Thirrja në burgun e Burrelit më 28 nëntor 1947: Kosovë e Çamëri do të jetë prapë Shqipëri

0
326
blank

Imagjinoni 500 burra, që në kor, këndojnë këngë për mëmëdheun, për flamurin, për Kosovën e Çamërinë, brenda burgut ferr në Burrel. Të gjithë antikomunistë, të gjithë njëzëri kishin tronditur muret e këtij burgu, duke bërë që t'u dridheshin këmbët gjithë policëve të komandës dhe gjithë administratës së burgut. Ishte festa e pavarësisë, 28 nëntor 1947.

Në librin e saj “Përtej harrimit Abdulla Rami”, Ermira Xhomaqi Godo, sjell shumë kujtime të xhaxhait të saj Avni Xhomaqi, sidomos për periudhën e vuajtjes së dënimit në burgun e Burrelit, së bashku me gjyshin e saj Abdulla Ramin. Ndër kujtimet e shumta të Avni Xhomaqit, është edhe kjo  ngjarje me të vërtetë e  rrallë, ndodhur në burgun famëkeq të Burrelit. Xhomaqi kujton se atë ditë, të burgosurit kishin menduar ta përkujtonin kësisoj festën e Pavarësisë: Ata kishin nisur të këndonin fort, njëzëri për flamurin, për mëmëdhenë, për Kosovën dhe Çamërinë. Ngjarja e pazakontë kishte vënë në alarm gjithë adminsitratën e burgut. Ja si e dëshmon Avni Xhomaqi këtë ngjarje të rrallë.

 “Nuk më del nga mendja 28 nëntori i vitit 1947.  Mbasdite na kishin nxjerrë për të marrë pak ajër dhe për të mbushur ujë në pusin që ishte në mes të oborrit të burgut. Ishte Festa e Flamurit atë ditë, dita më e shënuar e shqiptarëve! Kjo datë e shënuar do të festohej atë ditë edhe aty, do ta festonim atë ditë edhe ne atë jubile në atë burg-ferr të Burrelit ku na kishin hedhur… do ta festonim ashtu duke ia marrë këngës. Dhe më shumë se 500 zëra burrash shpërthyen bashkërisht në oborrin e burgut. Burra, pleq e djem të rinj filluan të këndonin për flamurin, për mëmëdhenë, për Kosovën dhe për Çamërinë:

Kosovë e Çamëri/ Do të jetë prapë Shqipëri…

U tronditën muret e burgut nga kënga dhe gjëmimi i gjokseve tona. U vu në alarm policia, administrata e burgut dhe gardianët. Me automatikë në duar, u binin bilbilëve si të tërbuar dhe na detyruan të futeshim brenda. E ndaluan këngën. Drejtori i burgut, rrethuar me togën e policëve na pyeste një nga një:

-Kush e filloi i pari këngën, kush ia mori këngës?

-Të gjithë bashkë ishim në këngë, të gjithë ia morëm këngës, të gjithë bashkë!” - ishte përgjigjja e të burgosurve.

Atëherë të gjithë nuk na merrnin dot, por veçuan prej nesh  rreth 30 veta, që i kishin gjithnjë në shënjestër; dhe midis tyre edhe ish-ministrin e Arsimit, Gjergj Kokoshin, Abdulla Ramin, Ibrahim Biçakçiun, Qemal Vrionin edhe të tjerë, dhe pasi i urdhëruan të hiqnin këpucët, çorapet e xhaketat, i futën në birucat e mbushura me ujë të akullt. Këto biruca ishin të posaçme për tortura të tilla. i lanë me orë të tëra…”

Burimi: “Përtej harrimit Abdulla Rami”, autore  Ermira Xhomaqi

 

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here