Sulo Gradeci për 19 vjet (1966-1985) ishte komandant i grupit për sigurimin e Enver Hoxhës. I lindur në vitin 1922 në Skrapar, ai nuk kishte mundur të kryente më shumë se 2 klasë fillore. Në vitet 1939-1940 punoi shërbëtor në Berat dhe në vitet 1940-1942 punëtor krahu në Durrës e Tiranë. Dëgjon për komunizmin për herë të parë nga Mane Nishova e Gjin Marku. Nga maji 1942 del vullnetar në çetën e Skraparit ndërsa bëhet komunist më 20.8.1943. Në vitet 1945-1947 është me forcat e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit në Elbasan e Berat. Në mars-shtator 1947 është me detyrë në Rumani për llogari të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit. Në vitet 1947-1949 është me funksione deri kryetar në DPB Berat. Më 1949-1950 zëvendëskryetar i Degës së 8-të në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit. Më 1950-1953 kryetar i DPB Përmet. Në vitet 1953-1966 kryen detyra të ndryshme në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit. Në një letër drejtuar Drejtorisë së Kuadrit të KQ të Partisë së Punës së Shqipërisë, Komiteti i PPSH-së së qytetit të Beratit, ankohej për emërimin e shokut Sulo Gradeci, për të cilin kishte një varg pakënaqësish që buronin nga formimi, mungesa e shkollimit, si dhe fakti se ai dhe libri nuk ishin takuar ndonjëherë me njëri-tjetrin. Çështja i kaloi për shqyrtim drejtorit të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, BeqirNdou, por në vend që të ulej, Gradeci ngjiti shkallë në karrierë. I pëlqente partisë ky formim. I promovonte e i ngjiste sipër kuadro të tillë.
Partia e Punës e Shqipërisë
Komiteti i Partisë i Qytetit
Berat, 13.12.1948
Para një jave nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme u emërua si kryetar i Degës së Brendshme të Beratit, shoku Sulo Gradeci, i cili më parë ishte shefi i Rrethit të Beratit. Ngritjen e këtij shoku nuk e kanë pritur mirë shokët e Sigurimit, janë të pakënaqur dhe thonë se puna nuk ka për të shkuar mirë se është Suloja përgjegjës që këta nuk kanë aspak simpati për të. Nga ana tjetër ka shokë që kërkojnë të largohen nga Sigurimi dhe nga Berati për të mos punuar me Sulon. Opinioni jonë është se Suloja ka këto të meta: Kapaciteti i tij në lidhje me punën është mjaft i ulët, nuk është i qartë për situatën politike dhe shumë i ulët teorikisht mbasi nuk ka zënë libër me dorë. Është i rrëmbyer në punë. Nuk gëzon simpatinë e inferiorëve të tij mbasi nuk u imponohet dot, por kërkon që me anën e autoritetit si përgjegjës t’i imponojë shokët. Ky shok ka bërë pjesë në organizatën e partisë së Rrethit të Beratit dhe nuk di konkretisht se çfarë gjërash të brendshme mund të ketë, por këto ne i ne i kemi në bazë të konstatimeve tona e thënieve të shokëve.
Lutemi të merret në shqyrtim.
Për Komitetin e Partisë
Gaqo Ligori
/55/Kastriot Dervishi/
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.