“Kapëm vëllanë, po e shtrëngojmë të tregojë ku janë fsheh të arratisurit”

0
378
blank

Dokumenti i 24 shkurtit 1945, që dëshmon masakrat e komunistëve në veri pas depërtimit të tyre fshat më fshat duke vrarë, arrestuar, torturuar, djegur shtëpi e sekuestruar çdo pasuri, që gjenin nën kërcënimin e armëve…

Operacionet spastruese të komunistëve, në veri të Shqipërisë, në muajt e parë të vitit 1945 janë forma më e hapur e luftës ndaj kundërshtarëve të tyre politikë. Brigadat partizane, nën udhëheqjen e komandantit të operacionit Mehmet Shehut, u shpërndanë në gjithë veriun dhe depërtuan fshat më fshat duke vrarë, arrestuar torturuar, djegur shtëpi e sekuestruar çdo pasuri, që gjenin nën kërcënimin e armëve, me arsyen e vetme se ata nuk kishin pranuar t'i nënshtroheshin pushtetit të komunistëve, apo edhe vetëm pse kishin strehuar në shtëpitë e tyre nacionalistët e arratisur.

Në zonën perëndimore të Pukës, në shkurt 1945, duket se vepronin dy brigada partizane  brigade e IV-të dhe ajo e XVII-të. Në një telegram që i dërgohej komisarit politik të Divizionit IV-të  Muzaferr Trebeshinës, nga komisari politik i Brigadës së IV-të, përshkruhen detajet e aksionit të komunistëve  në veri-perëndim të Pukës, në përpjekje për të kapur  Kol Bibë Mirakën, Dodë Nikollën etj. Ai njofton se kishin arrestuar vëllain e Dodë Nikollës dhe se do ta “shtrëngonin” (përmes torturave) për të treguar se ku fshiheshin të arratisurit. Më poshtë “en.kujto.al” sjell telegramin e plotë të përcjellë nga Muzafer  Trebeshina:

U.N.ÇL.SHQ.

Vdekje Fashizmit – Liri Popullit

Shkodër, me 24-II-1945

SHTABI I DIVIZIONIT TË IV-të SULM.              .

Nr. 7/21 Rezervat

Shtabit të Korp-Armatës së III-të

 

Këtu poshtë ju përshkruajmë tekstualisht radiogramin shifër të dërguarë prej Komisarit Politik të Brigadës së IV-të.

“Forcat tona mbassi përshkuan zonën në perëndim të Pukës ku arrestuan disa të dyshimtë dhe dogjën dy shtëpira t’arratisurish qysh nesër e lëmë këtë sektor mbassi ky ka qenë operuarë dhe prej Batalionit të II-të të Brigadës XVII; dhe fillojmë operacjonin ndër katundet që ndodhen në veri-Perëndim të Pukës, Qerret i Poshtërmë, Dedaj, Ukth, Komanë e rrotull stop Ndër këta katunde informohemi që strehohen dhe kriminela stop Kemi kapur Zef Nikollën i vëllaj i të aratisurit Dod Nikollës që ndodhet së bashku me patukun Kol Bibën e kriminelat e tjerë stop Këtë do ta shtrëngojmë për të na treguarë se ku strehohen tani të sipër-përmendurit stop

KOMISARI POLITIK I DIVIZIONIT IV-të

Nën-Kolonel

(Muzafer Trebeshina)

(vula, firma)

Burimi: AQSH, V.1945, F.14, D.2015

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here