Hafiz Ibrahim Dalliu ose “Hoxha Kaur” që u gjymtua nga komunistët/ Patrioti i burgosur nga të gjitha regjimet

1
742
blank

I burgosur dhe i përndjekur nga regjimi osman, si një ndër patriotët e shquar, veprimtar i përhapjes së gjuhës shqipe, teologu e shkrimtari i shquar, do të persekutohej më egër nga komunistët  

Ishte arrestuar disa herë nga regjimi osman, si një ndër personalitetet më problematike për ta, sa i përket përhapjes së ideve atdhetare shqiptare. Hafiz Ibrahim Dalliu kishte vuajtur përndjekje nga regjime e pushtime, por asnjëherë nuk u dorëzua. Kurrë nuk e pati menduar se e keqja më e madhe do t’i vinte pikërisht nga shqiptarë. Do t'i vinte nga regjimi komunist, sepse do të arrestohej e torturohej në moshë të thyer e prej burgjeve komuniste, do të dilte i gjymtuar, në agoni të jetës.

“Hoxha Kaur”

Normalja e Elbasanit, ku dha mësim edhe Hafiz Ibrahim Dalliu

Hafiz Ibrahim Dalliu ishte Teolog dhe shkrimtar në Tiranën e viteve të para të shekullit të shkuar. Kishte lindur në një familje të vjetër tiranase, në vitin 1878. Ishte diplomuar në degën teologji-filozofi në Stamboll, atje ku dhe mori pjesë në lëvizjen për çështjen kombëtare shqiptare. Me t'u kthyer në Shqipëri, Hafiz Ibrahim Dalliu u emërua “imam” i qytetit të Tiranës dhe mësues në shkollën fillore të këtij qyteti, në atë shkollë që drejtohej nga Filip Ashiku. Më 1908, Ibrahim Dalliu hapi shkollën për mësuese të vajzave. Paralelisht me aktivitetin e tij për arsimin e shqiptarëve, u bë pjesë e partisë “Bashkimi”, që aspironte për mëvehtësi kombëtare në kohën e shpalljes së Kushtetutës (Hyrjetit). Në vitin 1909, Hafiz Dalliu ishte një ndër delegatët e Tiranës në Kongresin e Elbasanit, atje ku u vendos edhe hapja e Shkollës Normale. Ibrahim Dalliu u emërua mësues i asaj shkolle. Gjatë kësaj kohe, prej vitit 1909-1911, Hafi Ibrahim Dalliu u arrestua disa herë nga regjimi osman, si veprimtar për arsimin shqip e çështjen kombëtare. Gjatë arrestimeve, iu sekuestruan materialet didaktike dhe shtypi patriotik në gjuhën shqipe, ndër të cilat revista “Albania” dhe fletorja “Trumpeta e Krujës” e Faik Konicës, etj. Hafiz Dalliu ishte Imam, por mjedisin fetar ai e shfrytëzoi më së shumti si shkollë, ku u mësonte fëmijëve gjuhën shqipe. Çfarë u bë edhe më e papranueshme për pushtuesit ishte se i mësoi fëmijët gjuhën shqipe, sipas alfabetit latin, sipas vendimit të Kongresit të Alfabetit.

Burgosja nga turqit

Në vitin 1911, Hafiz Ibrahim Dalliu u burgos nga regjimi osman, në Manastir, dhe më pas edhe në kështjellën e Selanikut. Atje u lidh me zinxhirë dhe kjo ishte masa e rreptë për një klerik mysliman, që po akuzohej si “Hoxha Kaur”. Kjo akuzë i vinte për shkak se kishte përhapur shkrimit shqip me shkronja latine, tek nxënësit e Tiranës. Pas disa muajsh, u lirua nga burgu, për shkak të përpjekjeve papushim të patriotëve Hasan Prishtina e Mihal Grameno. Pas vitit 1912, drejtoi gazetën Dajti. Ishte pjesëmarrës në ngritjen e flamurit kombëtar, në 26 nëntor 1912, në Tiranë, sipas porosisë së Ismail Qemalit.

Hafiz Ibrahim Dalliu është autor i veprave shumë të rëndësishme satirike, si “Grenxat e kuqe”, “Dokrrat e hinit”. Gjithashtu, është autor i vjershës politike “Kreshniku i atdheut”, e botuar në vitin 1924. Ai përkrahu lëvizjen politike të Nolit, sipas mënyrës së tij, duke shkruar një elegji për Avni Rustemin. Në vitin 1930, botoi veprën e njohur monografike "Patriotizma në Tiranë", duke sjellë dëshmi të përndjekjes në kohën e Turqisë, duke ndriçuar rolin e patriotëve Tiranas në Pavarësinë e vendit.

Arrestimi

Regjimi komunist e gjeti si mësues. Në vitin 1945, ishte emëruar mësues në Medresenë e Përgjithshme të Tiranës, ku përgatitej brezi i ri i besimtarëve. Pikërisht në këtë kohë, në

Shqipëri, kishte nisur sulmi gjakatar kundër elitës intelektuale. Padyshim që Hafiz Ibrahim Dalliu do të ishte pjesë e kësaj elite, që do të ndëshkohej nga diktatori Enver Hoxha. Ai u arrestua në fillim të shkurtit të vitit 1948, dhe më 24 shkurt të atij viti, me vendim nr. 67, Gjykata e Tiranës e dënoi «për faje penale kundër popullit e shtetit – agjitacion e propagandë», me 5 vjet burg, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave civile për 3 vjet. Më 25 shtator 1948, Plenumi i Gjykatës së Lartë e prishi vendimin nr. 67, sepse çështja ishte pushuar nga Gjykata e Lartë. Por Hafiz Ibrahim Dalliu ishte torturuar pa mëshirë, për shtatë muaj rresht, pa marrë parasysh as moshën e tij të thyer. Doli i gjymtuar nga qelitë errëta të diktaturës komuniste, në shtator të vitit 1948. Katër vite më pas, ndërroi jetë, pikërisht në shkurt të vitit 1952, kohë kur Shqipëria kishte hyrë në valën e frikshme të pushkatimit, burgosjes e internimeve të intelektualëve më në zë shqiptar e familjeve të tyre.

Hafiz Ibrahim Dalliu mbetet një ndër personalitetet më të lartë të gjysmës së parë të shekullit të shkuar, patriot, teolog e shkrimtar i shquar.

Materialet e përdorura në artikull janë marrë nga: Petrit Kusi: “Hafiz Ibrahim Dalliu dhe vepra e tij – “Patriotizma në Tiranë”, ribotim nën kujdesin e Shoqatës Tirana, Imazh, Tiranë, personalitete të kulturës islame (shekulli XIX-XX), Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, red. Genti Kruja, Tiranë 2012, f. 80-83.

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

1 COMMENT

  1. Turpi i shqiptarve asht komunizmi.Shqiptari ka vra shqiptarin.I ka ba ato tortura,ato tmerre qe nuk ja kane ba as gjithe armiqte qe ka pas nder vite.U shofte fara e komunistave dhe e enveristave te rinj dhe te vjeter.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here