"Pushofsh në paqe miku im i zemrës, miku im i halleve e vuajtjeve të mëdha, nëpër burgjet komuniste!"
Nga Bedri Blloshmi
Një telefonatë që më mbërriti sot nga fshati im, Bërzeshta, më tronditi pa masë. Një kushëriri im më tha se ka ndërruar jetë Muharrem Albrahimi. U shtanga. Muharremi ishte nga fshati Lunik i rrethit Librazhd. Është bir i një familje patriotësh, që punuan me dëshirë e vetëmohim për një Shqipëri të lirë e demokratike.
Midis shumë familjeve të tjera në Librazhd, edhe ajo e Muharremit u godit ashpër nga regjimi komunist. Kjo familje u zgjodh ndër të tjera, për t'u goditur fort. Por Seit Ibrahimi, nuk pranoi kurrë t'i nënshtrohet komunizmit, bashkë me bijtë e bijat e tij. Kryengritja e kësaj familje do të çonte në një goditje të fortë të regjimit, për ta paguar shumë shtrenjtë mospranimin e diktaturës përmes terrorit komunist.
Në vitin 1978, në valën e goditjeve të familjeve të cilësura prej kohësh si kulakë, u arrestua Seit Albrahimi, babai i Muharremit, më i moshuari i familjes. Më pas, arrestuan edhe dy djemtë e tij, Muharremin dhe Besimin. Fëmijët e mitur dhe gratë, mbetën vetëm si qyqet. Me akuzën fallso të stisur nga Sigurimi i Shtetit për sabotim, plaku Seit Albrahimi u dënua 25 vjet burg, Muharremi me dhjetë vjet burg e Besimi me 20 vjet burg. Muharremin dhe Besimin i sollën në burgun e Spaçit, ndërsa babanë e tyre Seitin, e çuan në burgun e Ballshit. Dy djemtë e Seitit, Besimi dhe Muharremi e treguan gjatë gjtihë kohës së burgut, në Spaç e në Qafë Bari, se ishin bij të një familjeje të edukuar me ndjenjën antikomuniste e kurrë nuk u përkulën nga torturat e xhelatëve komunistë. Besimi do të provonte edhe skëterrën e burgut të Burrelit, për të qëndruar gjatë gjithë rinisë e shumicës së jetës së tij, nëpër birucat e atij burgu.
Kur u vra në Tiranë terroristi Mehmet Shehu ndodhi një amnisti për një pjesë të të burgosurve politikë. Me këtë rast, Muharremi fitoi lirinë dhe u kthye pranë familjes, ku e prisnin fëmijët e tij e të vëllait Besimit. Punoi me përkushtim e sakrifica për të rritur fëmijët e tij e ata që kishin mbetur jetim, të vëllait të tij Besimit. Rriti me edukatë të gjtihë fëmijët e asaj familje, përmes sakrificave të pashoqe e në luftë të përjetshme me komunistët. I përballoi me trimëri të gjitha betejat e luftës së klasave, që zhvilloheshin në atë fshat, si në çdo vend tjetër të Shqipërisë.
Muharremi ndërroi jetë, shkoi në botën tjetër pak ditë më parë, më 12 janar, në moshën 74-vjeçare. Më hidhëroi shumë ikja e tij nga kjo botë.
Pushofsh në paqe miku im i zemrës, miku im i halleve e vuajtjeve të mëdha nëpër burgjet komuniste!
Bedri Blloshimi, 12.01.2019
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.