‘’Djali pa nanë, si nata pa hanë‘’

0
611
blank

Fundi tragjik i Et'hem Haxhiademit, shkrimtarit e dramaturgut të spikatur që është cilësuar si "babai i tragjedisë shqiptare". Jeta dhe vdekja në burgjet komuniste rrëfyer nga Makensen Bungo, bashkëvuajtës i tij, gjithashtu shkrimtar i dënuar nga diktatura 

“Djali pa nanë, si nata pa hanë“, ishte tema e hartimit që profesori i normales së Elbasanit, Et'hem Haxhiademi i kishte dhënë nxënësve të tij në Normalen e Elbasanit. Ishte mesi i natës kur profesor Et'hemi po vazhdonte punën duke korigjuar fletoret e hartimit, kur në portën e shtëpisë së tij i shfaqen hijet e errëta të xhelatëve të diktaturës. Përmes britmave shtazarake, e arrestuan, i vunë hekurat para syve të fëmijëve të tij të mitur dhe bashkëshortes dhe e nisën për në hetuesi. Atë natë të shkurtit 1947, në Elbasan ishin arrestuar dhe shumë të tjerë intelektualë në zë të këtij qyteti.

Shkrimtari Makensen Bungo, bashkëvuajtës i shkrimtarit Et'hem Haxhiademi,  ka rrëfyer jetën e vështirë nëpër burgjet e diktaturës, deri ditën kur Haxhiademi dha shpirt në burgun e Burrelit.

Natën kur u arrestua Et'hem Haxhiademi, nga burgu i madh i Elbasanit, u morën katër  të  burgosur për t’i implikuar me akuzat e të arrestuarve. Ndër ta ishte edhe Makensen Bungo. Ishin edhe Shefqet Baholli, Salim Ceka e Nazmi Fagu, që të tre të dënuar me burgim të përjeshëm. Atë natë, u mbushën plot me të arrestuar birucat e hetuesisë së Grand Hotel,  ku ishte vendosur në atë kohë Dega e Punëve  të Brendëshme. Bungo rrëfente që Et'hem Haxhiademin e kishin mbajtur në Tiranë disa muaj në tortura të tmerrshme. “Kur e kthyen në Elbasan për ta gjykuar, unë nuk e njoha. Ishte plakur shumë, ishte dobësuar e tretur.  Ishte kërrusur dhe mezi ecte. Ishte transformuar, që të vinte keq ta shikoje” rrëfente Bungo.

Një rrëfim vuajtjesh në burgjet komuniste

Të arrestuarit u mbajtën 3 muaj nëpër birucat e Grand Hotel në Elbasan, në kushte të tmerrshme. Çdo ditë e çdo natë birucat e Grand Hotel-it oshëtinin nga ulurimat e tyre dhe  spërkateshin me gjakun që u rridhte nga torturat.

Gjykimi i tyre u bë në zyrat e Degës së Brendshme me dyer të mbyllura. Në grupin e parë që u gjykua, ishte edhe Et'hem Haxhiademi. Ai u akuzua se kishte riorganizuar Ballin  Kombëtar. Dramaturgun poet e dënuan me vdekje. Kur kryetari i gjyqit ushtarak   komunikoi dënimin e tij me vdekje, ai shqiptoi menjëherë shprehjen atdhetare që thonin rilindasit tonë, kur i pushkatonin turqit. Ai thirri: ‘Rroftë Shqipëria!’ Dhe nga ajo thirrje ushtoi e gjithë salla dhe trupi gjykues shtangu.

Në këtë kohë, birucat e nëndheshme të Grand Hotel-it ranë në një qetësi. Nuk bëheshin më tortura dhe nuk ndiheshin më ulërima çdo natë, si më parë. Atëherë në atë kat të nëndheshëm, zotëronte një heshtje që të lemeriste, që të kallte tmerrin. Ishte një heshtje  të vdekurish.

Por kjo heshtje nuk vazhdonte çdo natë, sepse herë mbas here krimi shprehte urrejtjen e  tij klasore, duke vazhduar të torturonte Et'hem Haxhiademin, edhe pse ai ishte dënuar.

PUSHKATIMI 

Mbas disa ditësh, disa prej të dënuarve me vdekje, Gjykata e Lartë ua fali jetën. Dënimi i  tyre u kthye në burgim të përjetshëm. Ata të shkretët u gëzuan.

U gëzuan se u falën jetën! Atë jetë që ua kishte falur vetë Zoti. Atë jetë deshi t’ua merrte   Diktatura, t’ua grabiste duke i torturuar, që të pranonin krimet, ato krime, që nuk i kishin bërë kurrë dhe as që kishin menduar ndonjëherë, t’i bënin.

Iu njoftua ky vendim dhe ua hoqën prangat.

Tani ata do të kishin jetën, por jo lirinë. Lirinë atyre, diktatura do të vazhdonte t’ua grabiste. Tani ata do të jetonin pa liri, pa familje, pa njerëz, pa gjallëri, pa gëzime, në një jetë të heshtur, në një jetë të mërzitshme, në një jetë të trishtueshme, në një jetë të vdekur. Tani ato do të vuanin gjithë jetën nëpër kanale, nëpër miniera, nëpër moçalishte, duke luftuar me vdekjen, për të jetuar lirinë e ëndërruar, atë liri, shpresa e së cilës rrinte e  fshehur në ndërgjegjen e tyre.

Po atë ditë ata i dërguan në Burgun e Madh të qytetit.

Tani në birucat e nëndheshme të Grand Hotel-it mbetën vetëm të dënuarit me vdekje që do të pushkatoheshin dhe ne të katërt, që ishim dënuar që më parë.

Të dënuarit me vdekje, të lidhur me pranga, rrinin të ndarë në ato biruca në heshtje, në  shoqëri me vdekjen. Rrinin e mendoheshin, mendoheshin dhe kujtoheshin. Kujtonin akuzat e rrema që u kishin bërë, torturat që u kishin bërë, procesverbalet, që kishin firmosur në  gjendje agonie, kujtonin procesin gjygjësor, fjalët e prokurorit, akuzat e trupit gjyqësor    dhe vendimin e gjyqit, atë vendim të tmerrshëm, të hatashëm, vendimin me vdekje që i  ushtonte ende: ‘Me vdekje! Me vdekje! Me vdekje!’ Mendoheshin dhe kujtonin njerëzit e  familjes së tyre, që nuk do t’i shikonin më kurrë, prindërit, gruan e re të porsamartuar,   fëmijët që pritnin t’u ktheheshin baballarët, por nuk do t’u ktheheshin më, kujtonin  kushërinjtë, shokët, miqtë...

Ata ishin shtatë gjithsej: Dhe midis tyre ishte edhe Et’hem Haxhiademi.

Po ky njeri, Et’hem Haxhiademi, vallë apo mendonte dhe apo kujtonte edhe ai si të  dënuarit e tjerë me vdekje?

Edhe ai po mendonte dhe po kujtonte si të dënuarit e tjerë me vdekje, por jo gjithënjë, sepse atë, si kemi thënë, vazhduan ta torturojnë edhe mbasi u dënua me vdekje. Ai  shkrimtar edhe pse jetonte nën ankthin e vdekjes, duhej torturuar, duhej të vante, që ata  njerës të ushqyer me krimin, të shuanin urrejtjen për këtë njeri të madh. Dhe nga këto   tortura të vazhdueshme ai u bë një skelet i gjallë, kur e nxirrnin për të shkuar në banjë,  mbahej te muri, se nuk kishte më fuqi të qëndronte në këmbë dhe së fundi edhe të eci këmba doras.

Kjo gjendje vazhdoi deri në mengjesin e datës 9 mars të vitit 1948, kur në bincat e Grand  hotelit zbritën disa oficerë dhe policë duke uluritur e duke qeshur.

Erdhi dita e pushkatimit. Erdhi çasti i vdekjes. I nxorrën nga birucat me radhë për t’i  pushkatuar: Zija Lunikun, avokatin e nderuar të Elbasanit, Fadil Gurmanin, mësuesin  idealist të shkollës ushtrimore, Kamer Kazazin, mësuesin e talentuar që kishte mbaruar  shkollë e Fullcit, Mahmut Macin, mësuesin e bujqësisë të shkollës Normale, Mehmet Elezin,  atdhetarin e papërkulur të Peqinit, dhe Xhaferr Mirakun, ish luftëtarin e Luftës së Spanjës ,  luftëtar dhe bashkëpunëtor i Enver Hoxhës, dhe ish komandant i një brigade partizane.

Et’hem Haxhiademin nuk e nxorrën nga biruca. Ai nuk do të pushkatohej. Atij njeriu i  ishte falur jeta.

Në lidhje me këtë fakt është shprehur mendimi se duhet të ishte bërë një ndërhyrje tek    diktatori Enver Hoxha, sepse akuzat kundër Et’hem Haxhiademit ishin shumë të rënda.    Por se cili ose cilët e kishin bërë këtë ndërhyrje janë shprehur tre variante. Një variant  është se ndërhyrjen do ta ketë bërë profesor Aleksandër Xhuvani me Omer Nishanin.  Varianti i dytë është se do ta ketë bërë po Aleksandër Xhuvani por tok me Ymer Dëshnicën, ndërsa varianti i tretë ishte prap po me prof Xhuvanin, por tok me prof. Kostaq Cipon. Në  të tre variantet del figura e profesor Aleksandër Xhuvanit dhe kjo duhet pranuar, se ai ishte figurë e vjetër atdhetare, se ishte personalitet i lidhur shumë me Qeverinë e atëhershme   dhe se ishte babai i dëshmorit Ptoleme Xhuvani.

AMANETI

Në ato biruca të Hotel Grand-it tani ishim vetëm pesë vetë, katër ne të burgosurit të mëparshëm dhe Et’hem Haxhiademi, tani i dënuar me burgim të përjetshëm. Sigurisht që  ekzekutimi i të gjashtë të dënuarve na dëshpëroi shumë, se ishin njerëz të mirë, të  ndershëm, atdhetarë dhe të pafajshëm. Por, edhe ulja e dënimit të Haxhiademit na gëzoi.

Ne u gëzuam, por edhe krimi, sepse iu fal jeta, u inatos edhe më shumë dhe e shprehte  urrejtjen dhe inatin ndaj këtij shkrimtari, duke i vazhduar torturat më shpesh dhe më të  egra. Ai arriti një ditë, që po ta shikonte ndonjë njeri në atë gjendje, me siguri nuk do ta  njihte se cili ishte.

Mua atëherë, meqë isha shumë i ri, afër njëzet vjeç dhe më dënim të pakët në krahasim  me të tjerët, policët që shërbenin në birucat e nëndheshme qëllonte që më nxirrnin në  koridorin e birucave për të bërë pastrimin e tij, nën mbikqyrjen e tyre dhe me porosi që  të mos komunikoja me ‘armikun e poullit’, Et’hem Haxhiademin.

Një ditë rastisi që, ndërsa unë po pastroja koridorin, polici hapi derën e birucës së  Haxhiademit, që ai të shkonte në banjë dhe vet u ngjit lart. Haxhiademi doli nga biruca   dhe ne të dy u ndodhëm ballë për ballë. Haxhiademi me mundim të madh dhe duke  rënkuar, m’u  afrua, më kapi duart dhe më porositi që kur të përmbyset diktatura, të  shkruaja një tragjedi për atë, duke u bazuar mbi vuajtjet e tij aty. Unë u shtanga. Ai shtoi  se po më linte një amanet dhe amanetin nuk e tret as dheu. Kaq më tha dhe u largua. Këtë amanet ma ka përmendur më vonë disa herë, kur ishim të dy në kaushin e tretë të Burgut të Madh të Elbasanit. Ma kujtoi edhe më vonë, kur unë u lirova nga burgu. Duke u përshëndetur, ai më tha: Mos e harro amanetin!

NËPËR  BURGJE

Ethem Haxhiademin nuk e mbajtën shumë kohë në Burgun e Madh të Elbasanit. Jo më  shumë se katër vjet. Prej këtej, bashkë me disa të burgosur të tjerë të dënuar rëndë, e  dërguan në Kalanë e Gjirokastrës. Nuk dihet se sa kohë e mbajtën atje. Prej andej, e dërguan në burgun e Burrelit, ku diktatura grumbullonte të burgosurit më të rrezikshëm.

Në burgun e Elbasanit, e kanë mbajtur vazhdimisht në kaushin e tretë. Kështu quheshin  atëherë dhomat e burgut, kaush. Ky kaush ishte kaushi më i keq i atij burgu. Atje nuk  hynte kurrë dielli. Në burgun e Elbasanit, Haxhiademin mundoheshin ta ofendonin. Por dhe ai mundohej të mos u jepte ndonjë shkak. Kështu, për shembull, kur makina që sillte  bukën për të burgosurit prishej, komanda e burgut nxirrte të burgosur me dënime të ulët  të merrnin bukën, duke e sjellë në krah. Bashkë me këta  të burgosur, caktonte edhe Et'hem Haxhiademin. Ai nuk kundërshtonte. Shkonte me të tjerët në furrë, ngarkonte thesin me bukë në kurriz dhe ecte me kokën lart, në mes të qytetit, bashkë me të burgosurit e tjerë.

Unë, disa muaj, kam ndenjur në një kaush me atë. Madje, rastisi që edhe të rrija e të flija  ngjitur me atë.

Ishte njeri i heshtur. Nuk fliste pa e pyetur njeri. Më shumë mendohej, se sa fliste. Dhe  kur fliste, fliste me ngadalë dhe me zë të ulët. Nuk hapte vetë ndonjë bisedë, vetëm dëgjonte të tjerët dhe nuk ndërhynte në debate. Nuk pranonte të hynte në biseda politike. Kur fillonte ndonjë bisedë e tillë, largohej. Ndoshta se ishte ende nën ndikimin e tmerrit të torturave të hetuesisë.

Kur i vdiq i vëllai i vetëm, priti në heshtje ngushullimet nga të gjthë të burgosurit e kaushit. Kur bisedonim për letërsinë, fliste me respekt për at Gjergj Fishtën dhe lavdëronte  Lasgush Poradecin, Mitrush Kutelin dhe Ernest Koliqin. Shpesh thoshte, se i vinte shumë  keq që i kishin sekuestruar bibliotekën.

VDEKJA

Mbasi jetoi një kohë të gjatë nëpër burgjet e tmerrshëm të diktaturës, ky njeri ndërroi jetë në burgun e Burrelit, në 17 mars 1965, në moshën 63vjeçare.

Vdiq ai njeri që e deshi jetën. Vdiq ai njeri që shkroi për jetën. Vdiq ai njeri që ia rrëmbyen jetën. Një jetë e pastër. Një jetë e kulturuar. Një jetë shqiptari. Sa nevojë ka Shqipëria për jetë të këtilla. Vdiq. Por vdekja e tij është misterioze. Mund të ketë qenë e natyrshme, por mund të ketë qenë edhe kriminale. Kështu, prifti Konrran Gjolaj O.F.M . thotë se ka vdekur mbas dy muajsh që pësoi një atak natën në gjumë: ‘‘Një ditë i ra të  fikët në oborr. U ndodha afër dhe i dhashë ndihmën e shpejtë e thirra infermieren. Erdhi dhe e mori me vete n'infermieri. U kuptue se kishte qenë infrakt. Kur erdhi në dhomë, me dashamirësi e këshillova me kenë i kujdesshëm se po t’u përsërit edhe nji herë, do ta kesh pisk. Mbas dy muajsh, kur kishte ra me fjetë, kishte vdekur në gjumë’’. Diktatura i  mohoi  lirinë dhe më vonë i vodhi edhe jetën.

Por këtij njeriu, nuk i dihet edhe se ku janë varrosur eshtrat e tij. Mbasi u shkërmoq  komunizmi, një komision i Shoqatës të ish të përndjekurve politik të Elbasanit u mundua  të gjejë eshtrat e këtij njeriu. Takuan në Tiranë infermierin e Burgut të Burrelit, por ai nuk  tregoi gjë. Shkuan e pyetën në Burrel, njerëzit tundnin kokën të helmuar. Shkuan në  Burgun e Burrelit, ai ishte kthyer në një gërmadhë. Qershia ishte zhdukur. Njëri nga ata  më tha se në një gropë kishin parë eshtra njerëzish. U kthyen në Elbasan të mërzitur për  qëndrimin e qeverisë, të partive politike, të shoqatave të ndryshme, për mosinteresimin  për këtë problem atdhetar. Në fund, kur familja i humbi çdo shpresë se mund të gjendeshin eshtrat e njeriut të tyre, ndërtoi në mes të varrezave të Elbasanit, një varr fiktiv me  mermer të zi, ku u shkrua ky epitaf: ET’HEM HAXHIADEMI, 1902 - 1965.

Po të kaloni në Elbasan, shkoni dhe e vizitoni atë varr dhe përkuluni me respekt para   kujtimit të atij njeriu.

VLERËSIME

Për vlerën letrare të veprave të tij, por edhe për veprimtarinë e tij atdhetare që ai zhvilloi,  Et’hem Haxhiademi zë një vend të veçantë në sofrën e shkrimtarëve atdhetarë shqiptarë.

Ai është themeluesi i tragjedisë shqiptare, nga shtatë tragjeditë që shkroi. Ai është poet dhe poezitë e tij edhe sot lexohen me ëndje, ai është romancier, pavarësisht se dy romanet që shkroi nuk u botuan dhe humbën bashkë me një dramë, ai është edhe shkrimtari që ktheu në shqip kryeveprën e Vitgilit.

Haxhiademi ishte politikan me ide republikane, antikomunist. Punoi dhe luftoi për çlirimin e Shqipërisë në krahun e djathtë të politikës shqiptare dhe përmendet edhe si veprimtar në  Konferencën e Mukjes.

Njeri me karakter të fortë, idealist me pikëpamje republikane. Punoi dhe luftoi për çlirimin  e Shqipërisë në krahun e djathtë të politikës shqiptare. E shohim edhe veprimtar në Konferencën e Mukjes.

Gjatë Diktaturës u arrestua, u torturua tmerrësisht, u gjykua, u quajt nga trupi gjykues   kriminel dhe u dënua me vdekje. Kur kryetari i gjykatës ushtarake njoftoi dënimin e tij me vdekje, ai thirri ‘Rroftë Shqipëria!’’. Iu fal jeta nga Diktatori se ndërhynë njerëzit që e  vlerësonin, vuajti vite të tëra nëpër burgjet e tmerrshëm dhe së fundmi, vdiq i helmuar nga diktatura, që të mos dilte i gjallë nga burgu.

Mbas shkërrmoqjes së diktaturës komuniste Et’hem Haxhiademi u vlerësua me të drejtë si shkrimtar e atdhetar dhe vepra e tij filloi të studjohet në shkollat e mesme të vendit tonë.

Mbas shkërrmoqjes së Diktaturës, shkrimtarë, kritikë, analistë e gazetarë nga Shqipëria e Kosova, u morën me veprën e Haxhiademit. Po shënojmë disa nga vlerësimet e tyre:

Analisti i mirënjohur Eugjen Merlika e ka vlerësuar veprën e tij dhe Haxhiademin e ka  quajtur  ‘Dramaturgu i njohur’.

Zoti Josif Papagjoni e ka përcaktuar Et’hem Haxhiademin, ‘Dramaturgu i heronjve mitik’ dhe për atë shkruan: ‘I pajisur me koncepte letrare e teatrore të kohës, ai u bë në dramën  shqipe, një nga stilistët dhe udhëhapësit e modelit mitologjik e modernist, duke risjellë në  subjektet e moçme, shtresime e ngjyresa të kohëve aktuale, me theks mbi anët morale  dhe ekzistenciale të njeriut.’

Shkrimtari Tomorr Plangarica shprehet mbi zhvillimin e mesazheve në tragjeditë e  Haxhiademit, se ato lindin dhe nisin të përçohen nga përplasja artistikisht, përmes një  veprimi dramatik në tragjedi, ato janë të kapshëm, të pranueshëm dhe të dëshiruar nga  publiku dhe lexuesi i thjeshtë.

Studiuesi Anton Cefa, duke u bazuar në vlerën e veprave të këtij shkrimtari, shprehet: Nëse romantizmin në letërsinë tonë e përfaqësojnë De Rada e Naimi, e themi me plot gojën që klasicizmin e përfaqëson Haxhiademi. Ne themi se Naimi është pjellë e vonë e romantizmit, siç e ka cilësuar Cabej, Haxhiademi është pjellë tepër e vonë e klasicizmit  …...

Haxhiademi, duke i marrë subjektet nga antikiteti grek, bibla dhe nga historia e jonë e herëshme dhe mesjetare, trajtoi probleme shoqërore e morale të shoqërisë shqiptare. Kështu që, veprat e tij kanë karakter të theksuar edukativ dhe didaktiv.

Në veprën ‘Elbasani, Enciklopedi’,  Et‘hem Haxhiademi është cilësuar si më i miri  dramaturg i periudhës midis dy luftrave.

Ndërsa at Konrrad Gjonaj O .F.M., kur ai vdiq, është shprehur: ‘Kombi shqiptar humbi nji  njeri të madh.’

EPILOG

Këtë monografi do ta përfundoj me një propozim.

Kemi përpara 50-vjetorin e vdekjes të shkrimtarit dhe politikanit Et‘hem Haxhiademi, 17 mars 2015.

A nuk do të ishte mirë që me rastin e këtij përvjetori, qyteti i Elbasanit të zbukurohet me  një shtatore të Et‘hem Haxhiademit? Pse nuk e meriton ky njeri këtë vlerësim?

Sa madhështor do të duket Elbasani, kur midis shtatoreve të Kostandin Kristoforidhit, Aqif  Pashë Biçakut, Aleksandër Xhuvanit dhe Isuf Myzyrit, të vendosej edhe shtatorja e Et‘hem  Haxhiademit, themeluesit të tragjedisë shqiptare! Do të ishte krenari për qytetin e  Elbasanit.

Besoj që Bashkia, partitë politike dhe intelektualët e Elbasanit do të nxiten për realizimin  e këtij propozimi.

Njerëzit që na nderojnë, duhet t’i nderojmë. Fundja, kjo është një detyrë atdhetare.

 

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here