Koplik, shkurt 1945/ Kur partizanët digjnin shtëpitë e malësorëve

0
375
blank

Dokumenti zyrtar me dëshminë e sigurimit/ Met Halili na tha: Nuk ju pranojmë dot në shtëpi se na vijnë partizanët e na vënë zjarrin

Për 45 vite me radhë, shqiptarët u detyruan të pranojnë propagandën komuniste, sipas së cilës, partizanët ishin shpëtimtarët e vendit. Por, me hapjen e arkivave gjen gjurmët e krimit të tyre mbi popullsinë shqiptare edhe gjatë luftës, pa mbërritur ende tek diktatura. Një dokument i marrë në arkivën e shtetit, vërteton edhe një herë se krahas vrasjeve pa gjyq, janë bastisur e djegur shtëpi fshatarësh nga komunistët, kryesisht në veri të vendit. Dokumenti i shkurtit të vitit 1945, flet për infiltrimin e sigurimsave dhe paraqitjen e tyre si ballistë. Ngjarja zhvillohet në Koplik të Shkodrës, ku sigurimsat ishin paraqitur si ballistë dhe kishin biseduar me banorët e Malësisë së Madhe. Në dokument jepen detaje rreth bisedës së një sigurimsi me një banor të Koplikut, i cili quhej Metë Halili. Në bisedë flitet për terrorin që kishin mbjellë komunistët në fshatarët e asaj ane. Metë Halili dëshmon ndër të tjera që nuk mund të priste miq sepse partizanët mund ti digjnin shtëpinë, siç kishte ndodhur shpesh në atë krahinë. Më poshtë teksti i dokumentiti shoqëruar me faksimilen.

Koplik, me 8.2.1945

SHTABIT TË BRIG. II.TË M.P.

për njoftim: SHTABIT TË DIV.IV-S H K O D Ë R

Me datën 4 të k.m. rjeti informativ i Batalionit III.të Brig.XI.të ishte bërë civil vetë i pestë dhe shkoi nëpër katunde ku në katundin Bogiçë takohet me Met Halilin dhe bisedon me të. Shokët e këtij i u paraqitën si ballista dhe i thonë: “Na jemi ballista dhe duam që të na mbash”. Meti i u përgjegj se: “Këtu nuk u mba dot mbasi vinë partizanët dhe u gjejnë, por juve të rrini këtu në pyll se atje u a bie bukën unë”. Shokët i thonë: “A ka partizanë shumë këtu”. Meta u përgjegj: “Po si ka, janë nj’a 90 në Koplik”. Shokët e pyesën se si sillen partizanët. Meti thotë: “Vallahi hej burra na hanë bukën kotë”. Pastaj u pyet në se kishte ballista të tjerë në katund. Ky u përgjegj “jo s’ka, se kanë dalë në mal”. Atëhere, i thanë shokët, a vjen dhe ti me neve që të shkojmë në mal. Jo, u përgjegj Meta, tani nuk vij dotë, por kur të çelë gjethja do të dalimë e 3-ta e malësis me gra e me burra dhe do të lëftojmë kondra partizanëvet, sepse partizanët lëftojnë për vehëte dhe jo për neve. Tash ka shumë borë, vazhdon Meta, dhe nuk mund të qëndrojmë dot. Po gratë t’ona, i thonë shokët, a mund të na i mbajsh në shtëpinë t’ënde. Ky u përgjigjet: Nuk mundem sepse kam frikë se m’i diktojnë partizanët dhe më djegin shtëpinë; sa për bukën t’uej mund t’u a bijë në pyell, por me vonesë se nanën kam dhe vet i dyt vëlla jam e grani të tjera nuk kam në shtëpi.

Pra, në bazë të këtyre informatave, të marra nga Rjeti informativ i Bat.III.të të kësaj Brigade, dhe në pyetjet që ju bënë të përmendurit, deklaroi vetë se i kishte thënë të gjitha sa u shkruan më lartë.

Për Shtabin e Brig.XI.S.  Komandanti: Major: (Mevlan Dervishaj)

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here