Dita e gjyqit!

0
503
blank

Lotët e nënë Haxhesë në sallën e gjyqit për Aqif Kashahun, djalin e Palortosë  që po e vriste Sigurimi i Shtetit

Kur prokurori Vangjel  Pecani uluriste si bishë dhe kërkonte dënim me pushkatim për Aqif Kashahun, një zë gruaje u dëgjua nga fundi i sallës së gjyqit: Aqif, bir... ku të ka teto Haxheja... ajo grua qante më lot shpirti, se para syve të saj po dënohej me vdekje biri i dashur i lagjes Palorto, në Gjirokastër. Po pushkatohej pa bërë asnjë faj. Teto Haxheja, e afërme e Aqif Kashahut, ishte në mesin e një grupi njerëzish që regjimi i mblidhte në sallat e frikshme, ku vendosej vdekja e bijve më të mirë. Kishte ardhë e paftuar në atë sallë teto Hagjireja, vetëm për t'i thënë fjalët e fundit, Aqif Kashahut, të riut të dashur për Gjirokastrën, që pak çaste më pas do të pushkatohej nga diktatura komuniste. Ndërsa nënë Haxheja qante, një pjesë tjetër e sallës duartrokiste për vendimin që kishte marrë partia, për vdekjen e armikut të popullit. Ishte masa injorante, ajo pjesë e vogël e shoqërisë së asaj kohe, që nuk kishte lidhje me humanizmin. Përmes asaj shtrese injorante të shoqërisë shqipëtare, regjimi do të vriste Aqif Kashaun e mijëra djem, burra e gra shqiptarë, pa bërë asnjë faj.

Dita e gjyqit

Aqif Kashahu u gjykua nga  gjykata Ushtarake e Gjirokastrës, e drejtuar nga kryetari i trupit gjykues, ushtaraku Shaban  Idrizi. Prokurori ishte ushtaraku Vangjel Pecani. Ja si e përshkruan profesor Pëllumb A. ÇABEJ, ditën e  gjyqit të Aqif Kashahut:

“I pandehur - i tha kryetari i gjykatës - a e pranon akuzën? Jo,- tha Aqifi,- ajo është e gatuar me lakrat e sigurimit të Shtetit drejtuar nga Subo Bakiri. Shkruaj, - i tha Kryetari sekretares, se nuk e pranon. Më poshtë pastaj, foli prokurori: Ç'doje të tregoje mbi Anglinë? Anglia është ndër shtetet më të pasura të botës dhe me një ekonomi dhe një politikë të përparuar, - tha Aqifi. Po të ishte Shqipëria me Anglinë, zoti prokuror, këtu do të ishte kopsht me lule, do ishte parajsa e vërtet. U bëtë me Stalinin, mustaqe madhin që do t'ju shpjerë në komunizëm... kësaj i thonë përrallë me mbret. Kush e ka parë me të vërtet komunizmin? Jo, askush. Kjo është një idil, as nuk preket e as nuk shihet. S'është gjë tjetër, veçse një shkencë utopike që nuk përputhet me realitetin. Ç'pritet nga muzhiku, zoti Prokuror, kur mender jush, nuk ka brekë në bythë. Nga ata presim të shohë hajër Shqipëria? Stalini ishte diktator kur tha, - Jepuni shqiptarëve farë bliri që t'i mbjellin rrugës për t'ju bërë hije. Kurse ne, zoti prokuror, na gërryen zorrët nga uria. Sarkazma e Aqif Kashahut ishte bërë presë me dy thika, sa prokurori u ngrit në këmbë i revoltuar dhe thirri: Pusho i pandehur. Mjaft llokoçitët, zoti gjyqtar koka e këtij të pandehuri ka lakra, drejtësia jonë do t'ia shkulë, po Zërin e së vërtetës nuk mund t'ia shkulni dot! - tha Aqifi - dhe prej asaj keni frikë..?”, rrëfen profesor Prof. Pëllumb A. ÇABEJ, i cili i referohet dokumentave e dëshmive autentike rreth pushkatimit të Aqif Kashahut.

Pushkatimi

E arrestuan më 22 Shtator 1946 dhe pas torturash, e shpallin armik të popullit dhe për këtë, i organizuan gjyqin famëkeq, ku me akuzën "se si njeri i prekur nga reforma, ka agjituar e propaganduar, duke hedhur parulla helmatuesi, ka pasur lidhje me sillogun e Janinës, është lidhur me elementët reaksionarë të Ballit Kombëtar, ka bërë mbledhje të fshehta, ku ka pasur qëllim rrëzimin e pushtetit popullor", e dënuan me pushkatim.  Aqif Kashahu u pushkatua në Gërhotin e Gjirokastrës, më 30 dhjetor të vitit 1946, në moshën 37 vjeç. Eshtrat e tij nuk u gjendën kurrë. Menjëherë pasi gjykata vendosi dënimin me pushkatim, skuadrat e pushkatimit e morën Aqifin Kashaun dhe e degdisën në periferi të qytetit, për ta pushkatuar e për t'ia tretur eshtrat në harresë.

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here