Familja Merdani ishte varfëruar sa hap e mbyll sytë, pasi u kishin marrë arin, u kishin plaçkitur shtëpinë dhe i kishin dërguar në internim, ku dita e punës vlente sa një kuti shkrepëse. U kishte mbetur i paprekur vetëm ai thesari që disa njerëz arrijnë ta ruajnë në zemër. Ylber Merdani rrëfen vitet e burgut dhe internimit, bashkë me disa episode, si ai i ditëlindjes së motrës, kur nuk kishte çfarë t’i dhuronte tjetër, veç një poezie
Poezitë mund të jenë bërë shkak për arrestimin e Ylberit, por ai e di që pushteti popullor, i cili iu ishte vënë pas familjeve të pasura si ajo e Merdanëve, që nuk u pajtuan me komunizmin, do të gjente një arsye për ta dënuar dhe atë, siç bëri me të atin, xhaxhanë dhe kushëririn, Sherifin, këngëtarin e njohur. Por në atë kohë, kur miqtë me zor gjendeshin, të paktën kishte vargje që mund t'u hapte zemrën dhe tani, kur ka mbërritur një moshë që, mes vuajtjesh, mendonte që nuk do ta mbërrinte, janë sërish ato që i konsideron pasuri. Poezitë madje, me dritën e tyre, kanë ndryshuar ngjyrën e rrethanave edhe për ata që kishte afër. Ylberi nuk harron një nga këto raste, kur ishin të internuar në Pulah dhe ishte ditëlindja e motrës. Ishte shkurt. Ndoshta në pranverë mund të gjente disa lule në fusha, por në dimër i mbetej vetëm poezia.
“Ishim 5 njerëz; vëllai im që ishte internuar dhe 2 pleqtë. Ditëlindja ishte në shkurt dhe ishte viti 1968. Kishim 4 patate të ziera dhe një bukë misri. Kaq kishim për të pestë ne. N.q.s me lejoni, dua t’ju lexoj një poezi:
Ne nuk kemi gota prej kristali,
Tavolinës endet varfëria
Por për ty, pimë ujë dhe ajër mali
Nëpër zemrat tona fle liria.
Motrës për ditëlindje”
Në intervistën për evenwallshaveears.org, shkrimtari tregon që ata u internuan në vitin 1967, me akuzën e agjitacionit dhe propagandës. Merdanët jetonin në mirëqenie prej aktivitetit të tyre tregtar që vazhdonte prej 40 vitesh, por pak vite pas vendosjes së pushtetit komunist, në vitin 1950, ata u nxorën nga shtëpitë dhe u vendosën në kasollet e komunitetit rom. Jetuan për 7 vjet në këto kushte, që poeti i krahason me shtegtimin e hebrenjve në shkretëtirë, për të përjetuar një periudhë normaliteti gjatë së cilës ai dhe dy motrat përfunduan studimet për pedagogji. Ishin dhjetë vjet normaliteti, nga viti 1957 deri në vitin 1967, gjatë të cilave Ylber Merdani dhe e motra nisën punë si mësues në Cermenikë të Librazhdit, por më pas, në vitin kur Shqipëria u shpall ateiste, vëlla e motër u pushuan nga puna dhe u erdhi urdhri për internim, bashkë me prindërit dhe vëllanë e vogël.
“Sollën një makinë te dera e shtëpisë dhe i nxorën të gjitha gjërat nga shtëpia në orën 5.00 të mëngjesit. E gjithë lagjja u tremb nga zhurma e trokitjes së derës. Kishim një derë me shufra metali. Kishim një shtëpi të jashtëzakonshme. Lagjja u mblodh dhe ishin gati të qanin, sidomos ata që kishin lindur në Korçë dhe që e njihnin babin tim. Një burrë plak u çua edhe i pyeti: “Çfarë pune keni me Fuatin? (babain tim).” Ai burrë na ka ndihmuar me çdo gjë. Nuk ka burrë më të mirë se ai, është i shenjtë. “Janë armiq”, -u përgjigj zëvendësdrejtori i degës. Të gjithë mbetën të shastisur. Na çuan në kooperativë, në Pulah të Oparit. Më beso kur të them që kur përmbushje kuotën ditore, të paguanin 5 lekë për ditën e punës, me të cilën mund të blije vetëm një kuti shkrepëse”, kujton ai. Asgjë më pak sesa skllavëri. I ati, siç kujton Ylber Merdani, thoshte që ai ishte përgjegjës që i kishte sjellë aty, si të donte të gjente një shpjegim për ndëshkimet e palogjikshme që pushteti ushtronte ndaj kundërshtarëve të tij, të cilëve dukej se u lexonte edhe mendimet, duke i rrethuar me spiunë dhe ruajtur në çdo hap, deri sa të gjente provat për t’i arrestuar. Por djali i madh i përgjigjet: “Baba, ne jemi krenarë që të kemi ty, ky nuk është faji yt. Edhe n.q.s do të kishe qenë partizan, ne këtu do të kishim përfunduar, sepse e kemi ndershmërinë në gjak dhe e urrejmë diktaturën për të gjithë këto të këqija që na ka sjellë.” Ky mospajtim bëri që Ylberi të dënohej edhe më rëndë. Ai u dërgua për 8 vjet në Spaç. Përndjekja megjithatë nuk kishte të sosur. Nga burgu, sërish në internim, në Shtyllë të Vithkuqit, ku lindën 12 fëmijë të Merdanëve. Ai vetë, u bë baba në internim pas martesës me Shpresën, gjithashtu e internuar. Në Shtyllë, kaloi 14 vite punë të detyruar, deri në 1991-shin. Ishte 50 vjeç kur periudha e persekutimit mori fund. Nuk i kishte mbetur më asnjë pasuri. Dokumentet që ka siguruar, vërtetojnë se u janë marrë 450 kg ar. I ati doli i gjymtuar nga burgu, nga torturat për të treguar ku e kishte fshehur floririn. I kishte mbetur vetëm karakteri dhe mirënjohje për Zotin që e shpëtoi. “Tani, ne jetuam atje, të them të drejtën, ndonjëherë ndonjë mendim ogurzi më thoshte që të vras veten, në mënyrë që mos ketë më jeta mundësi të më rrahë. E të shpëtoj, të jem në përjetësi i qetë, mos të kem më persekutime e nga këto gjëra. Mirëpo një engjëll, me zërin e tij, më thoshte: ‘Jetën ta ka dhënë Zoti. Duro. Shpreso.’ E di që një ditë do ma marrë jetën Ai që ma ka dhuruar, por jam i lumtur që munda ta shijoj moshën e vjetër dhe po i lë pas një trashëgimi të ndershme fëmijëve të mi. Këto libra janë gjithashtu diçka që e vlerësoj… Falënderoj Zotin që më bëri të fluturoja me shqiponjat dhe nuk u përzieva me sorrat. Duart më dridhen, por karakteri kurrë!”
I kishin mbetur dhe poezitë, lulet e dimrit 47-vjeçar.
Nga A.Çano
Në foto: Ylber Merdani dhe bashkëshortja, Shpresa.
Fotot dhe citimet janë marrë nga platforma e dëshmive gojore Edhe Muret Kanë Veshë e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Intervistoi: Kristale Ivezaj Rama
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.