Rrëfimet e të birit, Mehdi Kraja për burgosjen e të atit dhe vuajtjete familjes gjatë diktaturaës komuniste
“Unë jam njohur për herë të parë me babain tim, Hafiz Ali Kraja, përmes hekurave të burgut të Tiranës. Pra, aty ka qenë hera e parë që e kam parë, ndërsa hera e parë që kam thirrur emrin “babë” në shtëpi, ka qenë më 12 tetor 1965, atë ditë që babai im doli nga burgu. Kam qenë 26 vjeç. Të flasësh për jetën tonë është shumë e çuditshme; brezi i sotëm, kur dëgjon historitë tona u duken të pabesueshme. Në fëmijërinë tonë, ne fëmijëve të Hafizit, na cilësonin me gisht si “fëmijët e reaksionarit”. Babai ynë ka qenë klerik dhe gjatë gjithë jetës së tij ka luftuar për të vetmen moto “Fe e atdhe”. Im atë, ngaqë njihte mirë ideologjinë komuniste, ka mbajtur fjalime e kumtesa në Fushë Qelë dhe në kinemanë verore të Shkodrës, në lidhje me ndikimin që do kishte regjimi komunist në fe dhe në vendin tonë në përgjithësi.
Bëhet fjalë për vitet 1943-1944. Shumë prej të pranishmëve, ndoshta nuk e besuan në ato momente, por koha e vërtetoi gjithçka çfarë im atë tha e paralajmëroi në ato fjalime. Hafizi, pra im atë, gjatë kohës që u burgos në burgun e Parrucës në Shkodër, takoi aty njërin prej pjesëmarrësve në ato fjalime, të cilin nuk e njohu nga torturat ç’njerëzore që kishin ushtruar mbi të. Mbasi ngriti trikon e i tregoi trupin, në të cilin nuk i kishte mbetur aspak lëkurë, por vetëm mish, i tha tim eti i përlotur: ”Dua të më falësh Hafiz Kraja, pasi nuk u besova fjalëve të tua… !!” Ne, fëmijët e tij, pavarësisht moshës së vogël, ishim të përbuzur e të larguar nga çdo aktivitet kulturor e shoqëror, që zhvillohej në atë kohë. Mbaj mend një rast kur isha në vitin e dytë të shkollës së mesme, në shkollën “29 Nëntori” dhe mësuesja ime e rusishtes Emine Çaushi, bashkëshortja e Nuri Çaushit, shefit të arsimit për rrethin e Shkodrës në atë kohë, për të gjetur shkak për t’më akuzuar, më dha urdhër që të sillja babain tim për takim me prindër, ndërkohë që ajo e dinte shumë mirë që im atë ishte në burg. Unë u justifikova që baba im ishte shumë plak e i sëmurë për të ardhur në takim. Të nesërmen binte bore. Emineja më dha urdhër të ulesha në tavolinën ngjitur me të, kur ndërkohë te dritarja aty ngjitur vjen një trumcak i vogël, i cili cicëronte nga jashtë në borën e ftohtë të asaj dite dhe instiktivisht i thashë shokut aty ngjitur se ai trumcak që cicëron e askush nuk e dëgjon më, përngjason me mua. Në atë moment, mësuesja mbasi e dëgjoi këtë gjë, goditi tavolinën me grusht, e me tha të pushoja e t’i masja mirë fjalët, pasi do ndëshkohesha shumë shpejt. Ngrihem në këmbë dhe i them: “ Gjithë jetën do të ngelet në ndërgjegjen tënde kjo që po më shkakton,” e u ngrita e bëra të dal. Ndërkohë e gjithë klasa, në shenjë solidariteti e respekti, u ngrit në këmbë. Mbaj mënd që e kam larë me lotë gjithë korridorin kur dola. Nuk kaluan shumë ditë dhe Emineja u bë shkaktarja që na internuan në Bajram Curri. Ka qenë tetori i vitit 1955. Bora ishte gjysmë metër. Na transferuan në mullirin e qytetit; aty s’kishte as dritare e as tavan. Mulliri, në të cilin jetuam për 4 muaj, ishte 30-40 cm poshtë tokës; ishte torturë të flije e të banoje në të ftohtin e mureve të atij mulliri. Më pas na transferuan në një shtëpi të vjetër.
Gjatë kohës së internimit, kush punonte në familjen tuaj?
Përveç nënës time, të cilës i kishte dhënë Zoti një dhunti, “gjilpërën”, askush tjetër nuk punonte. Ajo kishte një dorë të artë, qëndiste, thurte e qepte si një artiste e vërtetë. Madje pati edhe meritën e hapjes në Bajram Curri, për herë të parë, të repartit të qepjes së jorganëve dhe qëndisjes, një repart i vogël 4 X 4 metra. Më pas, kur ogurzezët e Sigurimit morën informacione e hoqën nga reparti të cilin e hapi vetë ajo.
Nëna juaj, a pati mundësinë që të vizitonte Hafizin në burgje?
Nëna e ka ndjekur në çdo vend babain: nëpër burgje, në kampet e internimit e kudo ku ai çuar, larg familjes, për arsye të përndjekjes komuniste. Babain tim, amnistia e vitit 1946 që u bë me motivim “faljen e të gjithë atyre të cilët nuk i kanë lyer duart me gjak” pothuajse e preku një moment, por ndërhyrja e famëkeqit, prokurorit Aranit Çela, bëri që babai im të gjykohej bashkë me Engjëll Çobën e të dënoheshin të dy me burgim të përjetshëm. Më pas, me lidhjen e “miqësisë kinezo-shqiptare”, ndryshimet e legjislacionit, bënë që dënimi i tim eti, të ulej në 25 vjet. Mbasi kaloi vite e vite të tëra në burgjet e birucat e regjimit komunist, im atë u lirua mbas 18 vitesh e 10 muajsh burg.
Thuhet se babai juaj, Hafiz Kraja, ka pasur një nga bibliotekat më të pasura me libra në Shkodër?
Është shumë e vërtetë; biblioteka e babait tim ka qenë më e madhja në Shkodër dhe një ndër më të mëdhatë në Ballkan. Kishte botime, libra, autorë nga më të larmishmit. Im atë fliste gjashtë gjuhë të huaja, por ai kurrë nuk e ka shprehur këtë gjë në publik, pasi ishte njeri i thjeshtë, njeri i letrave dhe i fesë.
Thuhet se babai juaj, si kreu i klerit mysliman, ka patur një bashkëpunim mjaft të mirë e tolerant me rrethet françeskane jezuite. Eshtë e vërtetë kjo gjë?
Po, është shumë e vërtetë. Babai im ka qenë mik e shok i mirë me At Anton Arapin, i pushkatuar nga regjimi komunist. Babai im, në ceremoninë mortore të poetit të shquar At Gjergj Fishtës, ka mbajtur një fjalim si përfaqësues i klerit mysliman, ku e lartëson figurën e tij në atë pozicion real që ai kishte. Ky fjalim madje është i dokumentuar. Miqësia dhe bashkëpunimi me përfaqësuesit e klerit, zgjeroheshin dhe me At Mikel Koliqin e me At Mushkallën. Madje mbaj mend, që në kohën që im atë vuante dënimin, ata vinin në shtëpinë tonë, më merrnin mua dhe motrën e na këshillonin si prindër. Na shëtisnin e herë pas here, na blinin ëmbëlsira e na shoqëronin sërish në shtëpi. Madje më kujtohet gjyqi i dënimit të At Mushkallës, që u bë në afërsi të Institutit Bujqësor të Kamzës. E dënuan me 10 vjet internim dhe dënimin e ka kryer në kalanë e Gjirokastrës. Gjatë kësaj kohe, e kam vizituar disa herë atje fshehurazi, por ai më këshillonte që të mos shkoja, pasi do kisha fatin e babait në burg nëse më zbulonin. Ai ishte si një baba për mua.
Kthehemi në periudhën, kur ishit në internim dhe para internimit: mund të na flisni pak për sakrificat që ju bënit për të takuar babain tuaj?
Sakrificat kanë qenë të mëdha e të shumëllojshme. Nëna ime shkonte shumë shpesh dhe e takonte babën në të gjitha burgjet ku ai kreu dënimin, ndërsa ne fëmijët, alternoheshim herë njëri e herë tjetri, deri në momentin që unë u rrita e shkoja e takoja vetë. Babai dënimin e kreu në burgjet e Shkodrës, Tiranës, Maliqit dhe 10 vitet e fundit, i kreu në burgun e Burrelit. Në këtë të fundit, babai u torturua disa herë nga oficerët e burgut me urdhër të eprorëve të tyre.
Kush ju fliste më shumë për babain tuaj, për idetë, aktivitetet dhe zgjuarësinë e tij? Po sekuestrimi i pasurisë e pronës që kishit kur ndodhi?
Për babën më ka pas folur nëna e xhaxhallarët e mi; ata pothuajse çdo ditë më njihnin me ideologjitë, aktivitetet dhe mbi të gjitha, me mirësinë e tolerancën që e karakterizonte atë. Gjithashtu, ata kujdeseshin me shumë përkushtim për bibliotekën që baba kishte lënë. Në vitin 1967, u bë revolucioni kulturor dhe me atë rast, ne na sekuestruan çdo pasuri tonën, madje edhe abazhuret e shtëpisë, por mbi të gjitha, pasurinë më të vyer të babës tim, bibliotekën. Gjendja jonë ekonomike u përkeqësua jashtëzakonisht shumë; mbijetesa na mundësohej nga gjyshja ime dhe nga motrat e saj. Nëse do bëja një përmbledhje për situatën time në atë kohë, unë, me pak fjalë, jam rritur jetim me babën gjallë. Familja jonë, gjatë gjithë kohës së regjimit komunist, ka qenë në rreth të kuq. Ne ishim në qendër të vëmendjes e vëzhgoheshim vazhdimisht nga Sigurimi i Shtetit.
Sa vite kaluat në internim z.Kraja?
Internimi në Bajram Curri zgjati 3 vjet. Më pas, një miku i babait tonë, bëri kërkesë tek autoritetet përkatëse, që të transferoheshim në Burrel, me pretekstin që nëna ime të hapte sërish një repart rrobaqepësie si ai që kishte krijuar në B.Curri. Por në të vërtetë, ne u tranferuam nga autoritetet në Shkodër dhe aty fillova sërish shkollë e punë si marangoz i kategorisë së tretë e me kalimin e muajve, u përmirësova në zanatin që ushtroja dhe kalova marangoz i kategorisë së parë.
Çfarë mund të na thoni në lidhje me historinë e një prej librave më të arrirë të babait tuaj, i cili është i botuar në disa vende e disa gjuhë?
Kur autoritetet komuniste bastisën e sekuestruan biblotekën e babait tim, unë pata mundësinë të ruaj 200-300 kopje të një libri, që im atë e kishte shumë përzemër. Libri ishte ideologjiko-fetar dhe titullohej: “A e ndalon feja bashkimin kombëtar?” Mbaj mend që i mora ato libra dhe u mundova t’i paketoja me ç’të gjeja. Pastaj hapa një gropë në oborrin e shtëpisë dhe i futa në të. Sipër tyre mbolla një pemë fiku. Me ardhjen e demokracisë, unë e hapa atë gropë dhe pashë që vetëm 10 kopje kishin mbetur të padëmtuara. Ky libër tashmë është ribotuar në Universitetin e Neë York-ut, Tetovës dhe nga komuniteti mysliman i Shqipërisë. Ky libër përmbante vlera të larta ideologjike për bashkëpunimin e tolerancën fetare në të mirë të kombit.
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.