Më 5 nëntor 2016, u lumturuan 38 martirë të kishës katolike, mes tyre edhe një vajzë, Marije Tuci, por sipas disa dëshmive që janë publikuar në librin “Premtimi i përmbushur” të Gjon Sinishtës, lista e martirëve katolikë është më e gjatë dhe mes tyre janë edhe 8 motra, që deri më tani nuk figurojnë në asnjë listë zyrtare
Pas rënies së komunizmit, është folur vazhdimisht për persekutimin e rreptë të klerit, veçanërisht katolik gjatë diktaturës; janë publikuar dëshmi të të mbijetuarve dhe biografi të klerikëve të rënë për besim; 38 prej tyre janë lumturuar nga Kisha Katolike, duke u shpallur Martirë të saj, por duket se përsëri nuk është thënë gjithçka. Në librin “Premtimi i Përmbushur” që Gjon Sinishta, një ish-seminarist katolik, i arratisur nga Shqipëria, e ka shkruar në SHBA dhe që rreth 40 vjet më vonë është publikuar në Shkodër, përmenden emra ipeshkvijsh, jezuitësh, françeskanësh, seminaristësh dhe mes tyre, edhe motrash, të cilët, kanë humbur jetën në tortura apo janë ekzekutuar nga pushteti komunist.
Ndër 38 martirët katolikë të lumturuar më 5 nëntor të 2016-ës, është vetëm një vajzë. Marije Tuci, rishtarja stigmatine nga Mirdita, ishte vetëm 22 vjeçe kur u arrestua, pas vrasjes së Bardhok Bibës dhe brenda pak kohe, ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës prej torturave. Hetuesit dhe oficerët rezervuan për të një nga torturat më djallëzore të dokumentuara në dosjet e komunizmit: futjen në një thes, bashkë me një mace dhe goditjen e maces me shkop nga jashtë. Ia copëtuan trupin, por besimi i saj te Zoti nuk pësoi asnjë gërvishtje, përderisa duroi me heroizëm të gjitha vuajtjet.
Megjithatë, sipas Gjon Sinishtës, janë edhe 8 motra katolike që kanë humbur jetën gjatë viteve të diktaturës, të cilat nuk i gjejmë jo vetëm në listën e martirëve të lumturuar më 5 nëntor 2016, por as në faqet zyrtare në internet të kishës katolike apo të institucioneve që merren me zbardhjen e krimeve të komunizmit. Siç merret me mend, krimet e komunizmit, nuk janë zbardhur plotësisht, as viktimat nuk njihen të gjitha.
“Numri i klerikëve katolikë shqiptarë që u martirizuan gjatë sundimit të komunizmit, mund të mos llogaritet kurrë me saktësi. Disa emra shfaqen në disa përmbledhje të përcipta mbi persekutimin fetar gjatë shekullit, ose nganjëherë edhe në përmbledhje më të detajuara, por të papërfunduara. Lista e mëposhtme përmban gjithë informacionin e përditësuar. E kam përpiluar, bazuar mbi kujtimet dhe hulumtimet e mia si dhe me ndihmën e Fr. Jak Gardin, z.Toni Markaj, z.Anton Mëlyshi, Fr.P.G.P.,S.J., ish-teologu shqiptar z.Ndoc Vulaj, Mons. Jozef J.Oroshi, Fr. Zef Valentini, Fretërit Ambroz Martini dhe Daniel Gjeçaj O.F.M dhe dy të tjerë për të cilët është e nevojshme të ruhet anonimati”, shkruan Gjon Sinishta në librin e tij, të publikuar në vitin 1976, në SHBA, duke pasur kujdes të mos rrezikojë persona, ndërsa në Shqipëri vazhdonte regjimi komunist.
Shumë emra në listën e tij, janë tashmë martirë të shpallur të Kishës Katolike, por ka dhe nga ata që i mungojnë kësaj liste dhe listave të institucioneve zyrtare të krimeve të komunizmit në Shqipëri. Për disa ka përshkrime më të detajuara, fakte tashmë të njohura nga jeta e tyre, për disa shënohen vetëm vitet e jetës, por ka edhe një listë që përmban vetëm emrat, pa asnjë të dhënë tjetër përbri. Është lista e motrave, ku janë tetë emra.
Kujto.al po e sjell këtë listë, që, megjithë respektin për punën e autorit të librit, duhet marrë me rezervë, por duhet të nxisë edhe kërkime, për të mos i lënë në terr këto jetë, që sipas disa burimeve të mbledhura nga Sinishta, regjimi komunist i ka sakrifikuar. Emrat që ka publikuar Sinishta në librin e tij, janë:
Luigja Bardhaniolli
Ester Dajçi
Jozefina Daragjati
Alberta Hila
Pierina Leka
Domenika Liaria
Margarita Vulaj
Imelda Zojzi
Megjithatë siç thamë, lista ka nevojë për verifikime. Një prej lexuesve tanë na shkruan që Domenika Ljarja, jo Liaria, ka jetuar deri në fund të jetës në Shkodër, duke hequr velin e murgeshës dhe duke dhënë mësime rrobaqepësie, por duke shpërndarë, me sa ka mundur, besimin e krishterë.
Ky shkrim është përditësuar.
Nga A.Çano
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.
Nuk e di per te tjerat, por Domenika Ljarja (e jo Liaria) ka banuar ne Shkoder deri ne fundin e jetes. Natyrisht, nuk i lejohej te ishte murgeshe publikisht e jetonte me leksionet e rrobaqepesise, qe u jepte vajzave e grave, qe kishin deshire te mesonin. Mbesa e saj e kusherinjte akoma jetojne ne Shkoder. Atyre u duhet kerkuar te shkruajne per jeten e saj, qe s'ka qene e lehte. Kurre nuk ka reshtur se perhapuri fene e krishtere, permes tregimeve te jetes se shenjtoreve, qe ua thoshte femijeve si te ishin histori e perralla.