Mirash Qepuri, ishte një djalë i ri 35 vjeç nga katundi Ker i Dukagjinit. Komunistët e vranë një ditë tetori të vitit 1946.
Mirashi ishte arratis gjatë raprezaljeve të komunistëve pas kryengritjes së Postribës. Por, siç dëshmon ky dokument i Divizionit të Mbrojtjes së popullit, ishte arrestuar e më vonë pushkatuar nga komunistët. Sipas një dëshmie të dhënë në vitin 2015, nga Ëngjëll Gjok Lula, Mirashi dhe vëllai i tij Marku, ishin pushkatuar pse kishin strehuar At Anton Harapin. Fillimisht kishin marrë e torturuar vëllain e madh Markun, të cilin e kishin gjetur më pas të vdekur, e më pas kishin arrestuar Mirashin. Fatin e Mirash Noshit (Mirash Qepuri), na e zbulon ky dokument, ku vetë drejtuesit e lartë të operacionit komunist, Maman Saliu dhe Mihallaq Ziçishti, njoftojnë se si e kanë vrarë atë.
Fillimisht e kishin arrestuar dhe pas disa kohësh, e kishin lënë të lirë (siç duket nën vrojtim) dhe meqë ai ndihmonte të arratisurit, e kishin arrestuar sërish. Pas arrestimit, siç shkruajnë Maman Saliu dhe Mihallaq Ziçishti, “ai kishte dasht të ikte. Kështu që e vramë). Ky ishte fati i Mirash Noshit. Prej tre djemve të Nosh Qepurit, vetëm djali i vogël kishte shpëtuar pa u vrarë. Ai ishte dënuar fillimisht me vdekje, por i ishte kthyer dënimi në 25 vjet burg. Më poshtë “en.kujto.al”, e sjell të plotë dokumentin, ku zbulohet vrasja e Mirash Noshit.
Ushtria Kombëtare Shqiptare
Divizioni Mbrojtjes Popullit
Komanda e Qarkut
Shkodër
Nr.77/290
Vdekje fashizmit
Liri Popullit
Shkodër, më 16/X/1946
Landa: Mbi frasjen e një t’arrestuari
Komandës së Divizionit Mbr.Popullit
Tiranë
Ju njoftojem se me datën 15/X/1946 u vra në Prekal nga njësiti I atyeshëm I quajturi Mirash Noshi nga katundi Ker i Dukagjinit.
I përmenduri ka qenë i arratisur dhe ishte dorëzuar këto ditë dhe lënë i lirë përkohësisht, mirëpo me sa u konstatua ky vazhdonte përsëri punën e korrierit të ilegalëve, u arrestua në Prekal dhe gjatë shoqenimit ka dasht të ikte dhe kështu u vra.
Komisari Politik
Kapiten
Maman Saliu
Komandant I Qarkut M.P.
Major
Mihallaq Ziçishti
Burimi:AMB, F. Diviz. Mbr. Popullit., V. 1946, D. 62
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.