Inspektim dantesk në kampin e shfarosjes së Maliqit, Vloçisht/ Poema me 26 sonete e Arshi Pipës, si një ndër ekuivalentet e “Ferrit” të Dantes në letërsinë shqipe
Nga Agron Tufa
Arshi Pipa e shkroi këtë poemë tinëz, përmbys, në një shtrat spitali të Korçës, drejt në një tefter letrash duhani dhe e tillë ka shpëtuar e ruhet dorëshkrimi i saj unikal, tek e motra. Është një ndër figurat poliedrike që i bën nder çdo kulture të madhe të euroamerikës, ku në fakt pati sukses vepra e tij në shumë gjuhë, sikundërse dhe karriera e tij si profesor i universiteteve amerikane. Për turp, vepra e tij ende nuk është botuar as në një të dhjetën e saj, rrjedhimisht mbetet e panjohur.
Nëse flasim për letërsi në kuptimin e lartësuar të veprës artistike, atëherë do të veçoja menjëherë këtu kontributin kapital që ka në këtë drejtim poezia e Arshi Pipës (“Libri i Burgut”, Romë 1959) dhe sidomos poema e tij sonetike “Kanali”, një inspektim dantesk në kampin e shfarosjes së Maliqit, Vloçisht. Mendoj se kjo poemë me 26 sonete do të ishte një ndër ekuivalentet e “Ferrit” të Dantes në letërsinë shqipe. Mjafton të përmend këtu sonetin e parë hapës, për të nënkuptuar lëndën e kësaj poeme:
Nga Korça bumbullon. Currila shiu
rrjedhin prej mushamás mbi krena e shtroje.
Pështillen, struken gjindja ndër mbuloje:
Nji lamsh ku qelben recka e mish njeriu.
Mbramje. Dikush përbrî qet gjak për goje.
Këndon letas mbatanë nji fmí arxhiu.
Ky grindet për pak uj qi shoku i piu;
Ai shán se i vodhën bukën. Hín nji roje.
Shkopinj e shqelma. Britma. Frín bilbili.
Pushim. E dergjet lodhja, prân secili,
E flên kush mundet për atë natë me fjetë.
Si lazaret rënkon e fshân baraka.
Nesër të gjithë i pret kanali, brraka,
veç atyne qi pret nji vorr i shkretë.
Poema e plotë, si më poshtë:
Kamp i Vloçishtit, Korçë
Korrik-Nanduer 1948
Kanali
I
Nga Korça bumbullon. Currila shiu
rrjedhin prej mushamás mbi krena e shtroje.
Pështillen, struken gjindja ndër mbuloje:
nji lamsh ku qelben recka e mish njeriu.
Mbramje. Dikush përbrî qet gjak për goje.
Këndon letas mbatanë nji fmí arxhiu.
Ky grindet për pakë uj qi shoku i piu;
ai shán se i vodhën bukën. Hŷn nji roje.
Shkopinj e shqelma. Britma. Frŷn bilbili.
Pushim. E dergjet lodhje, prân secili,
e flên kush mundet për at natë me fjetë.
Si lazaret rënkon e fshân baraka.
Nesër të gjithë i pret kanali, brraka,
veç atyne qi pret nji vorr i shkretë.
II
Rreshtohet puntorija: ndahet çorba:
dy-trí patate qi vozisin n’uj.
E shtrîhen duert e dridhshme... Por shumkuj,
pse normën nuk e kreu, s’i njomet vorba.
Ky ngjyen bukën me krypë, ai nji këpujë
qepe qëron. E shkunden xhepa e torba.
Për nji fundrrí kazani mu si korba
t’etshëm mbi kërma sulen me rrëmujë.
Mbasdreke. Diell. Tash lahen, hjekin llucën
nga kofshët; terin petkat; ngjesin arna.
Dikush morritet. Njeni zien do barna;
si shtesë për darkën; tjetri qepë këpucën.
Nji profesor me syza vetullçil
Bythça duhani mbledh e i ban fitil.
III
A mund të quhen njerëz? Qe, shikoj.
Fëtyra dheu ku sŷt e shojtun ngrohen
kur shofin bukën; faqe qi gropohen
e nofulla qi dalin si patkoj.
Kambët s’i mbajnë e krahët u rrëzohen.
Si dordoleca lkunden qi vendoi
mbi hunj kopshtari. Njerëz kta ksijoj?
Shauretën janë qi nga vorrezat çohen.
Njerëz kanë qenë. Sot janë veç zhele mishi,
automa kockash, nji bërsí, nji pleh,
ku veç prej emnave dallon e njeh
bujkun nga beu, tregtarin nga dervishi,
kusarin, simahorin, lakanderin
prej atdhetarit qi luftoi për nderin.
IV
Por eja tash e shifi ndaj kanalit:
Njimijetreqind vetë, nji mizërí.
Lopata e bela tunden me furí
e qerrkat mbarin plisat e moçalit.
Tri metra e gjysëm kub për çdo njeri.
Qofsh babagjysh qi ke djalin e djalit,
a qofsh i smundë sa dalun prej spitalit,
bani ja vdis: ankimi s’ban dobí.
Shef të gjymtuem e pleq ngarkue mbi shpina
dhogat e randa e qerrkat mbi kaptina,
qi binë e ngrihen e zvarnisen krrut.
U mshon polici me dajak sa mundet.
Por ndodhë sa herë qi njeni sish nuk tundet.
Me vig e çojnë e vigu mbrrîn tabut.
V
Kur bora e Prillit ndritte mbi Gramoz
derisa bryma e vjeshtës rini knetën,
punuem na pa pushim tue hapun shtretën
ndër baltat e moçalit veshë n’rrogoz.
I futeshim kanalit veç me shetën,
bela e lopata. Ushunjzat vijanoz
na thithshin edhe at gjak tuberkuloz
qi kishte ngelë sa me na mbajtun jetën.
Sa zente çquhej nata nga mëngjezi
ndër balta zhyteshim deri te brezi.
Humbojshim, shkajshim, bijshim laradash.
Ngulej qorras për fund lopata e qitte
nji ndrag gjirizi qi si zifti ngjitte
e duhej flakun tutje mbi tre pash.
VI
Kur rojevet u tekej me u-zbavitun
merrshin ndokend nga puna, zakonisht
fetarë a njerëz shkolle, dhe me bisht
lopate u hŷjshin sa t’ishin mërzitun.
Mandej nji doç i hypshin mbi kërbisht
qi e ngitte posi kalin tu’e shëtitun
përgjatë kanalit, «hyja!», tue i britun...
E ja diftojshin puntorís me gisht:
«Sabotator i poshtër! klysh i Carit!
Sabotoni po deshët ju të tjerë!»
Zgërdhîheshin, ngërdhesheshin. At’herë
dy-tre zuzarë mâ t’ligj, shokët e t’parit,
shtymën i jepshin n’gjol që nga skarpati,
dhe t’qitmen kryet me hunj i rrijshin gati.
VII
Pushonte puna, niste çfaqja vrik.
Merrshin ata qi normën s’kishin krye
dhe i futshin prap n’kanal tue u-ndërkrye
ma keq mbi ta, mâ t’dobtit, n’epsh sadik.
Nji tregtari t’dukuem qi u-rrokullye
nga pesha e qerres te skarpati thik
dy përnjiherë i futen me kamxhik,
me shqelma nëpër llaçna tue e shkrrye.
Nji babaj zhgulin mjekrrën, e pështŷjnë.
«Pa shih, derri! akoma bark më ka!
Ngre këmbët, sqap!... Mos ki merak, baba!
Ta heqim ne!» Mandej n’hendek e shtŷjnë.
E i kqyrë nji idiot me gojën hapë... I kllasin
befas nji grusht me dhé... mandej gajasin.
VIII
Por thue se veç me kaq ngopeshin djajt?
Cilat tortura lanë ata pa çpikun.
Kur u-mërzitën vetë tue rrahë, tue fshikun,
frrotën ndërsyen mbi né posi çakajt.
Cubin qi vrau për plaçkë, sifilitikun
rrufjan i s’motrës dhe spijun i t’vllajt,
horin qi hangri bukë turpin e faj’t,
ata mblodhën, atyne u dhanë kamxhikun.
E «Bini atyne qi s’punojnë! – u thanë –
Bini, palaço, t’poshtër! Mirë e keni,
qi anmiqt e popullit ende kurseni!
Qi ju gabuet ata n’errsinë ju lanë.
Dhe shpejt pushteti jú ai do t’ju falë.
Por kta ktu do t’çfarosen dalngadalë!»
IX
Ditën âsht vallja, natën sarabanda.
Se rraskapitesh ditën, natën flên?
Nuk thom për morrin, qi për trup e gjên
(u-msuem me tê) si miza dheu ndër banda.
E zgjohesh trembshëm... Ndien a veshi t’rrên?
Këlthitje t’çjerruna, rënkime t’randa...
Torturohen tash shokët te komanda,
e radha jote nesër ka me qenë.
E ç‘nuk na bâjshin! Na rrihshin me tel,
lakuriq, e mandej n’ujna handraku
na zhytshin, trupin plagë n’currila gjaku.
E na lidhshin me fill prej telefoni
për shtyllat aty pranë krahnuer e bel,
qi t’na pështynte nesrejt divizjoni.
* Marre nga "Libri i Burgut
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.