të të zhdukurve. Por përpjekjet vazhdojnë të ndeshen në muret e forta të ngritura prej dekadash. Pa asnjë sqarim,  Prokuroria po mban të zvarritur prej disa muajsh kërkesën për nisjen e zhvarrimeve në Dajt e në Ballsh.

Pavarësisht presionit të herpasshershëm nga institucionet e organizatat ndërkombëtare, Shqipëria mbetet ndër vendet ish-komuniste që ka bërë më pak hapa drejt përballjes me të shkuarën diktatoriale.  Autoritetet, por dhe shoqëria shqiptare në tërësi, e cilësojnë si një çështje të së shkuarës, që nuk duhet trazuar. Shumë prej drejtuesve të institucioneve shqiptare kanë lidhje direkt ose tërthorazi me krimet e kryera në kohën e regjimit diktatorial dhe duan të mos rrezikojnë emrin dhe karrierën e tyre.

Në dhjetor të vitit 2016, kur ekspertja për të drejtat e njeriut në OKB, Houria Es-Slami, vizitoi Tiranën në krye të një misioni që kishte për qëllim sensibilizimin për kërkimin e identifikimin e të zhdukurve në Komunizëm, tha se "Zhdukja e detyruar nuk mund të konsiderohet si çështje e së kaluarës. Është vazhdimësi e krimit, për sa kohë që vendndodhja e personit të zhdukur nuk gjendet".

Juli i ka humbur shpresat për të gjetur eshtrat e të atit. Copat e letrës që Mark Shllaku i la amanet familjes, rëndojnë ende në duart e saj. I ka lexuar me dhjetëra herë ato fjalë, duke u munduar të deshifrojë udhëzimet e hollësishme.

Marku e kishte pranuar fatin e tij dhe e dinte se s'mund ta ndryshonte, por brenda atyre letrave të përhimta ai nuk shkroi asnjë fjalë për urrejtjen apo hakmarrjen.

Këto copëza letrash, janë si fragmentet e një pergameni të lashtë, që përmban kodet për jetesën e njeriut në paqe, për një shoqëri që respekton të drejtat e gjithkujt, pavarësisht se cilës bote i takon./ en.kujto.al

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here