“Kaçurrelat e tu” kënga për dashurinë e humbur, që u kompozua në qelitë e burgut të Burrelit

0
1113
blank

Fati tragjik i kompozitorit shkodran Gac Çuni dhe disa vargje dhimbjeje të Arshi Pipës: Gac, o shok i vuejtjes, nxânsi im i lashtë;  mâ s'ta gjegja zanin, mâ nuk t'ndesha jashtë! N'imshtën e Burrelit vorrin ku ta banë; Kur ushton gjethnaja, Gac ti ndoshta fshân?;Fshâj nji kangë lirije qi t'u mbyll n'krahanuer!

Disa tinguj të lehtë, me një melodi melankolike, nisin të thyejnë ngadalë heshtjen nëpër qelitë e burgut të Burrelit, një natë pranvere të vitit 1956. Ishte zëri i Gac Çunit, djali shkodran që po jetonte ditët e fundit të jetës së tij, në qelinë e burgut të Burrelit. Kënga nisi të ngjallë shpirtrat e burgosur të atyre njerëzve, që po vuanin pa faj nëpër qelitë e atij burgu. Ishte kënga e fundit, melodia e fundit e djalit 20-vjeçar. I kushtohej dashurisë së tij të humbur, vajzës shkodrane me kaçurrela, që kishte mbetur imazh i largët për zemrën e djalit të burgosur. Kaçurrelat e vajzës së bukur që kishte qenë dashuria e tij platonike, që do të mbetej në mendjen dhe zemrën e tij, si një hije që endej nëpër rrugicat e bukura të qytetit, atje ku Gaci kishte jetuar ato pak vite rinie, i lirë.

Unë pa ty jam i vetëm....

Unë pa ty jam i tretun....

Gjithmonë kam me të kujtu...

Skam me te harru moj kaçurrele

Kaçurelat e tu...

Përmes vuajtjeve që i sillte tuberkulozi, kur villte gjak e rënkonte papushim nga dhimbja, ai kompozoi aty nëpër qeli, këngën për dashurinë e humbur. “Kaçurrelat e tu”. E këndoi menjehërë, duke e ndarë me bashkëvuajtësit e tij brengën për dashurinë e tij të humbur.

Ishte mësues dhe kompozitor i talentuar i brezit të tij. Gac Çuni lindi në vitin 1926, në Shkodër. Kreu Seminarin Jezuit dhe Liceun e Shtetit në Shkodër. Pas diplomimit, punoi si mësues në Bajzë të Kastratit, ku dhe u arrestua me akuzën se kishte takuar të vëllanë e arratisur dhe se kishte komunikuar dhe ndihmuar dajën e tij, që ishte asokohe i arratisur si antikomunist, në malet e Dukagjinit.

Akuzohej gjithashtu, se kishte pasur lidhje me një klerik patriot, si Pader Çiril Cani, kur ai ishte me shërbim në Koplik, atje ku Gaci kishte qenë mësues. Në akuzën e sigurimit të shtetit, thuhej se Gac Çuni nuk e kishte dashur komunizmin. …Se i kishte shkruar një letër dajës së tij në malet e Dukagjinit dhe e kishte ndihmuar atë, me ushqim e rroba për të mbijetuar nëpë ato male.

Arshi Pipa kishte qenë mësues i tij, por edhe bashkëvuajtës, nëpër kampet e burgjet komuniste. Gac Çuni dha shpirt në burgun e  Burrelit, përmes dhimbjes së papërshkrueshme nga sëmundja e rëndë e tuberkulozit, për të cilën autoritetet e burgut, ndaluan ndihmën mjekësore. Dha shpirt, ashtu i drobitur nga sëmundja e rëndë, larg familjes e shoqërisë, larg "kaçurrelave të saj".

Kur vdiq Gac Çuni, mësuesi dhe bashkëvuajtësi i tij Arshi Pipa, shkroi:

«Elegji për Gac Çunin».

Vdiq edhe nji tjetër! Qanje shokë, të ngratin!

Banja t'madhe gjamën! Vdiq tue sosë afatin!

Si, pat hjekë e vuejtun, mbasi shumë qe rrekë

Tue luftue me morden! Vdiq: e lanë me vdekë!

Shtrydhë e shterrun forcash djerreve t'Bedenit,

fill andej përplasun brrakave t'liqenit;

ra e u'mek djaloshi… Vinte i imët kah shtati,

s'ishte për tê kazma, s'ishte për tê shati

Se ktij qielli i fali çka s'i dha secilit:

frymën e muzikës, zanin e bilbilit.

Oh sa herë ndër muzgjet e robnis ai zâ

Zemrën qi lëngonte balçëm ai ju bâ

Dridhej nën zâ letas, mallshëm, melodija,

tash ndër kangë shkodrane, tash n'Ave Maria.

Prante zhurma e dhomës, që të gjithë veshtojshin

Tretun ndër kujtime t'ambla qi ato zgjojshin…

Gac, o shok i vuejtjes, nxânsi im i lashtë,

mâ s'ta gjegja zanin, mâ nuk t'ndesha jashtë!

N'imshtën e Burrelit vorrin ku ta banë

Kur ushton gjethnaja, Gac ti ndoshta fshân?

Fshâj nji kangë lirije qi t'u mbyll n'krahanuer!

Fshâj nji jetë artisti qi pa fryt u-buer!

Fshâj e përmbas teje le t'ankojë shoqnija

qe na njofti vlerën, mbarë t'ankojë rinija!

Shënim: Informacioni është marrë në artikullin me titull: Requiem për Gac Çunin, botuar nga: adiandradi.com, me autor Pjetër Pepa.

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.