Trakti i 1946/ Rrugët e Shkodrës i lanë me gjak, poshtë partia terroriste e Enver Hoxhës

0
459
blank

Ky trakt i rrallë i hedhur në Durrës në shtator të vitit 1946, dëshmon se sa të qartë ishin një grusht njerëzish në fillesat e regjimit komunist për  terrorin  dhe masakrat e përgjakura, me të cilat do të procedonte regjimi i Hoxhës, nga fillesat e diktaturës deri në grahmat e fundit të saj.

Trakti është dërguar në Komitetin Qëndror nga Adil Çarçani, i cili njofton se në Durrës ishin shpërndarë në atë kohë shpesh trakte të tilla dhe se duheshin gjetur autorët e tyre për “t'u mbyllur” gojën njëherë e mirë”.

Në traktin me titull “Terror i pa shembullt” ndër të tjera thuhet: “Populli jonë u gënjye, por do të dijë edhe të çlirohet vetë nga këta hajdutën komunist. Nuk ësht terun akoma gjaku i derdhun nëpër rrugët e Shkodrës disa dit nga nacionalistat Shqiptarë, të cillët dhanë jetën e vet për të çlirue popullin nga zgjedha e poshtër komuniste. Duhet ta dijë populli Shqipëtar se bijët e tij ma të zgjedhun, sot janë mobilizue për të luftuar rregjimin grabitçarë të Enverit, dhe nuk është larg dita në të cillën udhëheqsit e partisë do të japin llogari për vuajtjet që po i shkaktojnë sot popullit”. Por, historia dëshmoi se ky paralajmërim për represionin e regjimit komunist nuk u dëgjua sa duhet dhe se levat e pushtetit të Enver Hoxhës arritën t’i mbyllin një nga një gojët e kundërshtarëve dhe me dhunë ta mbajnë pushtetin për 45 vite.

Më poshtë e sjellim të plotë traktin e hedhur në Durrës në shtator të 1946-ës.

Terror i pa shembullt

Në këto kohët e fundit ësht shtuar pa masë terrori komunist. Vuajtjet e popullit, janë të mdhaja. Populli Shqiptarë që derdhi gjakun për të fituar lirinë dhe nji jetë ma të lumtun, sot asht i shtypur nga klika komuniste Enver Hoxhës me shokë. Populli i jonë u gënjye por do të dijë edhe të çlirohet vetë nga këta hajdutën komunist. Nuk ësht terun akoma gjaku i derdhun nëpër rrugët e Shkodrës disa dit nga nacionalistat Shqiptarë, të cillët dhanë jetën e vet për të çl.irue popullin nga zgjedha e poshtër komuniste.

Duhet ta dijë populli Shqipëtarë se bijët e tijë ma të zgjedhun, sot janë mobilizue për të luftuar rregjimin grabitçarë të Enverit, dhe nuk është larg dita në të cillën udhëheqsit e partisë do të japin llogari për vuajtjet që po i shkaktojnë sot popullit.

Në rrëzimin e klikës trathëtare që ësht tuej na pi gjakun, duhet të marri pjesë i gjith populli i ndershëm Shqiptarë.

Poshtë Enver  Hoxha

Poshtë Jakob Stalin

Poshtë partija terroriste komuniste

Poshtë TITO

I përjetshëm qoftë kujtimi i dëshmorve të S H K O D R Ë S

Rroftë O N R A S H

 

BURIMI: AQSH, F. 14, V.1946, d.50

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here