Koçi Xoxe: Aksionistët vullnetarë,  si do t'i përdorim politikisht si grusht ndaj reaksionit

0
200
blank

Aksioni vullnetar për rrugën Kukës-Peshkopi ishte ideuar nga regjimi i Hoxhës në pranverën e 1946, si një vepër me përfitime ekonomike, pasi do të ndërtohej rruga, por edhe si përfitim politik (pasi të rinjtë e mbedhur nga gjithë Shqipëria, do të indoktrinoheshin e shndërroheshin në një armatë, plus për gjunjëzimin e kundërshtarëve politik të komunistëve, në gjithë zonën e malësisë së Kukësit e të Dibrës.

Në këtë radiogram, në formë urdhërese për të gjithë komitetet e partisë në rrethe, Koçi Xoxe e nënvizon këtë direktivë, duke theksuar se është një operacion me të vërtetë i rëndësishëm. E vërteta është se shumë të rinj e kundërshtuan mobilizionin, pothuajse me forcë në këtë aksion, dhe pjesa që shkoi në aksione, u kthyen në shtëpitë e tyre të zemëruar për kushtet e tmerrshme, ku kishin punuar e jetuar.

Kujto.al sjell më poshtë të plotë urdhrin e Koçi Xoxës, për të mobilizuar në masë të rinjtë e fshatrave e qyteteve, për të shkuar në aksion për ndërtimin e kësaj rruge. Në ditët në vijim, do të sjellim disa dokumente të kësaj teme, për të kuptuar se si ishin në të vërtetë  aksionet e viteve të para të regjimit që propagandoheshin si vullnetare, por që në të vërtetë urdhërohej dhe nxitej nga krerët e regjimit, që të kishte mobilizime edhe të dhunshme, mjaft te ishin sa më shumë në këtë aksion.

Radjogram Nr.859/1

Tiranë, 20/V/46

GJITHE KOMITETEVE QARKORE

Siç e dini Këshilli i Ministrave ka vendosur çeljen  e rrugës  Kukës Peshkopi. Drejtimin dhe gjithë punën  e ka marrë përsipër organizata e BRASH-it, por kjo nuk do t ëmund ta kryejë këtë pa ndihmën e Partisë. Prandaj ju duhet ti jipni rinisë rë gjithë ndihmat e nevojshme, në mënyrë që çdo qark të plotësojë ç’ka i është kërkuar.

Kriteri që do të ndiqet duhet të jetë ky: duhet të jetë të rinj, fshatarë dhe qytetarë, por jo gjtihë të mirët se duhen edhe për punët e ndërmarrjet që do të ketë çdo qark.Bashkë me të rinjtë vullnetarë të dërgoni edhe antar Partije dhe ndonjë sekretar celule. Anëtarët e Partisë të mos jenë nga më të mirët. Përpiquni që numri i anëtarëve të Partisë të jetë ashtu si i ka kërkuar Rinija, siç kanë biseduar sekretarët politik me Komitetin Qëndror të Rinisë.

E theksojmë edhe njëherë që ndihma tuaj, organizatës së Rinisë të jetë efektar në mënyrë që çdo gjë t’arrihet simbas planit dhe ajo që ka rëndësi është shpejtësia. Data e fillimit të punimeve afroi, prandaj bëni çmos që të gjithë të rinjtë vullnetarë të kenë arrijtur në datën e caktuar.

Aksioni që ndërmerr rinija jo vetëm që ka rëndësi ekonomike, por ka edhe një rëndësi të madhe politike, sidomos për ato krahina dhe është një grusht, një operasion kundra elementëve reaksionar. Për rëndësinë e këtij aksioni referojuni intervistës së Komandantit.
Presim rezultate të shpejta. Mundësisht të kalohen parashikimet.

Për Komitetin Qëndror të PKSH

Koçi Xoxe

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here